6. Enam · Ajeti 95 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:95–6:103

Në këto ajete u fol mbi fuqinë e pakufishme të Zotit Krijues, i cili nga sendi i thatë, i vdekur e i keq, nxjerr të njomin, të gjallin, të mirin, dhe anasjelltas. Ai është që pas pushimit dhe errësirës së rëndë të natës, na gëzon me agimin e mëngjesit. Ai është që me krijimin e yjeve të llojllojshme, na mundësoi të llogarisim kohën tonë dhe të orientohemi. Për këtë duhet menduar. Ai është që na mundësoi jetë mbi tokë dhe jetë nën te deri në ditën e gjykimit.

Vetëm fuqia dhe mjeshtëria e Tij bën që prej të njëjtit shi të mbijnë bimë të ndryshme me shije e forma të llojllojshme.

Me gjithë këto fakte bindëse, disa njerëz besuan edhe zota të tjerë të trilluar. Madje disa të tjerë thanë se Zoti, larg qoftë asaj fjale, ka fëmijë, djem si Uzejr e Isa, e vajza, engjëjtë. Ai që shpik e krijon, Ai nuk është i llojit të krijesave Ai nuk ka nevojë për asnjë send.

Në domethënien e ajetit të fundit dijetarët islamë janë të ndarë në mendime. Çka është më i e sigurt: Zotin do ta shohin në botën tjetër.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:95–6:97

- Është Allahu Ai që e bën farën dhe bërthamën (e hurmës) të mbijë. - Allahu i Lartësuar na njofton se, është Ai që e bën farën që të çahet në tokë dhe që të dalë sythi, dhe kështu të lulëzojë e të dalin fruta nga të gjitha llojet dhe ngjyrat, pamjet e shijet. Të gjitha dalin nga një farë e vogël. - Ai nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe të vdekurin nga i gjalli. - Kjo shpjegohet me fjalinë e mëparshme: “Është Allahu Ai që e bën farën dhe bërthamën (e hurmës) të mbijë...”. Domethënë, nga një farë, që ngjan

si diçka e ngurtë dhe e vdekur, Ai nxjerr një bimë ose një pemë, që rritet e sjell plot dobi e begati. Thuhet, gjithashtu, se kuptimi është që: nga veza e ngurtë, Ai nxjerr një zog që jeton, dhe anasjelltas. Një shpjegim tjetër është: “Ai nxjerr një fëmijë të mirë nga një njeri i keq, dhe anasjelltas. Të gjitha këto janë shpjegime të pranueshme. - Ky është Allahu. - Pra, vepruesi i gjithë kësaj është veçse Allahu, Një i Vetëm dhe i Pashoq. - Atëherë si i largoheni së vërtetës?! – Si mundeni të largoheni të vërtetës dhe të preferoni e përqafoni kotësinë?! Si mundeni të adhuroni diçka tjetër, përveç Allahut?! - Ai është Krijuesi i dritës së mëngjesit. Natën e bëri për qetësi... - E bëri natën të errët, që krijesat të pushojnë në qetësi, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Betohem për natën, që me errësirë mbulon gjithësinë, për ditën, kur ajo shkëlqen dhe për Atë që krijoi mashkullin e femrën. Vërtet, veprat tuaja janë të ndryshme.” [Shems 1 - 4]. 11 - kurse Diellin dhe Hënën për llogaritjen e kohës. - Ato lëvizin sipas një rregulli e ligji të përcaktuar mirë, të cilin askush nuk mund ta tjetërsojë. Secili prej tyre ka orbitën e rrugën e vet gjatë verës dhe gjatë dimrit, gjë kjo e cila sjell edhe ndryshimin e natës dhe të ditës në gjatësinë e shkurtësinë e tyre, sikurse thotë i Madhëruari: “Është Ai që Diellin e bëri shndritës, ndërsa Hënën e bëri të shkëlqejë dhe i përcaktoi fazat e saj, që ju të dini numrin e viteve dhe të bëni përllogaritje (të kohës). Allahu e krijoi këtë veçse me të vërtetën e madhe. Ai i sqaron Argumentet për një popull të ditur. Me të vërtetë, në ndërrimin e natës me ditën dhe në atë që krijoi Allahu në qiej e në Tokë, ka fakte për njerëzit që i frikësohen (Allahut).” [Junus 5, 6] , dhe thotë: “ Argument për ata është edhe nata, prej së cilës tërheqim ditën dhe ata zhyten në errësirë. Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (përfundimtar). Ky është përcaktimi i Ngadhënjimtarit, i të Gjithëditurit. Edhe Hënës ia kemi caktuar fazat e saj, derisa të kthehet në formën e harkut (hurmës së tharë) . As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata nuk mund ta kalojë ditën. Secili (trup qiellor) noton në orbitën e vet.” Ja Sin 40], dhe thotë: “... Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkon atë sërish. Edhe Dielli, Hëna dhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Vetëm Atij i takon Krijimi dhe Sundimi. I madhëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve! ” [Ea’raf 54]. - Ky është caktim i Ngadhënjimtarit, të Gjithëditur. - Të gjitha këto përcaktime e ligje preçize janë vendosur nga Ai, që është El Aziz, i Cili nuk mund të mposhtet dhe t’i kundërshtohet vullneti i Tij. Ai është i Gjithëdituri, që përfshin në dijen e Tij gjithçka dhe asaj diturie nuk mund t’i fshihet asnjë thërrmijë në qiell e as në tokë. Janë të shumta rastet në Kur 'an ku Allahu i Madhëruar, pasi flet për krijimin e Tij madhështor, për yjet, Diellin, Hënën, në përfundim përmend faktin se Ai është El Aziz dhe El Alim, si për shembull: “Ai krijoi shtatë qiej brenda dy Ditëve, duke i caktuar secilit qiell detyrën dhe urdhrin e tij. Dhe Ne e zbukuruam Qiellin më të afërt me drita dhe e bëmë të mbrojtur. I tillë është Krijimi (e përcaktimi) i të Plotfuqishmit (El Aziz) të Gjithëditur (El Alim) .” [Fussilet 12], e në vende të tjera. - Është Ai që i bëri yjet (të shndritshme) për ju që të orientoheni nëpërmjet tyre, nëpër errësirat e tokës dhe të detit. - Disa nga selefët kanë thënë: “Çdokush që beson se yjet mund të shërbejnë për diçka tjetër veç këtyre tri gjërave, ka thënë gënjeshtra për Allahun. Allahu i bëri yjet zbukurim për qiellin, gjuajtës të shejtanëve, dhe orientues gjatë natës, në udhëtimet tokësore dhe detare. - Vërtet, Ne i kemi shpjeguar me hollësi Shenjat Tona për njerëzit që dinë të mendojnë. - Allahu i Madhëruar i ka bërë tërësisht të qarta e të kuptueshme argumentet e Tij, por këtë arrijnë ta shohin e kuptojnë veçse ata që logjikojnë me drejtësi, e njohin të vërtetën dhe e respektojnë atë,

duke e ndjekur e duke iu larguar të kotës e devijimeve.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:95–6:98

Allahu i Madhëruar na tregon rreth pushtetit e sundimit të Tij të gjerë, fuqisë së Tij të madhe dhe faktit se Ai është absolutisht i Plotë. Ai na tregon, gjithashtu, për mëshirën e Tij të gjerë, bamirësinë e Tij gjithëpërfshirëse dhe përkujdesin e Tij të jashtëzakonshëm për krijesat. Kështu, i Lartësuari thotë: - Është Allahu Ai që e bën farën dhe bërthamën (e hurmës) të mbijë . - Kjo përfshin të gjitha llojet e farërave e kokrrave, qoftë ato që vetë njerëzit i mbjellin dhe i kultivojnë, qoftë ato të cilat vetë Zoti i mbjell e shpërndan nëpër fusha, male e lugina. Është Ai që i bën farërat të çelin në sytha dhe të fillojnë procesin e mbjelljes. Ato u përkasin bimëve nga më të ndryshmet në llojin, formën dhe dobinë e tyre. Po kështu, është Allahu që i nxjerr sythat nëpër pemë, si hurma, agrume etj. Nga këto përfitojnë të gjithë njerëzit, bagëtitë e çdo gjallesë. Kafshët kullosin e ushqehen me bimësinë, të cilën është Zoti që e bën të çelë në vazhdimësi, ndërsa njerëzit mund të magazinojnë e t’i shfrytëzojnë ato. Në këtë mënyrë, Allahu i Madhëruar u tregon krijesave bamirësinë dhe bujarinë e Tij. Kjo përkujdesje e mrekullueshme habit të mençurit e lë pa fjalë dijetarët e urtë. Ata mrekullohen nga perfeksioni i krijimit të të Madhërishmit, nga urtësia e Tij absolute në gjithçka që ka krijuar dhe nga ekuilibri që ka vendosur në natyrë. Në këtë mënyrë, të mençurit e njohin Allahun në madhështinë e Tij dhe janë të bindur se Ai është i Vetmi dhe i Pashoq në pushtetin e urtësinë që ka, i Vetmi në përkujdesjen për krijesat e Tij, i Vetmi që meriton adhurimin me dashuri, madhërim, nënshtrim e përkushtim, ndërsa adhurimi i gjithçkaje tjetër është i kotë e i padrejtë. - “Ai nxjerr të gjallin nga i vdekuri...” – Kështu, nga një pikë uji e hedhur me forcë nxjerr një krijese të gjallë, ose nga veza e ngurtë, Ai nxjerr një zog, nga një farë e ngurtë nxjerr një bimë ose një pemë plot dobi e begati. - “...dhe të vdekurin nga i gjalli.” – “El mejit” është diçka që nuk ka shpirt dhe nuk rritet e zhvillohet. Kështu, nga një pemë, që është e gjallë, sepse rritet e jeton, Ai nxjerr ujë apo frytet që nuk rriten, ose nga zogu i gjallë nxjerr vezën, pra, diçka që nuk ka jetë etj. - Ky është Allahu. Atëherë si i largoheni së vërtetës? - Është Allahu i Madhëruar, Zoti juaj, Ai i Cili është i vetëm në kryerjen e gjithë krijimit dhe që përkujdeset për krijesat. Është Ai të Cilit i takon adhurimi juaj dhe i të gjithë krijesave, me dashuri, madhërim, përunjësi dhe bindje të plotë. Duke qenë se është Allahu Ai që

përkujdeset për të gjithë botën, duke i ushqyer e furnizuar me bujarinë dhe mëshirën e Tij, atëherë përse devijoni dhe largoheni nga rruga e drejtë?! Si i largoheni adhurimit të Allahut, që ka të tilla cilësi të mrekullueshme, dhe humbisni duke iu përkushtuar atyre që nuk zotërojnë as për veten e vet dëm apo dobi, që nuk mund të japin jetë apo vdekje, që nuk kanë fuqi për të ringjallur, për të marrë në llogari e për të shpërblyer me drejtësi?!! Pasi përmendi farën e prodhimit të ushqimit të krijesave, Allahu i Madhëruar kujton mirësinë e Tij ndaj krijesave duke u mundësuar vendqëndrimin dhe duke krijuar për to gjithçka që kanë nevojë, si dritën, errësirën etj. Ai thotë: - Ai është Krijuesi i dritës së mëngjesit. Natën e bëri për qetësi, - Ashtu sikurse e çan farën e nxjerr prej saj bimën, ashtu e çan errësirën e natës, që mbulon Tokën dhe krijesat, me rrezen e dritës së sabahut, pak e nga pak, derisa ta largojë terrin plotësisht. Pasi largon errësirën, Ai mbulon gjithçka me dritën e shkëlqimin e ditës, që krijesat të plotësojnë nevojat e tyre të dynjasë, të fesë dhe të ahiretit. Duke qenë se krijesat kanë nevojë për qetësi dhe rehati, gjë kjo që nuk mund të plotësohet gjatë ditës dhe në dritë, Allahu i Madhëruar krijoi natën. Gjatë natës, njerëzit qetësohen në strehimet e tyre, duke fjetur gjumë. Po kështu, edhe kafshët kthehen në strofulla e zogjtë në fole, për të marrë pjesën e tyre të rehatisë e qetësisë. Pastaj i Lartësuari i ngre, duke iu sjellë dritën, e kështu vazhdon deri në Ditën e Kijametit. - “...kurse Diellin dhe Hënën për llogaritjen e kohës. - Nëpërmjet fazave të Diellit dhe Hënës përcaktohet koha e adhurimeve, afatet e marrëveshjeve etj. Nëse nuk do të ishin ciklet e Diellit e të Hënës, njerëzit do ta kishin të vështirë llogaritjen e kohës, kalimin e ditëve, javëve, muajve etj. Nëpërmjet tyre, Zoti e bëri të thjeshtë për këdo përllogaritjen e kohës, si lehtësim për nevojat e njerëzve. - Ky është caktim i Ngadhënjimtarit, të Gjithëditur. - Para krenarisë së Allahut janë nënshtruar të gjitha këto krijesa madhështore. Ato i qëndrojnë me bindje rregullave të vendosura nga i Madhërishmi, pa dalë aspak nga kufijtë e vendosur prej Tij. Allahu është El Alîm - i Gjithëdituri, dija e të Cilit ka përfshirë gjithçka, të shfaqur apo të fshehur. Prej shenjave logjike që tregojnë se dija e Tij është gjithëpërfshirëse është edhe nënshtrimi i këtyre krijesave madhështore ndaj ligjeve të Tij. Ky sistem mahnit mendjen e të urtëve me bukurinë, përshtatshmërinë dhe perfeksionin e tij. Ai tregon, gjithashtu, për urtësinë e Atij që e krijoi dhe e përsosi. - Është Ai që i bëri yjet (të shndritshme) për ju që të orientoheni nëpërmjet tyre, nëpër errësirat e tokës dhe të detit. - Për udhëtarin që ndihet i humbur e nuk gjen dot drejtimin, Allahu i Madhëruar vendosi yjet në qiell si orientues. Kështu, ai vazhdon rrugën për të plotësuar nevojat e veta, si për tregti etj. Disa yje shihen vazhdimisht, sikur nuk lëvizin nga vendi i tyre, ndërsa disa të tjerë i ndërrojnë pozicionet. Lëvizjen e

këtyre të fundit e njohin dijetarët e kësaj fushe. Nëpërmjet tyre, ata përcaktojnë kohën, vendet, drejtimet e horizontit etj. Nga ky ajet e nga të tjerë të ngjashëm kuptojmë se është i lejuar mësimi e studimi i astronomisë, sepse kështu arrihet orientimi i saktë. - Vërtet, Ne i kemi shpjeguar me hollësi Shenjat Tona - I sqaruam ajetet, duke i ndarë e shkoqitur veç e veç. Por për cilët u bënë të qarta ajetet e Tij? Përgjigjja: - “ për njerëzit që dinë të mendojnë.” - Këta janë dijetarët dhe të urtët. Pikërisht këtyre u drejtohen ajetet dhe prej tyre pritet përgjigjja, ndryshe nga injorantët e vrazhdë dhe të ftohtë, të cilët u kthejnë shpinën ajeteve të Allahut dhe diturisë së sjellë nga profetët e Tij. Sqarimi i ajeteve nuk u vlen aspak atyre, nuk u zbardh ndonjë gjë të pakuptueshme, sepse ata thjesht i refuzojnë. - Është Ai që ju krijoi prej një njeriu të vetëm. Në të (Tokë) do të jetoni dhe nën të do të prisni (ringjalljen). - Nga Ademi ﷺ , Allahu i Lartësuar nxori llojin njerëzor, i cili mbushi Tokën. Lloji njerëzor vazhdoi të shtohet e shumohet, duke u bërë aq të ndryshëm në formën fizike dhe në moralin e tyre, saqë nuk mund të përshkruhet me fjalë apo të përkufizohet me ndonjë rregull. Allahu i Madhëruar bëri për ta një destinacion, ku do të tubohen të gjithë. Ai do të jetë vendqëndrimi final, pas të cilit nuk ka tjetër. Ky është ahireti. Allahu i krijoi ata dhe i tregoi se ahireti, e jo dynjaja, do të jetë vendqëndrimi i tyre i përjetshëm. Ai i krijoi dhe i vendosi në këtë dynja, që të përpiqen dhe të punojnë për të arritur mirësinë dhe përjetësinë në ahiret. Mirësia në ahiret ndërtohet mbi punën në këtë dynja dhe përpjekjet në të. Allahu i Madhëruar, nga shpina e baballarëve i vendosi në barkun e nënave, pastaj i nxori në këtë dynja, për të vazhduar rrugën pas vdekjes në jetën e berzaħ-ut. Këto janë faza kalimtare të njerëzve, derisa të përfundojnë në ahiret, në vendin nga i cili kurrë nuk do të largohen: ose në Zjarr, ose në Xhenet. Kjo dynja është thjesht një vend i përkohshëm. - Ne ua shpjegojmë shenjat Tona njerëzve që kuptojnë. - Të kuptojnë ajetet e Allahut, që janë të sqaruara mirë.

← Enam 6:95