7. Araf · Ajeti 158 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:150–7:158
Kur u kthye Musai prej Mikatit e gjeti popullin e vet që e kishin rrethuar viçin dhe e adhuronin. I hidhëruar pa masë, i hodhi pllakat, e të vëllain e vet Harunin e kapi për flokë dhe e shkundi pse kishte lejuar një gjë të tillë, mirëpo pasi e kuptoi se Haruni nuk kishte kurrfarë faji, Musai u pendua dhe kërkoi falje prej Zotit.
Musai zgjodhi shtatëdhjetë burra të cilët nuk kishin adhuruar viçin, dhe së bashku me ta shkoi në vendin e caktuar prej Zotit, e për t'i kërkuar falje për adhurimin e bërë ndaj viçit. Mirëpo, edhe ata gabuan, kërkuan ta shohin Zotin, andaj i kapi dënimi i përmendur.
Kur'ani e përmend shumë shpesh mëshirën e Zotit e cila përfshin të gjithë ata që edhe pas gabimit të tyre do t'i përfshijë nëse pendohen. Pra, edhe beni israilët që adhuruan viçin, por me kusht që të besojnë edhe Pejgamberin e fundit, Muhammedin. Fjala "ummij" si atribut i Muhammedit, jep për të kuptuar se ai i takonte një populli të pashkolluar, arabëve etnikisht të pastër. Muhammedi ishte Pejgamber i dërguar për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohët e kësaj jete.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:158
Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të zgjedhur, Muhamedit: - Thuaj: “O njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju. - Kjo është një thirrje, që u drejtohet të gjithë njerëzimit, të kuqve, të bardhëve, të zinjve, arabëve e jo arabëve, për ta besuar atë si Profetin e Zotit. Kjo tregon për nderin dhe madhështinë e këtij Profeti, të cilin Allahu e zgjodhi dhe e dalloi mbi të gjithë, për të qenë vula e të gjithë të dërguarve të Tij. Ky Profet u dërgua tek të gjithë njerëzit. I Lartësuari thotë: “Thuaj: “Kush është Ai që e ka dëshminë më të fortë?” Thuaj: “Allahu është dëshmues mes meje dhe jush. Mua më është shpallur ky Kur'an, që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet. ...” [En’am 19], dhe thotë: “... Ndërsa për grupimet që e mohojnë atë, Zjarri është vendi i premtuar.” [Hud 17 ]. Gjithashtu: “...Thuaju atyre që u është dhënë Libri dhe injorantëve: “A e pranoni fenë islame?” Nëse e pranojnë Islamin, atëherë e kanë gjetur të vërtetën; e nëse refuzojnë, ti ke për detyrë vetëm kumtimin.” [Al Imran 20]. Ajetet që lidhen me këtë çështje janë të shumta, ashtu si edhe hadithet. Është një çështje e njohur dhe e padiskutueshme në islam, se Muhamedi u dërgua për të gjithë njerëzit. 64 Imam Ahmedi sjell hadithin nga Amr Ibn Shuajbi, ky nga i ati, e ky nga gjyshi i tij, i cili tregon: 1229. “Profeti i Allahut, gjatë udhëtimit për në luftën e Tebukut, u ngrit natën të falte namaz. Pas tij u mblodhën një grup sahabësh, për ta ruajtur. Pasi mbaroi së faluri, ai u kthye nga ata dhe tha: “Sot m’u dhanë pesë veçori, që nuk i janë dhënë askujt para meje: Unë u dërgova për të gjithë njerëzit, ndërsa çdo profet para meje dërgohej veçse tek populli i vet. Unë ndihmohem në luftë nëpërmjet frikës (në zemrat e armiqve). Edhe sikur të jem një muaj larg tyre, ata mbushen me frikë prej meje. Mua më është lejuar plaçka e luftës, që për të parët ishte diçka e ndaluar dhe ata e digjnin atë në zjarr. Toka më është bërë e tëra faltore dhe pastrim. Kudo që më zë namazi, marr tejemum dhe falem në të, ndërsa për të parët kjo ishte jo e lejuar, prandaj ata faleshin vetëm në faltoret e tyre. Ndërsa e pesta, ajo është ç’është! Mua m’u tha: “Kërko, sepse çdo profet ka kërkuar diçka nga Zoti!” Por unë e lashë kërkesën time për në Ditën e Kijametit. Ajo është për ju dhe për të gjithë ata që dëshmojnë: “ Lâ ilâhe il-l’Allâh”. Isnadi i tij është i mirë dhe i fortë, edhe pse Buhariu dhe Muslimi nuk e kanë përnxjerrë në Sahih-ët e tyre. Imam Muslimi sjell hadithin nga Ebu Musa el Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti i Allahut ka t hënë: 1230. “Betohem në Atë, në dorë të të Cilit është shpirti im! Çdo njeri nga ky umet, jehud ose i krishterë qoftë, që tashmë dëgjon për mua, dhe pastaj vdes pa më besuar (si profet i Zotit), ka për të hyrë në Zjarr!” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Musa el Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se Profeti i Allahut ka thënë: 1231. “Çdo njeri nga ky umet, jehud ose i krishterë qoftë, që tashmë dëgjon për mua, dhe pastaj nuk më beson (si profet i Zotit), nuk ka për të hyrë në Xhenet!” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Jam i dërguari i Allahut, në dorën e të Cilit është sundimi i qiejve e i tokës. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje. - Ai që më dërgoi mua si Profet është Allahu, i Cili është Krijuesi i gjithçkaje, Zotëruesi, Pronari dhe Sunduesi. Në dorën e Tij është jeta dhe vdekja dhe Ai vendos për gjithçka. - Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin “ummij” që nuk shkruan e nuk lexon, që beson Allahun dhe Shpalljet e Tij! - Allahu i njofton njerëzit se Muhamedi është Profeti që Ai e përzgjodhi për ta dërguar ndër ta dhe se ai është Profeti, për të cilin kanë përgëzuar e njoftuar të gjithë profetët e parë në librat e shkuar. Në ata libra ai është përshkruar pikërisht si Profeti “ummij”, që nuk shkruan e nuk lexon. Allahu i Lartësuar thotë për Profetin e Tij: “...që beson Allahun dhe Shpalljet e Tij!” Domethënë, veprat e tij
vërtetojnë fjalët që ai thotë dhe ai beson gjithçka që Allahu i thotë dhe e urdhëron. Për këtë arsye, Allahu i urdhëron robërit e Tij: - Ndiqeni rrugën e tij, që të jeni të udhëzuar! - Ndiqni rrugën dhe gjurmët e tij! Kjo është mënyra e vetme që të gjeni rrugën e drejtë dhe që udhëzimi i plotë të gjejë rrugën për tek ju.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:158
- “Thuaj: “O njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju.” - Unë jam i dërguari i Zotit për të gjithë njerëzimin, për arabët dhe joarabët, për ehli kitab -ët dhe për ata që nuk kanë libër qiellor. - “Jam i dërguari i Allahut, në dorën e të Cilit është sundimi i qiejve e i tokës.” - Zoti im vepron në këtë krijim, në qiell dhe në tokë, me ligjet e Tij të krijimit, të rregullimit të çështjeve, të sundimit dhe të mbretërimit. Gjithashtu, Ai ka vendosur në këtë gjithësi edhe ligjet fetare, të cilat ia mësoi Profetit që i përcjell ndër njerëz. Unë ju ftoj në rrugën e Allahut të Lartësuar dhe ju mësoj se si të bëheni banorë të Xhenetit, që është vendi i bujarisë së Allahut të Madhëruar. Unë ju mësoj dhe paralajmëroj, gjithashtu, që të largoheni nga çdo gjë që ju largon prej Allahut të Lartësuar dhe ju privon nga Xheneti i Tij. - “Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij.” - Askush e asgjë tjetër, veç Allahut, nuk meriton të adhurohet me dashuri, madhërim, frikë dhe shpresë. Nuk ka dyshim se mënyra e saktë e adhurimit të Allahut të Lartësuar mund të mësohet dhe
të kuptohet veçse nëpërmjet rrugës së profetëve dhe Shpalljes së Tij. Ky është ligji i Allahut dhe këto janë format përmes të cilave Ai ua mëson fenë njerëzve. - “Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje.” - Allahu është Ai që Juhji ue Jumit – Ai që jep jetë dhe jep vdekje. Askush nuk mund të marrë pjesë me Allahun e Lartësuar në këtë pushtet për të dhënë jetë dhe vdekje; ai i takon Allahut dhe vetëm Allahut. Allahu i Madhëruar e ka bërë vdekjen si një urë kalimi për të kaluar në jetën tjetër. Në ahiret njerëzit do të jenë të përjetshëm dhe nuk do të ketë më vdekje tjetër. Atëherë, çdokush që beson Ditën e Gjykimit dhe jetën e pasosur, duhet të pranojë edhe profetin e fundit, Muhamedin ﷺ: - “Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk shkruan e nuk lexon,...” - Besojeni atë thellë me zemër, por frytet të dallohen dhe shfaqen edhe në veprimet tuaja. Besojini këtij Profeti, i cili: - “...që beson Allahun dhe Shpalljet e Tij!” - Besojeni këtë Profet, i cili është i përqendruar vendosmërisht në rrugën e drejtë të Zotit. Ai është korrekt dhe besnik në transmetimin e besimit të vërtetë, ashtu siç ka dashur Allahu i Lartësuar që të jetë. Ai është i përqendruar në zbatimin e përpiktë dhe me sinqeritet të kësaj feje, por është edhe këmbëngulës, i duruar dhe i mëshirshëm në këtë detyrë. - “Ndiqeni rrugën e tij, që të jeni të udhëzuar!” - Ndiqni rrugën e tij, që të jeni në rrugë të drejtë. Vetëm kështu do të arrini të gjitha mirësitë dhe begatitë që synoni. Vetëm duke ecur në gjurmët e tij do të përkryeni fenë tuaj dhe do të arrini mirësitë në të dyja jetët. Në të kundërt, nëse nuk e pasoni atë, atëherë do të humbni dhe do të largoheni shumë nga e vërteta.