7. Araf · Ajeti 163 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:159–7:170

Zoti xh. sh. i tregon Muhammedit për të kaluarën e jehudive, për të mos u brengosur për kokëfortësinë e tyre ndaj tij dhe ndaj Kur'anit. I tregon se si i ndau në dymbëdhjetë grupe të udhëhequra prej një prijësi, e për t'ia lehtësuar punën Musait, se si i furnizoi me ujë, u solli re që u bënin hije, i ushqeu me kompot e mish shkurtëzash. Të gjitha këto kur ishin të humbur në shkretëtirë. Edhe pas të gjithë atyre të mirave, ata nuk respektuan urdhërin e Zotit, andaj i dënoi me dënime të llojllojshme, por më në fund e për shkak të kryeneqësisë së tyre, Zoti vendosi të ushtrojë kundër tyre dënim të përjetshëm përmes popujve të tjerë, të cilët do t'i nënshtrojnë e nënçmojnë deri në kijamet.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:163

- Pyeti ata për fshatin që gjendej në bregdet dhe që shkelte rregullin e të shtunës (sabatit)! - Në këto ajete jepet një shtjellim më i hollësishëm i fjalës së Allahut: “Ju, tanimë, e dini mirë rastin e atyre nga mesi juaj, të cilët nuk e respektuan (urdhrin për) të shtunën. Ne u thamë: “Bëhuni majmunë të përbuzur!” [Bekare 65]. Kështu, në ajetet në vijim, Allahu i Lartësuar i thotë Profetit të Tij, Muhamedit, që t’i pyeste jehudët që jetonin pranë tij, që t’i tregonin rreth historisë së të parëve të tyre, të cilët kishin kundërshtua r urdhrin e Allahut. Për shkak të hileve të tyre dhe kundërvënies ndaj porosive të Allahut, ata u goditën befasisht nga zemërimi i Allahut. Le të shërbente, atëherë, kjo histori e shkuar e tyre si një paralajmërim për ata aktualët, që të mos vazhdonin të fshihnin përshkrimin e qartë të profetit Muhamed në librat e tyre nga Zoti, sepse kjo do t’u sillte ndëshkimin, njëlloj siç ndodhi me të parët e tyre. Fshati për të cilin flitej në këtë ajet është Ejle, që ndodhet në brigjet e Detit të Kuq. Allahu i Lartësuar thotë për atë popull, që: “... shkelte rregullin e të shtunës (sabatit)” Domethënë, ata iu kundërvunë urdhrit të Allahut dhe e shkelën rregullin e të shtunës. - Të shtunën, peshqit u vinin sheshazi mbi ujë... - Peshqit dilnin mbi ujë dhe gjendeshin në çdo vend me lehtësi. - ndërsa ditët e tjera, që nuk e kishin të ndaluar punën, nuk u vinin. - Allahu i Madhëruar na tregon se si i vuri në provë ata, duke ua shfaqur dhe nxjerrë sheshazi peshqit, pikërisht në ditën që ata e kishin haram të gjuanin, dhe ua largonte në ditët e tjera, që e kishin të lejuar të gjuanin.

- Kështu Ne i sprovonim, sepse ata i kalonin kufijtë. - I Lartësuari tregon se Ai i sprovoi ata në këtë mënyrë, ngase ata nuk i bindeshin Atij dhe bënin çdo lloj hileje për të shkelur kufijtë e Tij. Ata shtireshin se nuk ishin duke bërë haram, duke përdorur hile të ndryshme, të cilat, në fund të fundit, synonin kryerjen e haramit dhe mosbindjen ndaj Allahut. Imam Ibn Beta (Allahu e mëshiroftë!) përcjell nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 1232. “Mos bëni atë që bënë jehudët dhe t’i shkelni kufijtë dhe porositë e Allahut me hilet më të vogla.” Ky është një isnad i mirë. Ahmed Ibn Muhamed Ibn Muslimi, që e sjell këtë hadith, është përmendur nga El Hatibi në librin e tij “Historia e Bagdadit”, duke e konsideruar atë si të besueshëm. Po ashtu, të gjithë transmetuesit e tjerë në senedin e këtij hadithi janë të njohur dhe të besueshëm.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:163–7:166

- “Pyeti ata për fshatin që gjendej në bregdet...” - Pyeti ata, domethënë, bijtë e Izraelit, për popullin që jetonin në bregdet dhe që kishin marrë nga i Madhërishmi disa porosi tepër të rëndësishme. Pyeti ata për historinë e tyre, se si ata e shkelën rregullin e sabathit, për të mos punuar ditën e shtunë! Pyeti edhe për ndëshkimin e ashpër të të Plotpushtetshmit mbi ta! - “...dhe që shkelte rregullin e të shtunës (sabathit)!” - Allahu i Lartësuar i kishte urdhëruar që të respektonin sabathin, domethënë rregullin për të mos gjuajtur dhe peshkuar ditën e shtunë. Në këtë mënyrë, Ai donte të vinte në provë bindjen dhe respektin që ata kishin për Të dhe urdhrat e Tij, prandaj pikërisht ditën e shtunë peshqit vinin me shumicë pranë rrjetave të tyre, aq sa ata i shihnin me sy. I Madhëruari thotë:

- “Të shtunën, peshqit u vinin sheshazi mbi ujë,...” - Peshqit vinin tufa-tufa përpara syve të tyre, në sipërfaqe të ujit dhe ishte shumë e lehtë për t’i kapur. - “...ndërsa ditët e tjera, që nuk e kishin të ndaluar punën, nuk u vinin.” - Por kur kalonte dita e shtunë, nuk shihje më peshq aty. Allahu i Lartësuar thotë: - “Kështu Ne i sprovonim, sepse ata i kalonin kufijtë.” - Ishte shkak prirja e tyre për të shkelur kufijtë e Allahut të Lartësuar dhe për të mos iu bindur Atij, që u sprovuan në atë mënyrë. Nëse do të ishin më të bindur, Allahu i Lartësuar nuk do t’u jepte këtë sprovë aq të vështirë. Kështu, të vënë në provë, ata filluan të mendonin hile, se si të kapnin peshk ditën e shtunë. Përfundimisht, ata morën masa që të hidhnin rrjetat para të shtunës, t’i linin ato të hapura ditën e shtunë kur vinte peshku, dhe t’i mblidhnin pastaj ditën e dielë, meqë të shtunën nuk lejohej. Këtë gjë filluan ta bënin shumë prej tyre. Në fakt, ata u ndanë në tre grupe. Shumica e tyre e kaluan kufirin dhe morën guximin që ta shkelnin urdhrin e Zotit, madje e bënin këtë hapur. Një grup tjetër vendosi që t’i ndalojnë, këshillojnë dhe qortojnë grupin e parë. Ndërsa një grup i tretë u mjaftua me këshillimin që bënin të tjerët, prandaj nuk reaguan ndaj grupit të parë. Madje, grupi i tretë i drejtohet grupit të dytë dhe i thotë: - “Kur disa prej tyre thanë “Përse e këshilloni një popull që Allahu do ta shkatërrojë ose do t’i japë një dënim të ashpër?”,...” - Ata dukej sikur thoshin: Nuk ka asnjë dobi këshilla drejtuar atyre që kanë marrë guximin të shkelin kufijtë e Allahut të Lartësuar. Ata as që ua vënë veshin qortimeve dhe këshillave tuaja, por vazhdojnë me mospërfillje në rrugën e kundërshtimit. Për këtë arsye, nuk ka dyshim që Allahu i Lartësuar ka për t’i shkatërruar ata, por: - “...këshilluesit thanë: “Për të kryer detyrën para Zotit tuaj...”. - Ne i qortojmë dhe i këshillojmë për t’u justifikuar para Zotit, si edhe: - “...dhe me shpresë që ata mund t'i frikësohen.”.” - Me shpresë që ata do të heqin dorë nga mosbindja ndaj Allahut të Madhëruar. Ne nuk e humbin shpresën që Allahu i Lartësuar mund t’i udhëzojë ata në rrugë të drejtë. Mbase këshilla jonë do të ketë sukses dhe do të lërë gjurmë në zemrat e tyre. Këto janë dy qëllimet madhore pse këshillojmë dhe ftojmë të tjerët në rrugë të drejtë: si justifikim i drejtë para Allahut të Lartësuar dhe me shpresë se ndoshta Allahu i Lartësuar ka për t’i udhëzuar ata, nëpërmjet këshillës që u bëjmë atyre. - “Por kur ata i shpërfillën paralajmërimet që u qenë bërë, Ne i shpëtuam ata që ndalonin të këqijat;...” - Kur ata shpërfillën këshillat dhe vazhduan në rrugën e tyre të keqe, Allahu i Madhëruar i ndëshkoi, por nga ana tjetër, Ai shpëtoi këshilluesit, që ndalonin nga të këqijat. Ky është rregulli i pandryshueshëm i Allahut të Lartësuar me robërit e Tij: kur Ai ndëshkon një popull, nga ky ndëshkim shpëtojnë vetëm ata që urdhërojnë për të mira dhe ndalojnë nga të këqijat.

- “...ndërsa ata që kundërshtuan, i ndëshkuam me një dënim të ashpër për shkak se ishin të shfrenuar.” - Allahu i Madhërishëm i ndëshkoi rëndë ata të cilët e meritonin, sepse bënë padrejtësi dhe shkelën rregullin e sabathit. Ndërsa për ata që u thanë këshilluesve: "Pse këshilloni një popull të cilin Allahu dëshiron ta ndëshkojë", shpjeguesit e Kur'anit kanë dhënë mendime të ndryshme. Megjithatë, si mendim më i saktë dhe më i përhapur është se edhe ata shpëtuan, pasi Allahu i Lartësuar na tregon se ndëshkimin e Tij e kufizoi vetëm për ata që bënë padrejtësi, që kaluan kufijtë dhe shkelën rregullin e të shtunës. Gjithashtu, dihet se detyra e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga të këqijat është e tillë që, nëse e kryen një grup besimtarësh, atëherë nuk është më detyrim për të tjerët. Edhe ai grup u mjaftua me atë që kishin bërë të tjerët. Përveç kësaj, ata thanë: "Pse e këshilloni një popull të cilin Allahu dëshiron ta ndëshkojë?!" Kjo tregon se ata e urrenin atë grup për shfrenimin e tyre dhe e dinin shumë mirë se Allahu do t’i ndëshkonte ata. Ata i urrenin veprat e të padrejtëve, daljen nga kufijtë e Allahut të Lartësuar dhe mosbindjen ndaj urdhrave të Tij. Për këtë arsye, ata nuk mund të ndëshkoheshin njëlloj si ata të cilët bënin gjynahe. E si mund të ndëshkoheshin, kur ata e urrenin të keqen dhe ishin të bindur se Allahu i Lartësuar do t’i ndëshkonte ashpër të padrejtët?! - “Kur ata ngulmuan me arrogancë të hapur në atë që u ishte ndaluar, Ne u thamë atyre: "Bëhuni majmunë të përbuzur e të mohuar!".” - Zemrat e tyre u ashpërsuan dhe u mbushën me arrogancë, në vend që të zbuteshin dhe të dëgjonin këshillat e dashamirësve për t’u kthyer në rrugën e Allahut të Lartësuar. Pas kësaj, ndëshkimi për ta ishte i pashmangshëm. Allahu i Lartësuar, me gjykimin e Tij të drejtë, vendosi t’i kthente në majmunë të shëmtuar e të përbuzur, duke i larguar nga mëshira e Tij. Pastaj Allahu thotë se, edhe për ata që do të mbeteshin gjallë do të shkruhej poshtërimi dhe nënçmimi.

← Araf 7:163