7. Araf · Ajeti 157 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:150–7:158
Kur u kthye Musai prej Mikatit e gjeti popullin e vet që e kishin rrethuar viçin dhe e adhuronin. I hidhëruar pa masë, i hodhi pllakat, e të vëllain e vet Harunin e kapi për flokë dhe e shkundi pse kishte lejuar një gjë të tillë, mirëpo pasi e kuptoi se Haruni nuk kishte kurrfarë faji, Musai u pendua dhe kërkoi falje prej Zotit.
Musai zgjodhi shtatëdhjetë burra të cilët nuk kishin adhuruar viçin, dhe së bashku me ta shkoi në vendin e caktuar prej Zotit, e për t'i kërkuar falje për adhurimin e bërë ndaj viçit. Mirëpo, edhe ata gabuan, kërkuan ta shohin Zotin, andaj i kapi dënimi i përmendur.
Kur'ani e përmend shumë shpesh mëshirën e Zotit e cila përfshin të gjithë ata që edhe pas gabimit të tyre do t'i përfshijë nëse pendohen. Pra, edhe beni israilët që adhuruan viçin, por me kusht që të besojnë edhe Pejgamberin e fundit, Muhammedin. Fjala "ummij" si atribut i Muhammedit, jep për të kuptuar se ai i takonte një populli të pashkolluar, arabëve etnikisht të pastër. Muhammedi ishte Pejgamber i dërguar për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohët e kësaj jete.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:157
- për ata që pranojnë të Dërguarin, Profetin “ummij” që nuk shkruan e nuk lexon, të cilin e gjejnë të cilësuar në Teurat dhe në Ungjill ... - Ky është përshkrimi i Muhamedit ﷺ në librat e profetëve. Ata u dhanë lajmin e gëzuar e të mirë popujve të tyre për ardhjen e Muhamedit dhe i urdhëruan ata që ta pasonin atë. Përshkrimi i Muhamedit vazhdon të jetë në librat e tyre. Ai është i njohur dhe shumë i dukshëm për dijetarët dhe udhëheqësit e tyre fetarë. Imam Ahmedi sjell rrëfimin nga Ebu Safër el Akili, i cili ka thënë se i ka treguar një earab: 1222. “Gjatë kohës së jetës së Profetit të Allahut, unë solla në Medinë një deve qumështi. Pasi përfundova tregtinë që kisha, thashë me vete: “Do të shkoj ta takoj atë burrë dhe do të dëgjoj prej tij!” E pashë atë (Profetin ﷺ) mes Ebu Bekrit dhe Umerit, duke ecur. I ndoqa pas, derisa ata mbërritën tek një burrë jehudi, i cili kishte hapur Teuratin dhe po e lexonte, për të gjetur ngushëllim për djalin e vet, i cili ishte duke vdekur. ai ishte nga fëmijët më të bukur dhe më të mirë të zonës. Profeti i Allahut tha: “Po të pyes për hir të Atij që shpalli Teuratin: a e gjen në këtë librin tënd përshkrimin tim dhe vendin nga dola unë (si Profet)?” Ai bëri me shenjë me kokën e tij, duke mohuar. Por djali i tij tha: “Betohem në Atë që e zbriti Teuratin, se ne e gjejmë në librin tonë përshkrimin tënd dhe vendin nga ku u dërgove (si profet). Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet, veç Allahut, dhe dëshmoj se ti je Profeti i Allahut!” Profeti ﷺ tha: “Largojeni këtë jehud nga vëllai juaj!” Pastaj u kujdes per qefinosjen dhe faljen e namazit të xhenazes së djalit.” Ky është një hadith i fortë, për të cilin dëshmon një rrëfim i saktë nga Enesi. Ibn Xheriri sjell rrëfimin nga Ata Ibn Jesari, i cili ka thënë: “Takova Abdullah Ibn Amrin dhe i thashë: “Më trego diçka rreth përshkrimit të Profetit të Allahut në Teurat?” Ai më tha: “Po, do të tregoj. Betohem në Allah, se ai përmendet në Teurat me të njëjtin përshkrim që është në Kur'an: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmues, si përgëzues dhe si qortues....” Të dërguam si mbrojtës i popullit umij. Ti je adhuruesi Im, robi dhe profeti Im. Emri yt është El Muteuek -kel. Ai nuk është i vrazhdë dhe as i ashpër. Allahu nuk ka për ta marrë atë, derisa ta fusë në rrugë të drejtë popullin e devijuar e derisa ata të thonë: ‘Nuk ka Zot tjetër të adhuruar me meritë
veç Allahut!’ Ai do të çelë nëpërmjet tij zemra të mbyllura, veshë të shurdhuar dhe sy të verbuar.” Më pas - thotë Atau, - unë takova Keabin dhe e pyeta për të njëjtën gjë. Dhe ai më tregoi të njëjtën gjë, fjalë për fjalë, pa ndyshuar as edhe një gërmë, veç një pjese, që Keabi e shprehu me gjuhën (djalektin) e tij.” Këtë rrëfim e ka sjellë edhe Buhariu në Sahih-un e tij. Ndër të tjera, pas pjesës: “Nuk është i vrazhdë dhe as i ashpër”, ai shtoi: “Ai nuk e ngre zërin lart nëpër tregje dhe të keqes nuk i përgjigjet me të keqe, por fal shumë dhe toleron.” I tillë ka qenë përshkrimi i Profetit të Allahut në librat e shkuar. - që i urdhëron ata për të mirë dhe i ndalon nga e keqja ... - Dhe, vërtet, e tillë ishte gjendja e tij. Ai urdhëronte veçse për të mirë dhe ndalonte veçse nga e keqja, sikurse aludon Abdullah Ibn Mesudi kur thotë: “Nëse dëgjoni që Allahu thotë: O ju që keni besuar”, atëherë dëgjo me kujdes dhe vëmendje, sepse pas saj do të vijë ose një urdhër për diçka të mirë, ose një ndalesë nga diçka që është e keqe.” - që u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet ... - Ai u lejonte shumë nga ato gjëra që ia patën bërë haram vetes, të ashtuquajturat Behira, Sâiba, Uesila, Hâm etj., nëpërmjet të cilave ata e kishin ngushtuar shumë veten. Nga ana tjetër, ky Profet u ndaloi shumë gjëra të pista, si mishi i derrit, pasuria e fituar përmes fajdesë dhe ushqime, që ata ia kishin lejuar vetes. Disa dijetarë kanë thënë: “Çdo gjë që e ka lejuar Allahu, ajo është e mirë, e këndshme dhe e dobishme, si për trupin, ashtu edhe për fenë dhe shpirtin e njeriut. Gjithashtu, çdo gjë që Ai e ka ndaluar, ajo është e pisët, e neveritshme dhe e dëmshme si për trupin, ashtu edhe për fenë dhe shpirtin e robit.”63 - që u heq barrën e rëndë dhe prangat. - Ky Profet solli një fe plot lehtësime dhe tolerancë. Në një hadith, që vjen me rrugë shumta, Profeti ﷺ ka thënë: 1223. “Unë jam dërguar me fenë hanifie (e drejtë ) dhe semĥâ (tolerante, të thjeshtë dhe të lehtë)”. Gjithashtu, ështe transmetuar se kur Profeti dërgoi Muadhin dhe Ebu Musën në Jemen, i porositi d uke u thënë: 1224. “Përgëzoni njerëzit dhe mos i largoni ata, lehtësoni dhe mos vështirësoni, bashkëpunoni me njëri tjetrin dhe mos u kundërshtoni!” Ndërsa nga Ebu Berzete el Eslemi përcillet se Profeti ka thënë: 1225. “Me të vërtetë, Allahu nuk do ta marrë në përgjegjësi umetin tim për mendimet që vërtiten në shpirtin e tyre, për sa kohë ata nuk e flasin apo të punojnë sipas tyre.” Gjithashtu, Profeti ka thënë: 1226. “Allahu i ka falur umetit tim tri gjëra: ato që bëhen gabimisht, ato që bëhen nga harresa dhe ato që bëhen nën peshën e kërcënimit.” Përsëri, Profeti ﷺ ka thënë: 1227. “ Allahu i Lartësuar e udhëzoi këtë umet që të thonë dhe të luten: “...Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko me barrë të rëndë, siç ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko më tepër sesa kemi fuqi! Na i shlyej gjynahet, na i mbulo të këqijat e na mëshiro! Ti je Mbrojtësi ynë! Na ndihmo kundër atyre që nuk besojnë!” [Bekare 286]. Në Sahih-un e Muslimit është hadithi, se: 1228. “Pas secilës nga këto lutje, Allahu i Madhëruar thotë: “E bëra, e pranova lutjen tuaj!” - Ata që besojnë në të, që e nderojnë atë, që e ndihmojnë atë dhe që veprojnë me Dritën që iu zbrit atij - këta janë ata të shpëtuarit. - Drita që ju zbrit atij është Kur'ani dhe Suneti. Të gjithë ata që punojnë në bazë të tyre janë të shpëtuar në të dyja jetët.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:154–7:157
- “Kur Musait iu shua zemërimi,...” - Pasi u qetësua, Musai u angazhua me çështjen më të rëndësishme: - “...i mori Pllakat,...” – Musai mori pllakat që kishte hedhur pak më parë. Ato ishin pllaka tepër të rëndësishme. Për të shpjeguar vlerën dhe rëndësinë e tyre, i Madhëruari thotë: - “...në të cilat kishte udhëzime e mëshirë...” - Ato përmbanin udhëzim dhe mëshirë. Ato kishin udhëzime për rrugën e drejtë, për të vërtetën, për veprat e mira dhe për veprat e këqija, për virtytet dhe veset. Ato përmbanin edhe mëshirën brenda, sepse ishin lumturi e mirësi për ata që zbatonin çfarë shkruhej aty. Ato ishin mëshirë për të gjithë ata që i mësonin normat që gjendeshin brenda tyre, që përvetësonin kuptimet e tyre, që punonin me sinqeritet dhe jetonin sipas tyre. Por, sigurisht, jo çdokush e pranon udhëzimin dhe mëshirën e Allahut të Lartësuar, jo çdokush e meriton që të jetojë sipas udhëzimit të Tij. Ata që vërtet e pranojnë Shpalljen e Zotit, që jetojnë dhe punojnë sipas saj, duke e pranuar atë me zemër të hapur, janë vetëm ata që kanë një cilësi: - “...për ata që e kanë frikë Zotin e tyre.” - Shpallja do të jetë udhëzim dhe mëshirë veçse për ata që i frikësohen Zotit dhe shpresojnë tek Ai. Ndërsa atyre që nuk i frikësohen Allahut të Lartësuar, që nuk e respektojnë dhe nuk e madhërojnë Atë, atyre kjo Shpallje u shton veçse arrogancën, inatin dhe largimin. Megjithatë, ata nuk do të kenë asnjë justifikim përpara Allahut të Lartësuar. - “Dhe Musai zgjodhi shtatëdhjetë veta nga populli i vet për vendin tonë të takimit.” - Kur bijtë e Izraelit u penduan dhe u kthyen në rrugën e drejtë, Musa zgjodhi shtatëdhjetë burra ndër më të mirët, me qëllim që të kërkonin falje për popullin e tyre. Këtyre Allahu i Lartësuar u premtoi një vend dhe kohë takimi, por kur ata mbërritën atje, i thanë Musait: “Na trego ku është Allahu, ta shohim!” Kjo qe një paturpësi e madhe. Pas gjithë atyre gabimeve, ja edhe një kërkesë e pamenduar dhe e padrejtë. - “Kur ata i rrëmbeu tronditja e fuqishme...” - Ata u drodhën dhe të gjithë ranë përtokë, gati për t’u shkatërruar. Por Musai vijoi me përgjërim që t’i lutet Allahut: - “... ai tha: “O Zoti im! Po të kishe dashur Ti, do të na kishe shkatërruar më parë, si ata, edhe mua.” - O Zoti im, Ti mund të na ndëshkoje para se të vinim këtu dhe të kërkonim falje për popullin tonë dhe përpara se ata të bënin atë kërkesë të padrejtë dhe pa edukatë. - “A po na shkatërron për atë që vepruan mendjelehtët nga mesi ynë?” - Të lutem, mos na ndëshko për shkak të mendjelehtëve, që nxitohen! Në fakt, ky është një paralajmërim për këdo që merr guximin të tregojë edukatë të ulët me Allahun e Madhëruar. Musai u justifikua me mendjelehtësinë e atyre njerëzve. Po të kishin patur logjikë të shëndoshë, nuk do ta bënin atë veprim. - “Kjo është vetëm një sprovë e urdhëruar nga Ti, me të cilën e lë të humbur atë që Ti do dhe udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ti do.” - Musai dëshmoi se ajo qe një fitne tepër e rëndë dhe e rrezikshme, aq sa mund ta devijonte njeriun nga feja e Zotit, prandaj tha: - “Ti je Mbrojtësi ynë. Na fal e na mëshiro, sepse Ti je më i Miri Falës!” - Kështu, Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së Musait, i ngjalli sërish ata, pasi kishin vdekur, dhe ua fali gjynahet. - “Cakto për ne atë që është e mirë në këtë Botë dhe në Botën tjetër!...” - Mirësia për të cilën lutet Musai është dituria e dobishme, një furnizim i gjerë hallall dhe vepra të mira. Por të mirat nuk kërkohen vetëm për në dynja, por edhe për në ahiret. Të mirat e ahiretit janë ato që ka përgatitur Allahu i Lartësuar për të dashurit e Tij punëmirë në Xhenetin e përjetësisë. - “...Ne jemi kthyer (të penduar) tek Ti!”” - Ne jemi kthyer me përunjësi drejt
Teje, duke qenë të vetëdijshëm për mangësitë dhe gjynahet tona. - “Ai tha: “Me ndëshkimin Tim godas atë që Unë dëshiroj, ndërsa mëshira Ime ka përfshirë gjithçka.” - Me ndëshkimin Tim godas atë që Unë dëshiroj prej atyre që kanë ndjekur rrugën e keqe e që e meritojnë zemërimin Tim. Ndërsa mëshira Ime ka përfshirë gjithçka prej botës së sipërme dhe të poshtme, të drejtët dhe gabimtarët, besimtarët dhe mohuesit. Nuk ka ndonjë krijesë që të mos e ketë përfshirë mëshira e Allahut të Lartësuar dhe që të mos ketë shijuar mirësinë, dhuratat dhe bujarinë e Tij. Por mëshira e posaçme, e cila fal lumturinë e dynjasë dhe të ahiretit, u dhurohet vetëm atyre që kanë këto cilësi: - “Atë (mëshirë) e kam caktuar për ata që janë të devotshëm, e japin zekatin...” - Mëshira e posaçme është për të devotshmit, që zbatojnë urdhëresat dhe ruhen nga gjynahet. Ajo është, gjithashtu, për ata besimtarë që japin zekatin, si shpenzim i detyrueshëm për ata që e meritojnë atë. - “...dhe për ata që besojnë në argumentet Tona...” - Ata të cilët besojnë Shpalljet dhe argumentet e Zotit. Që besimi në Shpalljen dhe argumentet e Allahut të jetë i plotë, ai duhet të jetë i shoqëruar me një kuptim korrekt të tyre. Veç kësaj, është i domosdoshëm edhe zbatimi i tyre. Gjithashtu, besimi i vërtetë dëshmohet me pasimin e rrugës së Profetit ﷺ ,në të gjitha aspektet, të brendshme apo të jashtme, shpirtërore apo fizike, themelore apo dytësore. Një cilësi tjetër të atyre që meritojnë mëshirën e Allahut të Lartësuar është: - “...për ata që pranojnë të Dërguarin, Profetin arab,...” - Allahu i Madhëruar e veçon rëndësinë e besimit te Profeti i Tij i përzgjedhur, duke e dalluar mbi besimin e të gjithë profetëve. Ky profet, i cili nuk dinte të lexonte dhe të shkruante, është Muhamed Ibn Abdilah Ibn Abdul Mutalib ﷺ . Ajetet kanë objektiv të veçantë bijtë e Izraelit, për t’u bërë të qart ë se besimi në profetin Muhamed është kusht i domosdoshëm që ata të konsiderohen si besimtarë të vërtetë. Ata duhet ta besojnë dhe ta pasojnë këtë Profet madhështor, si dhe të jetojnë sipas Shpalljes së tij. Këto ajete tregojnë qartë se besimtarë të vërtetë janë ata të cilët e pasojnë profetin Muhamed dhe pikërisht këta e meritojnë mëshirën e plotë të Allahut të Madhërishëm. Allahu i Lartësuar e ka cilësuar Profetin si ‘umij’, sepse ai ishte pjesë e popullit arab, që konsiderohej si një popull analfabet, që nuk dinin shkrim e lexim dhe nuk kishin dituri rreth librave. Gjithashtu, ata nuk kishin asnjë libër qiellor, përpara Kur’anit, nga ku të merrnin mësim. Dihet botërisht se ata ishin popull që nuk kishin njohuri për librat e Zotit. Ky është Profeti që, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: - “...të cilin e gjejnë të cilësuar në Teurat dhe në Ungjill,...” - Ata e gjejnë të përshkruar në Teurat dhe Ungjill me emrin dhe me cilësitë e tij. Një ndër cilësitë më të rëndësishme të profetit Muhamed ﷺ ishte shpallja e Kur'anit, si mesazh për botën mbarë. Profeti ftoi njerëzimin për të pranuar dhe për të jetuar sipas normave të mrekullueshme të shpallura nga Zoti i Urtë e i Gjithëditur. - “...që i urdhëron ata për të mirë dhe i ndalon nga e keqja,...” - Ky profet urdhëron në çdo gjë që është e mirë, e dobishme dhe e pastër. Ai i ndalon nga çdo gjë që është e keqe dhe e shëmtuar për logjikën e shëndoshë dhe për natyrën e pastër të njeriut. Ai urdhëron për namaz, për zekat, për agjërim, për haxh, për mbajtjet e lidhjeve farefisnore, për bamirësi ndaj prindërve, për sjellje të mirë ndaj komshiut, madje edhe ndaj shërbëtorëve dhe robërve. Ai urdhëron për të qenë bamirës dhe të dobishëm me të gjitha krijesat. Ai urdhëron për çiltërsi dhe sinqeritet, për ndershmëri e drejtësi dhe për të qenë këshillues të dashur. Nga ana tjetër, ky profet ndalon nga kufri dhe idhujtaria, nga vrasja dhe imoraliteti, nga alkooli dhe çdo gjë që shkatërron logjikën e njeriut,
nga çdo lloj padrejtësie ndaj krijesave, nga mashtrimi, gënjeshtrat, nga krimet dhe shfrenimet e nga të gjitha llojet e ligësive. Në fakt, nga argumentet më të forta e më të qarta që dëshmojnë se Muhamedi ﷺ ishte vërtet i dërguari i Allahut të Lartësuar janë pikërisht normat e ligjet që ai vendosi, për t’u treguar njerezve se çfarë është hallall dhe çfarë është haram: - “...që u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet,...” - Ai quan të lejuar çdo gjë që është e këndshme dhe e mirë, qofshin ushqime, pije apo gjëra e çështje të tjera. Gjithashtu, ai bën të ndaluar për njerëzit çdo gjë që është e pisët, e shëmtuar dhe e dëmshme për ta. Allahu i Madhëruar e përshkruan më tej Profetin e Tij, duke thënë: - “...që u heq barrën e rëndë dhe prangat.” - Feja e tij është e thjeshtë, e lehtë dhe e bukur për t’u zbatuar. Ajo nuk të ngarkon me detyrime të rënda dhe të papërballueshme, as nuk të vështirëson me pranga e zinxhirë. Kështu, të gjithë ata që besojnë këtë profet do të përfitojnë mëshirën e plotë të Allahut të Madhëruar: - “Ata që besojnë në të, që e nderojnë atë, që e ndihmojnë atë dhe që veprojnë me Dritën që iu zbrit atij...” - Janë ata që e besojnë Muhamedin dhe e mbështesin atë, e respektojnë dhe e ndjekin udhëzimin e tij. Përveç kësaj, ata ndihmojnë të përhapin mesazhin e tij tek të tjerët. Gjithë këtë peshë ata e mbajnë duke ndjekur dritën që zbriti Allahu i Lartësuar. Kjo dritë është Kur'ani, nëpërmjet të cilit ata ndriçohen dhe dalin nga errësirat e idhujtarisë dhe injorancës. Nëpërmjet Kur'anit, ata gjejnë rrugën e drejtë në çdo udhëkryq që hasin. - “... këta janë ata të shpëtuarit.” - Të tillët kanë për të fituar mirësitë dhe kanë për të shpëtuar nga ligësitë e dynjasë dhe të ahiretit. Ndërsa ata të cilët nuk e besojnë profetin Muhamed ﷺ ,nuk e ndihmojnë dhe nuk e respektojnë rrugën e tij, ata që nuk ndjekin dritën që Allahu i Lartësuar shpalli nëpërmjet Tij, ata janë të shkatërruarit, që nuk do të mund të shpëtojnë nga ndëshkimi në dynja dhe ahiret. Duke qenë se Allahu i Lartësuar në këto ajete u drejtohet posaçërisht pasuesve të Teuratit, që ata të besojnë dhe ndjekin fenë e Muhamedit ﷺ , ndoshta dikush mund ta keqkuptojë se këto fjalë u drejtohen vetëm atyre dhe jo të tjerëve. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar sjell një ajet, i cili është qartësisht më gjithëpërfshirës: