67. Mulk · Ajeti 14 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 67:1–67:14
Të mirat e Zotit, që ka në dorë tërë pushtetin, janë të pakufishme.
Ai është që sajoi vdekjen dhe jetën. Vdekja përmendet para jetës për arsye se është më e trishtueshme dhe prej saj mbledhin mend të tjerët. Përmendet edhe për arsye se etapat e krijimit të njeriut derisa të vijë jeta, që plotësohet me hyrjen e shpirtit në trup, janë më të paqarta për njerëz. Vdekja është më konkrete dhe fillon me daljen e shpirtit dhe etapat që zhvillohen në trupin e njeriut derisa të shndërrohet plotësisht në dhë, janë si ato të jetës, por tash në anën apo drejtimin e kundërt.
Derisa njerëzit janë të krijuar për t'u provuar se kush është vepërmirë e kush keqbërës, vetvetiu kuptohet se veprat do të shqyrtohen dhe si rezultat, do të shpërblehen ose do të ndëshkohen.
Vdekja nuk është shkatërrim i plotë: ajo është shkatërrim i përbërjes trup-shpirt, e shpirti e vazhdon jetën, pra kalon prej një jete në një tjetër. Pejgamberi ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush varroset e përcjellësit fillojnë të kthehen, ai e dëgjon krismën e këpucëve". (Buhariu, Muslimi).
Krijimi i shtatë palë qiejve është vepër e Zotit e vepra e Tij nuk mund të ketë ndonjë të metë. Qeniet dhe sendet, që u nënshtrohen ligjeve të Zotit pa vullnetin e tyre, nuk mund të ndodhë që t'i thyejnë ligjet, nuk ndodh të shkaktohet ndeshje, vetëm njeriu që pjesërisht është i lirë në punën e vet, mund të vijë në kundërshti me ligjet e Zotit, andaj, shfaqet ndonjë e metë.
Yjet që zbukurojnë qiellin, janë edhe trupa që nxjerrin shkëndija të zjarrit me të cilat i godasin shejtanët dhe mësimet e falltorëve.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 67:12–67:15
- “Pa dyshim, për ata që i frikësohen Zotit të vet pa e parë Atë, do të ketë falje dhe shpërblim të madh. ” - Allahu i Madhëruar na tregon rreth atyre, të cilët i frikësohen qëndrimit para Tij, jo vetëm faqe njerëzve, por edhe atëherë kur janë të veçuar dhe asnjë krijesë nuk i sheh. Ata përkushtohen në punë të mira, në bindje ndaj Allahut të Madhëruar edhe kur askush nuk i shikon, përveç Allahut të Madhëruar. Allahu i Madhëruar premton për këtë kategori njerëzish të zgjedhur falje të madhe dhe shpërblim të pamatë. Kështu, Allahu i Madhëruar do t’ua fshijë gjynahet, do t’ua mbulojë të metat dhe gabimet dhe ka për t’u dhënë shpërblimin më të madh dhe bujar, siç vjen hadithi në dy Sahih-ët: 2722. “Janë shtatë grupe që Allahu do t’i fusë në Hijen e Arshit të Tij në Ditën e Gjykimit, ditë në të cilën nuk do të ketë hije tjetër veç Hijes së Tij: udhëheqësi i drejtë; i riu që është rritur duke adhuruar Allahun e Plotfuqishëm; njeriu që e ka lidhur zemrën me xhamitë; dy
njerëz, të cilët duhen për hir të Allahut, edhe kur takohen, edhe kur ndahen (kur janë larg); ai burrë, i cili, kur joshet nga një grua e bukur dhe me pozitë (për të kryer imoralitet me të), i thotë: “Unë i frikësohem Allahut”; një person, i cili, kur jep për bamirësi, e fsheh, saqë dora e tij e majtë nuk e di se çfarë jep e djathta dhe, një person i cili e kujton Allahun në vetmi dhe sytë e tij lotojnë nga frika për Zotin”. Siç shihet, ndër këta të përzgjedhur janë tre persona me cilësinë e frikës nga Allahu fshehtazi, kur nuk i sheh askush, veç Zotit: “... ai burrë, i cili, kur joshet nga një grua e bukur dhe me pozitë (për të kryer imoralitet me të), i thotë: “Unë i frikësohem Allahut”, një person i cili kur jep për bamirësi, e fsheh, saqë dora e tij e majtë nuk e di se çfarë jep e djathta dhe, një person, i cili e kujton Allahun në vetmi dhe sytë e tij lotojnë nga frika për Zotin”. Më pas, duke na bërë me dije se Ai shikon dhe di imtësisht edhe atë që fshihet në ndërgjegjen dhe gjoksin tonë, Allahu i Lartësuar thotë: - “I fshihni ose i thoni fjalët tuaja haptas, nuk ka dyshim se Ai e di çfarë fshihni në zemrat tuaja. ” - Allahu i Madhëruar di edhe për ato shkëndija mendimesh, që vetëtijnë nëpër zemra, mendje e shpirtra. - “A nuk e di Ai që ka krijuar, kur Ai di në imtësi çdo sekret. ” - E si mund të mos jetë i gjithëdijshëm Krijuesi?! Krijuesi di në imtësi çdo sekret. Më pas, i Lartësuari përmend mirësitë e shumta mbi krijesat e Tij dhe faktin se Ai u ka lehtësuar atyre gjithçka në këtë tokë. Ai ua ka nënshtruar tokën, duke e bërë atë të shtrirë, të qetë, të palëvizshme, duke vendosur male dhe duke e çarë e nxjerrë prej saj lumenj, përrenj dhe burime uji e duke i bërë që ato të përhapen në tokën e Tij. Për njerëzit, i Madhëruari ka mundësuar në këtë tokë mirësi të shumta, thesare, vende dhe toka të begatshme, hapësira pjellore, për të mbjellë të lashtat, çdo bimësi të dobishme dhe pemë frutore: - “Është Ai që e bëri Tokën të përshtat - shme për ju.” - Udhëtoni ku të dëshironi në tokë, për të fituar mirësi e begati, por dijeni se të gjitha përpjekjet tuaja nuk kanë për t’u sjellë asnjë dobi më shumë, përveçse aq sa Allahu i Madhëruar dhe Bujar ju mundëson, me bujarinë dhe mëshirën e Tij për ju. - “Ecni nëpër të dhe shfrytëzoni mirësitë e Tij.” - Pa dyshim që përpjekja për të bërë sebepet e mjaftueshme në jetën e kësaj dynjaje është diçka e domosdoshme, e urdhëruar nga Zoti dhe nuk bie ndesh aspak me mbështetjen e plotë në mëshirën dhe përkujdesin e Zotit dhe besimin e plotë, që duhet të kemi në përkujdesin e Tij për krijesat. Nga Umer Ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) vjen një hadith, në të cilin ai thotë se e ka dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: 2723. “Nëse ju do t’i mbështeteshit Allahut të Lartësuar me një formë korrekte dhe të vërtetë, Ai do t’ju furnizonte dhe begatonte me mirësi, ashtu sikurse furnizon zogun, i cili del herët në mëngjes bosh dhe kthehet në mbrëmje plot, me rizkun e Zotit.” Kështu e kanë sjellë Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh prej Ibn Ubejras. Tirmidhiu e ka gjykuar si hadith hasen sahih . Kështu, Profeti ﷺ thotë që zogu del në kërkim të rizkut dhe kthehet. Pra, ai kërkon rizkun, përpiqet dhe jep atë që ka mundësi, edhe pse i mbështetet Allahut Krenar dhe të Lartësuar. Pa dyshim, është Allahu i Madhëruar Ai që ia nënshtron dhe lehtëson çështjet robërve dhe është Ai, i Vetmi, që sjell dhe përmbush çdo sebep. I Lartësuari thotë: - “Vetëm tek Ai është e ardhmja. ” - Tek Ai do të jetë kthimi i të gjitha krijesave në Ditën e Kijametit.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 67:13–67:14
Këtu Allahu i Lartësuar na tregon për dijen e Tij absolute rreth gjithçkaje që ekziston dhe për gjerësinë e butësisë dhe mëshirës së Tij. - “I fshihni ose i thoni fjalët tuaja haptas, nuk ka dyshim se Ai e di çfarë fshihni në zemrat tuaja.” - Allahu i Lartësuar është i ditur për çdo motiv dhe qëllim që fshihet në zemra. Sigurisht, Ai di hollësisht edhe veprat e hapura e të dukshme, që dëgjohen e shikohen. Pastaj Allahu i Lartësuar sjell një argumentim logjik, për të treguar dijen e Tij të gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Ai thotë: - “A nuk e di Ai që ka krijuar, kur Ai di në imtësi çdo sekret.” - A ka mundësi që Ai që bëri krijesat në formën më të bukur të mos i njohë dhe të mos dijë në hollësi gjithçka që lidhet me ta. Dija e Tij është laŧîfun, pra, e hollësishme. Dija e Allahut përfshin të fshehtat dhe ndërgjegjet e njerëzve. Ai di në hollësi çdo sekret dhe fshehtësi të dynjasë. Në suren Ta Ha, i Lartësuari thotë: “Ai di të fshehtën dhe më të fshehtën”. Ky është një shpjegim i fjalës laŧîfun. Sipas një shpjegimi tjetër të fjalës laŧîfun, ajo tregon butësinë, mëshirën dhe përkujdesin e madh që Allahu i Lartësuar tregon për adhuruesit dhe të dashurit e Tij. Ai përkujdeset që t’u japë atyre mirësi dhe inspirim për vepra të drejta, me mënyra që adhuruesit kurrë nuk do t’i mendonin. Me butësinë e Tij, Allahu i Lartësuar largon prej tyre të këqijat që ata as nuk arrijnë ta mendojnë se si t’u ruhen. Me butësinë, mëshirën dhe përkujdesin e Tij, Ai i lartëson ata në gradat më të larta, me mënyra që adhuruesit kurrë nuk do mund t’i mendonin, e aq më pak t’i arrinin. Ndoshta me butësinë dhe mëshirën e Tij, Ai lejon që adhuruesit dhe të dashurit e Tij të goditen nga fatkeqësi dhe sprova, nëpërmjet të cilave ata të arrijnë mirësitë më mëdha dhe gradat më të larta të Xhenetit.