6. Enam · Ajeti 45 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:30–6:45
Njerëzit janë të atillë që iu përgjigjen udhëzimeve të pejgamberit dhe shpalljes së Zotit dhe të atillë që nuk duan të dëgjojnë, prandaj t'i këshillosh ata, ishte si t'i këshillosh të të vdekurit. Zoti do t'i ringjallë të dy palët dhe do t'u japë shpërblimin e merituar.
Kërkonin prej Muhammedit t'u sjellë ndonjë mrekulli konkrete siç ishte Devja e Salihut, Shkopi i Musait, Tryeza e Isait etj. Ata nuk e dinin se po t'u sillej diçka e tillë e ata të mos besonin, do t'i kapte menjëherë azabi.
Allahu që krijoi çdo gjallesë në tokë e në qiell, i ndau në grupe të llojllojshme, i furnizoi dhe i përcolli secilen prej tyre, Ai është i plotfuqishëm t'i sjellë Muhammedit çfarëdo mrekullie që dëshiron, por Ai vepron sipas dijes së vet.
Veshi që nuk dëgjon të dobishmen, dhe gjuha që nuk e thotë të vërtetën, mjerisht janë të humbura dhe janë me defekte.
Çdo besim në diçka tjetër pos në Allahun është i rremë, pse në momentet e vështira çdokush i drejtohet Zotit, e jo atij që s'ka fuqi.
Ndonjë masë ndëshkuese nga Zoti kundër njerëzve në këtë jetë ka për qëllim edukimin, por zemërfortët nuk i vënë veshin masës së tillë derisa t'i përfshijë ndonjë katastrofë e përgjithshme.
Zullumqarët do të zhduken, herët a vonë, ashtu sikurse u zhdukën idhujtarët mekas. Çdo popull që bën zullum, ai ka për t'u zhdukur.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:40–6:45
- Thuaju: “Nëse ju vjen dënimi i Allahut ose ju vjen Ora (e Kijametit), vallë, a do të thërrisnit për ndihmë dikë tjetër veç Allahut? - Allahu i Lartësuar na njofton se Ai vepron gjithçka që dëshiron dhe vetëm Ai është administruesi, rregulluesi dhe Ai që vepron në krijesat e Tij ashtu si Ai dëshiron dhe vendos. Askush nuk mund të hedhë poshtë dhe kontestojë gjykimin dhe vendimin e Tij. Askush nuk mund të devijojë dhe t’i shmanget gjykimit që Ai ka vendosur për krijesat. Allahu është i vetëm dhe i pashoq në gjithçka që vendos dhe vepron me krijesat e Tij. Ai është i vetmi që mund t’iu përgjigjet lutjeve të atij që Ai dëshiron, sepse Ai e ka pushtetin për t’ia plotësuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse ju vjen dënimi i Allahut ose ju vjen Ora (e Kijametit), vallë, a do të thërrisnit për ndihmë dikë tjetër veç Allahut? ” Pra, në të gjitha rastet, qoftë kur vjen ndëshkimi, qoftë kur të vijë Dita e Gjykimit, ju kurrsesi nuk do t’i luteshit dikujt tjetër, sepse ju e dini mirë se askush nuk ka mundësi që ta largojë ndëshkimin dhe t’ju shpëtojë atë ditë, përveç Allahut”. - Përgjigjuni, nëse jeni të sinqertë! - Nëse jeni të vërtetë, të sigurt dhe të qetë në përzgjedhjen tuaj të zotave të tjerë, përgjigjuni kësaj pyetjeje: “Nëse ju vjen dënimi i Allahut ose ju vjen Ora (e Kijametit), vallë, a do të thërrisnit për ndihmë dikë tjetër veç Allahut?” Përgjigjja sigurisht do të jetë: - Përkundrazi! Vetëm Atij do t’i luteshit dhe, po të donte, Ai do t’jua largonte atë për të cilën i luteni e ju do t’i harronit ata (zota të remë) që ia shoqëronit.” - Në raste domosdoshmërie, frike dhe vështirësie, ju nuk i luteni askujt tjetër veç Allahut, madje i harroni të gjitha putat. Kjo i ngjan ajetit tjetër kuranor: “Kur gjendeni në rrezik në mes të detit, harrohen ata të cilëve ju u luteni zakonisht, përveç Atij (Allahut). Por pasi Ai ju shpëton e ju nxjerr në tokë, ju sërish i ktheni shpinën. Njeriu është mohues i madh.” [El isra 67] Ose: “... Kur ata hipin në anije, i luten sinqerisht Allahut. Por, kur Ai i nxjerr ata në tokë (shëndoshë e mirë) , ata përsëri i bëjnë shok Atij!” [Ankebut 65]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Ne kemi çuar të dërguar në shumë popuj para teje. Ne i dënuam ata popuj me skamje e mjerim, që të mësonin të përuleshin. - Ne i ndëshkuam me varfëri dhe mjerim, si edhe me sëmundje, vuajtje dhe dhimbje të shumta. Allahu i sprovoi ata me një qëllim dhe urtësi të caktuar: “... që të mësonin të përuleshin.” Pra, që t’i luten Allahut me përunjësi, me përgjërim, frikërespekt dhe duke e madhëruar Atë. - Përse, atëherë nuk mësuan të përuleshin pasi u erdhi dënimi Ynë? - Përse nuk u nënshtruan, që të luten me përunjësi dhe përgjërim, kur Ne i sprovuam? - Sepse zemrat e tyre ishin të ngurta dhe Shejtani ua hijeshoi atë që bënin. - Ato as nuk u zbutën dhe as nuk u mbushën me frikërespekt dhe madhërim për Allahun. Shejtani i mallkuar ua zbukuroi në zemrat e tyre idhujtarinë dhe të gjitha llojet e poshtërsive dhe gjynaheve, kur ata iu kthyen shpinën paralajmërimeve dhe këshillimeve, madje i lanë në harresë ato me vetëdije, siç thotë Allahu: - Por meqë ata i shpërfillën porositë, Ne u hapëm të gjitha dyert (e kënaqësive) dhe, kur ata po gëzonin për ato që iu ishin dhënë, i ndëshkuam në befasi, e ata mbetën të pashpresë. - U hapëm portat e rizkut, duke u dhënë mundësinë që të zgjidhnin prej mirësive dhe stolive të kësaj bote çfarë të dëshironin. Por, sigurisht, ky ishte një gradualitet drejt shkatërrimit. Zoti na ruajtë nga kurthet dhe nga të tilla gjendje! Kështu, Allahu i Lartësuar po i çonte ata gradualisht drejt ndëshkimit dhe dëshpërimit, siç thotë në një ajet tjetër: “ Të mos mendojnë jobesimtarët se afatin që Ne u kemi dhënë të jetojnë është në dobi të tyre! Ne i lëmë të jetojnë veç që të shtojnë
edhe më shumë gjynahet e tyre. Ata i pret një dënim poshtërues.” [Al Imran 178]. Kur ata po gëzonin për pasurinë, fëmijët dhe mjetet e bollshme të jetesës, që Ne u kishim dhënë: ”... i ndëshkuam në befasi, e ata mbetën të pashpresë.” Domethënë, u goditën me ndëshkim të befasishëm. Kështu, për ata nuk ka shpresë që t’u jepet nga Zoti ndonjë e mirë. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ukbe Ibn Amiri, se Profeti ﷺ ka thënë: 1 101. “Nëse sheh që Allahu i jep dikujt nga mirësitë e kësaj bote sa të dëshirojë, edhe pse ai është gjynahqar i madh dhe i pabindur ndaj Allahut të Lartësuar, le ta dijë se kjo është për atë njeri rënie shkallë -shkallë drejt ndëshkimit!” Pastaj Profeti ﷺ lexoi këtë ajet: “Por meqë ata i shpërfillën porositë, Ne u hapëm të gjitha dyert (e kënaqësive) dhe, kur ata po gëzonin për ato që iu ishin dhënë, i ndëshkuam në befasi, e ata mbetën të pashpresë.” - Kështu u zhduk mbeturina e fundit e keqbërësve. Të gjitha lavdërimet i qofshin Zotit të botëve!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:42–6:45
- “Ne kemi çuar të dërguar në shumë popuj para teje. - Allahu i Lartësuar na tregon se ka dërguar profetë e lajmëtarë edhe në popujt e shkuar, të cilët i mohuan dhe i refuzuan me kokëfortësi dhe
padrejtësisht shpalljet e Tij. Allahu i Lartësuar thotë më pas: - “Ne i dënuam ata popuj me skamje e mjerim, që të mësonin të përuleshin. Përse, atëherë nuk mësuan të përuleshin pasi u erdhi dënimi Ynë? - Allahu i Lartësuar i goditi ata me varfëri, sëmundje dhe fatkeqësi në çdo drejtim. Të gjitha këto i bëri për t’i mëshiruar, me qëllimin që ata të nënshtroheshin dhe t’i drejtoheshin me lutje e përgjërim, për të shpëtuar nga ato ndëshkime. - “Sepse zemrat e tyre ishin të ngurta...” - Zemrat e tyre u ngurtësuan dhe kurrë nuk pranuan të nënshtroheshin për të pranuar të vërtetën. Ndërsa nga ana tjetër: - “...Shejtani ua hijeshoi atë që bënin.” – Kështu, ata mendonin se besëtytnitë që kishin ishin feja e vërtetë. Ata kishin gjetur prehje në besimet e kota, ndërkohë që Shejtani luante me mendjen dhe arsyen e tyre. - “Por meqë ata i shpërfillën porositë, Ne ua hapëm të gjitha dyert (e kënaqësive)...” - Kur i harruan shpalljet e sjella nga profetët, Allahu i Lartësuar ua hapi atyre portat e kënaqësive të kësaj dynjaje, që ata të zhyteshin edhe më keq në humbje. Kjo qe vetëm njëra nga format e ndëshkimit, sepse Allahu i Madhëruar thotë më pas: - “...dhe, kur ata po gëzonin për ato që u ishin dhënë, i ndëshkuam në befasi, e ata mbetën të pashpresë.” - Këtë radhë, ndëshkimi i la thellësisht të dëshpëruar. Ata i prenë shpresat nga çdo e mirë. Ky qe ndëshkimi më i rëndë e më i dhembshëm, sidomos kur ishin të pavëmendshëm, të qetë e në mes të kënaqësive të tyre. Një ndëshkim që ndërpret kënaqësitë është shumë herë më i dhembshëm dhe dëshpërues. - “Kështu u zhduk mbeturina e fundit e keqbërësve.” - Ata i goditi ashpër vala e ndëshkimit dhe nuk patën asnjë mundësi shpëtimi. Këtë e merituan pas shpërfilljes së porosive të Zotit dhe zhytjes së tyre në gjynahe dhe në kënaqësitë e kësaj dynjaje. - “Të gjitha lavdërimet i qofshin Zotit të botëve!” - Allahut i takon falënderimi dhe lavdërimi për gjithçka që ka përcaktuar. Allahut i takon falënderimi dhe lavdërimi që ka vendosur t’i shkatërrojë mohuesit e të vërtetës të sjellë prej Tij. Nëpërmjet këtij ndëshkimi dalin në pah shenjat e Allahut. Kështu, krijesat e kuptojnë dhe binden tërësisht për nderimin që Zoti u bën eulijave të Tij dhe për poshtërimin që godet armiqtë e profetëve dhe të shpalljeve të Tij. Në këtë mënyrë dëshmohet edhe vërtetësia e shpalljeve që sollën profetët dhe besnikëria e këtyre të fundit.