6. Enam · Ajeti 62

سورة الأنعام
Përkthimi Sherif Ahmeti
62

ثُمَّ رُدُّوٓاْ إِلَى ٱللَّهِ مَوۡلَىٰهُمُ ٱلۡحَقِّۚ أَلَا لَهُ ٱلۡحُكۡمُ وَهُوَ أَسۡرَعُ ٱلۡحَٰسِبِينَ

Pastaj i kthehen All-llahut, Sunduesit të vërtetë të tyre. Vetëm i tij është sundimi (gjykimi) dhe Ai është më i shpejti i llogaritësve.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Paria mekase ishte e rendit feudal, mendonte se ishte e privilegjuar, edhe te Zoti dhe te Pejgamberi i Tij, prandaj i brente pozita e afërt te Pejgamberi a.s. e disave që kishin qenë robër, që nuk ishin të origjinës arabe ose kurejshite. Zoti xh. sh. i tregoi Muhamedit a.s., se ai e di më së miri për atë që është mirënjohës dhe atij ia dhuron rrugën e drejtë, e di edhe për atë që është bukëpërmbysur dhe e lë në errësirë. Mandej, e urdhëron Muhamedin që ata, besimtarët e sinqertë t’i përshëndesë përpara tyre, t’ju rrëfejë se ai që pendohet për gabimin e bërë pa dije Zoti do t’ia falë. Idhujtarët talleshin me Muhamedin a.s. për kërcënimet, me të cilat u tërhiqte vërejtjen e i thoshin: ku janë ato dënime për të cilat thua? Muhamedi a.s. iu tha, se ajo çështje nuk është në dorën time, është çështje e Zotit, vetëm Ai i di të fshehtat, di për çdo qenie në tokë apo në ujë, e di për farën në thellësi të tokës, se a do të mbijë ose jo, ia di vendin ku gjendet, e di për çdo gjeth që bie, i di të gjitha në tërësi e në hollësi. Çështjet e fshehta nuk i di kush, pos Zotit. Ai ndodh që ndonjë pejgamber ta njoftojë për ndonjë sosh. Gjumi është një nimet i madh prej Zotit, nuk është vdekje e vërtetë, por jo edhe jetë frytdhënëse. Çdo njeri ka rojë engjëjsh të caktuar prej Zotit, të cilët e përcjellin deri në momentin e vdekjes, e në atë moment vijnë engjëjt e tjerë, të caktuar për marrjen e shpirtit. Engjëjt nuk guxojnë t'i shmangen detyrës së vet, as sa qimja e flokut.