6. Enam · Ajeti 60 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:53–6:62

Paria mekase ishte e rendit feudal, mendonte se ishte e privilegjuar edhe te Zoti dhe te Pejgamberi i Tij, andaj i brente pozita e afërt te Pejgamberi e disave që kishin qenë robër, që nuk ishin të origjinës arabe ose kurejshite. Zoti xh. sh. i tregoi Muhammedit se ai e di më së miri për atë që është mirënjohës dhe atij ia dhuron rrugën e drejtë, e di edhe për atë që është bukëpërmbystë dhe e lë në errësirë. Mandej, e urdhëron Muhammedin që ata, besimtarët e sinqertë t'i përshëndesë përpara tyre, t'ju rrëfejë se ai që pendohet për gabimin e bërë pa dije Zoti do t'ia falë.

Idhujtarët talleshin me Muhammedin për kërcënimet, me të cilat u tërhiqte vërejtjen e i thoshin: ku janë ato dënime për të cilat thua" Muhammedi u tha se ajo çështje nuk është në dorën time, është çështje e Zotit, vetëm Ai i di të fshehtat, di për çdo qenie në tokë apo në ujë, e di për farën në thellësi të tokës se a do të mbijë ose jo, ia di vendin ku gjendet, e di për çdo gjeth që bie, i di të gjitha në tërësi e në hollësi.

Çështjet e fshehta nuk i di kush, pos Zotit. Ai ndodh që ndonjë pejgamber a njeri të devotshëm ta njohtojë për ndonjë sosh.

Gjumi është një nimet i madh prej Zotit, nuk është vdekje e vërtetë, por jo edhe jetë frytdhënëse.

Çdo njeri ka rojë engjësh të caktuar prej Zotit, të cilët e përcjellin deri në momentin e vdekjes, e në atë moment vijnë engjëjt e tjerë, të caktuar për marrjen e shpirtit. Engjëjt nuk guxojnë ti shmangen detyrës së vet as sa qimja e flokut.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:60–6:62

Allahu i Lartësuar na njofton se Ai i merr shpirtrat e robërve të Tij gjatë natës, në atë që quhet “vdekja e vogël”, pra, në gjumë. Po me këtë kuptim vjen edhe fjala e Allahut për Isain (a.s.), kur thotë: “ (Kujto kur) Allahu tha: “O Isa! Unë do të të marr ty 3 e do të të ngre pranë Meje.” [Al Imran 55]. Ndërsa në suren Zumer, Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu i merr shpirtrat kur është çasti i vdekjes së (trupave të) tyre dhe atij që është në gjumë e nuk ka vdekur. Atë që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), ndërsa tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja) e lëshon (të kthehet) , deri në afatin e caktuar. Vërtet, në këto çështje ka argumente për njerëz që mendojnë.” [Zumer 42]. Siç shihet, këtu janë përmendur të dyja llojet e ngritjes së shpirtit, ajo gjatë vdekjes së vogël dhe ajo gjatë vdekjes së madhe. Edhe në këtë kontekst, Allahu i Madhëruar i ka përmendur të dyja llojet. - Është Ai që jua merr shpirtrat natën (në gjumë) dhe që e di mirë atë që keni bërë ditën. - Vërej me kujdes fjalinë: “...dhe që e di mirë atë që keni bërë ditën.”. Kjo është një fjali e ndërmjetme, në mes të një konteksti që flet për dy llojet e vdekjes dhe marrjes së shpirtit, e cila tregon se Ai i ka përfshirë me diturinë e Tij të gjitha krijesat, në të gjitha gjendjet dhe kohët, qoftë natën apo ditën, qoftë kur janë në lëvizje e aktivitet, qoftë kur janë në qetësi e prehje. I Madhëruari thotë në një ajet tjetër: “Për Atë është njëlloj nëse dikush e fsheh fjalën, apo e shpreh atë haptazi, nëse vepron fshehtas natën, apo vepron haptazi ditën.” [Rad 10]. Ose: “Gjumin jua bëmë për pushim. Natën jua bëmë mbulesë dhe ditën gjallërim (për të punuar) .”. [Nebe 9 -11]. Ndërsa këtu thotë: “Është Ai që jua merr shpirtrat natën (në gjumë) dhe që e di mirë atë që keni bërë ditën.”. - Më pas, Ai jua kthen ato... - Domethënë, jua kthen shpirtin gjatë ditës. Ibn Merdeuejhi sjell me senedin e tij hadithin nga Dahhaku, se Ibn Abasi përcjell nga Profeti i Allahut thënien : 1 107. “Për çdo njeri, Allahu ka vendosur një melek, i cili ia merr shpirtin dhe ia kthen atë. Nëse Allahu (gjatë gjumit) jep lejë që t’ia mbajë shpirtin, ai e mban. Në të kundërt, ai e lëshon atë, që të kthehet.” Për këtë flet ajeti i Allahut: “Është Ai që jua merr shpirtrat natën (në gjumë) ...”. - për të vazhduar (jetën) deri në afatin e caktuar. - Domethënë, deri në afatin e caktuar për çdo njeri. - Në fund, tek Ai do të ktheheni.. - Pas vdekjes, të gjithë tek Ai do të ktheheni, në Ditën e Gjykimit. - dhe do t’ju tregojë të vërtetën e asaj që keni bërë. - Ai do t’ju njoftojë hollësisht për gjithçka që keni bërë dhe do t’ju shpërblejë për gjithçka që keni kryer e fituar me veprat tuaja, të mira apo të këqija. - Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet. 4 - Ai ka nënshtruar dhe përulur gjithçka. Çdo gjë është e nënshtruar përpara madhështisë, krenarisë dhe madhërisë së Allahut. - Ai vendos roja për ju. - Allahu vendos roja prej melekëve, që ruajnë trupin e njeriut, siç thuhet në një ajet tjetër: “Për çdo njeri, ka mbikëqyrës para dhe prapa tij, të cilët, me urdhrin e Allahut, e ruajnë atë.” [Ra'd 11]. Gjithashtu, Ai vendos ruajtës prej melekëve, që të regjistrojnë dhe ruajnë punët e robit, siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “Pa dyshim, mbi ju qëndrojnë rojet. Ata janë shkrues të ndershëm. Ata dinë gjithçka që bëni ju.” [Infitar 10 - 12]. Dhe thotë i lartësuari: “Dy melekë qëndrojnë pranë tij, në të djathtë dhe në të majtë. Njeriu nuk thotë ndonjë fjalë pa

pasur pranë një regjistrues të gatshëm.” [Kaf 17, 18]. - Më në fund, kur ndonjërit prej jush i vjen vdekja, të dërguarit Tanë ia marrin shpirtin, dhe ata kurrë nuk bëjnë lëshime.” - Kur të vijë koha e vdekjes dhe të jetë plotësuar afati i jetesës së njeriut, “... të dërguarit Tanë ia marrin shpirtin, ...”, domethënë, melekët që janë ngarkuar me këtë detyrë. Meleku i Vdekjes ka melekë të tjerë ndihmës, që e nxjerrin shpirtin nga trupi, dhe kur shpirti arrin në grykë, atëherë atë e merr Meleku i Vdekjes. Më pas, i Madhëruari thotë: “...ata kurrë nuk bëjnë lëshime”, në lidhje me ruajtjen e këtij shpirti dhe vendosjen e tij atje ku dëshiron dhe urdhëron Allahu i Lartësuar. Nëse njeriu ka qenë bamirës, ai vendoset në Illijjin, e nëse është keqbërës, ai do të vendoset në Sixhin, - Allahu na ruajtë nga ky ndëshkim! - Pastaj të gjithë do të kthehen tek Allahu, te Sunduesi i tyre i vërtetë. - Allahu është Sunduesi i vërtetë i melekëve. Ndërsa fragmenti: “Pastaj të gjithë do të kthehen tek Allahu ...” u referohet të gjitha krijesave që do të ekzistojnë deri në Ditën e Kijametit. Ai do t’i tubojë ata të gjithë e do t’i gjykojë me drejtësinë e Tij. I Madhëruari thotë në një ajet jetër: “Thuaju: “Të jeni të sigurt se, edhe të parët edhe të fundmit, Keni për t’u tubuar në një ditë të caktuar.” [Uakia 49, 50]. Gjithashtu thotë: “ Një Ditë Ne do t'i shkulim malet dhe do ta shohësh Tokën të sheshtë (e të shkretë) dhe Ne do t'i tubojmë të gjithë, pa lënë askënd pas. Ata do të sillen të gjithë para Zotit tënd të rreshtuar (e do t'u thuhet) : “Tashmë keni ardhur para Nesh ashtu, siç ju patëm krijuar herën e parë. Por ju (o mohues) mendonit se Ne nuk do të caktonim për ju një Ditë takimi (për gjykim).”. Kur Libri (i veprave) do t’u vihet përpara, ti do t’i shohësh gjynahqarët të frikësuar nga shënimet në të, që do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër - të madhe apo të vogël - pa e shënuar.” Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” [El kehf 47 - 49]. I Madhëruari thotë këtu: - Vetëm Atij i takon sundimi, dhe Ai është më i shpejti në llogari.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:60–6:62

- “Është Ai që jua merr shpirtrat natën (në gjumë) dhe që e di mirë atë që keni bërë ditën. Më pas, Ai jua kthen ato, për të vazhduar (jetën) deri në afatin e caktuar. - Ky është një pohim e përforcim i njëshmërisë së Zotit në meritën e adhurimit dhe një argument shumë i fortë kundër idhujtarëve. Ajeti tregon se Allahu i Madhëruar i meriton të plota dashurinë, madhërimin, lartësimin dhe respektin. Allahu i Madhëruar është i vetmi që rregullon çështjet e krijesave dhe përkujdeset për to, kur ato janë zgjuar dhe kur janë në gjumë. Ai ua ngre shpirtrat, kur ato janë në gjumë dhe qetësohen. Lëvizjet e tyre reduktohen, që trupi t’u çlodhet. Pastaj Ai i zgjon nga gjumi, që të punojnë për arritjen e mirësive të dynjasë dhe të fesë. Allahu i Lartësuar di për gjithçka që krijesat e Tij bëjnë. Kështu vazhdon jeta e tyre, nën kujdesin e Allahut të Madhëruar, derisa të plotësojnë afatin e jetës, që Ai ka caktuar për ta. Kur koha e caktuar nga Ai përfundon, ky është çasti i vdekjes së tyre. Më pas, ata i pret afati tjetër, ai i Ditës së Ringjalljes, prandaj i Lartësuari thotë: - Në fund, tek Ai do të ktheheni, dhe do t’ju tregojë të vërtetën e asaj që keni bërë. - Pasi të vdisni, vetëm tek Allahu është kthimi i të gjithëve, tek askush tjetër, dhe Ai do t’ju shpërblejë për ato që keni bërë, mirë apo keq. - “Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet. Ai ve roja për ju...” - Allahu është Sunduesi i krijesave të Tij. Mbi ta realizohet dëshira dhe gjykimi i Tij gjithëpërfshirës. Ata nuk zotërojnë as më të voglën çështje. Ata lëvizin apo qëndrojnë në prehje veçse me lejen dhe vullnetin e Allahut. Veç kësaj, Ai ka vendosur melekët e Tij si roje për robërit dhe si shënues të veprave të tyre, sikurse thotë në një ajet tjetër: “ Pa dyshim, mbi ju qëndrojnë rojet. Ata janë shkrues të ndershëm. Ata dinë gjithçka që bëni ju. ” [Infitar 10 - 12]. Ose: “ Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete. Ne jemi më afër tij se damari i qafës së vet. Dy melekë qëndrojnë pranë tij, në të djathtë dhe në të majtë. Njeriu nuk thotë ndonjë fjalë pa pasur pranë një regjistrues të gatshëm. ” [Kaf 16 - 18]. Ky është kontrolli dhe regjistrimi i veprave të robve në jetën e dynjasë. - “Më në fund, kur ndonjërit prej jush i vjen vdekja, të dërguarit Tanë ia marrin shpirtin, dhe ata kurrë nuk bëjnë lëshime.” - Këta janë melekët e ngarkuar për marrjen e shpirtrave, të cilët nuk tolerojnë aspak në detyrën e tyre. Ata nuk i shtojnë e nuk i pakësojnë asnjë çast kohës së përcaktuar dhe të urdhëruar nga Zoti. Ata e zbatojnë urdhrin në kohën e përcaktuar nga Zoti i gjithësisë. - Pastaj të gjithë do të kthehen tek Allahu, te Sunduesi i tyre i vërtetë. - Pas jetës së berzaħ-ut, ku do të jetë shpërblimi ose ndëshkimi sipas veprave tuaja, ju do të ktheheni tek Allahu, nën sundimin e të Cilit ju jeni. Ai ka vendosur atë që ka dëshiruar me urtësinë e Tij, dhe e realizon këtë vendim me përsosmëri dhe korrektësi. Ai ka vendosur për ju një kushtetutë, ju ka ngarkuar me urdhëresa e ndalesa, duke dërguar profetë e duke shpallur libra. Pasi mbyllni jetën e dynjasë, ju do të ktheheni tek Ai, për të marrë gjykimin e Tij të drejtë. Mbi ju do të zbatohet me përpikmëri Ligji i Tij i shpërblimit dhe ndëshkimit, për punët e mira dhe të këqija. Allahu i Madhëruar thotë: - “Vetëm Atij i takon sundimi, dhe Ai është më i Shpejti në llogari.” - Vetëm Allahut, e askujt tjetër, i takon gjykimi dhe vendosja e Ligjit. Ai është llogaritësi i shpejtë i veprave të robve, sepse Ai ka dituri të plotë dhe regjistron çdo gjë me përpikmëri. Në fakt, çdo gjë që krijesat bëjnë është shënuar saktësisht në Leuĥi Maĥfûđh. Veprat e robve janë regjistruar edhe në librat e melekëve. Mendo pak me kujdes në këto ajete! Nga ato kuptojmë se Allahu është i vetmi që krijon dhe që përkujdeset për çështjet e krijesave. Ai

është Ngadhënjimtari dhe i Pamposhturi, që i ka nënshtruar të gjitha krijesat e Tij. Allahu përkujdeset për krijesat e Tij në çdo gjendje të tyre. Është Allahu i vetëm dhe i pashoq, që vendos ligjet e krijimit. Vetëm Ai vendos ligjet që dëshiron, që robërit e Tij t’i zbatojnë e të jetojnë sipas tyre dhe është vetëm Allahu që vendos për shpërblimin apo ndëshkimin e krijesave e Tij, sipas zbatimit të ligjeve të Tij. Atëherë, pyetja e natyrshme që shtrohet është: Si mundet që idhujtarët e refuzojnë adhurimin e Allahut, që është i përshkruar me të tilla cilësi, dhe adhurojnë diçka tjetër, që nuk ka asgjë në dorë, asnjë lloj mundësie për të arritur atë që dëshiron? Për Zotin! Sikur ata të ishin të vetëdijshëm për butësinë, mëshirën dhe faljen e Allahut për ta, edhe pse rebelohen kundër Tij me vepra kufri dhe idhujtarie, edhe pse shpifin e trillojnë besime të pavërteta, ndërsa Ai vazhdon t’i ruajë e t’u japë shëndet e furnizim, me siguri do të kërkonin ta njihnin Zotin më mirë, do të pushtoheshin nga dashuria e madhe për Të dhe do të urrenin veten e tyre. Ata do të çuditeshin pse dhe si ndodhi që iu përgjigjën ftesës së shejtanit të mallkuar, që sjell veçse poshtërim, dëshpërim e shkatërrim. Por ata janë njerëz që nuk logjikojnë.

← Enam 6:60