7. Araf · Ajeti 11 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:11–7:18
Zoti është Ai që e krijoi njeriun, prej dheut Ademin, e prej një pikë uji (menije) pasardhësit e tij, i dha formën më të bukur dhe e nderoi kur i urdhëroi melaiket t'i bëjnë sexhde. Shejtani që ishte në grupin e melekëve, por nuk ishte melek, nuk e respektoi urdhërin e Zotit nga mendjemadhësia, pra bëri analogji (kijas) të gabuar. I bëri tri gabime: kundërshtoi urdhërin e Zotit, u nda nga bashkësia dhe bëri kryelartësi. Pasi që përzihet prej xhennetit si i mallkuar, kërkon prej Zotit t'i japë afat të jetojë deri kur të ringjallen njerëzit. Zoti i dha afat, por jo deri në ringjallje, pse atëherë do të shpëtonte pa e kapur vdekja. Në kaptinën "El Hixhru" është i theksuar afati i tij.
Shejtani thotë se do t'u zë pusi për t'i larguar nga rruga e drejtë nga të gjitha anët, do t'i mashtrojë me dynja e do t'i largojë nga ahireti, nga punët e mira në të këqija, nga sevabet në gjynahe etj.
Zoti i tha se njerëzit do të kuptojnë se ti je i mallkuar, i dëbuar prej mëshirës Sime, i poshtëruar dhe i nënçmuar, e kush vjen pas mësimeve tua pasi që ta ketë kuptuar sherrin tënd, ata bashkë me ty do t'i fusë në xhehenem.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:11
Në këtë kontekst, Allahu i Lartësuar i kujton njerëzimit vlerën e lartë dhe rëndësinë e babait të tyre të parë, Ademit. Ai u kujton, gjithashtu, armiqësinë e ashpër të armikut të tyre të përbetuar, Iblisit. Ai u tregon se Iblisi i mallkuar është i mbushur me smirë, urrejtje dhe armiqësi kundër tyre dhe babait të parë të tyre, në mënyrë që ata të kenë kujdes, të ruhen dhe ta kundërshtojnë ftesën e tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne ju krijuam, ju dhamë formën tuaj, e pastaj u thamë melekëve: “Bëni sexhde për Ademin!”. Kështu, kur Allahu i Lartësuar e krijoi Ademin (a.s) me dorën e Tij, prej një balte të ngjitshme dhe e formësoi atë si një njeri të plotë, e pasi fryu në të shpirtin (të krijuar) prej Tij, Ai i urdhëroi melekët që të binin në sexhde për të, për të madhëruar dhe respektuar urdhrin
e Allahut të Lartësuar. Të gjithë ata e dëgjuan dhe iu bindën urdhrit të Allahut, përveç Iblisit, i cili nuk ishte mes atyre që bënë sexhde. Le të vërejmë me kujdes se si Allahu i Lartësuar thotë: “Ne ju krijuam, ju dhamë formën tuaj...” Qëllimi këtu është për krijimin e Ademit, edhe pse vjen në numrin shumës, sepse ai është babai i të gjithë njerëzimit. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Ne i nënshtruam retë (gjatë udhëtimit tuaj në shkretëtirë) , me qëllim që t'ju bënin hije, dhe nga qielli ju zbritëm menna (rrëshirë e ëmbël) dhe shkurtëza...” [Bekare 57]. Në fakt, kjo fjalë u drejtohej bijve të Izraelit, të cilët ishin në kohën e Profetit, ﷺ por për qëllim ishin paraardhësit e tyre, që jetuan në kohën e Musait (a.s). Kështu, duke qenë se kjo ishte një mirësi për paraardhësit e tyre, vlen të konsiderohet si mirësi edhe për pasardhësit e tyre.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:11–7:15
Duke iu drejtuar bijve të Ademit, Allahu i Madhëruar thotë: - “Ne ju krijuam, ju dhamë formën tuaj, e pastaj u thamë melekëve: “Bëni sexhde për Ademin!”..” - Është Allahu i Madhëruar Ai që krijoi të parin e llojit tuaj, Ademin ﷺ , i cili është babai dhe paraardhësi i të gjithë juve. Allahu i Urtë dhe i Gjithëditur ju dha formën dhe strukturën më të mirë. Përveç hijeshisë së jashtme, i Lartësuari i dha Ademit ﷺ edhe bukuri të brendshme, nëpërmjet diturisë që i fali. Allahu i Madhëruar n a ka njoftuar se i mësoi Ademit emrat e çdo gjëje. Pas këtij nderimi dhe privilegji, Allahu i Urtë urdhëroi melekët e Tij që të binin në sexhde para Ademit, në shenjë nderimi dhe respekti, si edhe për të shfaqur dukshëm vlerën dhe rëndësinë e madhe të njeriut. Melekët e zbatuan menjëherë urdhrin e Zotit të tyre. - “Ata ranë në sexhde, përveç Iblisit. Ai nuk qe prej atyre që bënë sexhde.” - Të gjithë melekët e Zotit ranë në sexhde, përveç Iblisit, i cili nuk ishte melek, por i llojit të xhindeve. Me mendjemadhësi, ai refuzoi që të binte në sexhde. Për këtë arrogancë dhe paturpësi, i Lartësuari e qortoi dhe kërcënoi duke i thënë: - “Allahu Tha: “Çfarë të pengoi ty të bëje sexhde, kur Unë të urdhërova?”” - Ç’të pengoi të përuleshe para atij që unë e krijova me dy duart e Mia, duke e dalluar kështu nga të tjerët? Pse e theve urdhrin dhe tregove shpërfillje e mosrespekt për madhështinë Time? - “Ai (Iblisi) tha: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta.”” - Duke u rebeluar ndaj Zotit, Shejtani tha: “Unë jam më i mirë se ai.”. Pastaj, duke arsyetuar për pretendimin e tij të kotë, i mallkuari tha: “Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta.”. Sipas këtij arsyetimi, një krijesë me origjinë nga zjarri është më e mirë se një krijesë me origjinë nga balta, sepse zjarri ngrihet lart e është më i lehtë sesa balta. Sigurisht, kjo mënyrë krahasimi është e pavlerë, për shumë arsye, ndër të cilat: 1. Kjo analogji bëhet përballë urdhrit të qartë të Allahut, kur dihet se çdo analogji që bie ndesh me urdhrat hyjnorë është e pavlefshme. Analogjia në dhënien e gjykimeve shërben për rastet kur nuk ka ndonjë argument ose fjalë të prerë nga Zoti dhe Sheriati i Tij. Për këto raste, ajo duhet të jetë sa më e ngjashme dhe e përafërt me çështje të tjera që kanë gjykim të qartë nga Zoti. Kështu, nëpërmjet krahasimit dhe ngjashmërisë, jepet një gjykim i vlefshëm. Rregullat e analogjisë në dhënien e gjykimeve fetare janë tepër rigoroze, ndër të cilat, madje kushti kryesor, është që ajo të mos bierë ndesh me ndonjë tekst të Sheriatit, ajet kuranor apo hadith qoftë. Nëse ajo bie ndesh me tekstet e Sheriatit, atëherë është analogji e papranueshme dhe hidhet poshtë. 2. Iblisi tha: “Unë jam më i mirë se ai”. Kaq ishte mëse e mjaftueshme për të treguar poshtërsinë e tij. Me këto fjalë, ai tregoi se ishte veçse një kryeneç e një fodull, që fryhej e krekosej për veten e tij. Gjithashtu, Iblisi tregoi se ishte një mendjelehtë, që arriti të fliste rreth Zotit pa dije dhe pa argument. Por a ka cilësi më të ulëta se
këto, që i mallkuari i shprehu me fjalët e tij: “Unë jam më i mirë se ai.”?! 3. Pretendimi i tij se lënda e zjarrit, prej të cilit ai u krijua, është më e mirë se lënda e dheut, prej të cilit u krijua Ademi ﷺ , ishte një gënjeshtër e paskrupullt dhe pretendim tërësisht i padrejtë. Dheu është një lëndë e qëndrueshme dhe lehtësisht e punueshme. Ai është lëndë shumë e begatshme, gjë që dallohet nga larmia e madhe e bimësisë që zhvillohet në të. Ndërsa zjarri është i lehtë, i paqëndrueshëm, përvëlues dhe shkatërrues. Kështu, Allahu i Lartësuar e uli Iblisin në gradën më të fundit të poshtërimit. i Madhëruari tha: - “Allahu Tha: “Zbrit prej andej (Xhenetit)! Nuk të takon të bësh kryelartësi në të.” - Zbrit prej Xhenetit, sepse ai është vendi i të mirëve e i të pastërve, jo vendi i të poshtërve e i të pistëve. - Shporru e qofsh i poshtëruar!”. – Ky qe një shpërblim mëse i merituar për mendjemadhësinë dhe arrogancën e Shejtanit. Pasi e shfaqi haptazi armiqësinë kundër Zotit dhe urrejtjen ndaj Ademit (a.s.) dhe pasardhësve të tij, Iblisi i kërkoi Allahut afat veprimi deri në Ditën e Ringjalljes, duke thënë: - “Ai (Iblisi) tha: “Më jep afat deri ditën kur ata të ringjallen!” - Ai e kërkoi këtë afat si mundësi për t’i devijuar dhe humbur pasardhësit e Ademit ﷺ sa më shumë. Por nga ana tjetër, me këtë mënyrë, Allahu i Madhëruar donte që, me urtësinë e Tij, të sprovonte të gjithë robërit e Tij. Qëllimi është që kështu të dalin në pah të sinqertët dhe gënjeshtarët, të dallohen qartë ata që i binden Allahut, nga ata që i binden armikut të Tij. Atëherë, Allahu i Madhëruar ia pranoi kërkesën Iblisit, duke i thënë: - Allahu Tha: “Je prej të afatizuarve.”