7. Araf · Ajeti 161 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:159–7:170

Zoti xh. sh. i tregon Muhammedit për të kaluarën e jehudive, për të mos u brengosur për kokëfortësinë e tyre ndaj tij dhe ndaj Kur'anit. I tregon se si i ndau në dymbëdhjetë grupe të udhëhequra prej një prijësi, e për t'ia lehtësuar punën Musait, se si i furnizoi me ujë, u solli re që u bënin hije, i ushqeu me kompot e mish shkurtëzash. Të gjitha këto kur ishin të humbur në shkretëtirë. Edhe pas të gjithë atyre të mirave, ata nuk respektuan urdhërin e Zotit, andaj i dënoi me dënime të llojllojshme, por më në fund e për shkak të kryeneqësisë së tyre, Zoti vendosi të ushtrojë kundër tyre dënim të përjetshëm përmes popujve të tjerë, të cilët do t'i nënshtrojnë e nënçmojnë deri në kijamet.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:160–7:162

Këto ajete u shtjelluan plotësisht në suren Bekare, e cila është një sure që u zbrit në Medinë. Ato u drejtoheshin drejtpërdrejt bijve të Izraelit, në vetën e dytë. Ndërsa në këtë sure, po ta vëresh me kujdes, ajetet janë në vetën e tretë. Arsyeja është se këto ajete janë zbritur në Mekë. Një ndryshim tjetër që vërehet është edhe fjala e përdorur për 12 burimet, që Allahu nxori për 12 fiset e bijve të Izraelit. Në këtë sure, Allahu i Lavdëruar përdori fjalën fenbexhese, që tregon fillimin e gufimit të ujit: “Dhe prej tij filluan të gufo nin dymbëdhjetë burime.” Ndërsa në suren Bekare, përdoret fjala: ‘fenfexherat’, që do të thotë: “gufuan, shpërthyen e filluan të rridhnin”. Në ajet thuhet: “Prej tij (shkëmbit) gufuan dymbëdhjetë burime.”.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:161–7:162

- “Atyre iu tha: “Jetoni në këtë vend...” - Allahu i Lartësuar i udhëzoi që të hynin në atë vendbanim, që do të ishte atdheu i tyre. Bëhet fjalë për vendin e quajtur Iljae. - “...dhe merrni nga mirësitë e tij ku të dëshironi,” - Atje kishte plot pemë, fruta e bereqet, dhe Allahu i Lartësuar u dha leje të merrnin e të hanin ku të dëshironin. Por, gjithashtu, Ai i urdhëroi të bënin diçka të thjeshtë, që do të tregonte pendimin e tyre të sinqertë dhe nënshtrimin ndaj Tij: - “por thoni “Na fal!” dhe hyni në portat e tij duke rënë në sexhde, që t’jua falim gjynahet, ndërsa vepërmirëve t’ua shtojmë shpërblimin!”” - Kur të hyni në

portat e këtij vendi, thoni: "Hittatun!" – “Na fal e na i fshi gjynahet tona!” - “...dhe hyni në portat e tij duke rënë në sexhde, që t’jua falim gjynahet,...” - Hyni në portat e këtij vendbanimi me përunjësi dhe mirënjohje ndaj Zotit tuaj. Kështu, ata u urdhëruan që të hynin në atë vend duke kërkuar falje dhe duke shprehur përulje e respekt ndaj Zotit, dhe kundrejt kësaj, Zoti u premtoi falje të gjynaheve dhe një shpërblim të mrekullueshëm që në jetën e kësaj bote. Madje, Ai u premtoi edhe një shpërblim të përjetshëm, që do t’u jepej Ditën e Gjykimit: - “...ndërsa vepërmirëve t’ua shtojmë shpërblimin!” - Të mirëve do t’ua shtojmë të mirat e dynjasë dhe të ahiretit. Megjithatë, zullumqarët nuk e zbatuan këtë urdhër hyjnor dhe të mrekullueshëm të Allahut të Lartësuar por: - “Por të këqijtë nga mesi i tyre e ndryshuan fjalën që u ishte dhënë me një tjetër fjalë; prandaj...” - Ata nuk iu bindën Allahut të Lartësuar, por e thyen dhe e përçmuan urdhrin e Tij. Ata e zëvendësuan fjalën që iu kërkua me një fjalë tjetër. Në vend të " hitta", ata thanë: " hinta", që do të thotë ‘kokërr gruri’. Edhe atë fjalë, që ishte aq e thjeshtë për t’u thënë, ata e zëvendësuan me tjetër fjalë, nga ligësia që kishin në zemër. Atëherë, mendo pak se si do të reagonin ata ndaj urdhrit tjetër, që mbase ishte pak më i vështirë: të hynin të përulur në portat e qytetit! Sigurisht, që edhe këtë nuk do ta zbatonin. Ndaj, kur u afruan në portat e qytetit, ata u futën duke tërhequr zvarrë të prapmet e tyre. Ky qe një akt i shëmtuar kundërshtimi dhe padrejtësie, prandaj Allahu i Lartësuar thotë: - “...Ne zbritëm kundër tyre një dënim të madh nga qielli për padrejtësitë e tyre.” - Ngaqë kundërshtuan urdhrin e Tij, Allahu i Lartësuar lëshoi mbi ta ndëshkim prej qiellit, që mund të ketë qenë sëmundje ose diçka tjetër. Allahu i Lartësuar nuk u bëri asnjë padrejtësi atyre me këtë ndëshkim, por ata i bënë padrejtësi vetes. Ky qe rezultat i veprave që bënë me duart e tyre, pa i detyruar kush dhe pa patur asnjë arsye. I vetmi shkak ishte poshtërsia, që u kishte mbushur shpirtrat.

← Araf 7:161