7. Araf · Ajeti 130 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:127–7:137

Pasi që u vërtetua se Musai ishte i dërguari i Zotit dhe mrekullitë e tij asgjësuan trillimet e magjistarëve të faraonit, dhe pasi që magjistarët pranuan besimin e drejtë, parisë së popullit të faraonit i hyri frika, andaj e ngacmuan faraonin që të marrë masa të ashpra kundër beni israilve. Faraoni pat thënë se të gjithë meshkujt e tyre do t'i mbyste e gratë do t'i përdorte si shërbetore. Musai i kuptoi qëllimet e ndyra të faraonit andaj e porositi popullin e vet të jetë i qëndrueshëm, se ndihma e Zotit është me ta.

Faraonin dhe popullin e tij e dënoi Zoti me pesë lloj dënimesh, dhe gjithnjë fajin për ato dënime që i përjetonin, ia mveshnin Musait dhe besimtarëve. Më në fund, të lodhur prej skamjes, ata e lutën Musain të lutet te Zoti i madhërishëm që t'ua largojë ato masa dënimi. Zoti ua largoi dënimin, por ata nuk e mbajtën besën dhe për atë shkak i fundosi në det, ndërsa beni israilët trashëguan begatitë e asaj toke.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:130–7:131

- Ne e goditëm popullin e Faraonit me vite (thatësire e) zie - Me vite urie, për shkak të mungesës ose pakësimit të të mbjellave. - dhe me pakësim prodhimesh, që ata të mund të reflektonin. - Kështu, palmat jepnin veçse nga një kokërr hurmë (arabie). - Kur vinin kohë të mira, ata thoshin: “Kjo është, thjesht merita jonë”. - Kur kishin bollëk, ata thoshin se ato të mira u vinin sepse i meritonin. - E, kur i godiste ndonjë e keqe, atë e konsideronin si ogur të zi që shkaktohej nga prania e Musait dhe e atyre që ishin me të. - Kur kishte thatësirë e varfëri, e konsideronin si ters, që shkaktohej nga mesazhi dhe besimi që përhapte Musai. - Në fakt, fatkeqësitë u vinin nga Allahu (për gjynahet e tyre) , por shumica e tyre nuk e dinin. - Çdo fatkeqësi është në dorë të Allahut dhe vjen vetëm prej Tij, me caktimin e Tij të urtë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:130–7:137

Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na tregon se çfarë bëri me Faraonin dhe njerëzit rreth tij. Ai na tregon gjithashtu se, - ashtu siç është rregulli i Tij pandryshueshëm me të gjithë popujt, - i godiste me ndëshkime, në mënyrë që ata të nënshtroheshin dhe të ktheheshin në rrugën e drejtë. - “Ne e goditëm popullin e Faraonit me vite (thatësire e) zie dhe me pakësim prodhimesh, që ata të mund të reflektonin.” - Allahu i Lartësuar e ndëshkoi familjen e Faraonit me vite thatësire dhe pakësim të prodhimeve, me qëllim që ata ta kuptonin se gjithçka që po u ndodhte ishte prej Allahut të Lartësuar, për shkak të refuzimit që i bënin Shpalljes së Tij. Qëllimi final ishte që ata të ktheheshin nga rruga e mohimit, por këto ndëshkime nuk patën asnjë ndikim tek ata. Përkundrazi, ata vazhduan në padrejtësi dhe në mohimin e Profetit të Zotit dhe të Shpalljes që ai përcillte. Allahu i Lartësuar thotë: - “Kur vinin kohë të mira, ata thoshin: “Kjo është, thjesht merita jonë”. E, kur i godiste ndonjë e keqe, atë e konsideronin si ogur të zi që shkaktohej nga prania e Musait dhe e atyre që ishin me të.” - Kur u jepej ndonjë e mirë e kur u shtohej bereqeti nga Allahu i Lartësuar, atëherë ata thoshin që kjo ndodhte sepse thjesht e meritonin, si fryt i punës së tyre. Kështu, ata nuk tregonin mirënjohje ndaj Allahut të Lartësuar për ato mirësi. Por kur u vinte ndonjë fatkeqësi: “e konsideronin si ogur të zi, të shkaktuar nga prania e Musait dhe e shoqëruesve të tij”. Ata e konsideronin praninë e Musait dhe të gjithë atyre që e pasonin atë si një ogur të keq. Ata thoshin se të gjitha fatkeqësitë vinin veçse për shkak të Musait dhe pretendimeve të tij. Por Allahu i Lartësuar thotë: - “Në fakt, fatkeqësitë u vinin nga Allahu (për gjynahet e tyre) ...” - Çështja nuk ishte aspak ashtu siç mendonin ata. Shkaku i fatkeqësive nuk ishin Musai dhe pasuesit e tij, pasi ato ndodhnin vetëm me caktimin dhe gjykimin e drejtë të Allahut. Shkaku i fatkeqësive ishin pikërisht gjynahet e tyre dhe mohimi që i bënin të vërtetës, por shumica e tyre nuk e dinin, siç thotë Allahu në vijim: - “...por shumica e tyre nuk e dinin.” – Kështu, ata jo vetëm që nuk u penduan dhe nuk u kthyen nga rruga e kufrit, por përkundrazi, i thoshin Musait disa fjalë, që tregonin vendosmërinë e tyre se kurrë nuk kishin për t’u larguar nga rruga e poshtërimit dhe dënimit. - “Ata i thoshin (Musait): “Me çfarëdo argumenti magjepsës që të na vish, ne

nuk do të të besojmë.”.” - Kuptimi: Ne jemi të bindur se ti je magjistar, prandaj çfarëdo lloj fakti të na sjellësh, ne nuk lëkundemi nga mendimi ynë për ty. Ti je një magjistar, me qëllime të zeza ndaj nesh, prandaj nuk kemi për të pranuar dhe miratuar asnjë prej porosive të tua, që ti pretendon se i sjell nga Zoti. Ky qe një tregues i kokëfortësisë dhe këmbënguljes së tyre në të kotën. Në atë gradë kishte arritur kufri dhe inati i tyre, saqë për ata ishte njëlloj: me apo pa mrekulli, ata nuk besonin. Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ndëshkime të shumta mbi ta, njëri pas tjetrit: - “Atëherë Ne lëshuam kundër tyre (mjerime): përmbytje, karkaleca, parazitë, bretkosa dhe gjak...” - Një shi i rrëmbyeshëm përmbyti arat, duke shkatërruar prodhimet e tyre. Më pas, Allahu i Lartësuar dërgoi kundër tyre re me karkareca, që hëngrën edhe ato pak prodhime që mund të kishin ngelur. Gjithashtu, Allahu thotë se dërgoi “el kumel”, që mund të kenë qenë edhe karkalecë të vegjël, të cilët gjithashtu dëmtojnë të mbjellat. Por në kuptimin e drejtpërdrejtë, ‘el kumel’ do të thotë parazitë ose morra, të njohur për dëmin që shkaktojnë. Përveç këtyre, Allahu i Lartësuar dërgoi si ndëshkim edhe një valë me bretkosa, aq sa njerëzve iu mbushën edhe enët me bretkoca, duke shkaktuar një shqetësim dhe dëmtim shumë të madh. Ndëshkim tjetër ishte gjaku. Sipas disa shpjeguesve të Kur 'anit, të gjithë popullit i plasi gjak nga hundët. Por interpretimi që përkrahet nga shumica e komentuesve është se uji i pijshëm, domethënë, puset dhe burimet ku ata merrnin ujë, u shndërruan në gjak, dhe ata po pinin gjak në vend të ujit, madje edhe gatimet i bënin veçse me gjak. Në vijim Allahu i Lartësuar thotë: - “...Shenja të qarta njëra pas tjetrës.” - Të gjitha këto ishin shenja të qarta, që tregonin se ata ishin mashtrues, të pabindur dhe të padrejtë, që nuk e besonin Musain. Nga ana tjetër, këto shenja tregonin se Musai ishte i vërtetë në ato që thoshte, si përcjellës i fjalës së Zotit. - “Por ata u treguan arrogantë, sepse ishin njerëz keqbërës.” - Edhe pse panë shenja kaq të qarta, ata përsëri nuk besuan dhe nuk e pasuan Musain. Që në fillim ata ishin popull i padrejtë, prandaj e merituan ndëshkimin e Allahut të Lartësuar. - “Sa herë që binte ndëshkimi mbi ta, ata thoshin: “O Musa! Lutju Zotit tënd për ne, sipas premtimit që të ka dhënë. Nëse na e largon ndëshkimin, ne do të të besojmë ty dhe do t’i dërgojmë bijtë e Izraelit me ty.”” - Fjala ‘ndëshkimin’ ka mundësi të nënkuptojë murtajën apo ndonjë epidemi tjetër të rëndë, siç kanë thënë shumë komentues. Por ka shumë mundësi, gjithashtu, që ajo të nënkuptojë të gjitha llojet e ndëshkimeve që u përmendën pak më sipër. Kështu, sa herë që merrnin një ndëshkim, ata thoshin: ‘O Musa, lute Zotin tënd për ne, që ta largojë prej nesh këtë ndëshkim!’ Ata kërkonin që Musai të ndërmjetësonte tek Zoti për të larguar ndëshkimin, duke i premtuar se atëherë do ta besonin Shpalljen e Zotit dhe do t’i lejonin bijtë e Izraelit që të largoheshin. Por, në fakt, ata gënjenin, pasi donin vetëm të shpëtonin nga ai ndëshkim i momentit, duke pandehur se ashtu do t’ia hidhnin. Allahu i Lartësuar thotë më pas: - “Por sa herë që Ne ua largonim ndëshkimin, për t’u lënë një afat të caktuar, ata e thyenin premtimin.” - Kur Allahu i Lartësuar e largonte ndëshkimin për njëfarë kohe të shkurtër, ata përsëri e shkelnin premtimin që i jepnin Musait për të besuar dhe për të lejuar bijtë e Izraelit që të shkonin me të. Kështu ata vazhduan të mos bindeshin ndaj Allahut të Lartësuar dhe të torturonin bijtë e Izraelit, derisa, siç thuhet në ajetin më pas: - “Kështu, Ne i ndëshkuam ata dhe i fundosëm në det...” - Kur erdhi koha për t’u zbatuar ndëshkimi përfundimtar mbi Faraonin dhe mbështetësit e tij, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Musain që të largohej natën, bashkë me bijtë e Izraelit. Gjithashtu,

Allahu i Lartësuar e njoftoi Musain se Faraoni bashkë me ushtrinë e tij do të viheshin në ndjekje të tyre. Sikurse thotë Allahu i Lartësuar në ajete të tjera kuranore: “Faraoni dërgoi lajmëtarë nëpër qytete për të tubuar njerëz, (Duke u thënë se) "Këta (israelitët) janë veçse një grup i vogël që e kanë ndezur me të vërtetë zemërimin tonë. Por ne jemi shumica e gjithnjë të gatshëm."” [Shuara 53 – 56]. Kështu, Faraoni dërgoi në të gjithë qytetet njerëz, që të rekrutonin ushtarë, për t’u vënë në ndjekje të Musait dhe bijve të Izraelit. Ishte Allahu i Madhëruar Ai që i bëri ata të shkonin me këmbët e tyre drejt fundit të tmerrshëm, sikurse thotë në një ajet tjetër: “Kështu (-thotë Zoti -), Ne i nxorëm ata prej kopshteve e burimeve, Prej thesareve dhe vendbanimeve të bukura. Ja kështu, Ne ua lamë ato Bijve të Israilit. Ata (ushtria e Faraonit) i arritën (Bijtë e Israilit) në agim. Kur dy grupet e panë njëri -tjetrin, njerëzit e Musait thanë: “Ata na zunë, me të vërtetë.” Musai tha: “Kurrsesi! Zoti im është me mua dhe Ai do të më udhëzojë.”. Pastaj Ne i shpallëm Musait: “Bjeri detit me shkopin tënd!”. Dhe deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh. Ne e afruam palën tjetër (ata të faraonit) atje. Ne i shpëtuam Musanë dhe të gjithë ata që ishin me të. Ndërsa të tjerët i përmbytëm në ujë. Vërtet, në këtë (ngjarje) ka Argument. Por shumica e tyre (e njerëzve) nuk besojnë. Nuk ka dyshim se Zoti yt, Ai është Ngadhënjimtari, Mëshirëploti.” [Shuara 56 - 68]. - “...ngaqë ata i konsideruan gënjeshtra argumentet Tona dhe u treguan mospërfillës ndaj tyre.” - E gjitha kjo erdhi si ndëshkim për mohimin e shenjave të Allahut të Lartësuar. Ata i konsideruan mrekullitë e Zotit si gënjeshtra dhe i kthyen shpinën të vërtetës që përcillte Musai. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Ndërsa popullit të përvuajtur i lamë në trashëgim viset lindore dhe perëndimore të tokës ku zbritëm bekimet Tona.” - Këtu flitet për Misirin ose Egjiptin e sotëm. Ishte pikërisht ai vend i bekuar, ku populli jetonte i poshtëruar nën tiraninë e Faraonit, që Allahu i Lartësuar ua la ta trashëgonin besimtarët e mirë. - “Kështu u plotësua premtimi i mirë i Zotit ndaj bijve të Izraelit, për durimin që ata treguan.” - Të gjitha këto ishin si shpërblim i madh nga Allahu i Lartësuar për durimin dhe bindjen ndaj profetit Musa, i cili u tha: “Kërkojini ndihmë Allahut dhe bëni durim! S’ka dyshim se toka është e Allahut dhe Ai ua lë në trashëgim atyre robve të Tij që Ai dëshiron. Përfundimi i lumtur u takon të devotshmëve”. Gjithashtu, ai u tha: “Mundet që Allahu ta shkatërrojë armikun tuaj dhe t’ju bëjë ta zëvendësoni në këtë vend e pastaj do t’ju vështrojë se si do të veproni”. - “Ne e rrënuam çfarë kishte bërë Faraoni dhe populli i tij dhe kullat që kishin ndërtuar.” - Allahu i Lartësuar shkatërroi gjithçka që kishte ndërtuar Faraoni dhe njerëzit e tij. Shtëpitë e tyre luksoze u braktisën, për shkak të krimeve dhe mosbesimit në Allahun e Lartësuar. Sigurisht, këto janë fakte për çdo njeri që beson, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “ Këto janë gërmadhat e shtëpive të tyre. Ata u shkretuan për shkak të padrejtësive të tyre. Nuk ka dyshim se në gjithë këtë (ndodhi) ka argument për njerëzit që kuptojnë.” [Neml 52].

← Araf 7:130