7. Araf · Ajeti 70 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:59–7:72

Nuhu është një ndër pejgamberët e parë pas Idrizit, jetoi më së gjati dhe pati vuajtjet më të mëdha prej krerëve të atij populli, i cili u dënua me vërshimë. Sipas një varianti, në anijen e Nuhut ishin katërdhjetë burra dhe aq gra që shpëtuan e sipas një tjetre, ishin tre djemt e Nuhut dhe gjashtë të tjerë. Hudi ishte shumë më i vonshëm se Nuhu. Edhe këtë, ashtu sikurse edhe Nuhun, e përqeshi aristokracia e popullit, duke i thënë se nuk ishte i zgjuar, apo trillonte gjëra nga vetë mendja e tij. Popullin e Hudit, popullin Ad e shkatërroi stuhia e erës së fortë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:70–7:72

Allahu i Lartësuar na tregon për rebelimin, kundërvënien dhe inatin e tyre kundër Hudit (a.s.). - Ata thanë: “Paske ardhur që të adhurojmë vetëm Allahun e ta braktisim atë që adhuronin prindërit tanë?! Bëje realitet kërcënimin tënd, nëse thua të vërtetën!”. - Kjo i ngjan fjalës së idhujtarëve kurejshë: “Kujto si thanë ata: “O Allah! Nëse ky (Kur'an) është vërtet prej

Teje, lësho mbi ne rrebesh gur rësh nga qielli, ose na jep ndonjë dënim të rëndë!”.” [Enfal 32]. Ibn Is'haku dhe të tjerë kanë përmendur se populli i Hudit (a.s.) adhuronin idhujt. Një prej atyre idhujve quhej Samid, një tjetër që quhet Samud e një tjetër që quhej El Huna. - Ai tha: “Mbi ju tashmë ka rënë dënimi dhe zemërimi i Zotit tuaj. - Me këto fjalë, ju merituat zemërimin e ndëshkimin nga Zoti juaj. - A polemizoni me mua për disa emra, që vetë ju dhe prindërit tuaj i keni vënë e për të cilët Allahu nuk ka shpallur asnjë fakt? - Vallë, po polemizoni me mua rreth këtyre idhujve, që ju vetë dhe prindërit tuaj i emërtuat dhe i konsideruat si zota që duhen adhuruar, ndërkohë që ata nuk mund të sjellin as dëm e as dobi dhe kur Allahu nuk ju ka dhënë ndonjë argument për adhurimin e tyre?! - Prisni, atëherë se edhe unë jam duke pritur bashkë me ju!”. - Ky është një paralajmërim dhe kërcënim i frikshëm dhe i pakthyeshëm, që Profeti i drejton popullit të tij. I Lartësuari thotë më pas se ai kërcënim u përmbush: - Me mëshirën Tonë, Ne i shpëtuam Hudin dhe të gjithë besimtarët që ishin me të, dhe ua premë rrënjët atyre që kundërshtuan argumentet Tona dhe nuk ishin besimtarë. - Allahu i Lavdëruar na ka treguar mënyrën se si u shkatërruan ata, në vende të tjera në Kur'an. Ai na ka treguar se dërgoi mbi ta një furtunë shkatërruese: “(Kujto) Edhe Adin, kur Ne lëshuam kundër tyre furtunën shkatërrimtare, që nuk la gjë pa e shndërruar në mbeturinë.” [Dharijat 41 - 43]. Gjithashtu: “Ndërsa Adi u shkatërrua me një stuhi të fuqishme e të zhurmshme, që Ai e lëshoi kundër tyre shtatë net e tetë ditë rresht. Sikur t’i shihje njerëzit që shembeshin përdhe, si të ishin trungje hurmash të zgavruara! A e gjen ndonjë që ka mbetur prej tyre?” [Hakka 6 - 8]. Kështu, kur ata u rebeluan dhe u treguan tiranë e kryeneçë, Allahu i Lavdëruar u lëshoi një erë shkatërrimtare, me zhurmë tmerruese. Aq e furishme ishte ajo, saqë e merrte secilin prej tyre, e ngrinte lart në qiell, dhe pastaj e përplaste me forcë me kokë në tokë, duke ia thyer kafkën e duke ia ndarë skeletin nga trupi. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë: “Sikur t’i shihje njerëzit që shembeshin përdhe, si të ishin trungje hurmash të zgavruara!”. Muhamed Ibn Is’haku ka thënë: “Ata jetonin në Jemen, diku mes Umanit dhe Hadrameutit. Ata ishin përhapur shumë, duke nënshtruar banorët e saj, falë fuqisë të madhe që u kishte dhënë Zoti. Me gjithë këtë forcë që u kishte falur Zoti, ata përsëri adhuronin putat, prandaj Allahu i Lavdëruar u dërgoi atyre Hudin (a.s.). Ai ishte nga një fis i zgjedhur dhe ndër më të respektuarit ndër ta. Ai i urdhëroi që ta njësonin Allahun e Lavdëruar dhe të mos adhuronin asnjë e asgjë tjetër veç Tij; i urdhëroi gjithashtu që të hiqnin dorë nga padrejtësia ndaj njerëzve. Por ata e konsideruan atë si një gënjeshtar e trillues, e refuzuan me forcë dhe thanë: “Kush është më i fortë se ne?” I Lartësuari tregon në një ajet tjetër: “Sa i përket popullit Ad, ata u treguan arrogantë në tokë kundër të vërtetës dhe thanë: “Kush është më i fortë se ne?” A nuk e dinin ata se Allahu, i Cili i krijoi, është më i fortë se ata?! Por ata vazhduan t'i refuzonin shenjat Tona.” [Fusilet 15]. Të pakët ishin ata që e pasuan Hudin me iman të pastër, madje edhe ata e fshihnin imanin e tyre. Shumica e refuzuan me forcë ftesën e Profetit të Zotit dhe i kaluan kufijtë në tokë me arrogancën e tyre, duke përhapur e shtuar shkatërrimin dhe tiraninë. Hudi (a.s.) u tha: “A po ndërtonin në çdo kodër përmendore sa për lojë?! A po ndërtoni pallate të fortifikuara, me shpresë se do të jetoni përgjithmonë?! Ndërsa kur ndëshkoni, ju ndëshkoni mizorisht. Atëherë, kijeni frikë Allahun dhe m'u bindni mua! “ [Shuara 128 - 131]. Por ata ia kthyen: “O Hud, ti nuk na solle ndonjë argument të qartë dhe ne nuk i braktisim zotat tanë për fjalën tënde dhe as nuk do të të besojmë ty. Ne themi se ndonjë prej idhujve tanë të ka goditur me ndonjë të

keqe!” Ai tha: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju që unë distancohem nga idhujt që ju adhuroni veç Tij. Mblidhuni të gjithë me komplote kundër meje e mos më jepni asnjë afat! Unë i jam mbështetur Allahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj. Nuk ka asnjë gjallesë, që Ai të mos e ketë nën sundim. Vërtet Zoti im është i Drejtë.” [Hud 53 - 56]. Era e furishme, që Allahu dërgoi mbi ta, ishte e shoqëruar me zjarr. Ajo vazhdoi shtatë net e tetë ditë rresht, pa ndërprerë. Askush prej tyre nuk mbeti gjallë. Gjatë kësaj kohe, Hudi së bashku me besimtarët që e pasuan atë, ishin veçuar në një zonë, ku u vinte veç një fllad i lehtë, që ua përkëdhelte lëkurën e u sillte kënaqësi në shpirt, ndërkohë që mohuesit vuanin tmerrin e asaj furtune, që mbushi horizontin me gurë shkatërrues të gjithçkaje. Allahu i Lavdëruar thotë: “Kur erdhi caktimi Ynë, atëherë, me mëshirën Tonë, Ne i shpëtuam Hudin, e së bashku me të, edhe ata që kishin besuar. Ne i shpëtuam ata prej një ndëshkimi të ashpër.” [Hud 58].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:65–7:72

- “Edhe tek Adët dërguam vëllain e tyre Hudin...” - Edhe në fisin e Adëve, që jetonin në zonën e Jemenit, u dërgua vëllai i tyre nga gjaku, Hudi ﷺ , që t’i urdhëronte për të adhuruar Allahun si Një të Vetëm dhe të ndaleshin nga idhujtaria, padrejtësitë dhe përhapja e gjynaheve. Ai iu drejtua popullit të tij: - “O populli im, adhurojeni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet. A nuk keni frikë (Allahun)?” - A nuk keni frikë zemërimin dhe ndëshkimin e Zotit, kur vazhdoni në rrugën tuaj të gjynaheve? Nëse nuk nënshtroheni për ta adhuruar Zotin si Një e të Vetëm dhe sipas Shpalljes së Tij, atëherë vërtet duhet t’i frikësoheni ndëshkimit dhe zemërimit të Tij. - “Paria e jobesimtarëve nga mesi i popullit të tij thanë: “Ne po të shohim se ti je një mendjelehtë. Madje ne mendojmë se ti je një gënjeshtar.”” - Ata të cilët e refuzuan ftesën e profetit të tyre, duke shpërfillur edhe argumentet e tij, thanë: “Për ne je njeri mendjelehtë dhe një gënjeshtar. Ne të gjykojmë si njeri të mefshtë dhe të palogjikshëm, që nuk di se ç’është e drejta. Ne besojmë se ti je mashtrues e gënjeshtar.” Subhan -Allah, çfarë ndodh kur realiteti tjetërsohet! Çfarë ndodh kur verbëria ndaj fakteve dhe mrekullive prek logjikën e njeriut! Ata shpifën ndaj profetit të tyre duke e akuzuar për sjellje që ishin pikërisht karakteristikë e tyre. Mendjelehtët dhe mashtruesit ishin pikërisht ata. E ku ka më mendjelehtë se ai që, të vërtetën absolute e hedh poshtë si një trillim dhe i cili e refuzon jetën sipas saj?! Këta të mjerë tregoheshin kryeneçë e mospërfillës ndaj këshilluesve dashamirës, që udhëzonin tek e mira dhe e drejta, ndërsa nga ana tjetër, nënshtroheshin me trup e me shpirt ndaj urdhrave të çdo shejtani të

shfrenuar. Ata ua dedikonin adhurimin atyre që nuk e meritonin dhe nga të cilët nuk kishin asnjë mirësi. Ishin ata mendjelehtët, që adhuronin gurë, pemë apo çdo krijesë tjetër të Zotit, dhe kundërshtonin vetë Zotin Krijues, i Cili është i vetmi që e meriton të adhurohet në qiej dhe në tokë. - “Ai tha: “O populli im! Unë nuk jam mendjelehtë, por jam i dërguar prej Zotit të botëve”.” - Unë jam i dërguari i Zotit të botëve, me udhëzim të qartë dhe me rrugën e drejtë. Unë jam dërguar që t’ju komunikoj dhe shpjegoj qartë Shpalljen e Zotit. - “Unë po ju kumtoj shpalljet e Zotit tim dhe jam këshillues i sinqertë për ju. - Unë jam këshillues dashamirës dhe i sinqertë, që dëshiron të mirën tuaj, prandaj ju duhet ta pranoni ftesën me kënaqësi dhe të jetoni në bindje ndaj Zotit të gjithësisë. - ““Vallë, po habiteni që udhëzimi nga Zoti juaj ju erdhi përmes një njeriu prej jush, si paralajmërim?” - Ju nuk duhet të çuditeni që Allahu dërgoi një burrë nga mesi juaj, të cilin ju e njihni shumë mirë dhe i cili ju tregon se çfarë ju mundëson lumturinë në të dyja jetët. Ai thjesht ju nxit që të bëni mirë dhe të ruheni nga të këqijat, prandaj nuk keni pse habiteni. Nëse ju silleni në mënyrë të tillë, atëherë kjo nuk është thjesht habi, por një mohim i qartë dhe i pajustifikueshëm. - “Kujtoni se si Ai ju bëri sundues pas popullit të Nuhut dhe jua shtoi fuqinë fizike!” - Lavdërojeni Zotin tuaj dhe shprehini mirënjohjen e plotë për të gjitha këto mirësi të pashembullta. Ai ju mundësoi pushtet të gjerë në tokë dhe ju vendosi në vendet e atyre popujve që, më herët, mohuan profetin e tyre, prandaj Allahu i shkatërroi. Zoti juaj ju vendosi në tokë për t’ju sprovuar se si do të punoni. Kini kujdes, që të mos vazhdoni me mohimin e shpalljeve të Zotit, ashtu si vepruan popujt para jush, që u shkatërruan, sepse atëherë edhe ju do të goditeni njëlloj si ata! - “Kujtoni të mirat e Allahut, që të gjeni shpëtim!” - Kujtoni mirësinë e Allahut, që ishte e veçantë për ju, duke ju dalluar nga të tjerët! Ai ju shtoi forcën fizike dhe parametrat truporë si askujt tjetër. Allahu ju pajisi me fuqi luftarake të pakrahasueshme. Mos i harroni këto mirësi e shumë të tjera, me të cilat Allahu ju dalloi! Nëse tregoheni mirënjohës, do të arrini shpëtimin dhe suksesin në dynja dhe në ahiret. Kështu, profeti Hud ﷺ e këshilloi popullin e tij për të qenë mirënjohës, për të bërë vepra të mira dhe për teuhid të pastër. Ai u kujtoi edhe një cilësi të tijën, si profet i zgjedhur dhe i sinqertë - dhembshurinë dhe dashamirësinë për popullin e tij. Pikërisht për shkak të kësaj dhembshurie dhe dashamirësie, Hudi ﷺ i paralajmëroi që të mos e shpërfillnin ndëshkimin e rëndë të Zotit, në mënyrë që të mos ndëshkoheshin edhe ata ashtu si popujt para tyre. Por me gjithë këto këshilla të mrekullueshme dhe pavarësisht mirësive të shumta të Zotit që profeti u kujtoi, ata nuk pranuan t'i përgjigjeshin ftesës. - “Ata thanë: “Paske ardhur që të adhurojmë vetëm Allahun e ta braktisim atë që adhuronin prindërit tanë?!” - Duke shprehur një habi të pakuptueshme ndaj ftesës së Profetit dhe duke e bërë të qartë se ishte tërësisht e pamundur që t’i bindeshin atij, thanë: “Paske ardhur që të adhurojmë vetëm Allahun e ta braktisim atë çka adhuronin prindërit tanë?!”Allahu i poshtëroftë dhe i shëmtoftë! Atë që është e vërteta më e madhe dhe e vërteta e detyrueshme për t’u besuar, ata e hodhën poshtë, për shkak të besimit të kotë dhe qesharak që kishin trashëguar nga të parët e tyre. Ata zgjodhën idhujtarinë e shëmtuar të të parëve të tyre të humbur kundrejt ftesës së profetëve, që ftonin njerëzimin në adhurimin e Allahut si një Zot i Vetëm dhe i Pashoq. Ata zgjodhën ta mohonin profetin e tyre kur thanë: - “Bëje realitet kërcënimin tënd, nëse thua të vërtetën!” - Në fakt, ky qe fillimi i ndëshkimit të tyre. Ata i kërkuan Profetit, madje në formë sfide, që ta bënte realitet ndëshkimin e paralajmëruar, duke treguar në këtë mënyrë se ata nu k e besonin

mesazhin që Profeti përcillte prej Zotit. Atëherë, Hudi ﷺ u tha: - “Ai tha: “Mbi ju tashmë ka rënë dënimi dhe zemërimi i Zotit tuaj.” - Ndëshkimi tashmë është bërë i pashmangshëm, sepse janë plotësuar të gjitha shkaqet e tij. Çasti i zbatimit të dënimit është shumë pranë. - “A polemizoni me mua për disa emra, që vetë ju dhe prindërit tuaj i keni vënë....” - Si është e mundur që ju polemizoni me mua për gjëra të paqena, për puta e statuja që ju i quani perëndi, por që nuk kanë asnjë lidhje me madhështinë dhe pushtetin? Ata nuk zotërojnë asnjë thërrmijë pushteti në qiej e as në tokë. Ata janë thjesht emra, që ju dhe të parët tuaj i keni shpikur. Ju nuk keni asnjë argument nga Zoti për ta. - “...e për të cilët Allahu nuk ka shpallur asnjë fakt?” - Nëse ata do të kishin vërtet diçka hyjnore, Allahu do të kishte sjellë ndonjë argument mbështetës për ta. Fakti që Allahu i Madhëruar nuk ka shpallur asnjë lloj argumenti të tillë dëshmon se ata janë të pavërtetë dhe thjesht trillime. Nuk ka çështje që u nevojitet krijesave, - e sidomos kur bëhet fjalë për çështje madhore, sikurse është adhurimi dhe i adhuruari, - që Allahu i Madhëruar të mos e ketë sqaruar në shpalljet e tij. Për çështje të tilla, Ai ka sjellë argumente të qarta dhe fakte të pamohueshme. - " Prisni, atëherë se edhe unë jam duke pritur bashkë me ju!” - Prisni ndëshkimin e paralajmëruar të Plotfuqishmit, që është gati të godasë ashpër mbi ju. Edhe unë do të pres së bashku me ju, por ka një ndryshim të madh mes nesh. Ju prisni t'ju godasë ndëshkimi i të Madhërishmit, ndërsa ne presim fitoren, çlirimin dhe shpërblimin bujar prej Tij. Edhe i Madhëruari bën dallimin mes dy grupeve, duke thënë më pas: - “Me mëshirën Tonë, Ne i shpëtuam Hudin dhe të gjithë besimtaët që ishin me të...” - I Gjithëmëshirshmi i shpëtoi Hudin ﷺ dhe të gjithë besimtarët që ishin me të, me mëshirën e Tij. Ishte pikërisht Allahu që i udhëzoi ata në fenë e drejtë, dhe kështu ata fituan mëshirën e Tij dhe shpëtuan nga ndëshkimi i Tij. - “...dhe ua premë rrënjët atyre që kundërshtuan Argumentet Tona dhe nuk ishin besimtarë.” - Ndëshkimi i ashpër nuk la gjallë asnjë prej tyre. I Madhëruari dërgoi mbi ta një furtunë shkretuese, e cila kudo që kalonte e çdo gjë që prekte e shndërronte në pluhur e rërë. Kështu, ata u shfarosën dhe më pas ngelën vetëm rrënojat e vendbanimeve të tyre. Ky qe përfundimi i atyre që u paralajmëruan dhe iu paraqitën shumë argumente bindëse, por ata i shpërfillën dhe i mohuan. Ata nuk denjuan të respektonin shpalljet e Allahut duke u bindur e duke i zbatuar ato. Ata u urdhëruan të përqafonin fenë e drejtë, por rrefuzuan me arrogancë e shpërfillje, prandaj morën atë ndëshkim poshtërues. Në suren Hud, i Madhërishmi thotë: “Ata u përcollën me mallkim si në këtë botë, ashtu edhe në Ditën e Gjykimit. Le të dihet, Adët mohuan Zotin e tyre. Qofshin të shkatërruar Adët, populli i Hudit!" [Hud 60]. Ndërsa në këtë ajet thotë: - “...dhe ua premë rrënjët atyre që kundërshtuan Argumentet Tona dhe nuk ishin besimtarë.” - Ata nuk kishin aspak besim në zemër, por mohonin me këmbëngulje e mendjemadhësi dhe përhapnin shkatërrimin.

← Araf 7:70