7. Araf · Ajeti 191 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:187–7:198

Çështja e përfundimit të jetës së kësaj ekzistence, është enigmë për të gjitha krijesat, duke përfshirë edhe pejgamberët e edhe melaiket. Ai do të vijë befas, andaj çdo parashikim është vetëm supozim.

Pejgamberi, me urdhërin e Zotit e shpreh qartë aftësinë e njeriut për sendet e fshehta, pra është çudi se si disa njerëz ende mashtrohen e shpresojnë se fati i tyre është në dorë të ndonjë tjetri pos Zotit.

Në kaptinën En Nisaë është theksuar krijimi i Ademit, i shoqës së tij dhe i pasardhësve. Këtu përmendet se si në ditët e para të shtatzënësisë barra është aq e lehtë sa nuk hetohet, por gradualisht rëndohet dhe atëherë prindërit fillojnë të interesohen për pasardhësin e tyre, e veçanërisht për shëndetin e tij pa të meta. E udhës është që njerëzit të falënderojnë Allahun për dhuratën e tillë. Mirëpo, shumë njerëz e harrojnë të mirën dhe nuk respektojnë udhëzimet e Krijuesit të tyre, e madje edhe i falënderohen dikujt tjetër.

Disa mufesirinë shkuan kah ajo se me burr e grua në këtë ajet është fjala për Ademin e Havën, madje sollën edhe disa hadithe, por jo aq të besueshme.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:191–7:198

- Mos vallë, po i përshkruajnë Atij si ortakë sende që nuk mund të krijojnë asgjë, por, vetë janë të krijuara?! - Allahu i Lartësuar e hedh poshtë besimin e gabuar të idhujtarëve, të cilët adhurojnë, veç Allahut, edhe krijesat e Tij, edhe pse ato nuk kanë në dorë asnjë çështje, nuk mund të sjellin as dëm dhe as dobi, nuk mund as të shohin, as të dëgjojnë dhe as nuk mund të ndihmojnë adhuruesit e tyre. Ato janë thjesht sende, të cilat nuk kanë shpirt dhe nuk lëvizin. Madje, adhuruesit e tyre janë më të plotë dhe gëzojnë aftësi që idhujt nuk i kanë, siç janë dëgjimi, shikimi, aftësia për të vepruar etj. Sikurse i përshkruan i lartësuari kur thotë: “ O njerëz! Ja një shembull! Dhe dëgjojeni me vëmendje! Ata të cilët ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë asnjë mizë, edhe nëse tubohen të gjithë për të. Dhe nëse miza ua rrëmben diçka, ata nuk do të mund ta rimarrin atë prej saj. Të dobët janë edhe lutësit edhe të luturit. Ata nuk e kanë madhëruar Allahun me madhërinë e Tij të vërtetë, ashtu siç e meriton. Dhe Allahu është i Plotfuqishëm, Ngadhënjimtar. ” [Haxh 73, 74]. Ndërsa këtu Allahu i Lartësuar thotë: “... sende që nuk mund të krijojnë asgjë, por vetë janë të krijuara.” Pra, si është e mundur që t’i shoqërojnë Allahut diçka që nuk mund të krijojë asgjë, madje vetë ato janë prodhim i dikujt tjetër?! Edhe Ibrahimi (a.s) tha: “Po dhuroni atë që vetë e keni gdhendur? Por, është Allahu Ai që ju ka krijuar ju dhe atë që ju bëni. ”.

[Saffat 95 , 96 ]. Duke përshkruar idhujt, Allahu i Madhëruar thotë: - Ata nuk mund t’u japin atyre ndonjë ndihmë e as veten e vet nuk mund ta ndihmojnë. - Domethënë, as adhuruesit nuk mund t’i ndihmojnë dhe as veten e tyre nuk mund ta mbrojnë nga dikush që mund të synojë të keqen dhe dëmtimin e tyre. Pikërisht këtë fakt u përpoq Ibrahimi që të nxirrte në pah, për ta kuptuar populli i tij, kur ai u theu putat dhe i poshtëroi në mënyrën më të rëndë. Kështu na tregon Allahu i Lartësuar rreth tij: “Pastaj iu kthye atyre e i gjuajti me dorën e djathtë.” [Saffat 93]. Në këtë mënyrë vepruan edhe Muadh Ibn Amër Ibn Xhemuhi me Muadh Ibn Xhebelin - Allahu qoftë i kënaqur me ata të dy! Kur Profeti i Allahut mbërriti në Medinë, ata ishin të dy në moshë të re. Pasi pranuan Islamin, ata dilnin gjatë natës në qytet dhe, ku gjenin puta të idhujtarëve, i shkatërronin ato dhe ua çonin grave të veja, që t’i përdornin si dru zjarri. Këtë e bënin që populli i tyre të kuptonte sa të pafuqishëm ishin ato puta dhe sa i kotë dhe i padrejtë ishte adhurimi që ata u përkushtonin ayre. Babai i Muadhit, Amër Ibn Xhamuhi, kishte një putë, që e adhuronte dhe e parfumoste gjithmonë. Dy të rinjtë shkonin gjatë natës tek ai dhe ia kthenin putat kokëposhtë, pastaj ia lyenin me jashtëqitje dhe papastërti të ndryshme. Kur i shihte në atë gjendje, Amri i merrte putat, i lante dhe i parfumoste. Në fund, vendosi pranë një idhulli një shpatë dhe i tha: “Na, mbroje veten, nëse vjen dikush të të poshtërojë!” Djemtë erdhën sërish në netët në vijim dhe bënë të njëjtën gjë. Edhe Amri e porositi sërish putën e vet, që të mbrohej. Një natë, ata e morën idhullin, e lidhën së bashku me një qen të ngordhur dhe e varën me litar brenda një pusi aty pranë. Kur Amër Ibn Xhamuhi e pa atë skenë, e kuptoi se feja dhe adhurimi që u përkushtonte putave ishin kotësira, prandaj pranoi Islamin dhe u bë besimtar i mirë. Ai ra dëshmor në Uhud, - Allahu qoftë i kënaqur me të dhe e bëftë Firdeusin vendbanim të tij! - Edhe nëse i ftoni për t’i udhëzuar, ata nuk ju përgjigjen. Për ju është njëlloj, i thirrët ata apo nuk i thirrët. - Kjo ngjan me atë që Ibrahimi (a.s) i tha të atit: “O babai im! Përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh dhe nga i cili nuk ke asnjë dobi?” [Merjem 42]. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë se idhujt janë thjesht krijesa dhe robër, ashtu sikurse edhe vetë ata që u përkushtojnë adhurime. - Nuk ka dyshim se ata që ju po i adhuroni veç Allahut, janë të krijuar, sikurse edhe ju. Lutjuni atëherë atyre dhe le t’ju përgjigjen, nëse e thoni të vërtetën!” - Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: - A kanë ata këmbë për të ecur? A kanë duar për të kapur? A kanë sy për të parë? A kanë veshë për të dëgjuar? Thuaj: “I thërrisni idhujt tuaj, thurni plane kundër meje dhe mos pritni aspak!”. - Kërkoni ndihmën dhe mbështetjen e tyre kundër meje dhe mos

vononi asnjë çast, duke shpenzuar të gjitha forcat dhe mundin tuaj! Unë jam i sigurt se: - Mbrojtësi im është Allahu, i Cili e zbriti Librin dhe që përkujdeset për të mirët. - Allahu më mjafton si mbrojtës dhe unë i mbështetem vetëm Atij! Ai është forca, ndihma dhe strehimi im. Allahu është miku i dashur dhe mbrojtësi i çdo bamirësi në dynja dhe ahiret. Kjo i ngjan fjalës që Hudi (a.s.) i tha popullit të tij, kur ata iu drejtuan me këto fjalë: “Ne themi se ndonjë prej idhujve tanë të ka goditur me ndonjë të keqe!” Ai tha: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju që unë distancohem nga idhujt që ju adhuroni veç Tij. Mblidhuni të gjithë me komplote kundër meje e mos më jepni asnjë afat!” [Hud 54 - 56], ose fjalës së Ibrahimit (a.s.): “Ai tha: “A po shihni se çfarë po adhuroni Ju dhe etërit tuaj të hershëm? Në të vërtetë, ata (që adhuroni ju) - që të gjithë janë armiqtë e mi, por jo Zoti i botëve. I Cili më krijoi mua, dhe është që Ai më udhëzon. I Cili më jep ushqim dhe më jep të pi. Dhe kur sëmurem është Ai që më shëron, Dhe është Ai që do të më bëjë të vdes e pastaj do të më ringjallë, Dhe Ai është i Vetmi, tek i Cili kam shpresë se do të m’i falë gjynahet e mia në Ditën e Gjykimit. O Zoti im! Më dhuro urtësi dhe më bashko me të mirët! Bëj që të më përmendin për mirë ata që do të vijnë pas! Më bëj prej trashëgimtarëve të Xhenetit të mirësive! Dhe është Ai që do të më bëjë të vdes e pastaj do të më ringjallë, dhe Ai është i Vetmi, tek i Cili kam shpresë se do të m’i falë gjynahet e mia në Ditën e Gjykimit. O Zoti im! Më dhuro urtësi dhe më bashko me të mirët! Bëj që të më përmendin për mirë ata që do të vijnë pas! Më bëj prej trashëgimtarëve të Xhenetit të mirësive! Dhe fale babain tim, se ai është, vërtet nga të humburit! E mos më turpëro Ditën kur (njerëzit) do të ringjallen, Ditën, kur nuk bën dobi as pasuria dhe as fëmijët, Ditën kur do të shpëtojë vetëm ai që i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë!" ” [Shuara 75 - 89], ose fjalëve që ibrahimi i drejtoi të atit: “ (Kujto) Kur Ibrahimi i tha të atit dhe popullit të vet: “Unë i urrej dhe u qëndroj larg atyre që ju adhuroni, përveç Atij që më krijoi dhe më tregon udhën e drejtë.”! Ai e bëri këtë fjalë të kujtohet ndër pasardhësit e tij, me qëllim që ata gjithmonë të kthehen (në besimin e vërtetë) .” [Zuhruf 26 - 28]. - Ndërsa ata të cilëve ju u luteni veç Tij, nuk mund t’ju ndihmojnë, madje as veten e vet nuk mund ta ndihmojnë. - Të gjithë ata që ju i adhuroni përveç Allahut nuk kanë pushtet që t’ju ndihmojnë as ju dhe as veten e tyre. - Nëse i ftoni në rrugën e drejtë, ata nuk dëgjojnë. Ata duken se të vështrojnë, por, në të vërtetë, ata nuk shohin. - Ky i ngjan ajetit tjetër: “Nëse u luteni atyre, ata nuk e dëgjojnë lutjen tuaj; por, edhe sikur ta dëgjonin, ata nuk mund t'i përgjigje n (lutjes suaj)....” [Fatir 14]. Vëreni me kujdes kur Allahu i Lartësuar thotë: “Ata duken se të vështrojnë, por, në të vërtetë ata nuk shohin.” Pra, kur gjendesh përballë tyre, ata duket sikur të vështrojnë, por, në fakt, ato janë sende, që nuk e kanë këtë aftësi, sepse ato janë thjesht puta të gdhendura prej guri, druri ose materialesh të tjera. Në lidhje me këtë pjesë, Sediju ka thënë se ajo flet për vetë idhujtarët dhe jo për putat, por mendimi i parë është më i saktë.77

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:189–7:195

- “Është Allahu Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademi), ...’’ - Allahu ju krijoi ju të gjithëve, o njerëz, burra e gra, sado të shumtë, të ndryshëm dhe të shpërndarë të jeni në tokë. Allahu ju krijoi të gjithëve nga një njeri i vetëm, i cili ishte Ademi, babai i njerëzimit. - “...prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij (Havanë), për të gjetur qetësinë tek ajo.” - Allahu i Madhëruar krijoi nga Ademi (a.s) gruan e tij, Havanë, me qëllim që burri të gjente prehjen dhe qetësinë e nevojshme. Gruaja u krijua nga burri, që mes tyre të ketë gjithmonë afrimitet, tërheqje dhe dashuri, duke gjetur secili prehjen tek tjetri. - “Kur njeriu e mbulon (kontakton me) gruan e tij, ajo ngarkohet me një barrë të lehtë dhe ashtu vazhdon me të (pa e ndier).” - Allahu i Lartësuar ka përcaktuar që, kur burri dhe gruaja bashkohen në marrëdhënie intime, nga ky bashkim i ethshëm të sigurohet vazhdimësia e llojit njerëzor. Kështu, gruaja bart një barrë të lehtë nga burri, e cila nuk ndihet dhe vihet re nga gruaja në fillimet e saj. - “Por kur ajo (barrë) rëndohet, ata të dy e lusin Allahun, Zotin e tyre: “Nëse na jep fëmijë të mirë, do të të jemi vërtet mirënjohës.”” - Por pas njëfarë kohe, barra në trupin e saj nis të rëndohet, të duket dhe të ndihet. Në këtë moment, zemra e nënës dhe babait fillon të ndiejë dhembshuri prindërore për foshnjën që pritet. Ata luten dhe shpresojnë që ai të dalë i gjallë dhe i shëndetshëm, i pastër dhe i sigurt nga çdo lloj mangësie. Ata lusin Allahun e Lartësuar: “O Zot, nëse na jep pasardhës të mirë, do të jemi vërtet mirënjohës ndaj Teje. Nëse na fal një fëmijë të shëndetshëm e pa defekte, ne kemi për të qenë mirënjohës dhe falënderues për dhuratën Tënde.”. - “Por pasi Ai u dhuron atyre fëmijë të mirë, ata i përshkruajnë Atij ortakë në atë që u dhuroi.” - Por, kur Allahun e Lartësuar ua dhuron fëmijën ashtu si ata e kërkonin, domethënë, të plotë e të shëndetshëm, ata, në vend që ta njësojnë të Madhëruarin duke i shprehur vetëm Atij mirënjohjen e plotë për peshqeshin që u bëri, shkojnë dhe falënderojnë e i janë mirënjohës edhe dikujt tjetër, bashkë me Allahun. Ky fenomen i mosmirënjohjes

ndaj Allahut shfaqet me mënyra dhe forma të ndryshme, si më poshtë: 1. Këta prindër e mësojnë dhe edukojnë fëmijën, - që Allahu i Lartësuar ua fali ashtu si ata ia kërkuan, - që të adhurojë dikë tjetër veç Tij. 2. Këta prindër i vënë fëmijës emra që tregojnë robëri dhe adhurim ndaj dikujt tjetër veç Allahut, si për shembull, Abdul Kabe (Adhuruesi i Qabes), Abdul Husejn (Adhuruesi i Husejnit) etj. 3. Duke adhuruar e duke lavdëruar dikë tjetër, krahas Allahut të Lartësuar, për këtë mirësi, edhe pse Allahu është i vetmi që dhuron mirësi etj. Në këto ajete ka zhvendosje nga një rrëfim në tjetrin. Në fillim flitet për Ademin (a.s) dhe Havanë, pastaj flitet në përgjithësi për llojin njerëzor. Kështu, nuk duhet assesi të mendohet se çifti i parë i njerëzimit, Ademi dhe Havaja, bënë shirk në adhurim, por ishin pasardhësit e mëvonshëm që e bënë këtë. Allahu i Lartësuar i ka këshilluar gjithmonë robërit e Tij për t’u larguar nga shirku. Ai gjithmonë ka treguar kotësinë e çdo lloj idhujtarie, madje ka shpallur se shirku, me çdo lloj forme që shfaqet, është padrejtësia më e madhe që mund të kryejë dikush. - “Por Allahu është i Dëlirë dhe i Lartësuar nga ortakët që ata i përshkruajnë.” - Në ajetet e mësipërme, Allahu i Lartësuar solli argumente madhështore, që tregonin se Ai është i vetmi Krijues, Sundues dhe Mbretërues, që përkujdeset për krijesat e Tij. Për shembull, Ai përmendi se si i krijoi njerëzit nga një person i vetëm, që ishte Ademi (a.s). Së pari, Allahu krijoi prej Ademit bashkëshorten e tij dhe pastaj, me radhë, të gjithë pasardhësit e tyre. I Madhëruari ka vendosur dashuri dhe dhembshuri mes burrit dhe gruas, që ata të gjejnë prehje e kënaqësi te njëri tjetri. Ai ka bërë që, burri dhe gruaja, duke kënaqur epshin e tyre, të ruajnë vazhdimësinë e jetës. Është Allahu i Gjithëditur që krijon embrionin në barkun e nënës, ku kalon një kohë të përcaktuar deri në krijimin e plotë të tij. Gjatë kësaj kohe, prindërit përmallohen dhe e presin këtë fëmijë plot dashuri. Ata e lusin Allahun e Lartësuar që ky fëmijë të dalë në jetë i saktë dhe i shëndetshëm, pa asnjë mangësi, dhe Zoti i tyre ua plotëson këtë dëshirë. Atëherë, a nuk e meriton Allahu i Lartësuar, me të gjitha këto mrekulli që bën e dhuron, që të adhurohet si Një, i Vetëm dhe i Pashoq nga krijesat e Tij?! Por ja që nuk ndodh gjithmonë kështu, sepse disa nga robërit e Tij adhurojnë e falënderojnë idhuj, e jo Atë, Zotin e tyre. - “Mos vallë, po i përshkruajnë Atij si ortakë sende që nuk mund të krijojnë asgjë, por, vetë janë të krijuara?! Ata nuk mund t’u japin atyre ndonjë ndihmë e as veten e vet nuk mund ta ndihmojnë.” - Idhujt e tyre nuk kanë krijuar asgjë, madje ata janë vetë të krijuar. Ata janë të pafuqishëm dhe nuk mund të ndihmojnë adhuruesit e tyre. Pse nuk po mendoni, o njerëz?! Nëse idhujt nuk mund të krijojnë as një thërmijë të vogël, sepse edhe vetë janë të krijuar, nëse nuk kanë mundësi që të largojnë të keqen nga adhuruesit e as nga vetja e tyre, atëherë si mund të konsiderohen të barabartë me Zotin dhe të adhurohen si Ai?! Pa dyshim që kjo është padrejtësia dhe mendjelehtësia më e madhe. - “Edhe nëse i ftoni për t’i udhëzuar, ata nuk ju përgjigjen. Për ju është njëlloj, i thirrët ata apo nuk i thirrët.” - O idhujtarë, nëse ju i ftoni idhujt tuaj të kthehen në rrugën e drejtë, ata nuk ju përgjigjen. Si t’i ftoni, si të mos i ftoni, ata nuk kanë për t’ju dëgjuar. Kështu, njeriu qëndron më lart se idhujt, sepse idhujt nuk dëgjojnë, nuk shikojnë, nuk udhëzojnë, nuk udhëzohen dhe nuk dallojnë dot të mirën nga e keqja. Mjafton të meditosh pak në këto fakte dhe e kupton se adhurimi i idhujve është i padobishëm, madje i dëmshëm dhe i dënueshëm. Çdo njeri i mençur e kupton se idhujtarët janë mendjelehtë dhe të padrejtë me adhurimet e tyre të kota.

- “Nuk ka dyshim se ata që ju po i adhuroni veç Allahut, janë të krijuar, sikurse edhe ju.” - Nuk ka asnjë dallim mes jush dhe atyre: të gjithë jeni rob të Allahut të Lartësuar, jeni pronë dhe krijesa të Tij. Nëse ju vërtet besoni se ata e meritojnë që të adhurohen, atëherë: - “Lutjuni atëherë atyre dhe le t’ju përgjigjen, nëse e thoni të vërtetën!” - Nëse ata ju përgjigjen dhe jua plotësojnë kërkesat, atëherë ju keni të drejtë, ose në të kundërt, vërtetohet se ju e keni gabim dhe se po thoni për Allahun e Lartësuar shpifjen më të rëndë dhe më të ndëshkueshme. Në fakt, rezultati dihet: mjafton t’u hedhësh një shikim të shpejtë idhujve tuaj, dhe vetëm pamja e tyre tregon se ata nuk kanë asnjë lloj mundësie për të bërë mirë ose keq. - “A kanë ata këmbë për të ecur? A kanë duar për të kapur? A kanë sy për të parë? A kanë veshë për të dëgjuar?” - Idhujt nuk kanë këmbë që të ecin, as duar që të veprojnë me to, as sy që të shikojnë e as veshë që të dëgjojnë. Ata nuk kanë asnjë lloj mundësie, aftësie dhe force, që gjendet te njeriu. Kështu, njeriu që i adhuron ata, në realitet qëndron më lart se idhujt e tij, për sa i përket aftësive dhe fuqisë. Idhujt nuk mund t’u përgjigjen lutjeve të krijesave, sepse edhe vetë idhujt janë krijesa të nënshtruara përpara Allahut të Lartësuar. Atëherë, përse i adhurojnë? Pastaj i Madhëruari e urdhëron Profetin e tij që t’u thotë idhujtarëve: - “Thuaj: “I thërrisni idhujt tuaj, thurni plane kundër meje dhe mos pritni aspak!”” - Mblidhuni të gjithë ju, bashku me aleatët dhe idhujt tuaj, për të më dëmtuar mua! Bashkohuni të gjithë dhe mos më lini kohë për t’u mbrojtur, por ta dini se kurrë nuk keni për të arritur të më bëni ndonjë të keqe, sepse:

← Araf 7:191