7. Araf · Ajeti 63 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:59–7:72

Nuhu është një ndër pejgamberët e parë pas Idrizit, jetoi më së gjati dhe pati vuajtjet më të mëdha prej krerëve të atij populli, i cili u dënua me vërshimë. Sipas një varianti, në anijen e Nuhut ishin katërdhjetë burra dhe aq gra që shpëtuan e sipas një tjetre, ishin tre djemt e Nuhut dhe gjashtë të tjerë. Hudi ishte shumë më i vonshëm se Nuhu. Edhe këtë, ashtu sikurse edhe Nuhun, e përqeshi aristokracia e popullit, duke i thënë se nuk ishte i zgjuar, apo trillonte gjëra nga vetë mendja e tij. Popullin e Hudit, popullin Ad e shkatërroi stuhia e erës së fortë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:63–7:64

Allahu i Lartësuar na tregon se Nuhu i tha popullit të vet: - Vallë, po habiteni që udhëzimi i Zotit tuaj ju ka ardhur përmes një njeriu prej jush, për t'ju paralajmëruar që të ruheni dhe me shpresë që të mëshiroheni?” - Nuk keni pse habiteni që Allahu po ia jep Shpalljen njërit nga mesi juaj, si mëshirë e bamirësi për ju. Allahu më dërgoi që t’ju paralajmëroj që të ruheni nga zemërimi i Tij dhe të mos i bëni shok Atij. Nëse e bëni këtë, ju mund të shpresoni të mëshiroheni. - Ata e kundërshtuan Nuhun ... - Ata vazhduan me këmbëngulje e kokëfortësi që ta mohonin e refuzonin ftesën e tij, dhe kështu atë e ndoqën veçse një numër shumë i vogël besimtarësh. - por Ne i shpëtuam atë dhe të gjithë ata që ishin me të në anije. - Sikurse ka thënë i lartësuari në një ajet tjetër: “ Ne i shpëtuam atë dhe të tjerët që ishin në Anije së bashku me të, dhe Ne e bëmë (Anijen) Argument për tërë botën.” [Ankebut 15]. - Ndërsa ata që i mohuan Shenjat Tona i fundosëm. - Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Ata u thanë: “Kurrë mos i braktisni zotat tuaj! Mos e braktisni Ueddën, as Suvânë, as Jeguthën, Jeukën dhe Nesrën!”. Ata zhytën në humbje shumë pasues të tyre. Prandaj, të padrejtëve Ti shtoju veçse humbje!” Për shkak të gjynaheve të tyre, ata u përmbytën dhe u hodhën në zjarr. Ata nuk gjetën ndihmë tarë, që t’i shpëtonin prej Allahut.” [Nuh 23 - 25]. - Ata qenë vërtet, një popull i verbër. - Ishin të verbër për të parë të vërtetën; ata as nuk mund ta shihnin atë dhe as nuk mund të

udhëzoheshin drejt saj. Në këtë histori, Allahu i Lavdëruar na tregon se Ai u hakmor për të dashurit e Tij kundër armiqve të tyre dhe shpëtoi Profetin e Tij dhe besimtarët, siç thotë në një ajet tjetër: “Ne patjetër do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe ata që besuan edhe në jetën e kësaj bote, edhe ditën kur të paraqiten dëshmitë. Atë Ditë, keqbërësve nuk do t’u bëjnë dobi shfajësimet. Ata i pret Mallkimi dhe një vendbanim i keq. ” [Gafir 51, 52.] Ky është ligji e premtimi i Allahut për robërit e Tij besimtarë, në dynja dhe në ahiret. Përfundimi i mirë iu takon të devotshmëve. Ibn Uehbi citon Ibn Abasin, që ka thënë se: “Bashkë me Nuhun, në anijen e shpëtimit ishin 80 burra.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:59–7:64

Pas një sërë argumentesh rreth njëshmërisë së Tij, Allahu i Madhëruar vijon me historitë që flasin për profetët dhe thirrjen e tyre për nënshtrimin ndaj Allahut

e për ta adhuruar Atë si një të vetëm. Këtu tregohet mospranimi i ftesës nga njerëzit e këqij dhe ndihma që Zoti u dha profetëve dhe pasuesve të tyre, që ishin njësues e të sinqertë. Allahu i shkatërroi kryeneçët, ata të cilët nuk u bindën dhe nuk ndoqën rrugën e profetëve të Tij. Nga këto histori kuptojmë se mesazhi i të gjithë profetëve ka qenë i njëjtë. Thirrja e tyre ka qenë adhurimi i një Zoti të vetëm. Kështu e fillon Allahu i Madhëruar historinë e të parit profet të dërguar pas Ademit ﷺ ,duke thënë: - “Ne e dërguam Nuhun te populli i vet...” - Nuhu i ftoi ata të adhuronin një Zot të vetëm, sepse ata adhuronin idhujt. - “...dhe ai u tha: “O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet.” - Adhuroni Allahun si Një, të Vetëm dhe të Pashoq, sepse Ai është Krijuesi, Furnizuesi dhe Rregulluesi i të gjitha çështjeve, ndërsa gjithçka tjetër është krijesë e varfër, nevojtare dhe e nënshtruar, që nuk ka asgjë në dorë. Nëse nuk e bëni, dijeni se ju pret një ndëshkim i dhembshëm. - “Unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të madhe.” - Ky moment dëshmon kujdesin e madh të Nuhut ﷺ për të këshilluar popullin dhe dhembshurinë e tij ndaj tyre. Profeti Nuh i frikësohej ndëshkimit të ashpër të Zotit mbi ta. Të tillë ishin të gjithë profetët e Zotit. Ata ishin më të dhembshur për popujt e tyre sesa prindi për fëmijën. Kur Profeti ﷺ u tha këto fjalë, ata iu përgjigjën në formën më të shëmtuar. - “Paria e popullit i tha: “Ne po të shohim se ti je krejt i përhumbur.”” - Kështu u përgjigjën sundimtarët e popullit të tij. Ka qenë traditë thuajse e pandryshueshme, që sundimtarët të shprehnin mendjemadhësi ndaj ftesës së profetëve. Ata nuk bindeshin për të punuar e jetuar sipas Shpalljes së Zotit. Përgjigjja e tyre ishte: “Ju jeni njerëz të humbur.” Allahu i shëmtoftë dhe i poshtëroftë! Nuk mjaftonte që nuk pranonin të zbatonin porositë e profetëve, por shprehnin edhe arrogancë, madje i sulmonin profetët me fyerje e shpifje të ulëta. Populli e konsideroi Nuhun ﷺ si njeri të humbur dhe fare të parëndësishëm. Kjo shpifje ishte tregues i një arrogance të pashembullt ndaj të dërguarit dhe fesë së Zotit. Megjithatë, ajo mund të ndikonte veçse te mendjelehtët, të cilët ishin të verbuar nga të mirat e kësaj bote dhe pushteti i atyre mjeranëve. Madje, të humbur ishin pikërisht ata, që refuzuan Shpalljen e Zotit. Të humbur ishin ata, të cilët gdhendnin puta me duart e tyre, dhe pastaj i adhuronin si zota, duke iu flijuar kurbane dhe duke iu kushtuar adhurime, që i meriton veçse Allahu i Madhërishëm. Edhe ajo pak logjikë që mund të kenë në kokë idhujtarët nuk u vlen aspak. Ata nuk do të kenë asnjë lloj arsyetimi para të Madhërishmit në Ditën e Llogarisë. Kështu, edhe të çmendurit janë në pozicion më të mirë se ata. Por Nuhu ﷺ përsëri, me dhembshurinë dhe butësinë e tij u tha: - “Ai u tha: “O populli im! Unë nuk jam aspak i përhumbur ...” - Jo, nuk jam i humbur apo i gabuar në këto që po ju them, por jam tërësisht i udhëzuar nga Allahu i

Madhëruar. Udhëzimi i Nuhut ishte i një niveli të lartë, madje edhe mes profetëve. Një udhëzim i tillë iu dhurua pesë profetëve më të zgjedhur të të gjithë kohërave. - “... por jam një i dërguar prej Zotit të botëve.” - Unë jam i dërguari i Atij që është Zoti im, i juaji dhe i të gjitha krijesave. Unë jam i dërguari besnik i Atij që përkujdeset dhe rregullon çështjet e krijesave. Përkujdesi më i madh dhe më i rëndësishëm që Allahu ka treguar është pikërisht dërgimi i profetëve, që t’i udhëzonin robërit në rrugën e mbarë e t’u mësonin atyre çdo gjë të nevojshme, që mundëson lumturinë në të dyja jetët. Ata u mësuan popujve se ç’janë veprat e mira, ç’është morali i lartë, ç’është besimi i pastër dhe i drejtë dhe çfarë janë veprat e këqija e besimet e kota. - “Unë po ju kumtoj juve Shpalljen e Zotit tim, po ju këshilloj dhe di nga Zoti im diçka që ju nuk e dini.” - Detyra ime është komunikimi i qartë i Shpalljes së Zotit tim, komunikimi i njëshmërisë së Zotit në çdo aspekt, si dhe shtjellimi qartësisht i urdhëresave dhe ndalesave të Tij. Këtë mision e kam për detyrë ta bëj sa më mirë, me dhembshuri e dashamirësi për ju. Zoti i Madhëruar më ka dhuruar një dituri që ju nuk e keni, prandaj është detyrë për ju që të më bindeni dhe të më pasoni, nëse vërtet logjikoni drejt. - “Vallë, po habiteni që udhëzimi i Zotit tuaj ju ka ardhur përmes një njeriu prej jush...” - Pse çuditeni nga një fakt që nuk është aspak çudi? Nuk duhet të çuditeni aspak që këshilla prej Zotit tuaj ju erdhi pikërisht prej dikujt nga mesi juaj, të cilit ia dini origjinën, besnikërinë dhe cilësitë e tij të mrekullueshme. Kjo madje tregon përkujdesjen e madhe të Allahut të Madhëruar për ju, bujarinë e bamirësinë e Tij të pakufishme mbi ju. Ndërsa ju, në vend që ta lavdëroni dhe t’i shprehni mirënjohjen, shprehni habi! Ajo për të cilën duhet të mendoni seriozisht është fakti se ai dërgoi nga mesi juaj një burrë me një qëllim madhor: - “...për t'ju paralajmëruar që të ruheni dhe me shpresë që të mëshiroheni? ” - Ai ju paralajmëron për një ndëshkim të dhimbshëm dhe ju porosit që të merrni çdo masë për të shpëtuar prej tij. Mënyra e vetme për t’i shpëtuar këtij ndëshkimi është devotshmëria ndaj Allahut të Madhëruar haptas dhe fshehtas, është përmbushja e porosive të Tij dhe ruajtja e kufijve të Tij, me sinqeritet vetëm për Të dhe në përputhje me porositë e Tij. Nëse e bëni këtë, mbi ju do të zbresë mëshira e gjerë dhe e mrekullueshme e Allahut të Madhëruar. Por të gjitha këto fjalë kaq serioze nuk i bindën ata: - “Ata e kundërshtuan Nuhun, por Ne i shpëtuam atë dhe të gjithë ata që ishin me të në anije.” - Ishte Allahu i Madhëruar që e urdhëroi Nuhun ﷺ për ta ndërtuar këtë anije dhe për të mbartur në të nga një çift prej çdo kafshe, si dhe familjen e tij dhe gjithë besimtarët. Ashtu veproi Nuhu ﷺ dhe Allahu i Madhëruar i shpëtoi të gjithë ata që hipën në anije. Ndërsa për të tjerët, i Madhëruari thotë: - “Ndërsa ata që i mohuan Shenjat Tona i fundosëm. Ata qenë vërtet, një popull i verbër.” - Ata u treguan të verbër ndaj udhëzimit të Allahut të Lartësuar. I Madhëruari u mundësoi të shihnin dhe dëshmonin shumë shenja e mrekulli nëpërmjet robit dhe të dërguarit të tij, Nuhut ﷺ , shenja që mund të bënin të besojë çdo njeri të mençur dhe të logjikshëm, por ata u tallën dhe i morën ato si lojë, prandaj merituan atë ndëshkim të madh.

← Araf 7:63