7. Araf · Ajeti 10 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:1–7:10

Kur'ani iu shpall Muhammedit, për t'ju kumtuar njerëzve edhe kërcënimet për ndëshkime e edhe për t'i këshilluar për punë sa më të mira. Sigurisht Pejgamberi ishte i preokupuar me atë se do të pranonin thirrjen e tij, ose do të refuzonin. Për këtë arsye Zoti i thotë që të mos ndiej vështirësi për të, pse Ai është ndihmës i tij.

Kundërshtarëve dënimi u ka ardhur zakonisht në befasi për të qenë edhe më i rëndë, pra u vinte natën ose ditën kur ishin duke pushuar e fjetur. Kur u vinte dënimi, ata pranonin gabimin, por ishte vonë dhe nuk u vlente asgjë.

Përveç dënimit në dynja, ata dhe të gjithë njerëzit e tjerë do të merren në përgjegjësi për qëndrimin që patën ndaj pejgamberëve dhe udhëzimeve të Zotit, e do të merren në përgjegjësi edhe pejgamberët se si pranohej ose nuk pranohej thirrja e tyre te njerëzit. E derisa nga droja heshtin që të gjithë, Zoti parashtron gjendjen, pse Ai e di më së miri.

Veprat e njerëzve do të peshohen në ditën e gjykimit. Për formën e peshojës nuk kemi ndonjë dokument të sigurt. Veprat janë sende abstrakte, por Zoti i gjithëfuqishëm ka mundësi t'i konkretizojë ato. Tash edhe njerëzit kanë arritur t'i masin sendet abstrakte, f. v., nxehtësinë, të ftohtit, shtypjen e ajrit etj. Prandaj nuk ka dyshim për peshojën.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:10

Allahu i Lartësuar kujton bamirësinë dhe bujarinë e Tij të madhe, me mundësitë që u ka krijuar njerëzve në Tokë, ku Ai ka vendosur çdo gjë të nevojshme për jetën e tyre. Megjithatë, shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës për to. Allahu i Madhëruar thotë në një ajet tjetër: “Ai ju jep nga gjithçka që kërkoni. Edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i numëroni ato. Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë mosmirënjohës.” [Ibrahim 34].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:10

I Lartësuari i nxit robërit e Tij të meditojnë për mirësinë, bujarinë dhe mëshirën e Tij për ta dhe të tregohen mirënjohës, duke u kujtuar vendbanimin e tyre: - “Ne ju vendosëm në tokë...” - Ju vendosëm në tokë, të cilën e gatitëm dhe e nënshtruam për ju, në mënyrë të tillë që ju të ndërtoni mbi të, ta punoni, ta mbillni, të hapni rrugë në të etj. - “...dhe ju mundësuam gjithçka për jetën në të...” - Nëpërmjet bimësisë që kultivohet në tokë, nëpërmjet mineraleve dhe thesareve të fshehura në të, e shumë mirësive të tjera, Allahu i Madhëruar ju mundëson një jetë të mirë dhe të begatshme. Ju aftësoheni e zhvilloheni në profesione dhe aktivitete të ndryshme, por kurrë nuk duhet të harroni se është i Madhëruari Ai që jua krijon kushtet për to në tokë dhe është Ai që përkujdeset për ju me bujarinë dhe butësinë e Tij. - “...Sa pak po falënderoni!” - Shumë pak mirënjohje po tregoni për Allahun Bujar dhe Bamirës, i Cili ju begatoi me mirësi të panumërta dhe largoi prej jush rreziqe e vështirësi të shumta.

← Araf 7:10