62. Xhuma · Ajeti 11

سورة الـجـمـعـة
Përkthimi Sherif Ahmeti
11

وَإِذَا رَأَوۡاْ تِجَٰرَةً أَوۡ لَهۡوًا ٱنفَضُّوٓاْ إِلَيۡهَا وَتَرَكُوكَ قَآئِمٗاۚ قُلۡ مَا عِندَ ٱللَّهِ خَيۡرٞ مِّنَ ٱللَّهۡوِ وَمِنَ ٱلتِّجَٰرَةِۚ وَٱللَّهُ خَيۡرُ ٱلرَّٰزِقِينَ

Po, kur ata shohin ndonjë tregti ose ndonjë aheng mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë. Thuaju: "Ajo që është tek All-llahu është shumë më e mirë se dëfrimi dhe tregtia, e All-llahu është furnizuesi më i mirë!"*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
E premtja është dita e xhumasë, dita e tubimit të muslimanëve për namaz. Kjo ditë më përpara quhej “jevmul arubeti” - dita e mëshirës. Dy rekate farz të namazit të xhumasë janë obligim për besimtarët në bazë të ketij teksti kuranor. Namazin e parë të xhumasë Pejgamberi a.s. e fali kur shkoi në Medinë, ku qëndroi disa ditë në Kuba dhe prej andej hyri në Medine ditën e xhumasë dhe e fali xhumanë për herë të parë në shtëpinë e Salim bin Avfi-t. Kur thërret ezani për namazin e xhumasë muslimanët duhet t’i lënë të gjitha punët e tjera e të shkojnë në namaz, por jo duke u ngutur e ngarendur me këmbë (fizikisht), por me qëllim e zemër (shpirtërisht). Ezani i përmendur këtu nënkupton ezanin, që thirret kur imami është në hutbe, e jo ai që thirret më herët, sepse në kohën e Pejgamberit a.s. ka qenë thirrur vetëm një ezan, kurse në kohën e Osmanit, halifit të tretë, kur zgjerohet qyteti i Medinës dhe muslimanët nuk dinin kohën e saktë të xhumasë, thirrej edhe një ezan pak më herët. Në një ditë xhumaje, kur Pejgamberi ishte në hutbe duke e këshilluar xhematin vjen një karvan devesh prej Shamit me ushqim e me gjëra të tjera të nevojshme për medinasit. Zakonisht kur vinte ndonjë karvan i tillë përcillej me daulle për të lajmëruar banorët, por edhe si lojë e dëfrim. Kështu, njerëzit e lëshuan dëgjimin e hutbes, duke menduar se e kanë kryer detyrën, pse namazi falej para hutbes dhe shkojnë tek ajo tregti e tek ajo daulle, e mbesin duke dëgjuar nja dymbëdhjetë veta ose pak më shumë. Për këtë arsye shpallet ky ajet dhe iu tërhiqet vërejtja, se furnizuesi më i mirë është Zoti, edhe pse furnizoheshin me anën e atyre karvaneve. E zbritur në Medine, pas sures El Haxhxhu, ajete: 11 Kjo sure e shpallur në Medinë shtron çështje të sheriatit islam, por më shumë i kushton kujdes çështjes së hipokritëve, të cilët të mbështetur në dyfytyrësinë e tyre, të deklaruar me gojë si muslimanë, kurse me zemër e me shpirt armiq të përbetuar të Fesë Islame, ishin më të rrezikshëm se mosbesimtarët e hapët, sepse me atë kamuflim arrinin t’i dëmtonin muslimanët më shumë, se ç’mund të arrinin jobesimtarët e hapët. Në këtë kaptinë zbulohen qëllimet dhe përgojimet e rënda të hipokritëve kundër vetë Pejgamberit a.s. pas luftës me Beni Mustalikët. Muslimanët këshillohen të mos angazhohen tepër me të mirat e kësaj jete e të lënë pas dore obligimet ndaj Allahut, të japin për rrugën e Tij para se të kalojë koha e pastaj të dëshpërohen. Quhet: “Suretul Munafikun” - kaptina e hipokritëve, sepse kohë pas kohe përshkruhen veset e tyre të shëmtuara.