6. Enam · Ajeti 52 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:46–6:52

Zoti xh. sh. u sjell, fakte të sigurta mohuesve për fuqinë e Tij dhe për të mirat me të cilat i pajisi njerëzit vetëm Ai e askush tjetër.

Pejgamberët gjithnjë i kanë gëzuar besimtarët me atë që u ka premtuar Zoti, dhe u kanë tërhequr vërejtjen refuzuesve për tmerret e azabit, pra askush nuk ka të drejtë të thotë se nuk ka ditur.

Pejgamberi urdhërohet t'u thotë atyre që kërkonin prej tij mrekulli të posaçme, se ai nuk posedon atë fuqi që të bëjë çka të dojë, të lajmërojë për momentin e dënimit që e meritonin: se nuk ishte melek që të mos ecë, të mos hajë, etj. Të gjitha këto janë në dorë të Zotit: thuaj: unë jamë njeri, unë i përmbahem asaj që më shpall Zoti. Sikundër po shihet, Pejgamberi ynë asnjë herë nuk pretendoi në diçka mbinatyrore edhe pse kishte virtyte e cilësi shumë të larta e të veçanta në krahasim me njerëzit e tjerë. tërë qëllimi i tij ishte t'i orientojë njerëzit kah Fuqiploti duke mos lejuar kult individi, mirëpo të kota janë rrezet e diellit për të verbërin. tillë është ai që nuk e angazhon mendjen për të gjetur të vërtetën.

Një pari kurejshite vjen te Pejgamberi e i thotë: Largoji prej vetes disa myslimanë të varfër e të dobët si: Suhajbin, Hababin, Bilallin, Amarin etj., e afrona neve që jemi popull yti e ndoshta do të pranojmë ty Pejgamber. Pejgamberi lakmoi për besimin eventual të asaj parie, e cila do të ndihmonte shumë në përhapjen e fesë islame, mirëpo Zoti, i cili i di të gjitha fshehtësitë, e dinte edhe qëllimin arrogant të asaj parie, andaj me këtë ajet të Kur'anit e udhëzoi Muhammedin për qëndrimin që duhet ta mbajë dhe i tha: Mos i largo...

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:50–6:54

Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij dhe i thotë: - Thuaju: “Unë nuk ju them se kam n ë zotërim thesaret e Allahut, as nuk mëtoj se i di fshehtësitë, e as nuk ju them se jam melek. - Unë di prej “të fshehtës” veçse atë që ma ka mësuar Allahu, duke ma treguar ose mundësuar për ta parë atë. Unë nuk pretendoj që jam melek. Unë jam thjesht një njeri, si të gjithë njerëzit e tjerë, që Allahu më privilegjoi duke më dhuruar Shpalljen. - Unë ndjek vetëm atë që më shpallet. - Unë kurrë nuk e tejkaloj atë që më shpallet nga Zoti im.

- Thuaju: “A është njëlloj i verbri me atë që sheh? - A janë njëlloj ata të cilët ndjekin me sinqeritet të vërtetën dhe e zbatojnë atë me korrektësi, me ata të cilët janë devijuar dhe larguar prej saj? - A nuk mendoni?” - Kjo i ngjan ajetit tjetër të Allahut, kur thotë: “Atëherë a është i njëjtë ai që e di se ajo që t’u shpall nga Zoti yt është e vërtetë, me atë që është i verbër? Vetëm njerëzit e mençur e kuptojnë (qortimin).” [ Ra'd 19 ]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Paralajmëroji nëpërmjet tij (Kur'anit) ata që i frikësohen llogarisë para Zotit të tyre, me qëllim që të ruhen, sepse, veç Tij, ata nuk do të kenë asnjë mbrojtës apo ndërmjetës. - Tërhiqu vëmendjen, o Muhamed, dhe paralajmëroji nëpërmjet këtij Kur 'ani ata të cilët i frikësohen llogarisë para Zotit të tyre, sepse e dinë se do të ringjallen tek Zot i i tyre, në Ditën e Kijametit; ata që Zoti i përshkruan dhe thotë: “Ata që i ruajnë lidhjet që Allahu ka urdhëruar të ruhen, i frikësohen Zotit të tyre dhe i druhen gjykimit të rëndë;...” [Ra’d 21]. Atë ditë nuk do të ketë ndonjë të afërm, që të kujdeset për ta dhe as ndërmjetësues, për t’i shpëtuar nga ndëshkimi i Allahut. Më pas thotë: “... me qëllim që të ruhen ...”, domethënë, me shpresë që ata të bëhen të devotshëm dhe të bëjnë ato vepra, përmes të cilave Allahu i Madhëruar do t’i shpëtojë Ditën e Kijametit prej ndëshkimit dhe do t’ua shumëfishojë shpërblimin, nga bujaria e Tij. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Mos i largo ata që e adhurojnë Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, me sinqeritet ndaj Tij! - Kurrsesi mos i largo këta nga vetja jote, nga mexhliset e tua, përkundrazi, qëndro vazhdimisht me ta dhe konsideroji si njerëzit më të afërt dhe më të dashur për ty. Sikurse thotë io lartësuari: “Bëj durim e qëndro vetëm me ata që e lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje e që kanë për qëllim kënaqësinë e Tij dhe mos i hiq sytë prej tyre e të kërkosh stolitë e kësaj bote! Mos iu bind atij që ia kemi shkujdesur zemrën prej përmendjes Sonë dhe i është dhënë epshit të vet, sepse puna e tij ka mbaruar!” [El kehf 28]. Duke i përshkruar këta njerëz të zgjedhur, Allahu i Madhëruar thotë: “... që e adhurojnë Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje ...”. Pra, këta janë ata të cilët e adhurojnë Allahun e Lartësuar dhe i luten me përulësi në këto dy kohë të rëndësishme. Seid ibn el Musejibi dhe të tjerë shpjegojnë se qëllimi këtu është për faljen e namazeve farze. Pra, bëhet fjalë për ata të cilët e kujtojnë Zotin dhe e adhurojnë atë përmes namazeve farze të detyrueshme. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar kur thotë: “Zoti juaj ka thënë: “M’u lutni Mua, që Unë t’ju përgjigjem! …”. [Gafir 60]. Pra, m’u lutni, që t’jua pranoj lutjet dhe adhurimet tuaja! Vëreni me kujdes në fjalën e Allahut të Lartësuar kur thotë: “... me sinqeritet ndaj Tij.” Pra, punojnë dhe të gjitha veprat e tyre ata i bëjnë veçse për hir të kënaqësisë së Allahut të Lartësuar dhe fytyrës së Tij të bekuar. Ata janë të sinqertë në çdo adhurim që i përkushtojnë Allahut të Lavdëruar dhe janë të përkushtuar, të bindur dhe të nënshtruar në adhurimin ndaj Tij. - Ti nuk mban përgjegjësi për asnjë nga veprat e tyre, ashtu si edhe ata nuk mbajnë përgjegjësi për veprat e tua. - Kjo i ngjan fjalës së Nuhut (a.s.), kur u ktheu përgjigje atyre të cilët i thanë: “E si të të besojmë ty, kur ty të pasojnë më të ulëtit?” Atëherë Nuhu u tha: “Unë nuk e di se çfarë kanë bërë ata (që ju i quani të ulët)”. Përgjegjësia e tyre është vetëm para Zotit tim, nëse kuptoni (këto që po ju them). Unë nuk kam për t’i përzënë kurrë ata që besojnë.” [Shuara 111 - 114]. Kuptimi është: Llogaria e tyre është tek Allahu i Lartësuar, pra, është Allahu që i llogarit veprat e tyre. Nuk e kam unë detyrë llogaritjen e veprave të tyre, ashtu sikurse nuk është detyrë e tyre të llogarisin vepra t e mia. - Nëse i largon ata, bëhesh si të padrejtët. - Nëse i dëbon këta njerëz, që kanë këto cilësi, atëherë do të bëheshe i padrejtë. Sufjan el Theuriu sjell rrëfimin nga Mikdam Ibn Shurejmi, i cili transmeton nga i ati, se

Sadi ka thënë 1102. “Ky ajet ka zbritur dhe flet për gjashtë shokë të Profetit, mes të cilëve edhe Ibn Mesudi, i cili tregon: “Ne bënim çmos dhe shtyheshim me njëri - tjetrin, që të rrinim sa më afër Profetit dhe të dëgjonim fjalët e tij. Duke parë këtë, kurejshët thanë: “Ti i mban afër e pranë teje këta dhe i preferon më shumë sesa ne?!” Atëherë zbriti ajeti ku Allahu i Lartësuar thotë: “Mos i largo ata që e adhurojnë Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, me sinqeritet ndaj Tij!” Këtë rrëfim e sjell Hakimi në Mustedrak-un e tij përmes rrugës së Sufjanit, duke thënë që ky hadith është sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit. Gjithashtu, këtë hadith e ka përnxjerrë Ibn Hibani në Sahih-un e tij, përmes rrugës së Mikdam Ibn Shurejhut, përafërsisht si ky tekst që sollëm. - Kështu i sprovojmë Ne disa me disa të tjerë, derisa të thonë: “Vallë, këta janë ata që përzgjodhi Allahu mes nesh dhe u dhuroi mirësi?” - Në fakt, ata e thanë këtë fjalë, sepse shumica e atyre që e ndoqën Profetin në fillim të Islamit, ishin njerëzit e dobët dhe skllevërit, ndërsa nga paria e pasuan shumë pak. Kjo i ngjan fjalës së popullit të Nuhut, kur i thanë atij: “Ne po shohim se nuk po të pason askush tjetër përveç të pavlerëve, që të ndjekin pa u menduar fare. Ne nuk shohim as që të jeni më të mirë se ne. Madje, ne mendojmë se ju jeni gënjeshtarë!” [Hud 27]. Gjithashtu, është transmetuar se kur Herakli, mbreti i romakëve, e pyeti Ebu Sufjanin rreth Profetit, ndër të tjera i tha: “A e pasojnë njerëzit e parisë apo njerëzit e dobët dhe të varfër?” Ebu Sufjani u përgjigj duke i thënë: “Njerëzit e varfër dhe të dobët.” Ebu Sufjani tha: “Pikërisht ata janë pasuesit e profetëve.” I rëndësishëm për t’u kuptuar është fakti se idhujtarët kurejshë talleshin me ata që kishin besuan në Profetin ﷺ të cilët kryesisht ishin njerëz të dobët e të rëndomtë. Madje, përveç talljes, ata edhe torturonin kë të mundnin. Pastaj thoshin: “Vallë, këta janë ata që përzgjodhi Allahu dhe u dhuroi mirësi?!” Pra, këta janë ata që Allahu i ka zgjedhur nga mesi ynë, për të pasuar të vërtetën që pretendojnë?! Sipas logjikës së tyre, nuk mund të ndodhte që Allahu t’i zgjidhte këta njerëz të dobët dhe të rëndomtë dhe të privonte parinë dhe të pasurit. Sipas tyre, nëse do të ishte e mirë feja që kishin pranuar ata njerëz, atëherë Allahu i Madhëruar nuk do të kishte udhëzuar tek ajo të rëndomtit dhe të dobëtit, por njerëzit e ngritur dhe të pasur. Allahu i lartësuar ka thënë: “Jobesimtarët thonë për besimtarët: “Sikur të ishte besimi (ne Muhamedin) ndonjë gjë e mirë, ata (besimtarët) nuk do ta besonin para nesh.”...” [El ahkaf 11]. Dhe ka thënë gjithashtu: “ Kur u lexohen ajetet tona të qarta, jobesimtarët u thonë atyre që kanë besuar: “Cili nga dy grupet ka pozitë më të lartë dhe rreth më të mirë?” ” [Merjem 73]. Duke iu dhënë përgjigje atyre i lartësuari tha: “Por, sa e sa breza kemi shkatërruar para tyre, të cilët qenë edhe më të pasur dhe më të pashëm.” [Merjem 74]. Ndërsa në këtë sure d uke iu dhënë përgjigje atyre që thanë: “...Vallë, këta janë ata që përzgjodhi

Allahu mes nesh dhe u dhuroi mirësi?”” , Allahu i Madhëruar thotë: - Po a nuk është Allahu më i Dituri, për ata që janë mirënjohës? - Allahu është më i ditur rreth mirënjohësve. Ai është i gjithëditur për fjalët, veprat dhe për atë që ata kanë në zemrat e tyre. Për këtë arsye, Ai i udhëzoi në rrugën e paqes dhe shpëtimit, i nxori prej errësirave në dritë, me lejen e Tij, dhe i udhëzoi në rrugën e drejtë. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar, kur thotë: “ E ata, të cilët luftuan për lartësimin e Fjalës Tonë, Ne do t’i drejtojmë patjetër në rrugët Tona, sepse, sigurisht Allahu është me bamirësit.” [Ankebut 69]. Në një hadith të saktë thuhet: 1 103. “Allahu i Madhëruar nuk shikon as pamjet dhe as ngjyrën tuaj, por Allahu sheh zemrat dhe punët tuaja.” Ibn Xheriri përcjell nga Ikrime tefsirin e ajetit kuranor : “Paralajmëroji nëpërmjet tij (Kur'anit) ata që i frikësohen llogarisë para Zotit të tyre...”, duke thënë: “Një grup nga paria e kurejshëve erdhën tek Ebu Talibi dhe i thanë: “Nëse djali i vëllait tënd, Muhamedi, do t’i dëbonte skllevërit dhe shërbëtorët tanë nga mexhlisi i tij, mbase në zemrat tona do të ishte më i pranueshëm dhe ky do të ishte një shkak më shumë për ta pasuar atë dhe për ta besuar si profet.” Ai vazhdon dhe tregon: “Në fakt, skllevërit për të cilët aludonin kurejshët ishin: Bilali, Amar Ibn Jasir, Salimi ish skllavi i Ebu Hudhejfes, Sabiha, ish skllavi i Usejdit. Ndërsa shërbëtorët, për të cilët ata aludonin se nuk duhet të ishin në mexhlisin e Profeti , ishin Abdullah Ibn Mesudi, Mikdad Ibn Amri, Mesud Ibn Kareji, Uakid Ibn Abdullah el Handhalij, Amër Ibn Abd Amri, Dhush -Shimalejni, Mirthed Ibn Ebu Mirthedi, Ebu Mirthed el Galeui, i cili ishte aleat me Hamza Ibn Abdul Mutalibin dhe të tjerë si ta. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Kur të vijnë tek ti ata që i besojnë ajetet Tona, thuaju: “Selamun alejkum! - Respektoji ata, duke ua kthyer selamin dhe duke i përgëzuar me mëshirën e gjerë dhe gjithëpërfshirëse të Allahut. - Zoti juaj ia bëri detyrë Vetes së Vet Mëshirën. - Allahu ia bëri detyrë Vetes së Tij të Madhëruar, si bamirësi dhe bujari nga ana e Tij për besimtarët. - Nëse ndonjëri prej jush bën ndonjë të keqe pa e ditur, e pastaj pendohet dhe përmirësohet, s’ka dyshim se Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë. - Disa selefë kanë thënë: “Çdokush që bën poshtërsi dhe gjynah ndaj Allahut është injorant.” Më pas, Allahu thotë: “... e pastaj pendohet dhe përmirësohet, s’ka dyshim se Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Pra, nëse largohet prej gjynaheve, duke vendosur që të mos u kthehet kurrë atyre, dhe pas kësaj bën punë të mira në vazhdimësi, atëherë Allahu premton se do të jetë Falës i madh dhe Mëshirëplotë me të. Për shpjegimin e fjalës së Allahut: “Mëshira ime ka përfshirë gjithçka”, do të vijnë shumë hadithe. Le të përmendim këtu një hdith, që përshtatet me këtë ajet. Profeti ﷺ i ka thënë Muadh Ibn Xhebelit: 1104. “A e di se cila është e drejta e Allahut mbi robërit e Tij? Që ta adhurojnë Atë dhe mos i bëjnë shok Atij.” Pastaj tha: A e di cila është e drejta e robërve tek Allahu? E drejta e tyre është që Ai të mos i ndëshkojë ata, nëse ata e bëjnë këtë (pra, nëse e adhurojnë si një të vetëm).” Në këtë formë e ka sjellë imam Ahmedi.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:51–6:55

- “Paralajmëroji nëpërmjet tij (Kur’anit) ata që i frikësohen llogarisë para Zotit të tyre, me qëllim që të ruhen, ...” – Kur'ani është këshillë dhe paralajmërim për të gjithë njerëzit, por përfituesit e vërtetë të këshillave të tij janë ata që i druhen ditës kur do të ringjallen te Zoti i tyre. Ata janë të bindur dhe e kujtojnë shpesh faktin se do të vijë dita kur do të largohen nga kjo dynja, për të nisur rrugën e përjetësisë. Për këtë arsye, ata përpiqen vazhdimisht të arrijnë gjithçka që u sjell dobi dhe të largohen nga gjithçka që i dëmton. Ata janë të bindur se, nëse nuk i dëgjojnë porositë e Zotit, nuk do të gjejnë mbrojtës apo ndërmjetësues, që mund t’i shpëtojë nga zemërimi dhe ndëshkimi i të Drejtit. I Madhëruari thotë - “...sepse, veç Tij, ata nuk do të kenë asnjë mbrojtës apo ndërmjetës. - Veç Allahut, nuk ka kush që të marrë përsipër çështjet e tyre, që t’i ndihmojë të arrijnë ndonjë të mirë apo që t’i shpëtojë nga të këqijat. Për ta nuk ka as ndërmjetësues, që mund të ndërhyjë te Zoti, sepse të gjitha çështjet janë vetëm në dorën e Tij. Askush nga krijesat nuk zotëron ndonjë mundësi për të ndihmuar apo për të shpëtuar një krijesë tjetër. Kështu, Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që t’i këshillojë njerëzinë me fjalët e Kur 'anit, për një qëllim të rëndësishëm: “me qëllim që të ruhen”. Ndoshta, duke dëgjuar të vërtetat e padiskutueshme për takimin me Zotin dhe llogarinë para Tij, ata do të frikësohen dhe do të nënshtrohen, që të punojnë e të plotësojnë detyrimet, si dhe të largohen nga ndalesat e Tij. Këshillimi me anë të Kur'anit është, sigurisht, një nga mënyrat më të mira dhe të efektshme. - “Mos i largo ata që e adhurojnë Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, me sinqeritet ndaj Tij. - Kurrë mos i largo prej teje dhe nga takimet e tua adhuruesit e sinqertë, duke synuar të shoqërohesh e të ulesh me të tjerë! Mos i largo ata nga vetja jote, sepse ata janë të rregullt me duatë ndaj Zotit të tyre! Ata i drejtohen Atij me duatë e adhurimit dhe duatë e kërkesës së drejtpërdrejtë 2, në fillim e në fund të ditës. Me të gjitha këto, ata synojnë thjesht të kënaqin Allahun dhe nuk kanë asnjë qëllim tjetër. Kësisoj, ata nuk meritojnë të dëbohen, por përkundrazi, meritojnë t’i duash fort dhe të miqësohesh me ata. Ata meritojnë t’i mbash afër e t’i trajtosh me ngrohtësi e dhembshuri, sepse ata janë më të zgjedhurit e krijesave, edhe pse mund të jenë të varfër. Ata janë më krenarët, edhe nëse mund të shihen si të parëndësishëm dhe të rëndomtë nga njerëzit. - Ti nuk mban përgjegjësi për asnjë nga veprat e tyre, ashtu si edhe ata nuk mbajnë përgjegjësi për veprat e tua. Nëse i largon ata, bëhesh si të padrejtët. ” - Kuptimi: Askush nuk do të mbajë përgjegjësi për veprat e tjetrit. Secili do të përgjigjet vetëm për punët e tija, të mira apo të këqija qofshin ato. Kështu, nuk ka asnjë arsye që t’i largosh ata, përndryshe do të ishe i padrejtë. Profeti ﷺ e zbatoi plotësisht dhe me shumë përkushtim këtë urdhër të

Allahut. Kur pranë tij uleshin të varfërit, ai qëndronte me ta me durim, duke u sjellë me ngrohtësi e plot përkujdesje, me moralin më të lartë. Mund të thuhet pa ngurrim se të tillë njerëz i gjeje vazhdimisht në kuvendet e tij. Shkaku i shpalljes së këtyre ajeteve ishte kërkesa që disa pasanikë e fisnikë të kurejshëve i kërkuan Profetit. Ata i thoshin shpesh: "Nëse dëshiron që të të besojmë dhe pasojmë, atëherë largoji ata (duke folur për disa sahabë të varfër)! Ne na vjen turp të na shohin arabët në një kuvend me ata varfanjakë.” Profeti, duke dëshiruar shumë që ata të pasonin rrugën e drejtë, për pak mendoi për mundësinë e zbatimit të propozimit të tyre. Por Allahu i Madhëruar e qortoi dhe e udhëzoi Profetin e Tij nëpërmjet këtyre ajeteve. - “Kështu i sprovojmë Ne disa me disa të tjerë...” - Kështu i sprovon Allahu i Madhëruar njerëzit. Disa i bën të pasur dhe disa të varfër, disave u ka dhënë fis të gjerë e famë, e disa të tjerë i ka bërë të dobët e pa mbështetje njerëzore. Por nëse Allahu i Lartësuar i dhuron mirësinë e imanit njerëzve “të dobët” apo “të parëndësishëm”, siç i quajnë, kjo bëhet sprovë për të pasurit e fisnikët, apo siç i quajnë: “të rëndësishmit”. Nëse i pasuri vërtet synon të vërtetën dhe rrugën e drejtë, që kënaq Zotin, ai e pranon imanin dhe bëhet musliman, pa e penguar aspak prania e të varfërve, përzierja me ta në kuvende dhe fakti që edhe ata kanë pranuar Islamin. Por nëse ai nuk është i sinqertë në kërkimin e të vërtetës, marrëdhënia me të varfërit dhe përzierja me ta do të bëhet një pengesë që do ta pengojë nga pasimi i të vërtetës. Ata të mjerë, duke përçmuar besimtarët e varfër, thanë: - “...derisa të thonë: “Vallë, këta janë ata që përzgjodhi Allahu mes nesh dhe u dhuroi mirësi?”” - Kjo arrogancë dhe mbivlerësim i vetes i pengoi ata nga pranimi i të vërtetës. Ata nuk e meritonin udhëzimin, sepse nuk ishin të pastër për t’u nderuar me të. Në përgjigje të qëndrimit të tyre mospranues, i Madhëruari thotë: - “Po a nuk është Allahu më i Dituri, për ata që janë mirënjohës?!” - Mirënjohës janë ata cilët i njohin, i vlerësojnë dhe i respektojnë mirësitë e Zotit, ata që dëshmojnë se ato vijnë prej Bujarit dhe kryejnë ato vepra që i meritojnë ato mirësi, në shenjë mirënjohje për Dhuruesin e tyre. Këtyre mirënjohësve Zoti u dhuron imanin e shumë mirësi të tjera. Ndërsa ata që nuk tregojnë mirënjohje, le ta dinë se Allahu i Madhëruar është i Urtë dhe, me Urtësinë e Tij, nuk e vendos mirësinë e Tij atje ku nuk duhet dhe nuk ia jep atij që nuk e meriton. Kështu ishin edhe ata të mjerë që thanë ato fjalë, të cilat tregonin mosvlerësim të urtësisë së Zotit në shpërndarjen e mirësisë së imanit. Ata ishin mosmirënjohës e arrogantë, ndryshe nga ata besimtarë të varfër e jo të varfër, të cilët i shprehnin mirënjohjen Zotit duke iu dorëzuar plotësisht Atij, me bindje e dashuri. Allahu i Madhëruar jo vetëm që e ndaloi Profetin ﷺ që t’i largonte besimtarët e përkushtuar, por e urdhëroi që t’i priste ata me respekt e nderim, duke thënë:

- “Kur të vijnë tek ti ata që i besojnë Ajetet Tona, thuaju: “Selamun alejkum! Zoti juaj ia bëri detyrë Vetes së Vet Mëshirën. - Kur të vijnë besimtarët, uroji mirëseardhjen dhe përshëndeti me selam, që t’u ngresh lart moralin e t’u forcosh vullnetin për të vazhduar në rrugën drejt Zotit të tyre! Përgëzoji ata duke u treguar për mëshirën dhe për bujarinë e gjerë të Allahut, por edhe nxiti ata që të kryejnë çdo punë të mirë e të ndjekin çdo rrugë për të fituar mirësitë e shumta dhe kënaqësinë e Allahut! Këshilloji ata që të mos vazhdojnë me gjynahe dhe urdhëroji për pendim të sinqertë nga të gjitha gjynahet, në mënyrë që të fitojnë dhe të lumturohen me faljen e Zotit dhe bujarinë e Tij të pamatë ndaj të penduarve! - “Nëse ndonjëri prej jush bën ndonjë të keqe pa e ditur, e pastaj pendohet dhe përmirësohet, s’ka dyshim se Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë. ” - Është e domosdoshme lënia e gjynaheve, distancimi prej tyre dhe pendimi për to. Gjithashtu, është detyrë kryerja e veprave të mira dhe plotësimi i detyrimeve të vendosura nga Allahu, qofshin këto detyrime fizike, materiale, monetare apo morale, si edhe rregullimi i çdo gjëje të dëmtuar, qofshin dëmtime të shkaktuara nga punë të jashtme e të dukshme, qofshin punë të brendshme e të padukshme. Nëse të gjitha këto kushte të pendimit plotësohen, atëherë i Lartësuari thotë: “...s’ka dyshim se Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Ai ka për të derdhur mbi këta fatlumë mbarësi e mirësi prej mëshirës dhe bujarisë së Tij, në varësi të zbatimit të detyrimeve nga ana e tyre. - “Kështu i sqarojmë Ne argumentet...” - Kështu e qartësojmë Shpalljen Tonë, duke e bërë lehtësisht të dallueshme rrugën e drejtë nga devijimi, të vërtetën nga e kota. Kështu, të udhëzuarit do të ndriçohen nga Shpallja e Zotit, sepse do të jenë të qartë për të vërtetën, të cilën e ndjekin dhe sipas së cilës është detyrë të jetosh. - “...në mënyrë që të dalë në shesh rruga e keqbërësve.” - Rruga e kriminelëve të çon në zemërimin dhe ndëshkimin e Zotit. Kur rruga e kriminelëve bëhet e qartë, atëherë lehtësohet edhe largimi prej saj. Ndryshe ndodh nëse ajo është e panjohur, e paqartë ose e mjegullt, sepse vështirësohet ruajtja prej saj.

← Enam 6:52