6. Enam · Ajeti 59 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:53–6:62

Paria mekase ishte e rendit feudal, mendonte se ishte e privilegjuar edhe te Zoti dhe te Pejgamberi i Tij, andaj i brente pozita e afërt te Pejgamberi e disave që kishin qenë robër, që nuk ishin të origjinës arabe ose kurejshite. Zoti xh. sh. i tregoi Muhammedit se ai e di më së miri për atë që është mirënjohës dhe atij ia dhuron rrugën e drejtë, e di edhe për atë që është bukëpërmbystë dhe e lë në errësirë. Mandej, e urdhëron Muhammedin që ata, besimtarët e sinqertë t'i përshëndesë përpara tyre, t'ju rrëfejë se ai që pendohet për gabimin e bërë pa dije Zoti do t'ia falë.

Idhujtarët talleshin me Muhammedin për kërcënimet, me të cilat u tërhiqte vërejtjen e i thoshin: ku janë ato dënime për të cilat thua" Muhammedi u tha se ajo çështje nuk është në dorën time, është çështje e Zotit, vetëm Ai i di të fshehtat, di për çdo qenie në tokë apo në ujë, e di për farën në thellësi të tokës se a do të mbijë ose jo, ia di vendin ku gjendet, e di për çdo gjeth që bie, i di të gjitha në tërësi e në hollësi.

Çështjet e fshehta nuk i di kush, pos Zotit. Ai ndodh që ndonjë pejgamber a njeri të devotshëm ta njohtojë për ndonjë sosh.

Gjumi është një nimet i madh prej Zotit, nuk është vdekje e vërtetë, por jo edhe jetë frytdhënëse.

Çdo njeri ka rojë engjësh të caktuar prej Zotit, të cilët e përcjellin deri në momentin e vdekjes, e në atë moment vijnë engjëjt e tjerë, të caktuar për marrjen e shpirtit. Engjëjt nuk guxojnë ti shmangen detyrës së vet as sa qimja e flokut.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:55–6:59

Edhe më përpara, - thotë i Madhëruari - Ne i kemi sqaruar dhe shtjelluar argumentet, për t’jua qartësuar plotësisht udhën e drejtë që duhet të ndiqni. Gjithashtu, jua kemi bërë të qartë se sa e keqe është rruga e inatit dhe polemikës, me qëllimin thjesht për të refuzuar të vërtetën. Po kështu, edhe në këto ajete, Ne shtjellojmë çdo çështje, për të cilën kanë nevojë të përgjegjshmit. - Kështu i sqarojmë Ne argumentet, në mënyrë që të dalë në shesh rruga e keqbërësve. - Kështu do të dalë në pah rruga e keqbërësve, që mohojnë e u kundërvihen të dërguarve të Zotit. - Thuaj: “Unë jam ndaluar të adhuroj ata që ju i adhuroni krahas Allahut!” Thuaj: “Unë nuk i ndjek dëshirat tuaja, sepse atëherë do të isha i humbur e jo prej të udhëzuarve!” - Zoti im më ka ndaluar që unë të adhuroj idhujt, që ju i adhuroni. Ai më ndaloi që të ndjek rrugën që keni ndjekur ju, sepse rruga juaj është e ndërtuar mbi pasimin e verbër të epshit dhe të dëshirave të shfrenuara. Ndjekja e një rruge të tillë, pa dyshim që të çon në humbje, sepse nuk është e ndërtuar mbi bazën e argumenteve nga Zoti. Nëse do të ndiqja këtë rrugë, atëherë do të isha i humbur dhe braktisës i udhës së Zotit tim.2 - Thuaj: “Unë kam Argument të qartë nga Zoti im, ndërsa ju e mohoni atë. - Unë jam shumë i qartë me Sheriatin, që Zoti ma shpalli, ndërsa ju e quani gënjeshtër të vërtetën e sigurt. Epo, dijeni se: - Ai që ju e kërkoni me ngut, nuk është në dorën time. - Ndëshkimi, që ju e kërkoni t’ju përshpejtohet, nuk është në dorën time, sepse - Gjykimi për gjithçka i takon vetëm Allahut: - Është Ai që e vendos a do t’jua përshpejtojë atë që e kërkoni, apo do t’jua vonojë, dhe këtë e bën sipas urtësisë së Tij absolute. I Madhëruari thotë: - Ai shpall të vërtetën dhe Ai është më i miri i gjykuesve.” - Ai është më i Miri që i ndan çështjet dhe më i miri Gjykatës i robërve. - Thuaj: “Sikur të ishte në dorën time ajo për të cilën nguteni, çështja mes meje dhe jush do të kishte përfunduar. Allahu është i Gjithëditur për keqbërësit.” - Nëse do të ishte në dorën time kjo çështje, unë do t’jua jepja menjëherë atë ndëshkim që e meritoni. Dikush mund të pyesë dhe të thotë: “Në dy Sahih-ët është hadithi që tregon se Aishja i tha njëherë Profetit ﷺ: 1105. “O i Dërguari i Allahut, a ke patur ditë më të vështirë e më të dhimbshme, se dita e Uhudit?” Ai tha: “Unë kam vuajtur shumë nga populli yt, por më e dhimbshmja që kam përjetuar ka qenë ajo që ndodhi në Akabe, ditën kur unë ftova Ibn Abd Jalejl Ibn Abdu Kilalin të besonte. Ai e refuzoi ftesën time dhe unë u largova shumë i trishtuar, trishtim që dukej edhe në fytyrën time. U përmenda nga kjo dhimbje veçse kur isha në Karn el Theâlib. Kur ngrita kokën lart, pashë një re, që më bënte hije dhe në të cilën vërejta Xhibrilin (a.s.). Ai më foli për së largu dhe më tha: “Allahu i dëgjoi fjalët e popullit tënd kundër teje dhe refuzimin që ata i bënë ftesës tënde. Ai tani të dërgoi Melekun e Maleve, të cilin mund ta urdhërosh për çfarë të duash, në lidhje me ta!” Pastaj më foli për së largu Meleku i Maleve. Ai më përshëndeti me selam dhe më tha: “O Muhamed! Allahu i dëgjoi fjalët e popullit tënd kundër teje dhe refuzimin që ata i bënë ftesës tënde. Ai më dërgoi mua dhe ti tani mund të më urdhërosh për çfarë të duash në lidhje me ta! Nëse ti dëshiron, unë i përplas dy malet mbi ta.” Atëherë, - thotë Aishja - Profeti i Allahut i tha: “Përkundrazi, unë shpresoj që Allahu të nxjerrë nga shpinat e tyre njerëz, që do ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojnë asgjë

Atij në adhurim.” Ky është versioni i Muslimit. Atëherë, pyetja që shtrohet është: “Si mund të harmonizojmë këtë hadith me ajetin në fjalë, ku thuhet: “Thuaj: “Sikur të ishte në dorën time ajo për të cilën nguteni, çështja mes meje dhe jush do të kishte përfunduar.” Sipas hadithit, Profetit ﷺ iu mundësua që ta lëshonte dënimin mbi ta, por ai nuk e pranoi. Me dhembshuri, ai kërkoi afatizimin e tyre, duke shpresuar se Allahu do të sillte prej tyre pasardhës, që do ta adhuronin Atë si një e të vetëm, pa i bërë shirk. Përgjigjja, - dhe Allahu e di më mirë - është si vijon: Ajeti flet për lëshimin e një dënimi, që ata e kërkonin në moment. Domethënë, nëse ata do t’i kërkonin Profetit që t’ua sillte ndëshkimin në atë moment, ai do t’ua jepte. Ndërsa hadithi nuk flet për këtë rast. Në hadith nuk tregohet se ata i kërkuan që t’ua përshpejtonte ndëshkimin. Aty thjesht përmendet se ishte Meleku i Maleve që i propozoi atij t’i përplaste dy malet mbi popullin që refuzoi ftesën e tij. Ato janë dy male, njëri në jug e tjetri në veri të Mekës. Për këtë arsye, Profeti ﷺ kërkoi me butësi afatizimin e tyre. - Vetëm tek Ai janë çelësat e fshehtësive dhe ato nuk i di askush tjetër veç Tij. - Buhari sjell hadithin nga Abdullah Ibn Umeri, se Profeti ﷺ ka thënë: 1 106. “Çelësat e fshehtësive janë pesë, dhe ato nuk i di askush, veç Allahut: “Vetëm Allahu e di se kur do të ndodhë Kijameti; është Ai që e lëshon shiun; Ai e di se ç’ka në barkun e nënës; askush nuk e di se çfarë do të fitojë nesër dhe askush nuk e di se në ç’vend do të vdesë. Allahu është i Gjithëdituri, që e di mirë çdo fshehtësi. [Lukman 34.] - Ai di çfarë ka në tokë dhe në det. - Dituria e Bamirësit Bujar është gjithëpërfshirëse. Diturisë së Tij nuk i fshihet asnjë thërrmijë, as në qiell dhe as në tokë. Allahu i Lartësuar thotë: - As edhe një gjethe nuk bie pa dijeninë e Tij. - Allahu i di imtësisht të gjitha lëvizjet e krijesave të Tij, madje edhe të sendeve. Atëherë, si mendon se është dituria e Tij rreth kafshëve dhe gjallesave dhe sidomos të atyre që janë të përgjegjshëm ligjërisht, xhindëve dhe njerëzve? Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Allahu e di shikimin e hedhur fshehtas dhe për gjithçka që fshehin zemrat (e njerëzve).” [Gafir 19]. - Nuk ka kokërr në thellësi të Tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë, që nuk është në Librin e qartë. - Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ibn Abasi, i cili ka thënë: “Allahu i Lartësuar krijoi el nûn -in - që është boja e shkrimit (ose kallamari) - dhe pllakatat e shkrimit. Ai shkroi në to të gjitha çështjet e dynjasë, deri në ditën kur ajo do të përfundojë. Ai shkroi, gjithashtu, çfarë krijesash do të krijonte, rrizkun që ato do të merrnin, hallall apo haram qoftë, si edhe veprat e mira e të këqija që ata do të bënin.” Më pas, ai (Ibn Abasi) lexoi këtë ajet: “As edhe një gjethe nuk bie pa dijeninë e Tij.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:59

- “Vetëm tek Ai janë çelësat e fshehtësive dhe ato nuk i di askush tjetër veç Tij. Ai di çfarë ka në tokë dhe në det. - Ky ajet i madh është një nga më të mrekullueshmit, që përshkruan diturinë gjithëpërfshirëse të Allahut të Madhëruar. Dituria e Tij ka përfshirë të gjitha fshehtësitë, nga të cilat Ai zbulon aq sa dëshiron dhe atyre krijesave që Ai dëshiron. Por për shumë fshehtësi nuk dinë as melekët më të mëdhenj e më të afërt të Tij, dhe as profetët e dërguar prej Tij, e aq më pak të tjerët. Ai di gjithçka për njerëzit, kafshët, pemët, gurët, dheun, detet e oqeanet dhe çfarë përmbajnë ato. - “As edhe një gjethe nuk bie pa dijeninë e Tij. - Për çdo gjethe të pemëve të tokës e të detit, në fusha e male, në dynja dhe në ahiret. - Nuk ka kokërr në thellësi të Tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë, që nuk është në Librin e qartë. - Nuk ka kokërr të frutave apo të farërave që mbillen nga njerëzit apo që rriten vetë nëpër fusha e pyje, që nuk është shënuar në Librin e qartë, pra, në Leuĥi Maĥfûđh . Vetëm një pjesë e këtyre gjërave që janë përmendur, habit mendjen e të diturve dhe zemrat e të urtëve. Kjo tregon për madhështinë e Zotit të Lartësuar dhe faktin se Ai është Absolut në të gjitha emrat dhe cilësitë e Tij. Sikur krijesat të mblidheshin të gjitha për të kuptuar tërësisht vetëm një nga cilësitë e Tij, nuk do të kishin mundësi për t’ia arritur. I lartësuar dhe i madhëruar qoftë Zoti i Lavd ëruar e Madhështor! Ai është El Uâsiu - i Gjeri (në cilësitë e Tij) dhe El Alîm - i Gjithëdituri, El Ĥamîdu - i Lavdëruari dhe El Mexhîd - i Madhëruari, El Shehîdu - Dëshmuesi i gjithçkaje dhe El Muĥîŧu - Gjithëpërfshirësi. I lavdëruar qoftë Allahu, që është i vetmi i Adhuruar me meritë! Ai është i Adhuruari, i Lavdishmi, që askush nuk mund të arrijë ta lavdërojë ashtu si e meriton. Ai qoftë i lavdëruar, ashtu sikurse e ka lavdëruar Veten e Vet! Ai është shumë më lart sesa lëvdatat që mund t’i thurin krijesat e Tij. Ky ajet tregon për diturinë absolute të Allahut mbi gjithçka. Ai tregon, gjithashtu, edhe për Leuĥi Maĥfûđh-in, në të cilin është shënuar çdo gjë që ndodh në ekzistencë.

← Enam 6:59