7. Araf · Ajeti 46 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:42–7:51
Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Zoti i fut në xhennet, më parë i pastron prej veseve, të cilat i praktikonin në dynja si: zilinë, urrejtjen, mëninë etj. Ata falënderojnë Zotin që u mundësoi ta kuptojnë të vërtetën, të shkojnë pas mësimeve të pejgamberëve dhe që me pak punë dhe me punë të lehtë i shpërbleu me xhennet.
Është karakteristikë se në këtë kaptinë përmenden tri grupe: një në xhennet, një në xhehenem dhe një as në xhennet, e as në xhehenem, por në njëfarë vendi të lartë ndërmjet xhennetit e Xhehenemit, nga i cili vend i shohin dy palët. Ai vend quhet A'raf.
Si duket ata të A'rafit janë njerëz që kanë baras sa sevabe aq gjynahe, nuk kanë fituar xhennetin, por as edhe xhehenemin. Kur i shikojnë ata në xhennet, i përshëndesin dhe u urojnë, e kur u shkojnë sytë te ata në xhehenem, e lusin Zotin të mos i çojë aty. Ata i njohin banuesit e xhehenemit dhe u thonë: as pasuria, as krenaria juaj në dynja nuk u solli kurrfarë dobie derisa u vendosët në xhehenem. Madje u thonë: qe, ata besimtarë me të cilët u përqeshët e fituan xhennetin. Atyre i në xhehenem u del flaka nga etja, kërkojnë prej atyre në xhennet t'u japin pak ujë ose lëngje të tjera, kërkon njeriu prej vëllait e babait, por ato janë haram për mohuesit e fesë - besimit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:46–7:47
- Mes tyre (dy grupeve) do të jetë një mur ndarës, mbi të cilin do të qëndrojnë burra që e njohin secilin grup sipas shenjave të tyre. - Në ajete e mësipërme, Allahu i Lartësuar na tregoi fjalët mes
banorëve të Xhenetit dhe banorëve të Zjarrit. Në ajetet vijuese, Ai na tregon se mes Xhenetit dhe Zjarrit ndodhet një mur ndarës, i cili i pengon banorët e Zjarrit që të shkojnë në Xhenet. Allahu i Lartësuar thotë: “Mes tyre (dy grupeve) do të jetë një mur ndarës...” Ky mur quhet El ea'râf, sepse ata që qëndrojnë mbi të i njohin njerëzit e Xhenetit dhe te Xhehenemit nga shenjat e tyre. Në këtë vend qëndrojnë ata njerëz të cilët i kanë të barabarta të mirat dhe të këqijat e tyre. Kështu janë shprehur tekstualisht Hudhejfja, Ibn Abasi, Ibn Mesudi dhe shumë nga dijetarët e hershëm dhe të mëvonshëm, - Allahu i mëshiroftë të gjithë! Ibn Xheriri transmeton nga Junus Ibn Is’haku, se Shabiju i ka thënë se, njëherë atë e ftoi Abdul Hamid Ibn Abdurrahmani. Tek ai ishte për vizitë edhe Ebu Senad Abdullah Ibn Dhekuani, një nga miqtë e kurejshëve. “Kur ata të dy përmendën diçka të pasaktë rreth banorëve të Ea’rafit unë, - thotë Shabiu - u thashë: A dëshironi t’ju tregoj se çfarë ka thënë Hudhejfja në lidhje me ta?” - Po - thanë ata. - Hudhejfja, duke folur për banorët e El ea'râf-it, ka thënë: “Ata janë një popull që, për shkak të veprave të mira të tyre, kanë shpëtuar nga Zjarri dhe për shkak të gjynaheve të tyre, nuk lejohen të hyjnë në Xhenet.” Allahu i Lartësuar thotë: “Kur shikimi i tyre të shkojë nga ata të Xhehenemit, do të thonë: “Zoti ynë, mos na bashko me keqbërësit!”. Ndërkohë që ata qëndrojnë mbi të, Zoti i vështron dhe u thotë: “Shkoni dhe hyni në Xhenet, se unë tashmë jua kam falur gjynahet.” Ibn Mubareku përcjell se Ibn Mesudi ka thënë: “Peshorja e veprave anon qoftë edhe me peshën e një thërrmije të vogël.” Ibn Mesudi ka thënë, gjithashtu: “Kur njeriu bën një punë të mirë, atij i shkruhen 10 të tilla, ndërsa kur bën një punë të keqe, atij i shkruhet veçse një e keqe. I shkatërruar është ai të cilin e mposhtin të këqijat, që llogariten një me një, kundrejt të mirave, që llogariten një me dhjetë!” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: “...e njohin secilin grup sipas shenjave të tyre.” Ali Ibn Ebu Talha përcjell se Ibn Abasi ka thënë: “Ata i njohin banorët e Xhenetit nga bardhësia dhe shkëlqimi i fytyrave të tyre, ndërsa banorët e Zjarrit nga nxirja e fytyrave të tyre.” Po kështu e ka transmetuar edhe Dahaku prej Ibn Abasit. - Ata do t'u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Selami qoftë mbi ju!”. Ata nuk do të kenë hyrë në të, por do të shpresojnë. - Kur ata shohin nga banorët e Xhenetit, u thërrasin duke u thënë: “Selamun alejkum !” Ata nuk kanë hyrë në Xhenet, por shpresojnë të hynë në të. El Haseni ka thënë: “Allahu i Lartësuar e vendosi këtë shpresë në zemrat e tyre veçse për shkak të mirësisë së Tij, që dëshiron t’ua dhurojë atyre me bujarinë e Tij.” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Kur shikimi i tyre do të shkojë nga ata të Xhehenemit, do të thonë: “Zoti ynë, mos na bashko me keqbërësit!” - Ibn Abasi ka thënë: “Banorët e Ea’rafit, kur vështrojnë drejt banorëve të Zjarrit, - dhe i njohin mirë ata nga cilësitë e tyre dhe pamja - fillojnë të luten dhe thonë: “Zoti ynë, mos na bashko me keqbërësit!”. Ndërsa Ibn Mesudi ka thënë: “Kur banorët e Ea’rafit vështrojnë drejt banorëve të Zjarrit dhe shohin secilin në nivelin e vet të ndëshkimit, i kërkojnë mbrojtje dhe strehim Allahut që t’i mbrojë nga ato skuta të errëta të ndëshkimit dhe thonë: “Zoti ynë, mos na bashko me keqbërësit!”.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:46–7:49
- Mes tyre (dy grupeve) do të jetë një mur ndarës, mbi të cilin do të qëndrojnë burra që e njohin secilin grup sipas shenjave të tyre. - Mes banorëve të Xhenetit dhe banorëve të Zjarrit ndodhet një mur ndarës, që quhet El ea'râf, i cili nuk është as pjesë e Xhenetit dhe as pjesë e Zjarrit. Që prej atje mund të shihen të dyja vendet. Mbi këtë mur qëndrojnë disa njerëz, të cilët arrijnë t’i dallojnë banorët e Xhenetit dhe banorët e Zjarrit nëpërmjet shenjave dhe veçorive të tyre, që i dallojnë nga njëri tjetri. Kur shikojnë banorët e Xhenetit, u thonë: - Ata do t'u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Selami qoftë mbi ju!”. Ata nuk do të kenë hyrë në të, por do të shpresojnë. - Ata i përshëndesin dhe i urojnë atyre paqe, ndërkohë që vetë ende nuk kanë hyrë në Xhenet, por shpresojnë që të hyjnë aty. Sigurisht, kjo shpresë që Allahu u ka vendosur në zemër tregon se Ai dëshiron t’i nderojë e mëshirojë dhe t’i bëjë banorë të Xhenetit. - Kur shikimi i tyre do të shkojë nga ata të Xhehenemit, do të thonë: “Zoti ynë, mos na bashko me keqbërësit!”” - Kur hedhin sytë drejt banorëve të Xhehenemit, shohin një pamje të frikshme. Përballë kësaj gjendjeje, ata menjëherë luten dhe thonë: “Zoti ynë, mos na bashko me keqbërësit!” Në këto momente, edhe banorët e Xhenetit dëshirojnë e shpresojnë që banorët e Ea’rafit të jenë së bashku me ta në Xhenet. Dëshira e tyre është që t’i përshëndesin ata me selam. Gjithashtu, kur vështrimi i banorëve të Ea'rafit, jo me përzgjedhjen e tyre, zhvendoset drejt banorëve të Zjarrit, ata i luten Allahut që të mos ndëshkohen si banorët e atij vendi të tmerrshëm. Kjo qe një tablo e përgjithshme, pas së cilës vjen një përshkrim më i hollësishëm: - Këta të murit do t'u thërrasin pastaj disa burrave të tjerë, që do t'i njohin nga shenjat e tyre,...” - Ata janë banorë të Zjarrit, ndërkohë që në dynja janë njohur si njerëz fisnikë dhe të respektuar. Ata kishin pasuri dhe fëmijë, me të cilët krenoheshin. Pikërisht këtyre njerëzve, të cilët janë të vetmuar në ndëshkim, pa asnjë ndihmë tar dhe mbështetës, banorët e Ea’rafit u thonë: - “...dhe t'u thonë: “Sa ju vlejti ajo që grumbullonit dhe mendjemadhësia që tregonit?” - Ku janë mbështetësit tuaj të dynjasë, me të cilët ju mbroheshit nga rreziqet dhe arrinit të përmbushnit synimet tuaja? Sot u zhdukën të gjitha aleancat tuaja, të cilat nuk ju bëjnë më asnjë dobi. As arroganca juaj ndaj të vërtetës dhe ithtarëve të saj nuk ju vlen tani. Ndërsa sot ju vuani ndëshkimin, ata kënaqen me mirësitë e Xhenetit. Pastaj u drejtohen banorëve të Zjarrit dhe u tregojnë rreth disa besimtarëve, që tashmë lumturohen në Xhenet, të cilët në jetën e dynjasë ishin të varfër, të dobët dhe objekt talljeje e ndëshkimi për ata mendjemëdhenj. Kështu, ata u thonë banorëve të Zjarrit: - Ja. A nuk janë këta njerëzit për të cilët ju betoheshit se mëshira e Allahut nuk kishte për t’i përfshirë kurrë?”.. – Vallë, këta të cilët Zoti i futi në Xhenet dhe tashmë po lumturohen dhe kënaqen, janë ata për të cilët ju betoheshit se Zoti kurrë nuk kishte për t’i mëshiruar?! Ju i përçmonit ata, i fyenit dhe i keqtrajtonit, të fryrë dhe të magjepsur nga mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi. Por sot dolën bosh betimet tuaja dhe ju po përballeni me diçka që kurrë nuk e patët llogaritur. Sot, atyre "të dobtëve" dhe të "parëndësishmëve" u thuhet: - Hyni në Xhenet, se për ju nuk do të ketë as frikë e as brenga!” - Hyni në Xhenet, për të marrë shpërblimin e veprave tuaja! Tani, nuk keni për të patur më frikë për të ardhmen dhe nuk do të keni asnjë brengë
për të shkuarën në dynja. Ju do të jeni absolutisht të sigurt, të qetë dhe të lumtur me çdo mirësi që do të keni në përjetësi. Këto ajete ngjajnë me disa ajete të tjera kuranore, ku Allahu i Madhëruar thotë: "Vërtet, keqbërësit talleshin me besimtarët, dhe kur kalonin pranë tyre, ata ia bënin me sy njëri-tjetrit. Kur ktheheshin në familjet e veta, ata ishin të kënaqur. Kur i shihnin, thoshin: “Me të vërtetë, këta janë të humbur!” Por Ne nuk i caktuam ata si roje të tyre. Por sot, janë besimtarët që do të tallen me jobesimtarët. Duke qëndruar mbështetur në kolltukë, ata do të vështrojnë. A u shpërblyen plotësisht jobesimtarët për atë që kanë bërë?" [Mutafifin 29 - 36]. Dijetarët e tefsirit kanë dhënë shpjegime të ndryshme për sa i përket përcaktimit se cilët do të jenë banorë të Ea'rafit dhe çfarë karakteristikash kanë veprat e tyre. Mendimi më i saktë për këtë çështje është se ata janë njerëz që i kanë të barabarta punët e mira me të këqijat. Peshorja e tyre nuk anon as nga veprat e këqija, që të hyjnë në Zjarr, dhe as nga veprat e mira, që të hyjnë në Xhenet. Për këtë arsye, ata do të qëndrojnë mbi Ea’raf aq sa të dëshirojë Allahu i Lartësuar, i Cili, me mëshirën e Tij, do t’i fusë më pas në Xhenet, sepse mëshira e Allahut e tejkalon zemërimin e Tij dhe mëshira e Tij përfshin gjithçka.