7. Araf · Ajeti 54 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:52–7:58

E vërteta mbi thëniet e Kur'anit është e pranishme në dynja për ata që kuptojnë, e këtë të vërtetë do ta kuptojnë edhe ata që e refuzuan në ditën e kijametit, por atëherë është pa dobi.

Çdo send është krijesë e Zotit. Ai krijoi qiej e tokë. Ka mundur t'i krijojë për një moment, por i krijoi në etapa për të na dhënë të kuptojmë se në nguti nuk ka rezultate. Qëndrimin e Zotit mbi Arshin duhet besuar bindshëm e pa kurrfarë komentimi. Sikurse e ngjall tokën e vdekur me anën e shiut, ashtu do t'i ngjallë të vdekurit pas shkatërrimit të përgjithshëm të ekzistencës.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:54

- Vërtet, Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj qëndroi mbi Fron. - Allahu i Lartësuar na njofton se Ai është Krijuesi i botës, i qiejve, i Tokës dhe gjithçka mes tyre e në to. Ai i krijoi këto në gjashtë ditë, sikurse është pohuar kjo edhe në shumë ajete të tjera. Gjashtë ditët, në të cilat

Allahu krijoi botën, janë e diela, e hëna, e marta, e mërkura, e enjtja dhe e xhumaja. Në këtë ditë përfundoi i gjithë krijimi dhe u krijua Ademi. Disa dijetarë kanë thënë se këto ditë ishin si ditët e zakonshme, që njohim ne, siç kuptohet nga ajetet në pamje të parë, kurse disa të tjerë kanë thënë se një nga ato ditë ishte sa një mijë vjet, sikurse ka pohuar Muxhahidi dhe Imam Ahmed Ibn Hambeli. Po këtë mendim ka pasur edhe Ibn Abasi, sipas transmetimit që Dahhaku sjell prej tij. Për sa i përket të shtunës, këtë ditë nuk u krijua gjë. Ajo është dita e shtatë dhe u quajt es-sebtu, që do të thotë el kat'u, pra, ndërprerje. Allahu i Lavdëruar tregon për Veten e Tij, duke thënë: “pastaj qëndroi mbi Fron.”. Në lidhje me këtë çështje, - domethënë, për lartësimin ( el istiuâu ) e qëndrimin e Allahut mbi Fron, - janë dhënë interpretime të ndryshme. Ne do të ndjekim medhhebin e selefëve të mirë dhe imamëve të drejtë e të mëdhenj të Islamit, në të shkuarën dhe në të tashmen. Ata i kalojnë të tilla pohime kuranore ashtu siç janë sjellë, me kuptimin e tyre të drejtpërdrejtë, pa bërë asnjë shembëllim apo krahasim të tyre me krijesat, por edhe pa i mohuar ato pohime. Nuk pranohet asnjë shpjegim i atyre që e krahasojnë dhe shëmbëllejnë Allahun me krijesat, pasi siç ka thënë i Lavdëruari: “... Nuk ka të ngjashëm me Të. Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” [Shura 11]. Kjo çështje shpjegohet ashtu siç kanë thënë imamët e mëdhenj, mes të cilëve edhe Nuajmi, shejhu i imam Buhariut, i cili ka thënë: “Ai që e përngjason Allahun me krijesat ka bërë kufër. Edhe ai që mohon ato që Allahu ka pohuar për Veten e Vet ka mohuar.” Në pohimet e Allahut për Veten e Tij dhe në pohimet e Profetit për Të, nuk ka vend për përngjasime e shembëllime. Është detyra jonë që të gjitha këto pohime, që janë sjellë në ajete të qarta dhe në hadithe të sakta, t’i pranojmë dhe pohojmë ashtu siç i shkon madhështisë absolute të Allahut të Lavdëruar, duke mohuar çdo mangësi për Të, në çdo aspekt. Kjo është rruga e drejtë dhe e saktë. 50 - Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkon atë sërish. - Ai e largon errësirën e natës me dritën e ditës dhe e largon dritën e ditës me errësirën e natës. Secila kërkon të zërë vendin e tjetrës me të shpejtë e pa u vonuar aspak. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “ As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata nuk mund ta kalojë ditën. Secili (trup qiellor) noton në orbitën e vet.” [Ja Sin 40]. Domethënë, duke mos lejuar asnjë vonesë mes tyre. Ndërsa këtu thotë: “që me të shpejtë e kërkon atë sërish”. - Edhe Dielli, Hëna dhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. - Gjithçka është nën pushtetin dhe urdhrin e Tij, e nënshtruar dhe e bindur për të zbatuar vullnetin e Tij. - Vetëm Atij i takon krijimi dhe sundimi. - Allahu është i vetmi, në dorën e të Cilit është sundimi e pushteti për të vepruar në krijimin e Tij. - I madhëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve! - Nga Ebu Darda përcillet kjo dua, e cila është sjellë edhe si një hadith merfu, pra, që i atribuohet Profetit, ku thuhet: 1199. “O Allah, Ty të takon i gjithë mbretërimi e pushteti! Ty të takon i gjithi hamdi! Tek Ty kthehen të gjitha çështjet! Ty të lutem, të më japësh të gjitha mirësitë dhe Ty të kërkoj mbrojtje nga të gjitha të këqijat.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:54

Duke e qartësuar se Ai është i vetmi Zot që meriton të adhurohet si Një, i Vetëm dhe i Pashoq, i Lartësuari thotë: - Vërtet, Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj qëndroi mbi Fron. - Allahu krijoi qiejt, tokën dhe çdo gjë mes tyre, me gjithë madhështinë, gjerësinë dhe përpikmërinë e tyre. Ai i krijoi ato në formën më të rregullt, dhe këtë e bëri për gjashtë ditë. Dita e parë e krijimit ishte dita e diel dhe e fundit ishte e xhumaja. Pasi e përsosi këtë krijim, duke vendosur rregullin e çdo gjëje, i Lartësuari qëndroi mbi Fron. Ai është një fron madhështor, i cili ka përfshirë qiejt, tokën dhe gjithçka në to dhe mes tyre. Ai u lartësua mbi Fron ashtu siç i takon madhështisë, lartësisë dhe pushtetit të Tij. Allahu u ngrit mbi Fron dhe përfshiu nën sundim të gjithë krijimin e Tij. Është Ai që rregullon dhe administron çështjet e gjithësisë së krijuar prej Tij. Ai vendosi në këtë gjithësi rregullat dhe ligjet e krijimit, nëpërmjet të cilëve funksionon gjithçka. Asgjë nuk del jashtë ligjeve të Allahut. Gjithashtu, është Allahu, i vetmi të Cilit i takon të vendosë edhe ligjet fetare e të jetesës, të cilat janë të detyrueshme të zbatohen nga robërit e Tij. - Ai e mbulon ditën me natën,...” - Ai e mbulon dritën e ditës me errësirën e natës. Kështu, njerëzit gjejnë prehjen dhe krijesat strehohen në vendbanimin e tyre për t’u qetësuar nga lodhja e ditës. - “...që me të shpejtë e kërkon atë sërish.” - Sa herë që vjen nata, largohet dita dhe sa herë që vjen dita, largohet nata. Kështu vazhdon të funksionojnë ligjet e Tij në mënyrë të rregullt, deri kur të vijë dita që Allahu ta palosë këtë botë dhe robërit të zhvendosen në një tjetër vendbanim: në Xhenet ose në Zjarr. - Edhe Dielli, Hëna dhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij.” - Gjithçka i

është nënshtruar ligjit dhe urdhrave të të Madhërishmit. Kjo tregon se Ai ka cilësi të plota të madhështisë dhe pushtetit. Krijimi i kësaj gjithësie madhështore dëshmon për pushtetin dhe fuqinë e Tij absolute. Përsosmëria, rregulli dhe përpikmëria e funksionimit të saj dëshmojnë për urtësinë e plotë dhe të paanë të Allahut. Mirësitë dhe dobitë e shumta që Ai ka vendosur në këtë gjithësi për krijesat e Tij, qofshin ato domosdoshmëri, pa të cilat jeta është e pamundur, qofshin mirësi më të vogla, të gjitha këto tregojnë se sa e gjerë është dituria dhe mëshira e Allahut. Të gjitha këto së bashku tregojnë bindshëm se Ai është i Vetmi që meriton të adhurohet me dashuri, shpresë dhe frikërespekt. Vetëm Allahut duhet t’i përkushtohen të gjitha adhurimet. - Vetëm Atij i takon Krijimi dhe Sundimi.” - Vetëm Allahu është Krijuesi, Ai që krijoi të gjitha qeniet tokësore dhe ato qiellore, me cilësitë dhe veçoritë e tyre. Allahut i takon gjykimi dhe kontrolli i çdo çështjeje. Është Ai që vendos ligjet dhe të gjithë e kanë detyrë t’i zbatojnë dhe të jetojnë sipas tyre. Në dorë të Allahut është dhënia e profetësisë dhe gjithçka që lidhet me të, si mrekullitë, shpallja etj. Vetëm Ai shpërblen dhe ndëshkon me drejtësi, në varësi të zbatimit ose jo të ligjit të vendosur nga Ai. Fjala ‘Atij i takon krijimi’ nënkupton se në dorë të Allahut janë ligjet e ekzistencës dhe funksionimit të kësaj gjithësie. Ndërsa fjala ‘Atij i takon sundimi ' dhe pushteti për çdo çështje, nënkupton se në dorë të Tij është vendosja e ligjeve të Sheriatit dhe të shpërblimit, i cili do të ekzekutohet plotësisht Ditën e Gjykimit. - I madhëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve!” - I madhëruar, i lartësuar, plot mirësi dhe bujari është Allahu. Ai është i madhëruar dhe i lartësuar në Veten e Vet, sepse është i plotë dhe absolut në emrat dhe cilësitë e Tij. I madhëruar, i lartësuar dhe plot mirësi është Allahu edhe në lidhje me krijesat, për shkak të mirësive dhe bujarisë së Tij të pakufishme me të cilën i mbulon ata vazhdimisht. Çdo bekim dhe mirësi në këtë gjithësi është gjurmë dhe rezultat i mëshirës së Allahut. Pasi përmendi madhështinë dhe bujarinë e Tij, të cilat i mjaftojnë çdo njeriu të urtë e me logjikë për të besuar dhe dëshmuar se Allahu është i vetmi që meriton adhurimin dhe i vetmi të cilit duhet t’i drejtohesh për plotësimin e të gjitha nevojave të tua, i Lartësuari vijon me një urdhër të rëndësishëm dhe të dobishëm për krijesat:

← Araf 7:54