66. Tahrim · Ajeti 4 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 66:1–66:4
Rreth shkakut të shpalljes së kësaj sureje nuk ekziston ndonjë ujdi e plotë ndërmjet mufesirinëve dhe muhadithinëve. Si duket, Pejgamberi ia ndaloi vetes ndonjë nga robëreshat për hirë të qetësimit të grave. Gruaja të cilën Muhammedi e njoftoi me diçka fshehurazi, ashtu që ajo çështje të mos publikohej, thuhet se ishte Hafseja. Mirëpo, ajo nuk e ruajti sekretin, i tregoi Aishes. Zoti i madhëruar e njoftoi Pejgamberin për lëshimet e Hafses dhe ai ia përmendi asaj disa fjalë që i kishte thënë ajo, e disa nuk ia përmendi fare. Ajo u habit se si ka mundur të dijë Pejgamberi se ç'ka thënë ajo, andaj i bëri pyetje: "Kush të lajmëroi?"
Duhet kuptuar se ky nuk është ndonjë qortim i rreptë ndaj Pejgamberit, pse vetë thirrja e Zotit me një epitet të lartë për Muhammedin: Ja ejuhen nebijju..., është një fakt bindës se autoriteti i Muhammedit është më i larti, andaj Zoti asnjëherë nuk e thirri me emër sikurse i thirri pejgamberët e tjerë: O Nuh, o Ibrahim, o Musa, o Isa etj., por gjithnjë me ndonjë atribut si: ja ejuher rresulë, ja ejuhel mudethir, Muzemmil etj. Me këtë Muhammedi këshillohet se nuk duhet ngushtuar veten, nuk duhet ngarkuar veten për të ruajtur kënaqësitë e grave, pse ndihmës i tij është Allahu, është Xhibrili, janë besimtarët, pastaj janë të gjithë engjëjt, e nuk ka nevojë për askë tjetër.
Përmbledhjet e hadithave, e edhe komentet e Kur'anit kanë dhënë sqarime rreth ngjarjes përse shpallet kjo sure, andaj të interesuarit mund të orientohen në ato.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 66:1–66:5
Janë dhënë mendime të ndryshme rreth arsyes së zbritjes së fillimit të kësaj sureje. Thuhet se ajo u shpall në lidhje me Marian, robinjën e Profetit ﷺ , kur ai ia kishte ndaluar vetes që të shkonte me të. Kështu u shpall fjala e tij: - “O Profet! Përse ia ndalon vetes atë që Allahu ta lejoi, duke kërkuar të përmbu - shësh kërkesat e grave të tua? Allahu është Falës i madh e Mëshirëplotë. Allahu e ka caktuar zgjidhjen për betimet që bëni. Allahu është kujdestari juaj; Ai është i Gjithëdituri, i Urti.” - Nesaiu sjell nga Enesi këtë hadith: 2705. “I Dërguari i Zotit kishte një robëreshë, me të cilën kishte
marrëdhënie. Por Aishja dhe Hafsa vazh - duan të flisnin me të, derisa ai ia ndaloi vetes marrëdheniet me të. Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti këto ajete. Ibn Xheriri sjell nga Ibn Abbasi këtë rrëfim: 2706. “Pyeta Umer Ibn Hattabin: ‘Kush janë dy gratë (për të cilat bëhet fjalë në ajet)?" Ai tha: “Aishja dhe Hafsa. E gjitha kjo filloi për shkak të Ummu Ibrahim el Kibtije (Marias). Profeti shkoi me të në shtëpinë e Hafsas, gjatë ditës së saj. Hafsa u zemërua shumë për këtë që ndodhi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, më ke bërë diçka që nuk ia ke bërë asnjërës prej grave të tua! Në ditën time, në radhën time dhe në shtratin tim?!” Ai i tha: "A do kënaqesh nëse unë ia ndaloi vetes robinjën dhe të mos i afrohem kurrë më asaj?" Hafsa tha: “Po.”. Atëherë, ai ia ndaloi vetes robi - njën dhe i tha Hafsës: “Mos ia trego askujt këtë (pra, faktin që ai ia ndaloi vetes marrë - dheniet me robinjën).”. Por ajo ia tregoi Aishes. Kështu, Zoti ia tregoi Profetit dhe shpalli (pesë) ajetet (e mësipërme). Më pas, - ashtu siç na është thënë, - Profeti i Allahut e kompensoi thyerjen e betimit për të mos shkuar me robinjën e tij. Tashmë ajo ishte sërish e lejuar për të.” El Hejthem Ibn Kulejbi sjell në Musned-in e tij këtë hadith nga Umeri: 2707. “Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha Hafsës: ‘Mos i trego askujt për vendimin tim se ia kam ndaluar vetes marrëdheniet me Ummu Ibrahimin (Maria Kibtijen)’. Hafsa i tha: ‘Po i ndalon vetes atë që Zoti të ka lejuar?” Ai tha: ‘Pasha Zotin, nuk do t'i afrohem më asaj!’ Dhe nuk iu afrua asaj, - thotë Umeri, - derisa Hafsa i tregoi Aishes (në lidhje me çështjen). Atëherë, Zoti shpalli (pesë) ajetet (e mësipërme)”. Ky është një isnad i saktë, i përzgjedhur nga Hafizi Dija el Makdesi, në librin e tij “ El Mustahrexh”. Ibn Xheriri sjell prej Seid Ibn Xhubejrit se, në lidhje me ndalimin e vetes nga diçka e lejuar, Ibn Abasi e konsideronte si një lloj betimi, që mund të thyhet dhe më pas të kompensohet. Citohet Ibn Abasi: 2708. “Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, i Dërguari i Allahut është shembulli më i mirë për ata që shpresojnë tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmendin shumë shpesh Allahun.” [Ahzab 21]. Kështu, Profeti ﷺ ia ndaloi vetes robinjën e tij, prandaj Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “O Profet! Përse ia ndalon vetes atë që Allahu ta lejoi ...”, deri në ajetin: “Allahu e ka caktuar zgjidhjen për betimet që bëni ...”. Atëherë, Profeti e kompensoi betimin e tij. Domethënë, nëse dikush ia privon vetes diçka, ai konsiderohet si një betim, të cilin, nëse e thyen, duhet ta kompensosh.” Këtë opinion e kanë sjellë gjithashtu Buhariu, Muslimi dhe Nesaiu. Bazuar në këtë, disa juristë kanë gjykuar se shlyerja e betimit është e detyrueshme për këdo që i ndalon vetes diçka të lejuar fetarisht, si gruan, ushqimin, pijen, veshmbathjen etj. Ky është mendimi i Imam Ahmedit dhe i një grupi dijetarësh. Ndërsa imam Shafiiu mendon se shlyerja nuk është e detyrueshme për çdo rast, por vetëm kur i bën vetes të ndaluar gruan dhe robëreshën. Në rastet e tjera nuk konside-rohet si betim. Po ashtu, nëse dikush, me ndalimin, ka për qëllim divorcimin e gruas ose lirimin e robinjës, ai është i detyruar t’i zbatojë të dyja këto. Mendimi më i saktë është se shkak për zbritjen e këtyre ajeteve ishte privimi që Profeti ﷺ i bëri vetvetes nga pija me mjaltë, siç pohon Buhariu. Në lidhje me këtë ajet, ai sjell nga Aishja një hadith, ku ajo thotë: 2709. “Profeti i Allahut, pinte mjaltë në shtëpinë e Zejneb bint Xhahshit, prandaj qëndronte pak më gjatë me të. Kështu që unë dhe Hafsa u pajtuam që, tek cilado prej nesh që ai të vinte fillimisht, t’i thoshim: “Mos ke ngrënë gjë megafir (një bimë me aromë jo të këndshme)? Unë ndiej prej teje erë (jo të këndshme) megafirësh”. Dhe ashtu vepruan. Ai tha: “Jo. Kam pirë mjaltë tek Zejneb bint Xhahshi dhe betohem se nuk kam për të pirë më të tillë. Por mos i trego askujt për këtë!”. Atëherë, zbritën ajetet: “O Profet! Përse ia ndalon vetes atë që Allahu ta ka lejuar, duke kërkuar të përmbushësh kërkesat e grave të tua?”. Gjithashtu, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I
Dërguari i Zotit (lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) i donte ëmbëlsirat dhe mjaltin. Pasi falte namazin e pasdites, i vizitonte gratë e tij dhe i afrohej secilës prej tyre. Njëherë, ai shkoi për të takuar Hafsën, vajzën e Umerit, dhe qëndroi tek ajo më gjatë se më parë. Unë u bëra xheloze. Pyeta për arsyen dhe më thanë se, një grua nga farefisi i saj i kishte çuar një enë me mjaltë dhe ajo i kishte dhënë Profetit ﷺ nga ky mjaltë. Unë thashë: “Për Zotin, do të bëjmë një rreng!” Kështu, i thashë Seuda bint Zeumas: “Ai do të afrohet ty si zakonisht, prandaj në atë moment thuaji: “A mos ke ngrënë gjë magafir?” Ai do të thotë: Jo.” Por ti thuaj: “Çfarë është kjo erë që ndiej?” Ai do të të thotë: “Hafsa më dha mjaltë.” Atëherë thuaji: “Këto bletë sikur paskan kullotur në urfut (pemë me aromë jo të këndshme).” Edhe unë do t'i them të njëjtën gjë. Edhe ti Safije thuaji të njëjtën gjë!” “Pasha Zotin - i rrëfen Seuda Aishes - sapo ai u shfaq te dera, unë gati i thashë që së largu atë që më urdhërove të them, nga frika jote.” “Kur iu afrua, - vazhdon të tregojë Aishja - Seuda i tha: ‘O i Dërguari i Zotit, mos ke ngrënë gjë megafir?’ - “Jo", - i tha ai. Ajo tha: ‘Po ç'është kjo erë, që e ndiej nga ti?’ - "Hafsa më dha mjaltë". Ajo tha: “Ato bletë sikur paskan kullotur në urfut!”. Kur Profeti erdhi tek unë, edhe unë i thashë të njëjtën gjë. Kështu, më pas, kur ai shkoi te Hafsa, ajo i tha: ‘O i Dërguari i Zotit, a dëshiron pak mjaltë?’ Ai tha: "Jo, nuk dua". Seuda thotë: “Për Zotin, ne e privuam atë!” Por - thotë Aishja - unë i thashë: “Hesht!”.” Sipas këtij versioni, kuptohet se ajo që i dha mjaltë Profetit ishte Hafsa. Thuhet se janë dy raste të ndryshme. Por, nuk mund të themi që shkak për zbritjen e ajetit janë të dyja ndodhitë. Mendimi më i saktë është se ajo që i dha mjaltë profetit ishte Zejneb Bint Xhahshi, kurse Aishja me Hafsën ishin dy gratë që bashkëvepruan. Kjo bazohet në hadithin që sjell imam Ahmedi në Musnedin e tij nga Ibn Abasi, i cili tregon: “Unë orvatesha vazhdimisht të pyesja Umerin për dy gratë e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), për të cilat Zoti i Madhëruar thotë: "Nëse pendoheni tek Allahu, zemrat tuaja janë nënshtruar (për të vërtetën).”. Atëherë, kur Omeri bëri haxhin, edhe unë e bëra haxhin me të. Gjatë rrugës, Omeri u largua pak nga karvani dhe unë e shoqërova. Pasi ai kreu nevojat e veta, unë i hodha ujë dhe ai mori abdes. Atje i thashë: “O Udhëheqësi i Besimtarëve, cilat janë dy gratë e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), për të cilat Zoti i Madhë - ruar thotë: "Nëse pendoheni tek Allahu, zemrat tuaja janë nënshtruar (për të vërte - tën).”?. Ai tha: “Çudi me ty, o Ibn Abas!”. Me sa duket nuk i pëlqeu që e pyeta për këtë, por gjithsesi më tha: “Ato ishin Hafsa dhe Aishja.” 162 - “Kur Profeti i tregoi një sekret njërës prej grave të veta, ajo e përhapi atë. Allahu ia bëri të ditur këtë të Dërguarit të Tij, i cili i tregoi asaj vetëm për një pjesë të lajmit, duke mos i thënë gjë për pjesën tjetër. Kur ai i tha asaj se çfarë kishte ndodhur me lajmin, ajo i tha: “E kush ta tregoi ty këtë?” Ai tha: “Ma tregoi i Gjithëdituri, Njohësi i të fsheh - tave.” - Flitet për momentin kur Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha Hafsës: "Mos i trego askujt për vendi - min tim se ia kam bërë vetes të ndaluar marrëdheniet me Ummu Ibrahim (Marien Kibtije)". Por ajo njoftoi për këtë Aishen. Kështu e ka sjellë Buhariu në kapitullin e “Divorcit”. - “Nëse pendoheni tek Allahu, zemrat tuaja janë nënshtruar (për të vërtetën) .” - Bëhet fjalë për Hafsën dhe Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me to! - “Por nëse bashkëveproni kundër tij, ta dini se All ahu është Mbrojtësi i tij, edhe Xhibrili e besimtarët e ndershëm. Të gjithë melekët e ndihmojnë atë. ” – Muslimi sjell hadithin nga Umer Ibn Hatabi, i cili tregon: 2710. “Kur Dërguari i Zotit, u largua për njëfarë kohe nga gratë e tij, unë hyra në xhami dhe njerëzit po koteshin me guralecë dhe thoshin: “I Dërguari i Zotit i ndau gratë e tij.” Kjo ndohi para se të
shpallej urdhri për hixhabin. Unë thashë me vete: “Sot do ta mësoj çfarë ka ndodhur ...”.” Më pas, ai përmend hadithin, ku tre - gon se shkoi tek Aisha dhe Hafsa dhe i këshilloi ato, derisa tha: “Kështu, hyra dhe u përballa me Rabahun, shërbëtorin e të Dërguarit të Zotit. E thirra dhe i thashë: “O Rabah, kërkoj leje që të hyj tek i Dërguari i Zotit.”. Atje i thashë: “O i Dërguar i Zotit, nuk ke përse të shqetësohesh në lidhje me gratë. Nëse i divorcon ato, atëherë Zoti është me ty, edhe melekët e Tij janë me ty, edhe Xhibrili, Mikaeli, edhe unë, Ebu Bekri dhe gjithë besimtarët jemi me ty.” Sa herë që kam thënë ndonjë fjalë, - vazhdon Umeri - gjithmonë kam shpresuar që Zoti t'i vërte - tojë fjalët e mia. Dhe vërtet, pas kësaj u shpall ajeti: “Por nëse bashkëveproni ku - ndër tij, ta dini se Allahu është Mbrojtësi i tij, edhe Xhibrili e besimtarët e ndershëm. Të gjithë melekët e ndihmojnë atë. Nëse ai ju divorcon, është Zoti i tij që kujdeset t’i dhurojë atij si zëvendësim gra edhe më të mira se ju: muslimane, besimtare, të bindu - ra, që pendohen te Zoti, adhuruese, muha - xhire, që kanë qenë të martuara ose virgjë - resha.” Unë, - vazhdon të tregojë Umeri - e pyeta: “A i ke divorcuar ato? - “Jo”, - më tha ai. Atëherë unë, - thotë Umeri, - dola në pragun e portës së xhamisë dhe thirra me sa kisha fuqi: “Profeti i Allahut nuk i ka divor - cuar gratë e tij!” Atëherë, zbriti ajeti: “Kur u vjen ndonjë lajm qetësues apo shqetësues, ata e përhapin menjëherë atë. Por, nëse këtë lajm do t’ia përcillnin Profetit ose parisë së tyre, hulumtuesit e vërtetë do të dinin të nxirrnin përfundime.” Unë isha nga ata që e analizuan dhe nxorën lajmin e vërtetë në këtë çështje.” - “Nëse ai ju divorcon, është Zoti i tij që kujdeset t’i dhurojë atij si zëvendësim gra edhe më të mira se ju: muslimane, besimtare, të bindura, që pendohen te Zoti, adhuruese, muhaxhire, që kanë qenë të martuara ose virgjëresha. ” - Në hadith të saktë përcillet se Umeri ka thënë: “Në tri raste, mendimi im është përputhur me Shpalljen. Njëherë thashë: “O i Dërguari i Allahut! Sikur ta shfrytëzonim vendin e Ibrahimit si vendfalje?” Pastaj zbriti aje - ti: “Vendin ku qëndroi Ibrahimi bëjeni vend adhurimi (namazi)!”.” [Bekare, 125]. Edhe për rastin e ajetit të hixhabit, unë thashë: “O i Dërguari i Allahut! Sikur t'i urdhëroje gratë e tua të mbulohen, sepse me to flet edhe i miri, edhe i keqi.” Atëherë zbriti ajeti i hixhabit. Një ditë, gratë e Profetit ﷺ u tubuan, për shkak të xhelozisë ndaj tij dhe unë u thashë: “Nëse ai ju divorcon, është Zoti i tij që kujdeset t’i dhurojë atij si zëvendësim gra edhe më të mira se ju ...”. Atëherë zbriti ky ajet (Tahrim, 5).” Ibn Ebu Hatimi sjell një hadith nga Enesi, i cili tregon se Umer Ibn Hattabi ka thënë: “Unë u informova për diçka që ndodhi mes Pro - fetit dhe grave të tij. Unë i këshillova një për një (duke filluar nga e bija, Hafsa), duke u thënë: “Ose do të hiqni dorë nga mundimi, që po i sillni të Dërguarit të Allahut, ose Allahu ka për t’i dhënë atij gra më të mira se ju.” Kështu vazhdova t’i këshilloja, de - risa shkova tek e fundit prej tyre, e cila më tha: “O Umer, a nuk ka kush i këshillon gratë e Profetit, që t’i këshillosh ti?!” Kështu, unë u tërhoqa nga këshillimi i tyre. Allahu i Lartësuar dhe Krenar zbriti ajetet: “Nëse ai ju divorcon, është Zoti i tij që kujdeset t’i dhurojë atij si zëvendësim gra edhe më të mira se ju: mu -slimane, besimtare, të bindura, që pendohen te Zoti, adhuruese, muhaxhire, që kanë qenë të martuara ose virgjëresha.”. Gruaja që e ndaloi të qortonte gratë e Profetit ishte Umu Seleme, sikurse vjen në Sahih-un e Buhariut.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 66:1–66:5
Këto ajete ishin një qortim nga Allahu i Madhëruar drejtuar Profetit të Tij, kur ai ia ndaloi vetes së tij skllaven Maria, ose ujin me mjaltë, për të përmbushur kështu tekën e njërës prej grave të tij, sikurse thuhet në një histori të njohur. Për këtë, Allahu i Madhëruar shpalli këto ajete: - “O Profet! Përse ia ndalon vetes atë që Allahu ta lejoi duke kërkuar të përmbushësh kërkesat e grave të tua? ” - O ti njeri, të cilit Zoti i dhuroi mirësinë më të madhe duke e bërë lajmëtar të Tij e duke i dhënë Shpalljen! Përse ia bën haram vetes atë mirësi që Zoti ta ka bërë të lejuar ty, madje edhe ymetit tënd? A kërkon që me këtë thjesht të kënaqësh gratë e tua?! - “Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Ky ajet tregon qartë se Allahu i Lartësuar e ka falur plotësisht Profetin e Tij. Allahu e ka mëshiruar Profetin e Tij. Madje, ky vetëprivim i Profetit u bë shkak që Allahu i Urtë dhe i Gjithëditur të shpallte një dispozitë të rëndësishme, të vlefshme për të gjithë ymetin, dispozitën e kompensimit për thyerjen e betimeve. I Madhëruari thotë më pas: - “Allahu e ka caktuar zgjidhjen për betimet që bëni.” - Allahu i Madhëruar e ka caktuar mënyrën si bëhet një betim dhe si zgjidhet çështja e thyerjes së këtij betimi. Si sqarim për këtë janë edhe ajetet 87 - 89 në suren Maide, ku i Madhëruari thotë: “O ju që keni besuar! Mos i bëni haram të mirat që Allahu i lejoi për ju dhe mos i kaloni kufijtë, se Allahu nuk i do ata që i kalojnë kufijtë. Hani nga gjërat të cilat Allahu jua ka dhënë hallall e të mira dhe kijeni frikë Allahun, tek i Cili ju besoni. Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por për ato që i keni bërë duke pasur si qëllim përbetimin. Shpagimi i tij është ushqimi i dhjetë të varfërve me po atë ushqim mesatar që ushqeni edhe familjen tuaj, ose veshja e tyre, ose lirimi i një robi. Kush nuk ka mundësi t’i bëjë këto, le të agjërojë tri ditë. Ky është shpagimi për betimet tuaja të pambajtura. Mbajini betimet tuaja! Kështu jua sqaron Allahu argumentat e Veta, që të jeni mirënjohës. ” Kështu çdokush që ia bën vetes së vet haram diçka që në origjinë është e lejuar nga Zoti, si ndonjë ushqim, pije apo veprim të caktuar, ose betohet në Zotin se do të veprojë diçka apo nuk do të veprojë diçka, por pastaj dëshiron që ta thyejë ose e thyen këtë betim, ai ka si detyrë të bëjë kompensimin e caktuar për këtë rast. Allahu i Madhëruar thotë: - “Allahu është kujdestari juaj...” - Allahu ka në dorë çështjet tuaja. Ai ju edukon, mëson e përkujdeset për ju në formën më të mirë, në lidhje me çështjet që kanë lidhje me dynjanë apo me ahiretin tuaj. Ai kujdeset që t’ju ruajë nga çdo e keqe, prandaj edhe caktoi për ju mënyrën e zgjidhjes së betimeve tuaja, për të cilat keni përgjegjësi. Nëpërmjet zbatimit të këtyre rregullave përmbushen detyrimet tuaja dhe nuk ngakoheni me gjynahe për shkeljen e tyre. - “Ai është i Gjithëdituri, i Urti.” - Allahu është i Gjithëdituri. Dija e Tij ka përfshirë atë që duket dhe atë që fshihet prej jush. Allahu është El Hakim - i Urtë në gjithçka që ka krijuar e gjithçka që ka ligjëruar. Ai vendosi ligje të mrekullueshme, sepse e di shumë mirë se ato janë të dobishme, të mira e të përshtatshme për robtë e Tij. - “Kur Profeti i tregoi një sekret njërës prej grave të veta, ajo e përhapi atë. Allahu ia bëri të ditur këtë të Dërguarit të Tij, i cili i tregoi asaj vetëm për një pjesë të lajmit, duke mos i thënë gjë për pjesën tjetër. - Shumë mufesirinë janë të mendimit se këtu bëhet fjalë për Hafsën (Allahu qoftë i kënaqur me të!), së cilës Profeti (a.s.) i tregoi diçka dhe e porositi që të mos ia tregonte kujt. Por ajo ia tregoi Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Atëherë, Allahu i Madhëruar e njoftoi Profetin (a.s.) se çfarë kishte bërë Hafsa.
Kështu, Profeti (a.s.) i tha Hafsës që ajo ia kishte treguar të tjerëve (Aishes) një pjesë të lajmit. Profeti (a.s.) nuk i tha se ajo e kishte treguar të gjithë lajmin, për t’u treguar i butë me të. - Kur ai i tha asaj se çfarë kishte ndodhur me lajmin, ajo i tha: “E kush ta tregoi ty këtë?” - Kush ta tregoi këtë fakt, që askush tjetër nuk e dinte? Përgjigjja qe: - “Ai tha: “Ma tregoi i Gjithëdituri, Njohësi i të fshehtave!”” – Ma tregoi Allahu, të Cilit nuk mund t’i fshihet asgjë e hapur apo e fshehtë. Ai është Njohësi i të fshehtave dhe të pashprehurave. - “Pendohuni tek Allahu, sepse zemrat tuaja kanë gabuar.” - Kjo u drejtohej dy grave të Profetit (a.s.), Aishes dhe Hafsës (Allahu qoftë i kënaqur me to), të cilat u bën shkak që Profeti (a.s.) t’i bënte vetes haram diçka që ai e dëshironte. Allahu i Madhëruar i ftoi ato të pendoheshin, duke u bërë të ditur se me veprën e tyre zemrat e tyre kishin rënë disi nga ai nivel ku duhej të ishin. Ato duhej të ishin të sjellshme, të përmbajtura e shumë të kujdesshme në marrëdhëniet me bashkëshortin e tyre, Profetin e Zotit, Muhamedin (a.s.). Ato nuk duhej ta kundërshtonin apo të silleshin në atë mënyrë që ta shqetësonin atë. - “Por nëse bashkëveproni kundër tij...” - Nëse ato do të bashkëpunonin me njëra tjetrën për ta lënduar Profetin e dashur të Zotit dhe do të vazhdonin në këtë rrugë, atëherë: - “...ta dini se Allahu është Mbrojtësi i tij, edhe Xhibrili e besimtarët e ndershëm. Të gjithë melaiket e ndihmojnë atë. - Të gjithë e ndihmojnë dhe mbështesin Profetin (a.s.). Për këtë arsye, ai do të jetë gjithmonë i fituari, ndërsa kundërshtarët e tij do të jenë të dështuar e të humbur. Në këtë ajet përshkruhet nderimi më i madh që Zoti i ka bërë më të zgjedhurit dhe zotërisë së të gjithë profetëve, Muhamedit (a.s.). Vetë Zoti Bujar dhe i Madhëruar e përcaktoi Vetveten si ndihmues dhe mbështetës të Profetit të zgjedhur. Po kështu i përcaktoi edhe krijesat më të zgjedhura të tij: melekët, Xhibrilin dhe besimtarët e sinqertë. Edhe këta janë ndihmues të Profetit të madh. Këto ajete janë qortim e këshillë e fortë për gratë e Profetit. Madje, Ai iu kujton diçka që gratë i tremb më së shumti, divorcin. Allahu i Lartësuar tha: - “Nëse ai ju divorcon, është Zoti i tij që kujdeset t’i dhurojë atij si zëvendësim gra edhe më të mira se ju: muslimane, besimtare, të bindura, që pendohen te Zoti, adhuruese, muhaxhire,...” - Të mos mbaheni me të madh me të, sepse edhe nëse ai ju divorcon, kjo nuk e rëndon aspak atë. Ai nuk është aspak i varur prej jush, sepse Allahu mund t’i japë atij gra më të mira se ju, në drejtim të fesë, besimit e bukurisë. Për këtë arsye, nëse ju vazhdoni të veproni në mënyrë të gabuar, gjë që nuk ndodh, Allahu mund ta bëjë edhe këtë zëvendësim. E gjithë kjo është me “nëse...”. Falë Zotit, Profeti (a.s) nuk i divorcoi ato. Nëse ai do t’i divorconte, Allahu i Lartësuar do t’ia zëvendësonte me gra të mrekullueshme, ashtu siç duhet të jenë gratë. Së pari, ato
duhet të jenë muslimane, domethënë, të jenë të përkushtuara në zbatimin e dispozitave që kanë lidhje me fjalët e veprat e dukshme. Së dyti, të jenë besimtare, pra, të jenë të përkushtuara në zbatimin e dispozitave që kanë lidhje me besimin, diturinë dhe sjelljen e zemrës. Gjithashtu, ato duhet të jenë të bindura, domethënë, me bindje të vazhdueshme e sistematike ndaj porosive të Allahut dhe Profetit të Tij. Gratë duhet të jenë edhe “el taibat” - që pendohen për çdo vepër që Zoti e urren. Ato duhet të përpiqen të bëjnë gjithçka që kënaq Zotin dhe të pendohen për gjithçka që Zoti e urren. Të gjitha këto, Allahu i Lartësuar i ka qartësuar nëpërmjet Shpalljes, prandaj është Shpallja ajo që duhet të mësohet dhe zbatohet. - “...që kanë qenë të martuara ose virgjëresha.” - Allahu i Lartësuar mund t’i dhurojë Profetit të Tij larmishmëri, që ai të kënaqet. Allahu mund t’i mundësojë atij gra të virgjëra ose jo të virgjëra, ashtu si ai t’i dëshirojë. Kështu, pasi Allahu i Lartësuar i qortoi dhe këshilloi ato gra, ato nxituan që të kënaqnin Profetin (a.s.), duke u mveshur me cilësitë më të mira, që u përshkruan nga Allahu i Madhëruar. Ato u bënë gratë më të mira mes besimtarëve. Nga këto ajete mësojmë se Allahu i Madhëruar zgjodhi për Profetin e Tij gjërat më të mira, njerëzit më të çmuar dhe atributet më të larta. Kështu, duke qenë se Allahu i Madhëruar gjykoi që këto gra të qëndronin me të, kjo tregoi se ato ishin gratë më të mira dhe më të kompletuarat me cilësitë që Ai përshkroi.