6. Enam · Ajeti 93 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:89–6:94

Pasi që u tërhoqi vërejtjen atyre që donin të mohonin mundësinë e shpalljes së Zotit pejgamberëve, dhe jehudive që e falsifikonin Tevratin, duke fshehur atë që kishte të bënte me lajmin mbi ardhjen e pejgamberit të fundit, Muhammedit, edhe atyre që përpiqeshin të paraqiteshin si pejgamberë të rrejshëm apo përpiqeshin të thurnin diçka ngjashëm me Kur'anin - fjalë e Zotit, në ajetet e fundit përshkruhet dënimi i mizorëve mu në çastin e vdekjes, të cilin e zbatojnë engjëjt i dhe u japin mundime të mëdha, e më në fund përshkruhet edhe paraqitja e secilit të vetmuar I para Zotit, pa mall e pa evladë, ashtu si kanë ardhur në këtë jetë dhe demaskimi që do t'u bëhet atyre që i bënë shok ose i luten tjetër kujt, pos Zotit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:93–6:94

- E kush është gjynahqar më i madh sesa ai që trillon gënjeshtra ndaj Zotit... - Nuk ka më të padrejtë e keqbërës se dikush që trillon gënjeshtra ndaj Zotit, duke shpifur se Ai ka partnerë ose bir, ose pretendon se është Allahu Ai që e ka dërguar atë me shpallje, e në të vërtetë nuk është ashtu: - ose thotë: “Mua më vjen Shpallje”, ndërkohë që nuk i shpallet asgjë, - Ikrime dhe dhe Katade kanë thënë se ky ajet zbriti

për Musejleme Mashtruesin, që pretendoi se ishte profet i Allahut. - ose që thotë: “Unë mund të zbuloj diçka të ngjashme me atë që ka zbritur Allahu”?! - Pra, i kundërvihet asaj që Allahu u shpalli profetëve. Allahu i Madhëruar thotë: “ Kur u lexohen atyre ajetet Tona, ata thonë: “Ne kemi dëgjuar si këto. Po të donim, edhe ne mund të thoshim fjalë të tilla. ...”. El enfal 31. - Eh, sikur t’i shihje keqbërësit kur janë në agoni të vdekjes, ndërsa melekët kanë shtrirë duart e veta e u thonë: “Jepeni shpirtin! - Gjatë agonisë së vdekjes, melekët i godasin keqbërësit, që t'ua shkulin shpirtin prej trupit. Sikurse thotë i madhëruari: “Eh, sikur të shihje kur melekët ua marrin shpirtin mohuesve, si i godasin në fytyrë dhe në shpinë (duke u thënë) : “Shijoni dënimin e Zjarrit përvëlues!”Kjo vjen për shkak të veprave që keni bërë me duart tuaja. Allahu nuk është asnjëherë i padrejtë me robërit e Vet.” [El enfal 50, 51]. Mohuesi i Zotit shikon me sytë e tij tmerr të papërshkrueshëm, kur i vjen vdekja. Melekët i paraqesin atij ndëshkimin, vuajtjet, tmerrin, prangat, zjarrin dhe zemërimin e Ndëshkuesit Krenar e Ngadhënjimtar, prandaj shpirti i tij nuk pranon të dalë nga trupi dhe shpërndahet thellë në të. Për këtë arsye, melekët e godasin fort, që t’ia shkulin shpirtin. Ata thonë: - “Jepeni shpirtin! Tani do të vuani dënimin poshtërues sepse ju thoshit të pavërteta për Allahun dhe ndaj shenjave të Tij tregoheshit kryeneçë.” - Sot është dita kur do të vuani poshtërimin më të madh, për shkak të shpifjeve që trilluat kundër Zotit, si edhe për shkak të mendjemadhësisë e mosnënshtrimit ndaj shpalljeve, që Ai solli përmes profetëve të Tij. - Tashmë ju na vini të vetmuar, ashtu si ju krijuam së pari - Kjo do t’u thuhet atyre në Ditën e Premtuar, kur të kthehen tek Zoti. Kuptimi: Ashtu siç e filluam krijimin tuaj, do t’ju kthejmë sërish, edhe pse ju nuk e pranoni ringjalljen. Sikurse ka thënë i lartësuari: “Ata do të sillen të gjithë para Zotit tënd të rreshtuar (e do t'u thuhet) : “Tashmë keni ardhur para Nesh ashtu, siç ju patëm krijuar herën e parë. Por ju (o mohues) mendonit se Ne nuk do të caktonim për ju një Ditë takimi (për gjykim).”.” [El kehf 48]. - duke lënë pas vetes gjithçka që ju patëm dhënë. - Gjithçka që zotëronit në dynja, tashmë e keni lënë pas shpine. Sipas një hadithi të saktë, Profeti i Allahut ka thënë: 1125. “Biri i Ademit thotë: “Pasuria ime, pasuria ime!” Po, a ke tjetër pasuri, përveç asaj që e hëngre dhe shkoi, ose e veshe dhe e vjetërove, ose e dhe sadaka dhe mbeti për ty?! Gjithçka tjetër do të ikë, kurse ti do të largohesh e do t’ua lësh njerëzve.” - Nuk po shohim të jenë me ju ndërmjetësit tuaj, për të cilët mëtonit se ishin ortakët e Allahut. - Ky është një poshtërim i tyre e qortim për idhujt, që ata i kishin në dynja si zota, të cilëve u mbështeteshin e shpresonin se mund të ndihmoheshin nga ata gjatë jetës dhe pas vdekjes së tyre. Por në Ditën e Kijametit, ata do të humbasin çdo lidhje, që mund t’u sjellë ndonjë dobi dhe nuk do t’u vlejë aspak ajo që trillonin. Atë ditë, Allahu do të flasë para gjithë krijesave: “ Atyre do t'u thuhet: “Ku janë ata (zotat) që ju i adhuronit, veç Allahut? A mund t’ju ndihmojnë ata ju ose a mund të ndihmojnë veten e vet? Pastaj ata do të hidhen në të (në Xhehenem) njëri mbi tjetrin - ata (idhujt) dhe adhuruesit e tyre, dhe e tërë ushtria e Iblisit (shejtanit), të gjithë së bashku. Aty brenda (në Xhehenem) , ata do të grinden mes tyre, e do të thonë: “Betohemi në Allah! Ne, me të vërtetë kemi qenë krejtësisht të humbur, kur ju barazuam me Zotin e botëve! Dhe nuk na mashtroi nga e vërteta askush tjetër, përveç të ligjve. Tani, për ne nuk ka asnjë ndërmjetësues për tek Allahu dhe as edhe një mik të vetëm të sinqertë. Ah, sikur të mund të ktheheshim (në Dynja) edhe një herë, ne do të

bëheshim, vërtet nga ata që besuan! ” [Shuara 93 - 102]. Ndërsa këtu thotë: “Nuk po shohim të jenë me ju ndërmjetësit tuaj...”. Pastaj i Madhëruari thotë: - Pa dyshim, sot është këputur çdo lidhje mes jush dhe ka humbur gjithçka që ju shpresonit.” - Çdo lidhje e juaja dhe çdo idhull ku shpresonit, tashmë ka humbur dhe nuk ju vlen aspak. I Madhëruari thotë në një ajet tjetër: “Atë ditë, paria do të distancohet prej pasuesve të saj, të gjithë do ta shohin dënimin dhe lidhjet mes tyre do të këputen. Atëherë, pasuesit do të thonë: “Ah, sikur të na lejohej një kthim (në dynja) dhe t’i braktisnim, siç na braktisën ata tani!” Kështu, Allahu do t’ua tregojë veprat e tyre si dëshpërim për ta dhe ata kurrë nuk kanë për të dalë prej Zjarrit. ” [El bekare 166, 167]. dhe thotë: “Pastaj kur t’i fryhet Surit (herën e dytë), atë Ditë nuk do të ketë më lidhje familjare mes tyre e as që do të pyesin më për njëri -tjetrin.” [El mu’minun 101] dhe thotë: “ Dhe Ai (Ibrahimi) tha: “Përveç Allahut, ju adhuroni idhujt, vetëm për të kënaqur njëri -tjetrin në jetën e kësaj bote. Por, në Ditën e Kijametit ju do ta mohoni dhe do ta mallkoni njëri -tjetrin. Fundi juaj do të jetë zjarri dhe për ju nuk do të ketë asnjë ndihmëtar.”. ” [El ankebut 25] dhe thotë: “Atyre do t'u thuhet: “Lutjuni zotave tuaj!”. Ata do t'u luten atyre, por ata nuk do t'u përgjigjen dhe do të shohin dënimin. Ah, sa do të dëshirojnë të kishin qenë në rrugën e drejtë! ” [Kasas 64]. dhe thotë: “Një ditë, Ne do t'i tubojmë të gjithë dhe do t’u themi idhujtarëve: “Ku janë idhujt tuaj, që pretendonit se ishin ortakë të Allahut?” Atëherë, atyre s’u mbetet përgjigje tjetër, përveçse të thonë: “Betohemi në Allahun, Zotin tonë se ne nuk ishim idhujtarë!” Shih se si gënjejnë kundër vetes dhe se si iu humbasin idhujt që vetë i trillonin!” [El en’am 22 - 24]. Ajetet në lidhje me këtë janë të shumta.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:93–6:94

- “E kush është gjynahqar më i madh sesa ai që trillon gënjeshtra ndaj Zotit, ose thotë: “Mua më vjen Shpallje”, ndërkohë që nuk i shpallet asgjë...” - Allahu i Lartësuar na tregon se nuk ka padrejtësi më të madhe dhe krim më të shëmtuar se sa ai i atij që trillon gënjeshtra rreth Allahut dhe flet padrejtësisht, shpif e trillon besime e ligje në emër të Tij. Këta flasin në emër të Zotit dhe pretendojnë se ajo është fjala dhe gjykimi i Zotit, ndërkohë që Allahu është i pastër dhe shumë larg atyre shpifjeve. Ky konsiderohet si krimi më i madh, sepse nëpërmjet tij ndryshohet si baza, ashtu edhe degëzimet e fesë së drejtë. Duke e paraqitur një rrugë të devijuar dhe të transformuar si një porosi të Zotit, ata sjellin shkatërrimin më të madh për krijesat. Ky është dëmi më i madh që mund të ekzistojë. I tillë konsiderohet, për shembull, pretendimi i rremë i ndokujt se është profet dhe se Allahu i shpall atij mesazhe. Ai jo vetëm që tregon paturpësinë e vet që të shpifë rreth të Madhërishmit dhe të Plotfuqishmit, por u bën edhe krijesave padrejtësi, duke i mashtruar dhe i detyruar që të pasojnë rrugën e tij të humbur. Madje, ai i lufton njerëzit, duke përdhosur nderin, pasurinë dhe jetën e atyre që nuk pranojnë ta pasojnë në rrugën e humbjes. Të tillë janë të gjithë ata që pretendojnë se janë profetë pas Muhamedit, si Muselejmeh Mashtruesi, Esued el Anesiju etj. - ose që thotë: “Unë mund të zbuloj diçka të ngjashme me atë që ka zbritur Allahu”?! - Ku ka zullumqar më të madh se ai që pretendon se ka fuqi të bëjë atë që bën Zoti, të bëjë ligje e të pretendojë se janë ligje të Zotit apo t’i bëjë ato të detyrueshme për zbatim, sikurse bën Zoti me ligjet e Tij? Kjo përfshin të gjithë ata që pretendojnë se kanë pushtetin për të kundërshtuar Kur'anin, ose që pretendojnë se mund të sjellin libër si Kur'ani. E ku ka padrejtësi më të madhe sesa ajo e një fakiri të pafuqishëm e të mangët nga çdo drejtim, që pretendon se është i njëjtë apo i afrohet të Plotfuqishmit e të Pasurit, që nuk ka nevojë për asnjë e për asgjë, të Cilit i takon përsosmëria absolute në të gjitha drejtimet, në Qenien e Tij, në emrat e cilësitë e Tij, në atributet dhe veprat e Tij?! Pasi foli për këta zullumqarë të shëmtuar, Allahu i Madhëruar na kujton ndëshkimin poshtërues dhe të dhembshëm që i pret ata gjatë vdekjes dhe në Ditën e Gjykimit. - “Eh, sikur t’i shihje keqbërësit kur janë në agoni të vdekjes, ...” - Sikur t’i shikoje ata në agoninë e tmerrshme të vdekjes, kur frika e dhimbja i lë pa frymë, pamja do të ishte e tmerrshme dhe e papërshkrueshme. I Lartësuari thotë: - “...ndërsa melekët kanë shtrirë duart e veta e u thonë: “Jepeni shpirtin! ...” - Melekët i zgjasin duart e tyre drejt zullumqarëve, që me dhimbje po përjetojnë vdekjen, dhe i godasin ashpër e pa mëshirë. Ata u drejtohen shpirtrave të tyre, që nuk duan të dalin jashtë trupit, për shkak se janë të tmerruar, dhe u thonë: - Tani do të vuani dënimin poshtërues...” - Zoti e përshkruan si “ adhâbel hûni ” - ndëshkim poshtërues. Ndëshkimi atë ditë do

të jepet sipas llojit të veprave të kryera. Ata e meritojnë këtë, sepse: - “...sepse ju thoshit të pavërteta për Allahun dhe ndaj shenjave të Tij tregoheshit kryeneçë” - Ju e merituat ndëshkimin për shkak të trillimeve tuaja rreth të vërtetës dhe refuzimit të Shpalljes, që ju erdhi nga Zoti juaj nëpërmjet profetëve të Tij të vërtetë. - “Tashmë ju na vini të vetmuar, ashtu si ju krijuam së pari...” - Nga mendjemadhësia, ju nuk denjonit të zbatonit ligjet e Shpalljes. Këto ajete dëshmojnë për vërtetësinë e berzaħ-ut, jetës së varrit, si edhe të shpërblimit dhe ndëshkimit në të, pasi këto fjalë dhe ky ndëshkim u jepen në prag të vdekjes, gjatë saj dhe pas saj. Ajetet na tregojnë se shpirti është diçka që hyn dhe që del nga trupi, është diçka që melekët i drejtohen me fjalë. Ai mund të qëndrojë e banojë në trup dhe mund të largohet e të ndahet prej tij. E tillë është gjendja e zullumqarëve në berzaħ. Ndërsa Ditën e Gjykimit, ata do të jenë të dëshpëruar, të humbur, të vetmuar, pa familje, pa fëmijë, pa miq, pa pasuri, pa fuqi, pa pushtet e pa ndihmë. Ata do të paraqiten të vetëm para Allahut, ashtu sikurse Ai i krijoi herën e parë, të zhveshur nga gjithçka. Në këtë dynja ka shumë rrugë dhe mënyra, nëpërmjet të cilave njeriu mund të arrijë qëllimet, të grumbullojë të mirat apo të shpëtojë nga të këqijat. Por Ditën e Gjykimit do të asgjësohen dhe do të zhvlerësohet çdo mundësi që robi ka patur në këtë dynja për të arritur qëllimet e veta, përveç veprave që ka kryer. Atë ditë ndikojnë, qoftë për mirë apo për keq, vetëm punët që robi ka bërë në dynja. Nëse ka bërë të mira, do të marrë shpërblim të mirë, në të kundërt do të marrë atë që meriton. Veprat e mira dhe ato të këqija janë referencat e shpërblimit dhe ndëshkimit në ahiret. Bukuria apo shëmtia, lumturia apo dëshpërimi, shpërblimi apo ndëshkimi në ahiret varen drejtpërdrejt nga veprat e robit në dynja. Ato do t’i sjellin robit dobi ose dëm, do ta lumturojnë ose trishtojnë, do ta shpërblejnë ose ndëshkojnë, ndërsa çdo gjë tjetër si: familja, fëmijët, pasuria, aleatët, ndihmësit etj. janë veç për këtë botë dhe nuk mund ta ndihmojnë aspak në ahiret. I Lartësuari thotë: - “...duke lënë pas vetes gjithçka që ju patëm dhënë. - Pasuritë dhe gjithçka që ju dhamë, ju i keni lënë pas në dynja. Tashmë asgjë nuk mund t’ju ndihmojë për të arritur ndonjë të mirë apo për t’ju shpëtuar nga ndonjë e keqe. - Nuk po shohim të jenë me ju ndërmjetësit tuaj, për të cilët mëtonit se ishin ortakët e Allahut. - Idhujtarët adhurojnë zota të tjerë në vend të Allahut ose bashkë me Të. Ata adhurojnë melekë, profetë, njerëz të mirë etj., ndërkohë që të gjithë janë nën zotërimin e Allahut. Allahu është Krijuesi i gjithçkaje dhe vetëm Atij i duhen përkushtuar adhurimet, por idhujtarët u japin krijesave atë që e meriton vetëm Zoti. Kjo është një padrejtësi e madhe nga ana e tyre. Të gjithë janë krijesa e rob të Allahut, i Cili është Sunduesi e Mbretëruesi i tyre, i vetmi që meriton adhurimin. Adhurimi i këtyre krijesave është njëlloj si t’i konsiderosh ata si zota të njëjtë me Allahun, Krijuesin dhe Sunduesin absolut. Ditën e Gjykimit, ata do të poshtërohen dhe do t’u thuhet: - Pa dyshim, sot është këputur çdo lidhje mes jush...” - Tashmë janë shkëputur lidhjet tuaja me ata që i konsideronit si ndërmjetësuesit dhe ndihmësit tuaj. Ata nuk mund të ndërmjetësojnë për ju apo t’ju ofrojnë ndonjë ndihmë sado të vogël. - “...dhe ka humbur gjithçka që ju shpresonit.” - Ju pretendoni në dynja se, nëpërmjet adhurimit që u përkushtonit idhujve tuaj, përfitonit mirësi, bereqet dhe siguri. Ju pretendonit se ishin ata që ju sillnin lumturi dhe ju shpëtonin nga vështirësitë. Por, në fakt, ishte Shejtani i mallkuar ai që jua zbukuroi këto mashtrime në shpirtin tuaj. Ju e pranuat me kënaqësi këtë trillim, duke gjetur prehje në të, dhe e shprehët miratimin tuaj me gjuhën dhe gjymtyrët tuaja. Me mendjemadhësi, ju

vazhduat të harroheshit në këto pretendime të kota. Ju vazhduat këtë rrugë, edhe pasi ju bë e qartë e vërteta, që binte ndesh tërësisht me pretendimet tuaja. Për këtë arsye, Ditën e Gjykimit, juve do t’ju zhduken këto pretendime, kur të shihni se e vërteta qëndron krejt ndryshe. Atëherë do të kuptoni se keni humbur përfundimisht veten, familjen dhe pasuritë tuaja. Keni humbur gjithçka dhe keni fituar dëshpërimin dhe ndëshkimin.

← Enam 6:93