O ti pejgamber (o ti, që të është sjellë kumtesa nga qielli), pse ia ndalon vetes atë që All-llahu ta lejoi? A kërkon me të pajtimin e grave tua? All-llahu është mëkatfalës, mëshirues.
(Përkujto) kur Pejgamberi ndonjërës prej grave të veta i kumtoi fshehurazi një lajm, e kur ajo tregoi atë (lajm), e All-llahu (pejgamberit) i zbuloi atij për të (kallëzimin e lajmit nga ajo grua), ai ia bëri (asaj) me dije një pjesë të tregimit, kurse për pjesën tjetër heshti. E kur ai (pejgamberi) e njoftoi atë (gruan) me atë (që i kishte treguar), ajo tha: "E kush ta tregoi ty këtë?" Ai tha: "Më tregoi i gjithëdijshmi, njohësi i të fshehtave!"
Nëse ju të dyja pendoheni te All-llahu (është më mirë për ju), sepse zemrat tuaja tanimë kanë rrëshqitur, e nëse bashkëveproni kundër tij, ta dini se All-llahu është Ai mbrojtës i tij si dhe Xhibrili dhe besimtarët e ndershëm; e kur është kështu, edhe engjëjt i dalin në ndihmë.
Nëse ai u ka lëshuar juve, është detyrë e Zotit të tij t'i bëjë atij zëvendësim me gra edhe më të mira se ju: muslimane, besimtare, respektuese, penduese, adhuruese, emigruese, që kanë qenë të martuara ose virgjëresha.
O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.
O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë në mënyrë që Zoti juaj t'i largojë prej jush të këqijat, t'ju shpie në xhennete nën të cilët rrjedhin lumenj ditën kur All-llahu nuk e turpëron Pejgamberin, e së bashku me të as ata që kanë besuar. Drita e tyre ndriçon para tyre dhe në të djathtë të tyre, e ata thonë: "Zoti ynë, vazhdona dritën tonë, falna neve. Vërtet, Ti je i plotfuqishëm për çdo send".
"Atyre që mohuan, All-llahu ua sjell shembull gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato të dyja ishin në kurorë të dy robërve të mirë nga robërit tanë, por ato të dyja i tradhtuan (në fé) ata të dy dhe këta të dy nuk mund t'i mbrojnë ato fare te All-llahu, e atyre dyjave u thuhet: "Hyni të dyja në zjarr së bashku me ata që hyjnë!
E atyre që besuan, All-llahu ua solli shembull gruan e faraonit kur ajo tha: "Zoti im, më bën një vend pranë mëshirës sate në xhennet dhe më shpëto prej faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëto prej popullit mizor!"
Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e vet, e Ne prej anës sonë i frymëzuam një shpirt, e ajo i besoi fjalët e Zotit të saj dhe librat e Tij dhe ishte e devotshme.
Shpërndaj
—
0:00
Shtoje në ekranin kryesorShtyp Shpërndaj dhe pastaj «Shto në ekranin kryesor».Hap menynë ⋮ të shfletuesit dhe zgjidh «Shto në ekranin kryesor».
Shtoje në ekranin kryesor
Shtyp butonin Shpërndaj në shiritin e Safarit, poshtë në ekran: katrori me shigjetë lart.
Rrëshqit listën poshtë dhe zgjidh «Shto në ekranin kryesor», pastaj «Shto».
Faqja hapet pastaj si aplikacion, pa shiritin e shfletuesit.