7. Araf · Ajeti 44 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:42–7:51

Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Zoti i fut në xhennet, më parë i pastron prej veseve, të cilat i praktikonin në dynja si: zilinë, urrejtjen, mëninë etj. Ata falënderojnë Zotin që u mundësoi ta kuptojnë të vërtetën, të shkojnë pas mësimeve të pejgamberëve dhe që me pak punë dhe me punë të lehtë i shpërbleu me xhennet.

Është karakteristikë se në këtë kaptinë përmenden tri grupe: një në xhennet, një në xhehenem dhe një as në xhennet, e as në xhehenem, por në njëfarë vendi të lartë ndërmjet xhennetit e Xhehenemit, nga i cili vend i shohin dy palët. Ai vend quhet A'raf.

Si duket ata të A'rafit janë njerëz që kanë baras sa sevabe aq gjynahe, nuk kanë fituar xhennetin, por as edhe xhehenemin. Kur i shikojnë ata në xhennet, i përshëndesin dhe u urojnë, e kur u shkojnë sytë te ata në xhehenem, e lusin Zotin të mos i çojë aty. Ata i njohin banuesit e xhehenemit dhe u thonë: as pasuria, as krenaria juaj në dynja nuk u solli kurrfarë dobie derisa u vendosët në xhehenem. Madje u thonë: qe, ata besimtarë me të cilët u përqeshët e fituan xhennetin. Atyre i në xhehenem u del flaka nga etja, kërkojnë prej atyre në xhennet t'u japin pak ujë ose lëngje të tjera, kërkon njeriu prej vëllait e babait, por ato janë haram për mohuesit e fesë - besimit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:44–7:45

Kur banorët e Zjarrit të kenë zënë vend në Zjarr, në gradat përkatëse, atyre u vijnë fjalë dëshpëruese dhe torturuese: - Banorët e Xhenetit do t'u thërrasin banorëve të Zjarrit e do t'u thonë: “Ne e

gjetëm të vërtetë atë që na kishte premtuar Zoti ynë. Po ju, a e gjetët të vërtetë atë që ju kishte premtuar Zoti juaj?” Ata do të thonë: “Po”. - Po kështu, Allahu i Lavdëruar na njofton në suren Safat rreth një besimtari, që kishte një shoqërues prej mohuesve, të cilin e shikon në mes të Xhehenemit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata (besimtarët) qëndrojnë përballë njëri-tjetrit e bisedojnë. Njëri prej tyre (do të nisë bisedën e) do të thotë: “Unë kam pasur një shok (që nuk më ndahej). Ai më thoshte: “Çfarë! Ti je prej atyre që besojnë se kur të kemi vdekur e të jemi bërë pluhur dhe eshtra, do të marrim shpërblime e dënime (sipas veprave) ?” Ai (besimtari) thotë: “A do të donit të shikojmë jashtë (të dënuarit)?” Ai shikon dhe e vëren atë (shokun që nuk i ndahej) në mes të Zjarrit dhe thotë: “Betohem në Allahun! Për pak më rrëzove edhe mua (në Zjarr). Sikur të mos kishte qenë mirësia e Zotit tim, unë do të kisha qenë bashkë me ata që janë atje (në zjarr). Ne nuk do të vdesim më, përveç vdekjes sonë të parë. Gjithashtu, ne nuk kemi për t'u dënuar.” ..” [Safat 50 - 59]. Kështu, besimtari tashmë ia hedh poshtë atë fjalë, që mohuesi thoshte në dynja: “... Ne nuk do të vdesim më, përveç vdekjes sonë të parë. Gjithashtu, ne nuk kemi për t'u dënuar ...” , duke ia shtuar atij edhe më shumë dhimbjen dhe dëshpërimin. Në të njëjtën kohë, ai ia kujton edhe këtë ndëshkim, që është duke vuajtur. Po të njëjtat fjalë dëshpëruese dhe torturuese, ata të mjerë i dëgjojnë edhe prej melekëve, të cilët u thonë: “Ky është zjarri, që ju e mohonit! Mos është kjo ndonjë magji, apo ju nuk shihni?! Digjuni në të! E duroni apo nuk e duroni, njësoj është për ju . Ky është i vetmi “shpërblim” për atë që e merituat me veprat tuaja .” [Tur 14 - 16]. Në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtat fjalë torturuese dhe dëshpëruese iu drejtua Profeti i Allahut idhujtarëve të vrarë në betejën e Bedrit. Pasi u groposën të gjithë, Pro feti iu drejtua me këto fjalë: 1195. “O Ebu Xhehl Ibn Hisham, O Utbe Ibn Rabia, o Shejbe Ibn Rabia, - dhe thirri emrat e të gjithë krerëve të tyre. Pastaj tha: “A e gjetët të vërtetë atë që jua kishte premtuar Zoti juaj?! Unë e gjeta të vërtetë atë që ma kishte premtuar Zoti im!”. Umeri tha: “O i Dërguari i Allahut! Ti po u flet atyre që tashmë janë kufoma?!” Ai tha: “Betohem në Atë, në dorë të të Cilit është shpirti im! Ju nuk e dëgjoni fjalën time më mirë seç e dëgjojnë ata, veçse ata nuk mund të përgjigjen!” - Atëherë, një thirrës do të shpallë mes tyre: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët!” - Kështu, një thirrës do të thotë dhe do të japë mallkimin për këta të padrejtë. Në vijim, Allahu i Lartësuar i përshkruan ata, duke thënë: - Të cilët i penguan njerëzit nga rruga e Allahut, që kërkuan shtrembërimin e saj dhe mohuan botën tjetër. - Ata pengojnë njerëzit nga rruga dhe ligji Allahut, duke synuar shtrembërimin e fesë së Tij. Përveç kësaj, ata e mohojnë ahiretin, pra, e konsiderojnë atë si një trillim dhe mashtrim. Ata refuzojnë ta pranojnë ringjalljen dhe llogarinë me drejtësi para Zotit, prandaj dhe nuk shqetësohen për veprat edhe fjalët e këqija të tyre. Njerëzit më të poshtër, të cilët thonë fjalët më të këqija dhe bëjnë veprat më të ulëta, janë pikërisht këta të cilët nuk besojnë Ditën e Llogarisë dhe as ndëshkimin e Zotit.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:44–7:45

Pas përshkrimit të vendqëndrimeve të besimtarëve e të jobesimtarëve në ahiret, duke theksuar se ata do ta shohin që gjithçka për të cilën folën profetët dhe shpalljet e Zotit ishte e vërtetë, vijohet me një dialog që zhvillohet mes banorëve të Xhenetit dhe banorëve të Zjarrit. I Lartësuari thotë: - Banorët e Xhenetit do t'u thërrasin banorëve të Zjarrit e do t'u thonë: “Ne e gjetëm të vërtetë atë që na kishte premtuar Zoti ynë. - Banorët e Xhenetit u drejtohen banorëve të Zjarrit me këto fjalë, të cilat ua shtojnë më tepër vuajtjen: Allahu i Lartësuar na premtoi se, nëse do ta besonim Atë sinqerisht dhe do të bënim vepra të mira që i dikton ky besim, Ai do të na fuste në Xhenet. Dhe, vërtet, sot i Madhëruari na ka futur në Xhenet, duke na lejuar të gëzojmë shpërblimet e mëdha dhe lumturinë e përjetshme të premtuar. - Po ju, a e gjetët të vërtetë atë që ju kishte premtuar Zoti juaj?” Ata do të thonë: “Po”. - Pyeten jobesimtarët: Po ju, a e gjetët ndëshkimin e premtuar për mosbesimin dhe mosbindjen ndaj Zotit? Përgjigjja vjen me përvuajtje dhe plot dhimbje: “Po, ne po e dëshmojmë se çdo paralajmërim që na u bë ishte i vërtetë.” Të gjitha krijesave, pa përjashtim, do t’u bëhet e qartë e vërteta pa asnjë fije dyshimi. Allahu i Lartësuar realizon çdo gjë që e ka premtuar nëpërmjet profetëve dhe shpalljeve të Tij, dhe askush nuk është më i vërtetë se Allahu në premtim. Në ahiret, çdokujt do t’i largohen dyshimet që ka patur, sepse është dita kur të gjithë do të jetojnë realisht atë që është premtuar. Besimtarët do të gëzohen dhe lumturohen me premtimin e Allahut, ndërsa mohuesit do të dëshpërohen dhe me dhimbje do të pranojnë se e meritojnë plotësisht ndëshkimin. - Atëherë, një thirrës do të shpallë mes tyre: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët.” - Mes banorëve të Zjarrit dhe banorëve të Xhenetit dëgjohet një zë, që thotë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët!” Mallkimi është largim nga çdo mirësi. Zullumqarët e meritojnë një ndëshkim të tillë, sepse kur Allahu i Madhëruar ua hapi atyre portat e mëshirës së Tij, ata refuzuan të hynin, duke i bërë padrejtësi vetes. Madje, jo vetëm që humbën vetveten, por tërhoqën në humbje edhe të tjerët, që pasuan hapat e tyre: - “...të cilët penguan nga rruga e Allahut, që kërkuan shtrembërimin e saj dhe që ishin mohues të botës tjetër!” - Këta të mjerë i pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut, duke ua paraqitur atë si të shtrembër dhe të gabuar. Allahu i Madhëruar e bëri rrugën e Tij të jetë e drejtë dhe e qartë, ndërsa këta të mallkuar e paraqesin atë si të shtrembër dhe të gabuar. Allahu i Madhëruar i përshkruan ata si mosbesues të ahiretit dhe të Ditës së Gjykimit. Ky mosbesim i bën që të devijojnë nga rruga e drejtë dhe të përkushtohen të verbuar në përmbushjen e dëshirave të tyre të shfrenuara, që Zoti i ka bërë haram. Mosbesimi në ringjallje, mungesa e frikërespektit për Zotin dhe e shpresës për shpërblimin e Tij të mrekullueshëm i bën të harrohen në humbjen e thellë. Kur Allahu i Madhëruar deklaron mallkimin mbi këta mosbesimtarë zullumqarë, nga ana tjetër ne kuptojmë që besimtarët do t’i përfshijë mëshira, bujaria, mirësitë dhe begatitë e pandërprera të Tij. Këta fatlumë do të jenë përjetësisht mes mirësive dhe shpërblimeve pa kufij të Allahut të Lartësuar.

← Araf 7:44