7. Araf · Ajeti 150 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:150–7:158
Kur u kthye Musai prej Mikatit e gjeti popullin e vet që e kishin rrethuar viçin dhe e adhuronin. I hidhëruar pa masë, i hodhi pllakat, e të vëllain e vet Harunin e kapi për flokë dhe e shkundi pse kishte lejuar një gjë të tillë, mirëpo pasi e kuptoi se Haruni nuk kishte kurrfarë faji, Musai u pendua dhe kërkoi falje prej Zotit.
Musai zgjodhi shtatëdhjetë burra të cilët nuk kishin adhuruar viçin, dhe së bashku me ta shkoi në vendin e caktuar prej Zotit, e për t'i kërkuar falje për adhurimin e bërë ndaj viçit. Mirëpo, edhe ata gabuan, kërkuan ta shohin Zotin, andaj i kapi dënimi i përmendur.
Kur'ani e përmend shumë shpesh mëshirën e Zotit e cila përfshin të gjithë ata që edhe pas gabimit të tyre do t'i përfshijë nëse pendohen. Pra, edhe beni israilët që adhuruan viçin, por me kusht që të besojnë edhe Pejgamberin e fundit, Muhammedin. Fjala "ummij" si atribut i Muhammedit, jep për të kuptuar se ai i takonte një populli të pashkolluar, arabëve etnikisht të pastër. Muhammedi ishte Pejgamber i dërguar për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohët e kësaj jete.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:150–7:151
- Kur Musai u kthye te populli i vet, i zemëruar dhe shumë i hidhëruar, tha: “Shumë keq paskeni vepruar pas largimit tim! - Allahu i Lavdëruar na tregon se, kur Musai u kthye nga ai takim madhështor, në të cilin i foli nga afër Zotit të tij, ishte i mbushur me zemërim për atë poshtërsi të madhe që ata kishin bërë. Ai u tha: “Shumë keq paskeni vepruar pas
largimit tim! Ajo që bëtë pas largimit tim është një vepër e shëmtuar e shumë e ligë.” - A kërkuat përshpejtimin e ndëshkimit të Zotit tuaj?” - Allahu ishte Ai që e përcaktoi vonesën dhe mungesën time ndër ju për pak kohë. Nuk duruat sa të vija unë?! - Ai lëshoi pllakat dhe e zuri të vëllanë për flokësh dhe e tërhoqi nga vetja. - Musai i hodhi pllakat, nga zemërimi me popullin e tij. Kjo vërteton atë që ka thënë Profeti: 1219. “Nuk është njëlloj lajmi për diçka me shikimin e saj me sy.” 59 Pastaj e zuri të vëllanë për flokësh, nga frika se ndoshta nuk kishte bërë sa duhej për t’i ndaluar ata nga kjo padrejtësi, siç thotë i Lartësuari: “Musai tha: “O Harun! Ç’të pengoi ty që të vije pas meje, kur pe se ata morën rrugën e gabuar? Mos, vallë, edhe ti e kundërshtove urdhrin tim?” Haruni tha: “O bir i nënës sime! Mos më kap as për mjekre, as për flokësh! Në të vërtetë, pata frikë se do të thoshe: “I përçave bijtë e Izraelit dhe nuk e respektove fjalën time?” [Ta Ha 92 - 94]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: - Ai i tha: “O bir i nënës sime! Populli më mundi dhe gati më vrau! Mos bëj që të gëzohen armiqtë me fatkeqësinë time dhe mos më shih si gjynahqar!” - Kuptimi: Mos më trajto edhe mua si ata dhe mos më shih si zullumqar! Haruni ishte vëllai i Musait nga nëna dhe nga babai, por ai i përmendi nënën, me qëllim që të nxiste ndjeshmëri më të madhe tek Musai. Haruni a.s. ishte i pafajshëm për krimin e tyre, madje i këshilloi ata, sikurse na njofton i lartësuari: “Haruni u pat thënë më parë: “O populli im! Ju po sprovoheni me të (me viçin e gëdhendur) . Nuk ka dyshim se Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, prandaj ejani pas meje dhe bindjuni urdhrit tim!”.” [Ta ha 90]. Pasi u qetësua në lidhje me pafajësinë dhe pastërtinë e të vëllait, Musai filloi të lutej: - Atëherë, Musai u lut: “Zoti im! Na fal mua dhe vëllanë tim dhe na përfshi në mëshirën Tënde! Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve.”. - Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ibn Abasi, se Profeti i Allahut ka thënë: 1220 . “Allahu e mëshiroftë Musain! Nuk është njëlloj lajmi për diçka dhe shikimi me sy i saj. Kur Zoti i tij e njoftoi Musain për atë që kishte bërë populli i tij në lidhje me adhurimin e viçit, ai nuk i hodhi pllakat, që mbante. Por kur e pa me sytë e vet se çfarë kishin bërë, atëherë i hodhi pllakat (nga zemërimi).”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:148–7:151
- “Populli i Musait, pas largimit të tij, nisi të adhuronte një statujë viçi të bërë me stolitë e tyre. Ai kishte një zë si të lopës.” - Këtë statujë viçi e gdhendi dhe e derdhi Samiriju. Ai mori një grusht dhé nga gjurmët e të dërguarit (Xhibrilit), e hodhi mbi statujën prej floriri, dhe ajo filloi të nxirrte një zë si pëllitje lope. Kështu e bënë statujën dhe e adhuronin si zotin e tyre. Madje, në ajete të tjera, Allahu i Lartësuar
tregon: “ Ai (Samiriju) nxorri përpara njerëzve imazhin e një viçi me trup (të gdhendur) që dukej se pëlliste, e ata thanë: “Ky është zoti juaj dhe Zoti i Musait, po ai (Musai) e ka harruar”. A nuk e kuptonin ata se ai (viçi) as nuk mund t'u thoshte atyre një fjalë (si pëgjigje) , e as mund t’u bënte as dobi e as dëm? ” [Ta Ha 88, 89]. Sipas tyre, ai qe Zoti që Musai shkoi për ta takuar. Sigurisht, kjo tregonte mendjelehtësinë e tyre, pasi si është e mundur që ata të mos bënin dallimin mes Zotit të botërave, i Cili është Zoti i qiejve dhe i tokës, me një statujë viçi, me plot mangësi?! Vetë Allahu i Lartësuar thotë se viçi i tyre nuk kishte asnjë cilësi hyjnore, qoftë në aspektin e qenies, qoftë në aspektin e veprave të tij: - “Nuk e shihnin, vallë ata, se ai as nuk u fliste...” - Paaftësia për të folur konsiderohet si një mangësi e madhe. Madje, edhe adhuruesit e statujës, që mund të flisnin, qëndronin më lart sesa idhulli i tyre: - “...e as nuk i udhëzonte në rrugë të drejtë?!” - Ai nuk jepte udhëzime për fenë e vërtetë apo për çështjet e kësaj bote. Me logjikë të pastër e të shëndoshë, nuk mund të quash Zot diçka që nuk ka mundësi të flasë dhe nga e cila nuk ke asnjë dobi. - “Ata mbanin atë për adhurim dhe ishin të padrejtë.” - I bënë padrejtësi vetes, sepse adhuruan diçka që nuk e meriton dhe pa patur asnjë fakt. Ajeti tregon qartë se kush i mohon Allahut të Lartësuar atributin e 'të folurit", ka mohuar një nga veçoritë më të spikatura të Tij si Zot. Vetë Allahu i Lartësuar e konsideroi paaftësinë dhe pamundësinë e statujës për të folur si dëshmi se ajo nuk mund të ishte Zot. Ai që nuk mund të flasë nuk mund të jetë i adhuruar, nuk mund të jetë Zoti që adhurohet. - “Kur u penduan thellësisht dhe e kuptuan se kishin gabuar...” - Musai ua shpjegoi situatën e mjerë ku kishin rënë, prandaj ata u penduan për atë veprim. Ata e kuptuan se kishin devijuar nga rruga e drejtë dhe thanë: - “... ata thanë: “Nëse nuk na mëshiron dhe nuk na e fal gabimin Zoti ynë, ne atëherë do të jemi më të shkatërruarit!”.” - Nëse Zoti i Madhërishëm nuk na mëshiron dhe nuk na tregon rrugën drejt mëshirës së Tij, ne do të jemi të humbur. Nëse Ai nuk na e mundëson dhe nuk na jep sukses që ta adhurojmë Atë, nëse Ai nuk na jep forcë dhe vullnet për të bërë vepra të mira, që Ai i do, ne do të mbetemi të humbur e të dëshpëruar. Nëse i Madhërishmi nuk na i mbulon të metat tona dhe nuk na i fal gjynahet, sidomos idhujtarinë që bëmë, ne do të humbim gjithçka të mirë në dynja dhe ahiret. - Kur Musai u kthye te populli i vet, i zemëruar dhe shumë i hidhëruar, tha:...” - Kur Musai u kthye dhe e pa popullin e tij në atë gjendje, u zemërua shumë. Ai, - paqja e Zotit qoftë me të! - ishte tepër xheloz për fenë e pastër dhe shumë i dhembshur e i butë me popullin e tij. Në këtë gjendje, ai u thotë atyre:
- “Shumë keq paskeni vepruar pas largimit tim!” - Sa keq më keni zëvendësuar pas ikjes sime! A nuk e kuptoni se kjo sjellje ju çon në ndëshkimin e përjetshëm?! - “A kërkuat përshpejtimin e ndëshkimit të Zotit tuaj?” - Allahu i Lartësuar ju premtoi se do t’ju shpallte një libër, kurse ju nxituat për të plotësuar dëshirat tuaja të mbrapshta për idhujtari. - “Ai lëshoi pllakat dhe e zuri të vëllanë për flokësh dhe e tërhoqi nga vetja.” - Në zemërim e sipër, Musai lëshoi pllakat në të cilat ishte shkruar Teurati dhe e kapi fort të vëllain prej flokësh dhe prej mjekre. Duke e tërhequr me zemërim drejt vetes, i tha: “Musai tha: “O Harun! Ç’të pengoi ty që të vije pas meje, kur pe se ata morën rrugën e gabuar? Mos vallë edhe ti e kundërshtove urdhrin tim?” Haruni tha: “O bir i nënës sime! Mos më kap as për mjekre, as për flokësh! Në të vërtetë pata frikë se do të thoshe: "I përçave beni israilët dhe nuk e respektove fjalën time?” [Ta Ha, 92 – 94]. - “Ai tha: “O bir i nënës sime! Popull i më mundi dhe gati më vrau!” - Për të zbutur zemrën e të vëllait, Haruni iu drejtua me fjalë të buta, duke i kujtuar nënën e tyre të përbashkët, por në fakt Haruni e kishte vëlla Musain nga nëna dhe nga babai. Ai i tha: “O bir i nënës sime, populli më mundi dhe gati më vrau. Ata më shpërfillën kur u thashë: “O populli im! Ju po sprovoheni me të (me viçin e gëdhendur) . Nuk ka dyshim se Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, prandaj ejani pas meje dhe bindjuni urdhrit tim!”. Ata i thanë: “Ne nuk do t’i ndahemi këtij adhurimi (të viçit) derisa Musai të kthehet te ne.”.” [Ta Ha 90, 91]. Kështu, ata jo vetëm që e shpërfillën, por gati sa nuk e vranë. - “Mos bëj që të gëzohen armiqtë me fatkeqësinë time dhe...” - Mos më turpëro para armiqve tanë duke më qortuar dhe keqtrajtuar. Ata mezi presin që të shikojnë ndonjë mangësi apo problem tek ne. - “...mos më shih si gjynahqar!”.” – Mos më trajto mua sikur të jem kriminel. Atëherë Musai u pendua për sjelljen e tij të nxituar, para se të dëgjonte justifikimin e të vëllait. Haruni kishte vepruar drejt dhe kishte bërë maksimumin për t’i penguar ata nga idhujtaria. - “Atëherë, Musai u lut: “Zoti im! Na fal mua dhe vëllanë tim dhe na përfshi në mëshirën Tënde! Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve”.”. - Më fal mua dhe vëllain tim Harunin! Na përfshi në mëshirën Tënde, o Zot! Mëshira Jote është një kështjellë e fortë, që na mbron nga të gjitha të ligat. Është mëshira Jote, o Zot, që na siguron lumturinë. Ti je më i Mëshirshmi se çdokush tjetër që mëshiron. O Allah, Ti je më i mëshirshëm me ne, sesa vetë baballarët dhe nënat tona. Madje, Ti je më i mëshirshëm me ne, sesa ne me vetet tona.