65. Talak · Ajeti 2 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 65:1–65:7

Sipas Buhariut, shkak i shpalljes së kësaj pjese të Kur'anit ishte Abdullah bin Ymeri, i cili e kishte lëshuar gruan e vet, duke qenë ajo me hajz (me menstruacion), e kur ia përmendi Ymeri Pejgamberit rastin, i erdhi keq Pejgamberit dhe urdhëroi ta rikthejë gruan dhe ta mbajë deri të pastrohet...

Lëshimi i gruas, edhe pse është i lejuar është i përbuzur, por në rastet e domosdoshme është zgjidhja më e mirë.

Lëshimi i gruas duhet të bëhet pasi që ajo t'i kryej menstruacionet, duke mos pasur më kontakt me të, ashtu që të mos i zgjatet asaj pritja. Ky lloj lëshimi është "talakur rixhati" - lëshim një herë, sipas të cilit ka të drejtë ta rikthejë. Gruaja e lëshuar në këtë mënyrë duhet të qëndrojë në shtëpi të burrit deri sa t'i kalojë afati. Ajo nuk ka të drejtë të dalë prej shtëpisë së burrit, vetëm nëse ka bërë ndonjë punë të keqe e duhet të dalë për ndonjë gjykim, ose nëse fyen familjen e burrit me fjalë të rënda. Zgjatja e afatit të lëshimit, respektivisht të pritjes për tri pastrime, ka për qëllim mundësinë e rikthyerjes pas pendimit eventual gjatë asaj kohe. Gruaja që i afrohet afatit të caktuar të pritjes, duhet ose të rikthehet në mënyrë të sinqertë ose të largohet ashtu si ka hije për të dy palët. Si lëshimin, ashtu edhe rikthimin duhet ta dëshmojnë dy vetë të drejtë.

Gruaja e shtyrë në moshë, të cilës iu ka ndërprerë hajzi dhe gruaja e re që ende nuk ka pasur hajz, në rast të lëshimit të tyre, afati i pritjes së tyre është tre muaj.

Gruaja që është me barrë, afati i pritjes së saj është derisa të lindë, si ajo e lëshuara, si ajo që i vdes burri. Gruaja e lëshuar, nëse dëshiron, i jep gji fëmijës, por burri është i obliguar ta paguaj sipas marrëveshjes. — I Shpenzimet, të cilat duhet t'i paguaj burri gjatë kohës kur gruaja është duke pritur skadimin e afatit të caktuar, ose për atë që i jep gji fëmijës, nuk janë të caktuara në mënyrë definitive dhe varen nga mundësia materiale e burrit, por nuk duhet dëmtuar as burri, as gruaja për shkak të ndonjë koprracie, pse Allahu begaton pa masë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 65:2–65:3

- “Kur ato t’i afrohen mbarimit të afatit të tyre (të pritjes)...” - Kur të afrohet fundi i kohëpritjes së tyre, burri është ende në kohë të bëjë zgjedhjen e tij. I Lartësuari thotë: - “... atëherë, ose mbajini si duhet, ose ndajini si është më e mira! ” - Pra, ose ta mbajë gruan “ bil mea’ruf” si e do zakoni e mirësjellja, pra, me mirësi e mirëkuptim, duke përmbushur detyrimet e ndërsjellta; ose ta ndajë atë. Megjithatë, edhe ndarja duhet të jetë “ bil mea’ruf”, pra, si e do za - koni e mirësjellja, jo në mënyrë të shëmtuar, por me drejtësi dhe larg harameve, larg fyerjeve dhe pa e shtrënguar gruan. Ndarja të jetë në formën më të mirë e miqësore. - “Për këtë kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj! ” - Qoftë nëse vendosni ta finalizoni ndarjen, qoftë kur vendosni ta ktheni gruan, merrni dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj, domethënë dy burra muslimanë, që janë të drejtë e të ndershëm. Nëpërmjet kësaj dëshmie, i pritet rruga çdo keqkuptimi e grindjeje. Gjithashtu, nëpërmjet dëshmisë, të drejtat dhe përgjegjësitë nuk mund të fshihen apo të shkelen padrejtësisht. Kështu, është e ligjëruar që të merren dëshmitarë qoftë kur vendoset të finalizohet divorci, qoftë kur vendoset për ribashkimin. Ebu Daudi dhe Ibn Maxhe sjellin rrëfimin nga Imran bin Husajni, i cili u pyet për një burrë, i cili e divorcoi gruan e tij dhe më pas e ktheu dhe kreu marrëdhënie me të, dhe nuk dëshmoi as për shkurorëzimin e saj e as për kthimin e saj. Ai i tha: “Edhe divorcin, edhe kthimin e ke bërë jo sipas traditës (e rregullit). Duhet të dëshmosh edhe për divorcin e saj, edhe për kthimin e saj. Prandaj mos iu kthe më këtij veprimi.” Ibn Xhurejxhi rrëfen: “Kur Atau lexonte fjalën e Allahut: “Për këtë kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj!”, gjithmonë thoshte: “Martesa, divorci dhe tërheqja nga divorci lejohen veçse me dy dëshmitarë të drejtë, siç thotë Allahu i Lartësuar, përveç rasteve të justifikueshme.” 156 - “Dëshminë bëjeni me korrektësi e për hir të Allahut!” - (Dëshmoni me drejtësi dhe saktësi, pa shtuar dhe pakësuar gjë. Me dëshminë tuaj synoni kënaqësinë e Allahut të Lartësuar dhe mos e shtrembëroni atë për asnjë shkak e arsye.) 157 - “Kështu këshillohet ai që i beson Allahut dhe Ditës së Fundit. ” - Këto rregulla i vë në zbatim veçse ai që beson Allahun dhe e di se ato janë caktuar nga Ai; gjithashtu, ai beson dhe i frikësohet ndë - shkimit të Zotit në Ditën e Gjykimit. Nuk ka dyshim se besimi në Allahun dhe Ditën e Gjykimit është një nga shkaktarët më të fortë, që e bën njeriun që të përfitojë nga

këshillat e Zotit, t’i japë përparësi ahiretit dhe të kryejë punë të mira, sa të ketë mundësi. Ndryshe ndodh me njeriun që e ka zemrën larg besimit. Atë nuk e shqetëson aspak ligësia dhe humbja ku është zhytur, kurse këshillat nuk i bëjnë aspak dobi. - “Kush tregon devotshmëri ndaj Allahut, Ai i jep rrugëzgjidhje për gjith - çka dhe e furnizon prej nga nuk e pret.” - Kushdo që i frikësohet Allahut, duke zba - tuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar hara - meve e gjynaheve, Ai do t'i japë rrugëdalje në të gjitha vështirësitë dhe do ta furnizojë prej nga nuk e pret, d.m.th. nga një drejtim që as nuk i shkon mendja. Ibn Ebu Hatimi sjell një rrëfim të Shutejr Ibn Shekeli, që thotë: “E kam dëgjuar Abdullah Ibn Mesu - din të thotë se ajeti më gjithëpërfshirës (i moralit të lartë) në Kuran është: “Allahu urdhëron për drejtësi, për bamirësi e për ndihmë ndaj të afërmve dhe ndalon imorali - tetin, poshtërsitë dhe padrejtësinë. Ai ju këshillon që ju të kujtoni (kumtet e Tij) .” [Nahl: 90]. Ndërsa ajeti më lehtësues në Kuran është: "Kush tregon devotshmëri ndaj Allahut, Ai i jep rrugëzgjidhje për gjithçka ...". Imam Ahmedi sjell hadithin nga Theubani, i cili tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Robi privohet prej rizkut për shkak të gjynaheve. Asgjë tjetër nuk e kthen kaderin e Zotit, veç lutjes, kurse jetën ta shton veçse bamirësia.” Ibn Ebu Hatim sjell nga Imran ib Husajni se Profeti i Allahut ka thënë: 2698. "Kush e ka lidhur zemrën plotësisht me (shpresë në) Allahun, Allahu do t'i mjaftojë atij për çdo nevojë dhe do ta furnizojë atë nga ku nuk e pret . Ndërsa kush e ka lidhur zemrën plotësisht me (shpresë në) këtë dynja , Ai do ta lërë në dorë të saj." - “Kush i mbështetet Allahut, mjaftohet me Të.” - Imam Ahmedi sjell një hadith me senedin e tij deri tek Ibn Abasi, i cili tregon se ai ishte hipur në kafshë pas Profetit, kur ai i tha: 2699. “O djalosh! Unë do të të mësoj disa lutje. Ruaje (përgjegjësinë dhe detyrat për) Zotin, që Zoti të të ruajë ty! Ruaje (përgjegjësinë dhe detyrat për) Zotin, që ta gjesh Atë para teje! Nëse lutesh, lutju vetëm Allahut dhe nëse kërkon mbështetje, mbështetju veçse Allahut. Dije se, sikur e gjithë bota të mblidhej për të të dëmtuar me diçka që Allahu nuk e ka shkruar për ty, kurrë nuk do të arrijnë të të dëmtojnë. Dhe sikur të tuboheshin të gjithë për të të bërë ndonjë dobi, por që Allahu nuk e ka shkruar për ty, kurrë nuk do të mund të të sjellin dobi. Tashmë fletët janë tharë dhe lapsat janë ngritur ...”. - “Allahu ka për ta realizuar vendimin e Tij ...” - Ai ka për t’i përmbushur dispozitat dhe vendimet e Tij mbi krijesat, ashtu si Ai dëshiron dhe vendos. - “... Ai e ka përcaktuar çdo gjë me korrektësi.” - Kjo është e ngjashme me fjalën e Allahut: “Çdo gjë tek Ai është me masë të caktuar.” [Rad 8].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 65:1–65:3

Allahu i Lartësuar, duke iu drejtuar Profetit të Tij dhe besimtarëve, thotë: - O Profet! Nëse i ndani gratë, ndajini në kohën e pastërtisë së tyre (kur ende nuk keni kontaktuar me to) ! - Nëse vendosni që të divorconi gruan, duhet ta bëni brenda udhëzimeve të Sheriatit. Nuk duhet të nxitoni e ta kryeni divorcin menjëherë, që në çastin kur ndodh shkaku i tij, duke mos marrë në konsideratë porositë e Allahut të Lartësuar rreth kësaj çështjeje. Një rregull që duhet patur parasysh është ai që thotë Allahu i Lartësuar: “...ndajini ato në prag të hyrjes së kohëpritjes së tyre!” Kështu, divorci duhet të kryhet gjatë kohës kur gruaja është e pastër, domethënë jo në kohën e periodave të saj, dhe kur burri nuk ka kryer marrëdhënie me të pas pastrimit. Në këtë mënyrë, kohëpritja e gruas është më e qartë dhe më e lehtë për t’u përcaktuar. Nëse burri do të deklaronte divorcin gjatë kohës së ciklit mujor të saj, ky cikël nuk do të llogaritej në kohëpritjen e saj dhe, në këtë mënyrë, pritja e gruas do të ishte më e gjatë, sepse do të shkonte në katër cikle, gjë që është në dëm të gruas, duke e vështirësuar çështjen e saj. Gjithashtu, nëse burri do të deklaronte divorcin kur gruaja nuk është me periodat, por gjatë kësaj periudhe ai do të kishte kryer marrëdhënie me të, atëherë përsëri kohëpritja nuk do të sillte sigurinë e nevojshme, sepse gruaja mund të ketë mbetur shtatzënë ndërkohë. Për këto arsye, Allahu i Lartësuar na mëson kohën e rregullt të deklarimit të divorcit. Ai nuk kryhet që në momentin kur gruaja e ka bërë hak të divorcohet për shkaqe të caktuara, por pasi ajo është pastruar nga periodat dhe burri ende nuk ka kryer marrëdhënie me të. Më pas, Allahu i Lartësuar na urdhëron që të përllogarisim mirë kohëpritjen ( el iddeh) e gruas: - “Kohën e pritjes llogariteni mirë” - Këtu paraqiten disa raste: 1. Nëse gruaja është e tillë që i kalon të përmuajshmet (pra, nuk është shtatzënë ose nuk i pret më periodat për shkak të menopauzës, ose ende nuk i kanë ardhur periodat e para), atëherë koha e pritjes llogaritet me ardhjen e tri cikleve. Me fjalë të tjera, pas deklarimit të divorcit, gruaja duhet të presë që të shohë periodat tri herë rresht. Me të parë periodat e treta, kohëpritja e saj është plotësuar. 2. Nëse gruaja është nga ato që nuk kanë perioda dhe nuk është shtatzënë, koha llogaritet me muaj. Në këtë rast, ajo pret plot tre muaj hënorë. 3. Nëse gruaja është shtatzënë, atëherë koha e pritjes është derisa ajo të lindë fëmijën. Gruaja duhet ta llogarisë drejt dhe saktë kohën e pritjes, sepse kështu ajo përmbush porosinë e Allahut, i jep hakun e burrit të saj që e divorcon (duke mos e ngarkuar atë me shpenzimet ndaj saj për një kohë më të gjatë sesa e ka detyrë) dhe hakun e burrit tjetër, nëse ajo do të martohet më pas. Kjo është më e mirë dhe më e pastër për të gjithë. Nëse llogaritet mirë koha e pritjes, të gjithë kanë për të qenë me të qetë dhe më të qartë për të drejtat dhe detyrimet e ndërsjellta. Urdhri për llogaritjen e drejtë të kohëpritjes i drejtohet gruas, nëse ajo është e përgjegjshme ligjërisht; nëse jo, atëherë urdhri i drejtohet kujdestarit ligjor të saj. Më pas, Allahu i Madhëruar na udhëzon për devotshmëri dhe drejtësi: - “...dhe kijeni frikë Allahun, Zotin tuaj!” - Pra, jini të devotshëm ndaj Allahut të Lartësuar, duke zbatuar porositë e Tij në të gjitha çështjet. Frikësojuni Zotit dhe plotësoni me drejtësi çdo detyrim kundrejt grave tuaja, kur i divorconi ato. - “Mos i nxirrni ato prej shtëpive të tyre...” - Mos i nxirrni gratë e divorcuara nga shtëpitë e tyre gjatë kohës së pritjes. Ato duhet të qëndrojnë në shtëpinë e bashkëshortit, në atë shtëpi ku ai e divorcon. Ndërkohë, burri e ka detyrim strehimin dhe shpenzimet për gruan e divorcuar gjatë kohës së pritjes së saj, prandaj nuk lejohet që ai ta cenojë këtë përgjegjësi ndaj saj. Edhe për gruan është një ndalesë:

- “...dhe ato, gjithashtu të mos dalin,...” - Gruas nuk i lejohet që të largohet nga streha bashkëshortore, sepse kjo do të ishte shkelje e përgjegjësive ndaj burrit. Këto porosi, qoftë për burrin, qoftë për gruan, vazhdojnë të jenë në fuqi deri në përfundim të kohëpritjes. Por Allahu i Lartësuar bën përjashtim për raste të caktuara, kur thotë: - “...vetëm nëse ato sillen haptas në mënyrë të shëmtuar!” - Nëse gruaja shfaq sjellje të shëmtuar, aq sa e bën të detyrueshme nxjerrjen e saj jashtë, dhe nëse ajo u shkakton probleme të rënda banorëve të tjerë të shtëpisë, me fjalët dhe veprat e këqija të saj, atëherë burrit i lejohet që ta përzërë nga shtëpia, sepse është ajo që e shkakton këtë veprim. Strehimi i gruas në shtëpi bëhet për respekt ndaj saj, gjë të cilën ajo nuk e meriton, kur e përdhos vetë me sjelljen e saj. Kështu veprohet në rastin e divorcit kur burri mund ta kthejë përsëri gruan e tij gjatë kohëpritjes. Ky quhet ‘talak raxh’ij’ - divorc i kthyeshëm. Ndërsa me “talak el bain” - divorcin e pakthyeshëm, 35 burri nuk e ka për detyrë strehimin dhe shpenzimet për gruan e divorcuar. - “Këto janë ligjet e Allahut. E kush del jashtë ligjeve të Allahut, e ka dëmtuar rëndë vetveten. ” - Këta janë kufijtë e Allahut, që Ai i ka vendosur për robtë e Tij, janë ligjet e Tij për ta, që t’i zbatojnë me përpikmëri. Kush nuk iu përmbahet kufijve të Zotit, por i shkel ose i cenon ato, ai i ka bërë padrejtësi vetes, duke u privuar nga mirësitë dhe begatitë e shumta që sjell zbatimi i porosive të Zotit. Duke mos e nënshtruar veten në zbatimin e porosive të Allahut, robi humbet lumturinë e dynjasë dhe të ahiretit. - “E ku mund ta dish ti, pas kësaj, Allahu mund të sjellë diçka tjetër.” - Allahu i Madhëruar e rregulloi çështjen e divorcit dhe të kohëpritjes me dispozita, në të cilat fshihen urtësi të shumta dhe të mrekullueshme. Prej tyre mund të përmendim: 1. Gjatë kohëpritjes, kur gruaja qëndron në shtëpinë e burrit, ndoshta Allahu i Madhëruar bën që në zemrën e bashkëshortit të zgjohet mëshira, butësia dhe dashuria për gruan e tij, dhe kështu çifti ribashkohet në një fillim të ri. 2. Kur burri e divorcon gruan për ndonjë problem që vjen prej saj, atëherë gjatë kohëpritjes ky problem mund të ndreqet, e kështu bëhet i mundur ribashkimi. 3. Koha e pritjes është e nevojshme për gruan që të verifikohet se ajo nuk është shtatzënë nga burri që e ka divorcuar. - “Kur ato t’i afrohen mbarimit të afatit të tyre (të pritjes), atëherë, ose mbajini si duhet, ose ndajini si është më e mira!” - Kur afrohet fundi i kohëpritjes, burri është ende në kohë të bëjë zgjedhjen e tij: ose ta mbajë gruan me mirësi e mirëkuptim, duke përmbushur detyrimet e ndërsjellta, ose ta lëshojë atë. Por nëse koha e pritjes mbaron, ai nuk ka më të drejtë ta kthejë atë grua, veçse me një akt të ri martesor. Nuk lejohet që burri ta kthejë më atë, sepse kështu e bën të vuajë më shumë. Edhe ndarja duhet të bëhet sipas rregullave islame, me drejtësi dhe larg harameve, larg fyerjeve dhe pa e shtrënguar gruan që t’i marrësh mbrapsht pasurinë (mehr-in) që i ke dhënë. - “Për këtë kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj!” - Qoftë kur bëni divorcin, qoftë kur e ktheni gruan, merrni dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj, domethënë dy burra muslimanë, që janë të drejtë e të ndershëm. Nëpërmjet kësaj dëshmie i pritet rruga çdo keqkuptimi e grindjeje. Gjithashtu, nëpërmjet dëshmisë, të drejtat dhe përgjegjësitë nuk mund të fshihen apo të shkelen padrejtësisht. Pastaj Allahu i Lartësuar u drejtohet dëshmitarëve dhe u thotë: - “Dëshminë bëjeni me korrektësi e për hir të Allahut!” - Dëshmoni me drejtësi dhe saktësi, pa shtuar dhe pakësuar gjë. Me dëshminë tuaj, të synoni kënaqësinë e Allahut të Lartësuar dhe mos e shtrembëroni atë për hir të lidhjeve shoqërore e farefisnore. - “Kështu këshillohet ai që i beson Allahut dhe Ditës së Fundit.” - Nga këto

rregulla merr mësim ai që beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit. Nuk ka dyshim se besimi në Allahun dhe Ditën e Gjykimit është një nga shkaktarët më të fortë që e bën njeriun që të përfitojë nga këshillat e Zotit, t’i japë përparësi ahiretit dhe të kryejë punë të mira sa të ketë mundësi. Ndryshe ndodh me njeriun që e ka zemrën larg prej imanit. Atë nuk e shqetëson aspak ligësia dhe humbja ku është zhytur dhe këshillat nuk i bëjnë aspak dobi. - “Kush bëhet i devotshëm ndaj Allahut, Ai i jep rrugëzgjidhje për gjithçka dhe e furnizon prej nga nuk e pret.” - Duke qenë se divorci sjell shqetësim, trishtim e ngushtim për robin, Allahu i Lartësuar urdhëron për devotshmëri ndaj Tij. Ai na urdhëron që, edhe në këtë gjendje të vështirë, të përkushtohemi në zbatimin e porosive të Tij. Nëse burri e kryen divorcin brenda normave të Sheriatit, ashtu siç u përshkrua më lart, atëherë ai ka hapësirë zgjedhjeje, pasi edhe mund ta kthejë këtë vendim, nëse ndërron mendje. Atij që vepron në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar ka për t’i sjellë çlirim, lehtësim e rrugëdalje nga vështirësia. Edhe pse ajeti flet veçanërisht për divorcin, më i rëndësishëm është aspekti gjithëpërfshirës i tij. Në këtë mënyrë, ajeti tregon që çdokush që i frikësohet Allahut, duke qëndruar brenda kufijve të Tij për çdo çështje, duke synuar me këtë arritjen e kënaqësisë së Allahut të Lartësuar, do të shpërblehet nga Ai me plot të mira në dynja dhe në ahiret. Ndër shpërblimet që Allahu i Lartësuar premton për devotshmërinë është edhe çlirimi, lehtësimi ose rrugëdalja në çdo situatë të rëndë. Ashtu sikurse ai që i frikësohet Allahut do të gjejë çlirim dhe lehtësim, ashtu edhe ai i cili nuk tregohet i devotshëm e ka gjithmonë të vështirë daljen nga situatat e krizës, pasi e ka lidhur veten me prangat e mosbindjes. Le të marrim shembullin e divorcit. Nëse robi nuk tregohet i devotshëm, pra, nuk zbaton porositë e Zotit në këtë çështje, por e kryen divorcin jashtë normave të caktuara (si për shembull, duke deklaruar divorcin tri herë në një moment), ai ka për t’u penduar thellë për veprimin e tij, por tashmë nuk mund të rregullojë më asgjë. Gjithashtu, atij që tregohet i devotshëm, Allahu i Lartësuar ka për t’ia lehtësuar rizkun dhe mirësitë në mënyra që robi kurrë nuk i ka llogaritur apo menduar. - “Kush i mbështetet Allahut, mjaftohet me Të.” – Për robin që i mbështetet Allahut në çështjet e fesë dhe të dynjasë, duke i kërkuar ndihmë Atij për arritjen e të mirave dhe për mbrojtjen nga të këqijat, duke qenë i bindur se kjo ndihmë do t’i jepet, Allahu i Lartësuar do të jetë i mjaftueshëm për të. Allahu i Lartësuar do ta ndihmojë patjetër këtë njeri për nevojat që ka. Allahu i Lartësuar është më i Pasuri, i Fuqishmi, Krenari dhe i Gjithëmëshirshmi. Allahu është më pranë robit se çdo gjë tjetër. Ai mund t’i plotësojë lutjet dhe kërkesat e robit menjëherë, në çast dhe pa u vonuar. Por ndoshta urtësia e Tij e kërkon që përgjigjja të vonohet për një kohë më të përshtatshme, prandaj i Lartësuari thotë: - “Allahu ka për ta realizuar vendimin e Tij dhe Ai e ka përcaktuar çdo gjë me korrektësi.” - Çdo urdhër dhe ligj i Tij do të ekzekutohet patjetër, por Allahu i Lartësuar ka përcaktuar kohën, vendin dhe masën e çdo gjëje dhe asgjë nuk mund të dalë jashtë përcaktimit të Tij.

← Talak 65:2