7. Araf · Ajeti 73 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:73–7:93
Edhe Salihu, sikurse edhe pejgamberët para tij, ishte i dërguar ta udhëzojë popullin në besim të drejtë, në besim në një Zot. Mrekullia e Salihut ishte deveja, mirëpo, edhe në popullin e tij pati asi kryelartë, të cilët edhe i refuzuan udhëzimet e pejgamberit e edhe penguan të tjerët, andaj si masë ndëshkuese i kapi një tërmet me një krismë dhe i la të shtanguar.
Popullin e Lutit Zoti e shkatërroi me gurëzim nga qielli që binte si shi. U shkatërrua edhe bashkëshortja e tij, e cila nuk besoi dhe nuk i vlejti asgjë ajo që ishte grua e pejgamberit.
Edhe Shuajbit, sikurse edhe Salihut dhe Lutit, i erdhi keq pse populli i tij nuk pranoi mësimet e Zotit dhe nuk u ndal nga punët e këqija. Megjithatë, ata e kryen detyrën e vet në mënyrë shumë të njerëzishme e edukative.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:73–7:78
Dijetarët e tefsirit dhe të gjeneaologjisë thonë se Themudi ishte biri i Athirit, birit të Iremit, ky i biri i Samit, e ky i biri i Nuhit. Ai ishte vëllai i Xhedisit, birit të Athirit. Po kështu edhe fisi i Tasimit. Të gjithë këta ishin fise nga arabët e hershëm ( arab el âribe), përpara kohës së Ibrahimit. Themudi ishte një popull, që erdhi pas Adëve. Vendbanimi i tyre është i njohur, diku mes Hixhazit dhe Shamit, duke u shtrirë deri në Uâdil Kurâ e rreth e rrotull saj. Profeti i Allahut kaloi nëpër vendbanimet e tyre gjatë rrugës për në Tebuk, në vitin e nëntë pas hixhretit. Imam Ahmedi sjell rrëfimin nga Ibn Amiri, i cili ka thënë: 1203. “Gjatë rrugës për në Tebuk, Profeti qëndroi së bashku me njerëzit në zonën e El Hixhrit, pranë vendbanimeve të Themudit. Njerëzit morën ujë nga puset, në të cilat pinte populli i Themudit, zunë brumë me atë ujë dhe vendosën kazanët për të gatuar. Profeti i Allahut i urdhëroi që t’i derdhnin ato kazane, si edhe që brumin e zënë me atë ujë t’ua hidhnin si ushqim deveve. Pastaj i urdhëroi të lëviznin nga ai vend dhe të vendoseshin pranë pusit nga i cili pinte deveja e Salihut. Ai i ndaloi që të futeshin në vendbanimet e pupullit të ndëshkuar nga Allahu, duke u thënë: “Unë kam frikë se do t’ju godasë ajo gjë që i goditi ata, prandaj mos hyni në ato vendbanime!” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Umeri, se Profeti i Allahu t ka thënë: 1204. “Mos hyni në vendbanimet e të ndëshkuarve! Nëse nuk qani kur hyni në to, atëherë mos hyni në to, që të mos ju godasë ajo që i goditi ata!” Ky hadith është sjellë në dy Sahih-ët, me versione të ndryshme.
- Te populli i Themudit dërguam vëllanë e tyre, Salihun. - Ky është Profeti, të cilin Ne e dërguam tek populli i Themudit. - Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, (që meriton të adhurohet) . - Kjo ka qenë ftesa e të gjithë profetëve të Allahut. Ata ftuan në adhurimin e Allahut si një të vetëm e të pashoq, siç ka thënë i Lavdëruari: “ Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Meje, prandaj vetëm Mua më adhuroni!” . [Enbija 25], ose: “Ne çuam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni (tagutit) shejtanëve (adhurimit të tyre)!”...” [Nahl 36]. - Tani ju ka ardhur argument i qartë nga Zoti juaj. Kjo deve është Shenjë për ju. Lëreni atë të lirë të kullotë në tokën e Allahut dhe kini kujdes të mos e lëndoni aspak, sepse pastaj do të pësoni një dënim të dhembshëm”. - Tashmë ju kanë ardhur fakte e argumente të pakundërshtueshme nga Allahu, që tregojnë për vërtetësinë e mesazhit që ju solla nga Ai. Në fakt, ishte vetë populli i Salihut që kërkoi atë mrekulli. Ishin ata që i kërkuan Salihut të nxirrte nga një shkëmb, - të cilin e caktuan po ata, - një deve barrsë, madje gati për të lindur. Salihu, nga ana e tij, u kërkoi që t’i premtonin se do ta besonin dhe pasonin atë. Pas kësaj, Profeti Salih iu lut Allahut të Lartësuar dhe Krenar që t’ia jepte këtë mrekulli. Atëherë, shkëmbi lëvizi u ça dhe prej tij doli një deve barrsë dhe pa të meta. Brenda barkut të saj dallohej barra, që lëvizte dhe gati për të lindur, pikërisht ashtu siç e kishin kërkuar. Atëherë, i pari i tyre Xhundeu Ibn Amri, dhe ata që ishin me të e besuan Salihun. Edhe pjesa tjetër e fisnikëve të Themudit dëshironin që të pranonin besimin, por ata i pengoi Dheuab Ibn Amër Ibn Lebidi, El Hababu, i cili ishte kujdestari i idhujve të tyre, dhe Rabab Ibn Sar Ibn Xhelhes. Xhundeu Ibn Amri kishte një djalë xhaxhai, që quhej Shihab Ibn Halife Ibn Muhalat Ibn Lebid Ibn Hiras, një ndër fisnikët e njohur të Themudit dhe nga më të respektuarit e tyre, i cili shprehu dëshirën që të pranonte besimin. Por grupi i refuzuesve e penguan dhe ai iu bind atyre. Deveja, bashkë me të voglin e saj, qëndruan mes tyre për njëfarë kohe. Pusi i ujit ishte një ditë i gjithi për të dhe ditën tjetër ishte për njerëzit. Megjithatë, ditën kur nuk merrnin ujë nga pusi, njerëzit pinin nga qumështi i saj, duke mbushur sa të dëshironin prej enëve të tyre, siç tregon Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Ne do t’u dërgojmë devenë si sprovë, por ti vetëm vështroji me durim! Lajmëroi ata se uji është i ndarë për ta veç e veç, e secili do të paraqitet për të pirë sipas rregullit.” [Kamer 28, 29]. Gjithashtu: “Ai tha: “Ja, kjo është një deve. Ajo do të pijë (ujë) në një ditë të caktuar, kurse ju në një ditë tjetër. Dhe mos e prekni për ta dëmtuar, se do t’ju godasë dënimi i Ditës së Madhe!” [Shuara 155, 156]. Deveja kulloste në një luginë. Kur shkonte për të kullotur, futej në një shteg, ndërsa kur kthehej, kalonte në një shteg tjetër më të gjerë, që të mund ta nxinte, sepse pinte aq shumë ujë, saqë edhe trupi i zmadhohej. Siç thuhet, ajo kishte një trup shumë të madh dhe një pamje të mrekullueshme. Kur kalonte pranë bagëtive të tjera, ato largoheshin prej saj. Megjithatë, pas njëfarë kohe, kur mosbesimi dhe rrefuzimi ndaj Salihut u shtua në zemrat e tyre, ata vendosën ta vrisnin devenë, në mënyrë që ta shfrytëzonin ujin e pusit çdo ditë për veten e vet. - Pastaj e therën devenë, duke shkelur me arrogancë urdhrin e Zotit të tyre dhe thanë: “O Salih! Hajde e bëji realitet kërcënimet e tua, nëse je vërtet i dërguar (i Allahut)!”. - Është treguar se ata ranë dakord që të gjithë për vrasjen e saj. Katadja rrëfen: “Më është treguar se ai që e vrau devenë i vizitoi të gjithë dhe mori miratimin e tyre për vrasjen e saj, madje edhe nga gratë, edhe nga fëmijët në shtëpitë e tyre.” Kjo është pikërisht ajo që kuptohet drejtëpërdrejt nga ajeti, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Por ata nuk e besuan dhe e
therën atë. Atëherë, Zoti i tyre ua rreshtoi ndëshkimet, për shkak të gjynahut të tyre dhe i rrafshoi.” [Shems 14]. Domethënë, ky krim iu njoh të gjithë fisit, gjë kjo që tregon se të gjithë e miratuan dhe ranë dakord për këtë krim. Sidoqoftë, Allahu është më i ditur. Pasi e bënë këtë krim, duke therur devenë, lajmi i shkoi Salihut (a.s), i cili i gjeti ata të tubuar në një vend bashku. Kur pa që kishin therur devenë, qau dhe tha: “Kënaquni në shtëpitë tuaja për tri ditë (para dënimit tuaj)! Ky është një kërcënim i vërtetë e jo gënjeshtër!” [Hud 65]. Ata e vranë devenë ditën e mërkurë. Në mbrëmjen e asaj dite, një grup prej 9 vetash u betuan dhe vendosën për të vrarë Salihun. Allahu i Lartësuar thotë: “Në qytet ishin nëntë veta që bënin shkatërrime në tokë dhe nuk donin të përmirësonin. Ata thanë: “Të betohemi në Allahun, se do ta vrasim atë dhe familjen e tij gjatë natës, dhe pastaj do t’u themi të afërmve të tij: “Ne nuk morëm pjesë në vrasjen e familjes së tij dhe ne po themi të vërtetën.” Ata përgatitën një kurth, por edhe Ne u bëmë një kurth dhe ata nuk e dinin.” [Neml 49 - 51]. Pasi vendosën dhe bënë përgatitjet për të zbatuar këtë plan, ata u nisën natën, për të vrarë Profetin e Allahut. Por e gjithë krenaria dhe ngadhënjimi i takojnë Allahut dhe është Ai që i bën profetët e Tij të ngadhënjejnë mbi çdo armik. Kështu, Allahu i Lartësuar dërgoi mbi ta një rrebesh gurësh dhe i shtypi, duke i bërë ta vuanin ndëshkimin përpara popullit të tyre. Kur agoi dita e enjte, e cila ishte dita e parë pas kërcënimit që u drejtoi Profeti, fytyrat e tyre u zverdhën, siç i pati kërcënuar Salihu (a.s). Me agimin e ditës së xhuma, dita e dytë e kërcënimit, fytyrat e tyre u skuqën. Ndërsa kur agoi dita e shtunë, - pra, dita e tretë, - fytyrat e tyre ishin nxirë. Tashmë ishin duke pritur agimin e ditës së katërt, pra, ditën e diel. Ata ishin bërë gati dhe po prisnin zemërimin dhe ndëshkimin e Allahut, që na ruajtë nga ky ndëshkim! Ata ishin thellësisht të dëshpëruar, sepse nuk e dinin se ç 'do bëhej me ta dhe as mënyrën se si do t’u vinte ndëshkimi. E kështu, ende pa lindur dielli, atyre u erdhi një britmë e fortë nga qielli dhe një tronditje e fuqishme nga poshtë, nga tmerri i të cilës u dolën shpirtrat dhe dhanë frymën të gjithë në një çast të vetëm. Allahu i Lartësuar tregon: - Kështu tërmeti i përfshiu papritur dhe në mëngjes u gdhinë në shtëpitë e tyre kufoma. - U gdhinë të shtrirë, të vdekur dhe të ftohur. Askush nuk shpëtoi prej tyre, as i madh, as i vogël, as mashkull e as femër. Thuhet se vetëm një grua, e cila nuk mund të ecte me këmbët e saj, - quhej Kilbete Ibn Selek, por e thërrisnin El Dheria, - ishte një mohuese dhe armike e ashpër dhe e përbetuar e Salihut. Kur pa ndëshkimin, i erdhën këmbët dhe ajo u ngrit e vrapoi me një shpejtësi të paparë, derisa arriti në një popull tjetër. Atje u tregoi atyre se çfarë kishte parë dhe çfarë kishte ndodhur me popullin e saj. Pastaj u kërkoi ujë për të pirë dhe pasi piu, vdiq. Thuhet, gjithashtu, se një burrë, që quhej Ebu Ragal , ishte brenda zonës së Haremit 53 në kohën kur populli i tij mori ndëshkimin, prandaj ai nuk u prek
në atë moment. Megjithatë, ditën kur doli jashtë zonës të Haremit, atij i erdhi një gur nga qielli dhe e vrau. Sidoqoftë, Allahu është më i ditur!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:73–7:79
- “Te populli i Themudit dërguam vëllanë e tyre, Salihun...” - Themudët ishin një popull i njohur që jetonin në El Hixhër, zonën rreth Hixhazit, në Gadishullin Arabik. Allahu i Madhëruar dërgoi tek ata profetin Salih (a.s.), i cili i ftoi në monoteizëm dhe për largim nga idhujtaria. - “...Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet.” - Ftesa e profetit Salih (a.s.) ishte e njëjtë me atë të të gjithë vëllezërve të tij profetë: të adhurohet vetëm Allahu si Zot, sepse vetëm Ai e meriton të adhurohet me sinqeritet. Për këtë çështje kaq të rëndësishme, ai u solli atyre fakte e argumente të shumta nga Allahu i Madhërishëm. - “Tani ju ka ardhur argument i qartë nga Zoti juaj.” - I Madhëruari u solli një ngjarje të jashtëzakonshme, një mrekulli të madhe. Ajo ishte një shenjë qiellore, që nuk mund të vinte prej njeriut. Pastaj Profeti shpjegoi se çfarë ishte kjo mrekulli prej Zotit: - “Kjo deve është Shenjë për ju.” - Kjo ishte një deve e mrekullueshme dhe tejet e rëndësishme, aq sa i Madhëruari e quajti "nakatull-llahi" "deveja e Allahut". Ajo shërbente si një shenjë madhështore e vërtetësisë së Shpalljes së Zotit dhe sinqeritetit të Profetit të Tij Salih. Allahu i Madhëruar urdhëroi që kjo deve të trajtohej në mënyrë të veçantë. Kështu, në një ajet tjetër tregohet: “Ai tha: “Kjo është deveja. Ajo do të pijë në një ditë të caktuar, kurse ju një ditë tjetër.” Ata kishin një burim me ujë të bollshëm, që edhe sot njihet si Burimi i Devesë. Ata u urdhëruan që atë burim një ditë ta përdornin ata dhe një ditë tjetër të ishte tërësisht në shërbim të devesë. Megjithatë, ditën që ata nuk do të merrnin ujë prej burimit, mund të ushqeheshin me qumështin e asaj deveje të begatshme. Përveçse si mrekulli, kjo do të shërbente edhe si shenjë kujtuese për detyrimet ndaj Zotit dhe bindjen ndaj Tij. Profeti i porositi ata duke u thënë: - “Lëreni atë të lirë të kullotë në tokën e Allahut dhe kini kujdes të mos e lëndoni aspak, sepse pastaj do të pësoni një dënim të dhembshëm!” - Ju nuk jeni të detyruar që të siguroni ushqimin e saj. Thjesht, lëreni të hajë në tokën e Zotit dhe mos e lëndoni. Nëse e dëmtoni atë, mbi ju do të godasë dënimi i dhembshëm i Zotit të Plotfuqishëm. - Dhe kujtoni kur Ai ju bëri sundues pas Adëve dhe ju dha vendbanime në tokë! Nëpër rrafshina ju ndërtuat kështjella, kurse nëpër male gdhendët shtëpi. - Kujtoni mirësinë e Zotit tuaj mbi ju, kur ju mundësoi të lëvizni e shfrytëzoni tokën e Tij. Ai ju dha sundim të plotë në tokën që më parë i takonte popullit të fuqishëm dhe të pashembullt të Adëve, të cilët i Plotfuqishmi i shkatërroi dhe shfarosi. Allahu ju vendosi në tokë dhe ju mundësoi çdo rrugë e mjet për të lëvizur në të dhe për të shfrytëzuar hapësirat e saj. Në fushat e bukura ju ngritët kështjella të larta dhe të fortifikuara. Ndërsa malet e larta ju i gdhendët, duke i bërë shtëpi. Edhe sot e
kësaj dite kanë mbetur shumë gjurmë të këtij populli të habitshëm, siç janë shtëpitë e tyre të gdhendura në faqet e maleve, dhe ashtu do të mbesin, për sa kohë do të jenë malet, si dëshmi për njerëzit. - “Kujtoni të mirat e Allahut e mos u bëni shkatërrimtarë në tokë!”. - Kujtoni mirësitë e panumërta të Allahut, pushtetin, forcën, rizkun dhe begatitë, që Ai ju dhuroi! Mos përhapni shkatërrim në tokën e Tij! Dijeni se toka shkatërrohet me gjynahe e mosbindje ndaj Zotit! Gjynahet i largojnë dhe i shkatërrojnë mirësitë që zotëron njeriu. Prandaj ruajini këto mirësi, duke qenë mirënjohës për to dhe duke e shprehur mirënjohjen përmes bindjes ndaj Zotit dhe adhurimit të Tij si Një i vetëm! - “Krerët arrogantë të popullit u thanë atyre që i konsideronin më të dobët e që kishin besuar: “A e dini vërtet se Salihu është i dërguar i Zotit të tij?” - Paria e popullit të Themudëve, të cilët u treguan kryeneçë ndaj të vërtetës, u thanë disa fjalë njerëzve të dobët e pa mbështetje. Por duke qenë se jo të gjithë të dobëtit dhe të varfrit pa mbështetje ishin besimtarë, i Lartësuari e përcakton se ata iu drejtuan atyre të dobtëve dhe të varfërve që e kishin besuar Profetin dhe Shpalljen e Tij. Kështu, ata iu drejtuan këtij grupi besimtarësh duke i pyetur: “A e dini me siguri se Salihu është i dërguar nga Zoti? A jeni të bindur se Salihu është i sinqertë, apo është mashtrues?” Përgjigjja e besimtarëve ishte: - “Ata thanë: “Po, ne besojmë në mesazhin e tij.”.” - Ne e besojmë me siguri të plotë mesazhin që ai sjell nga Allahu i Madhëruar. Ai na fton në adhurimin e Allahut si Një Zot i Vetëm dhe i Pashoq, përmes zbatimit të urdhëresave të Tij dhe largimit nga ndalesat e Tij. Çdo kumt që ai e sjell prej Zotit ne e besojmë dhe jemi të bindur për vërtetësinë e tij. - “Kryeneçët thanë: “Ne nuk e besojmë atë që besoni ju.”.” - Ata i pengoi mendjemadhësia, që të besonin dhe t’i nënshtroheshin të vërtetës, të cilën e besuan njerëzit e thjeshtë. Për këtë arsye, ata ndërmorën ato veprime të shëmtuara, që do të sillnin më pas ndëshkimin e rëndë mbi ta: - “Pastaj e therën devenë, duke shkelur me arrogancë urdhrin e Zotit të tyre....” - Ata e therën dhe e gjymtuan devenë, për të cilën ishin urdhëruar që të mos e lëndonin asnjë grimë, sepse në të kundërt i priste një dënim i dhembshëm. Në këtë mënyrë, ata treguan arrogancën dhe ngurtësinë e zemrave të tyre kundrejt urdhëresave të Allahut të Madhëruar, duke merituar një ndëshkim, që askush tjetër më parë nuk e kish provuar. Përveç shkeljes së urdhrit të Zotit, ata, paturpësisht dhe si për ta sfiduar Profetin e Zotit, thanë: - “dhe thanë: “O Salih! Hajde e bëji realitet kërcënimet e tua, nëse je vërtet i dërguar (i Allahut)!” - Të mjerët ata! As që i kushtuan rëndësi krimit që bënë, përkundrazi, të fryrë me mendjemadhësinë e tyre, guxuan t’i thoshin Profetit të tilla fjalë të poshtra. Atëherë, Profeti i Zotit, sikurse përmendet në një ajet tjetër, iu përgjigj: “Dëfreni në vendin tuaj për tri ditë! Ky është një kërcënim që nuk mund të
hidhet poshtë.” [Hud 65]. E cili qe përfundimi i tyre? Thotë i Madhëruari: - “Kështu tërmeti i përfshiu papritur dhe në mëngjes u gdhinë në shtëpitë e tyre kufoma. - Në mëngjes, ata u gdhinë të gjunjëzuar si kufoma të ngrira. Kështu, Allahu i Madhërishëm i shfarosi të gjithë, pa lënë asnjë gjallë. Pas këtij ndëshkimi, profeti Salih u ktheu shpinën dhe, duke dënuar mohimin e tyre, tha: - “Ai (Salihu) u ktheu shpinën atyre dhe u tha: “O populli im! Unë jua kumtova mesazhin e Zotit tim, ju këshillova sa munda, por ju nuk i përfillët këshilluesit.”. - Unë jua komunikova qartë, me dashamirësi e përkushtim të gjithë mesazhin e Zotit për ju. Unë shfrytëzova çdo mundësi për t’ju sjellë në udhën e mbarë dhe në fenë e drejtë. Por ju nuk i donit e as i përfillnit këshilluesit, që ju ftonin në mirësi e mbarësi. Ju iu bindët Shejtanit të mallkuar, që është rebeluar ndaj Zotit dhe rrugës së Tij. Shumë komentues të Kur'anit përmendin hollësira të tjera në këtë histori, që në fakt janë marrë nga trashëgimia hebraike. Për shembull, thuhet se deveja, e cila ishte mbarsë, doli prej një shkëmbi, dhe ata e panë me sy këtë. Kjo ishte pikërisht mrekullia që vetë ata ia kishin propozuar profetit Salih. Thuhet se, kur ata e therën devenë, i vogli i saj, pasi pëlliti tri herë, u hap mali dhe ai hyri brenda në të. Gjithashtu, thuhet se pas kundërshtimit të tyre, Salihu u tha si shenjë të ardhjes së ndëshkimit se, ditën e parë, fytyrat e tyre do të zverdheshin, ditën e dytë do të skuqeshin dhe në ditën e tretë do të nxiheshin. Sipas këtyre gojëdhënave, pikërisht ashtu ndodhi. Gjithsesi, këto të dhëna vijnë nga hebrenjtë, prandaj mendojmë se nuk ka pse ato të përdoren si shpjeguese të Kur 'anit. Në Librin e Zotit nuk ka ndonjë fakt që të dëshmojë saktësinë e këtyre historive. Nëse ato do të ishin të sakta, patjetër që do t’i kishte përmendur i Madhëruari në ndonjë mënyrë apo një tjetër. Aq më tepër që në to përmenden shenja madhështore, të cilat i Madhëruari kurrsesi nuk do t’i anashkalonte duke mos na i treguar. Vetë madhështia e këtyre mrekullive të pretenduara nuk e lejon që dëshmitë për to të vinin në rrugë të pasigurta. Madje, disa prej tyre Kur'ani i mohon. Për shembull, rrëfimin që fytyrat e tyre do të ndryshonin ngjyrë në tri ditë e hedh poshtë fakti që Salihu u tha: "Kënaquni në vendin tuaj tri ditë rresht". Domethënë, fytyrat e tyre jo vetëm që nuk ndryshuan duke u zverdhur, skuqur apo nxirë, por përkundrazi, ata u kënaqën për tre ditë rresht, duke e shpërfillur kërcënimin e Zotit. Kur'ani është mëse i mjaftueshëm për të vërtetën, prandaj nuk ka nevojë për tregime të cilëve nuk iu dihet filli dhe saktësia. Nga ana tjetër, nëse vjen një rrëfim i përcjellë me saktësi prej profetit Muhamed ﷺ ,që kurrsesi nuk mund të bjerë ndesh me Librin e Zotit, ai është mëse i pranueshëm dhe shërben si shpjegues i tij. Madje, është vetë Kur'ani që na udhëzon për t’u mbështetur fort në Traditën e Profetit ﷺ ,kur thotë: "Çfarë t’ju japë Profeti, merreni, e çfarë t’ju ndalojë, largojuni prej saj dhe kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Ndëshkues i ashpër." [Hashr 7]. Edhe më parë e kemi thënë se është i palejueshëm shpjegimi i Librit të Allahut përmes Izraelijateve ose trashëgimisë hebraike, edhe pse ato lejohen të përcillen kur nuk bien ndesh me fenë tonë dhe ne nuk mund të vërtetojmë as saktësinë e as pasaktësinë e tyre. E themi këtë, sepse kumtet dhe kuptimet që përcjell Libri i Zotit duhet të jenë të sigurta, ndërsa rrëfenja të tilla nuk e plotësojnë këtë kriter. 11