7. Araf · Ajeti 25 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:19–7:30

Pasi që Zoti e dëboi shejtanin prej xhennetit, Ademit i tha të hajë nga cili lloj ushqimi të dëshirojë me përjashtim të njërit të caktuar. Shejtani u betua në Allahun se është këshillues për të mirën e tyre, por Ademi nuk dinte se mund të bëhet betimi rrejshëm, andaj u mashtrua dhe hëngri atë pemë, të cilën e kishte të ndaluar.

"Avret" mund të ketë kuptimin, turpësi, organi gjenital, pjesë e trupit që duhet mbuluar etj. Pasi që Ademi dhe Hava e hëngrën pemën e ndaluar, ata zbulohen - u duket avreti, andaj fillojnë të mbledhin gjethe e të mbulojnë. Zoti e di, por si duket avreti i tyre nuk shihej më parë ngase e mbulonte një dritë e fortë e padepërtueshme prej syrit.

Pas gabimit u penduan dhe kërkuan prej Zotit falje. Allahu i zbriti për të jetuar në tokë dhe u tregoi se shejtani është armik i tyre dhe i pasardhësve të tyre, andaj në disa ajete thirren: O bijtë e Ademit të mos ju mashtrojë shejtani dhe përkujtonie atë që u ndodhi Ademit dhe Havës.

Petku i përmendur mund të ketë për qëllim: begatinë e Zotit me të cilën i furnizoi njerëzit me veshmbathje, me ushqim të llojllojshëm e me të mira të tjera. E mund të ketë për qëllim edhe zhveshjen e njeriut prej virtyteve të larta dhe atëherë të turpërohet para Zotit dhe para njerëzve, andaj edhe thuhet se devotshmëria, maturia, ruajtja e njeriut prej punëve të liga, është petku më i mirë.

Çdo lutje dhe çdo vepër e mirë duhet bërë për hirë të Allahut, sepse sikundër që kemi ardhur në këtë jetë pa asgjë, ashtu do të ringjallemi pa asgjë tjetër, pos veprave të mira. Lakuriqësia është vepër e shejtanit, andaj atë nuk duhet menduar civilizim, qytetërim, por mashtrim me prejardhje prej shejtanit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:24–7:25

- Allahu tha: “Uluni poshtë! Ju do të jeni armiq të njëri -tjetrit. - Këto fjalë iu

drejtuan Ademit, Havasë dhe Iblisit. Mufesirët kanë mendime të ndryshme rreth vendeve ku u zbritën secili prej tyre, por të gjitha rrëfimet e sjella janë prej izraeljateve, dhe Allahu e di më mirë saktësinë ose jo të tyre. Sidoqoftë, nëse do të kishte ndonjë dobi të madhe në përmendjen e kësaj çështjeje, vetë Allahu i Lavdëruar dhe Profeti i Tij do të na kishte treguar. - Në tokë do ta keni vendbanimin dhe do të gjeni mjetet e jetesës deri në një afat të caktuar. - Koha e jetës dhe qëndrimit tuaj në tokë është shkruar në Librin e Parë; ajo është e përcaktuar dhe e vendosur. Ibn Abasi ka thënë që: fjala “ mustekarrun” - që është përkthyer “vendbanimin”, - tregon vendqëndrimin mbi tokë dhe atë nën tokë (pas vdekjes). Kështu e transmeton prej tij Ebu Hatimi. Në vijim, i Lartësuari thotë: - “Aty do të jetoni, aty do të vdisni dhe prej saj do të nxirreni (në fund) . - Ky ngjan me ajetin tjetër, ku Allahu i Madhëruar thotë: “Prej asaj (tokës) ju krijuam, në të do t’ju kthejmë përsëri, e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë tjetër.” [Ta Ha 55].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:25–7:26

- Allahu tha: "Aty do të jetoni, aty do të vdisni dhe prej saj do të nxirreni (në fund). - Pasi Ademi me gruan e tij u zbritën në tokë, Allahu i Lartësuar u përshkruan natyrën e jetës së tyre në të. Kështu, jeta në tokë do të ndërpritet nga vdekja. Veç kësaj, ajo do të jetë e mbushur me sprova dhe vështirësi të ndryshme. Sidoqoftë, për sa kohë do të jenë në tokë, Allahu i Madhëruar do të dërgojë mes tyre profetë dhe do t’u shpallë librat e Tij. Kështu, ata duhet të jetojnë sipas porosive të Tij, derisa t’u vijë vdekja, pas së cilës ata do të varrosen në tokë. Më pas, kur të vijë Kijameti, Allahu i Madhëruar do t’i ringjallë dhe do t’i rinxjerrë nga toka, për t’i llogaritur dhe shpërblyer me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij, sipas punëve të tyre dhe në varësi të plotësimit të porosive të Tij, të sjella nëpërmjet profetëve dhe shpalljeve. Ajo do të jetë jeta e përjetshme, e cila nuk do të ketë fund. Pastaj Allahu i Madhëruar përmend disa nga mirësitë e Tij të shumta, mes të cilave është veshja, qoftë ajo e domosdoshme, qoftë ajo që përdoret për zbukurim. - O bijtë e Ademit, Ne ju kemi dhënë veshje, si mbuluese për vendet tuaja të turpshme si edhe për zbukurim. - Të tilla janë edhe mirësitë e tjera, si ushqimi, pija, mjetet për ngarkesë etj. Allahu i Lartësuar ua lehtësoi njerëzve këto mirësi, duke u falur atyre jo vetëm aq sa u nevojitet, por edhe më shumë se kaq. Megjithatë, Ai sqaron se, të gjitha këto mirësi nuk janë dhe nuk duhet të jenë për ta qëllim në vetvete. Allahu i Madhëruar i mundësoi ato për të qenë në ndihmë të njerëzve, sidomos për arritjen e qëllimit të vetëm të jetës së tyre, që është adhurimi i Allahut të Lartësuar dhe bindja ndaj Tij. Prandaj i Lartësuari thotë më pas: - Por veshja e devotshmërisë - ajo është më e mira. - Devotshmëria është më e mirë sesa veshja e bukur dhe stolitë e kësaj dynjaje. Veshja e devotshmërisë e shoqëron robin në mënyrë të pandashme dhe është zbukuruese e zemrës dhe e shpirtit. Ndërsa veshjet dhe stolitë e kësaj dynjaje mbulojnë ose zbukurojnë vetëm trupin për njëfarë kohe të kufizuar. Edhe sikur të ndodhë që, në ndonjë rast të jashtëzakonshëm, robi të mbetet pa veshje të jashtme, thjesht do të zbulohet trupi i tij, dhe në këtë rast ai është i justifikuar. Ndërsa kur hiqet rroba e devotshmërisë, atëherë kjo sjell poshtërimin dhe turpërimin e tij. - Këto janë disa nga shenjat e Allahut, me qëllim që ata të kujtojnë (mirësitë e Zotit). - Çështja e veshjes le t’ju shërbejë si kujtim dhe për të menduar me kujdes rreth gjërave që ju sjellin dobi dhe atyre që ju sjellin dëm. Le të shërbejë ky si një kujtim dhe si një nxitje për ju që, ashtu sikurse kujdeseni për rrobat dhe stolitë tuaja të jashtme e të dukshme, ashtu edhe të

kujdeseni për rrobën dhe stolinë e brendshme.

← Araf 7:25