7. Araf · Ajeti 148 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:138–7:149
Pasi që Zoti i shpëtoi beni israilët prej torturave të faraonit, ua mundësoi kalimin përtej detit, ata hasën një popull që adhuronte statuja - idhuj, e duke mos ditur për pasojat e një adhurimi të tillë, menduan se do të ishte mirë që edhe ata ta kenë ndonjë idhull përmes të cilit do t'i luteshin Zotit. Musai që ishte sikurse edhe pejgamberët e tjerë kundër idhujtarisë, i qortoi ashpër.
Musai i kishte premtuar popullit të vet, duke qenë ende në Egjipt, se nëse Allahu e shkatërron faraonin, do t'u sillte një libër prej Zotit, sipas të cilit do të orientoheshin. Kur u shkatërrua faraoni, Musai e luti Zotin për atë libër. Ai i tha të përgatitet tridhjetë ditë (të agjërojë) e ia shtoi edhe dhjetë, ashtu që pas katërdhjetë ditësh Musai shkoi në vendin e caktuar për të pranuar shpalljen.
Kur i foli Zoti Musait pa kurrfarë ndërmjetësimi, Musai u kënaq, e kur e rrëmbeu dashuria për ta parë drejtpërsëdrejti Zotin, u mashtrua dhe e kërkoi atë. Zoti i tha se konstrukti i përbërjes së njeriut në këtë botë, s'ka fuqi ta përjetojë shikimin ndaj Madhërisë së Tij, mandej i tha: Unë po paraqitem me një pjesë të dritës Sime, një qenieje më të fuqishme se ti - kodrës, e nëse ajo përjeton dritën Time, edhe ti do të më shohësh. Kur Zoti lëshoi një pjesë të vogël të dritës së Vet ndaj kodrës, ajo u copëtua dhe u rrafshua e Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete kërkoi falje prej Zotit për kërkesën e pakuptimtë. Zotin do ta shohin besimtarët në xhennet.
Derisa Musai ishte në Mikat duke pranuar shpalljen, Tevratin, një farë Samirij e konstruktoi nga ari dhe argjendi një figurë si viç dhe popullit i dukej se po pallte si viçi dhe fillun ta adhurojnë atë. Kur e kuptuan gabimin e bërë, kërkuan falje prej Zotit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:148–7:149
- Populli i Musait, pas largimit të tij, nisi të adhuronte një statujë viçi të bërë me stolitë e tyre. Ai kishte një zë si të lopës. - Allahu i Lartësuar na tregon për devijimin dhe humbjen e largët të një pjese të bijve të Izraelit, të cilët adhuruan viçin, që ua solli Samiriu. Ai ua ndërtoi viçin me arin e
stolive të tyre, pastaj hodhi mbi të një grusht nga dheu që ai mori nga gjurma e kalit të Xhibrilit (a.s). Pas kësaj, ai viç nxirrte zë, si pëllitja e lopës. E gjitha kjo ndodhi pasi Musai shkoi në takimin me Allahun. Allahu i Lartësuar i tregoi Musait për devijimin e popullit të tij kur ai ishte në Tur, siç thotë Allahu në një ajet tjetër: “Allahu thotë: “Ne e vumë në provë popullin tënd kur ti nuk ishe me ta dhe Samiriu i çoi ata në humbje.” [Ta ha 85]. Është treguar se, kur ata dëgjuan zërin që dilte nga viçi, filluan të vallëzonin dhe kërcenin rreth tij. Kjo qe fitne për ta, derisa po thoshin: “Ky është zoti juaj dhe zoti i Musait!” Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk e kuptonin ata se ai (viçi) as nuk mund t'u thoshte atyre një fjalë (si përgjigje), e as mund t’u bënte as dobi e as dëm?” [Ta ha 89]. Ndërsa në këtë ajet i Madhëruari thotë: - Nuk e shihnin, vallë ata, se ai as nuk u fliste e as nuk i udhëzonte në rrugë të drejtë?! Ata mbanin atë për adhurim dhe ishin të padrejtë. - Allahu i Madhëruar u tregon se sa i shëmtuar ishte adhurimi që ata i kushtuan viçit, kur u larguan nga adhurimi i Zotit të qiejve dhe të Tokës: “Si është e mundur që të adhuroni një trup viçi, që lëshon zë, por që nuk ju flet dhe as nuk ju udhëzon drejt të mirës?!” Por verbëria që sjell injoranca, ua kishte mbuluar tërësisht shikimin. Imam Ahmedi ka sjellë hadithin nga Ebu Darda, se Profeti i Allahut ka thënë: 1218. “Dashuria e madhe për diçka të verbon dhe të shurdhon.”. - Kur u penduan thellësisht dhe e kuptuan se kishin gabuar, ata thanë: “Nëse nuk na mëshiron dhe nuk na e fal gabimin Zoti ynë, atëherë ne do të jemi më të shkatërruarit!” - Pasi u penduan dhe ndien keqardhje të thellë për atë që bënë, ata u lutën duke thënë: “Nëse nuk na mëshiron dhe nuk na e fal gabimin Zoti ynë, atëherë ne do të jemi më të shkatërruarit! Ne do të jemi të shkatërruar dhe të dëshpëruar.” Kjo tregon se ata e pranuan gabimin dhe iu drejtuan Allahut të penduar.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:148–7:151
- “Populli i Musait, pas largimit të tij, nisi të adhuronte një statujë viçi të bërë me stolitë e tyre. Ai kishte një zë si të lopës.” - Këtë statujë viçi e gdhendi dhe e derdhi Samiriju. Ai mori një grusht dhé nga gjurmët e të dërguarit (Xhibrilit), e hodhi mbi statujën prej floriri, dhe ajo filloi të nxirrte një zë si pëllitje lope. Kështu e bënë statujën dhe e adhuronin si zotin e tyre. Madje, në ajete të tjera, Allahu i Lartësuar
tregon: “ Ai (Samiriju) nxorri përpara njerëzve imazhin e një viçi me trup (të gdhendur) që dukej se pëlliste, e ata thanë: “Ky është zoti juaj dhe Zoti i Musait, po ai (Musai) e ka harruar”. A nuk e kuptonin ata se ai (viçi) as nuk mund t'u thoshte atyre një fjalë (si pëgjigje) , e as mund t’u bënte as dobi e as dëm? ” [Ta Ha 88, 89]. Sipas tyre, ai qe Zoti që Musai shkoi për ta takuar. Sigurisht, kjo tregonte mendjelehtësinë e tyre, pasi si është e mundur që ata të mos bënin dallimin mes Zotit të botërave, i Cili është Zoti i qiejve dhe i tokës, me një statujë viçi, me plot mangësi?! Vetë Allahu i Lartësuar thotë se viçi i tyre nuk kishte asnjë cilësi hyjnore, qoftë në aspektin e qenies, qoftë në aspektin e veprave të tij: - “Nuk e shihnin, vallë ata, se ai as nuk u fliste...” - Paaftësia për të folur konsiderohet si një mangësi e madhe. Madje, edhe adhuruesit e statujës, që mund të flisnin, qëndronin më lart sesa idhulli i tyre: - “...e as nuk i udhëzonte në rrugë të drejtë?!” - Ai nuk jepte udhëzime për fenë e vërtetë apo për çështjet e kësaj bote. Me logjikë të pastër e të shëndoshë, nuk mund të quash Zot diçka që nuk ka mundësi të flasë dhe nga e cila nuk ke asnjë dobi. - “Ata mbanin atë për adhurim dhe ishin të padrejtë.” - I bënë padrejtësi vetes, sepse adhuruan diçka që nuk e meriton dhe pa patur asnjë fakt. Ajeti tregon qartë se kush i mohon Allahut të Lartësuar atributin e 'të folurit", ka mohuar një nga veçoritë më të spikatura të Tij si Zot. Vetë Allahu i Lartësuar e konsideroi paaftësinë dhe pamundësinë e statujës për të folur si dëshmi se ajo nuk mund të ishte Zot. Ai që nuk mund të flasë nuk mund të jetë i adhuruar, nuk mund të jetë Zoti që adhurohet. - “Kur u penduan thellësisht dhe e kuptuan se kishin gabuar...” - Musai ua shpjegoi situatën e mjerë ku kishin rënë, prandaj ata u penduan për atë veprim. Ata e kuptuan se kishin devijuar nga rruga e drejtë dhe thanë: - “... ata thanë: “Nëse nuk na mëshiron dhe nuk na e fal gabimin Zoti ynë, ne atëherë do të jemi më të shkatërruarit!”.” - Nëse Zoti i Madhërishëm nuk na mëshiron dhe nuk na tregon rrugën drejt mëshirës së Tij, ne do të jemi të humbur. Nëse Ai nuk na e mundëson dhe nuk na jep sukses që ta adhurojmë Atë, nëse Ai nuk na jep forcë dhe vullnet për të bërë vepra të mira, që Ai i do, ne do të mbetemi të humbur e të dëshpëruar. Nëse i Madhërishmi nuk na i mbulon të metat tona dhe nuk na i fal gjynahet, sidomos idhujtarinë që bëmë, ne do të humbim gjithçka të mirë në dynja dhe ahiret. - Kur Musai u kthye te populli i vet, i zemëruar dhe shumë i hidhëruar, tha:...” - Kur Musai u kthye dhe e pa popullin e tij në atë gjendje, u zemërua shumë. Ai, - paqja e Zotit qoftë me të! - ishte tepër xheloz për fenë e pastër dhe shumë i dhembshur e i butë me popullin e tij. Në këtë gjendje, ai u thotë atyre:
- “Shumë keq paskeni vepruar pas largimit tim!” - Sa keq më keni zëvendësuar pas ikjes sime! A nuk e kuptoni se kjo sjellje ju çon në ndëshkimin e përjetshëm?! - “A kërkuat përshpejtimin e ndëshkimit të Zotit tuaj?” - Allahu i Lartësuar ju premtoi se do t’ju shpallte një libër, kurse ju nxituat për të plotësuar dëshirat tuaja të mbrapshta për idhujtari. - “Ai lëshoi pllakat dhe e zuri të vëllanë për flokësh dhe e tërhoqi nga vetja.” - Në zemërim e sipër, Musai lëshoi pllakat në të cilat ishte shkruar Teurati dhe e kapi fort të vëllain prej flokësh dhe prej mjekre. Duke e tërhequr me zemërim drejt vetes, i tha: “Musai tha: “O Harun! Ç’të pengoi ty që të vije pas meje, kur pe se ata morën rrugën e gabuar? Mos vallë edhe ti e kundërshtove urdhrin tim?” Haruni tha: “O bir i nënës sime! Mos më kap as për mjekre, as për flokësh! Në të vërtetë pata frikë se do të thoshe: "I përçave beni israilët dhe nuk e respektove fjalën time?” [Ta Ha, 92 – 94]. - “Ai tha: “O bir i nënës sime! Popull i më mundi dhe gati më vrau!” - Për të zbutur zemrën e të vëllait, Haruni iu drejtua me fjalë të buta, duke i kujtuar nënën e tyre të përbashkët, por në fakt Haruni e kishte vëlla Musain nga nëna dhe nga babai. Ai i tha: “O bir i nënës sime, populli më mundi dhe gati më vrau. Ata më shpërfillën kur u thashë: “O populli im! Ju po sprovoheni me të (me viçin e gëdhendur) . Nuk ka dyshim se Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, prandaj ejani pas meje dhe bindjuni urdhrit tim!”. Ata i thanë: “Ne nuk do t’i ndahemi këtij adhurimi (të viçit) derisa Musai të kthehet te ne.”.” [Ta Ha 90, 91]. Kështu, ata jo vetëm që e shpërfillën, por gati sa nuk e vranë. - “Mos bëj që të gëzohen armiqtë me fatkeqësinë time dhe...” - Mos më turpëro para armiqve tanë duke më qortuar dhe keqtrajtuar. Ata mezi presin që të shikojnë ndonjë mangësi apo problem tek ne. - “...mos më shih si gjynahqar!”.” – Mos më trajto mua sikur të jem kriminel. Atëherë Musai u pendua për sjelljen e tij të nxituar, para se të dëgjonte justifikimin e të vëllait. Haruni kishte vepruar drejt dhe kishte bërë maksimumin për t’i penguar ata nga idhujtaria. - “Atëherë, Musai u lut: “Zoti im! Na fal mua dhe vëllanë tim dhe na përfshi në mëshirën Tënde! Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve”.”. - Më fal mua dhe vëllain tim Harunin! Na përfshi në mëshirën Tënde, o Zot! Mëshira Jote është një kështjellë e fortë, që na mbron nga të gjitha të ligat. Është mëshira Jote, o Zot, që na siguron lumturinë. Ti je më i Mëshirshmi se çdokush tjetër që mëshiron. O Allah, Ti je më i mëshirshëm me ne, sesa vetë baballarët dhe nënat tona. Madje, Ti je më i mëshirshëm me ne, sesa ne me vetet tona.