7. Araf · Ajeti 80 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:73–7:93

Edhe Salihu, sikurse edhe pejgamberët para tij, ishte i dërguar ta udhëzojë popullin në besim të drejtë, në besim në një Zot. Mrekullia e Salihut ishte deveja, mirëpo, edhe në popullin e tij pati asi kryelartë, të cilët edhe i refuzuan udhëzimet e pejgamberit e edhe penguan të tjerët, andaj si masë ndëshkuese i kapi një tërmet me një krismë dhe i la të shtanguar.

Popullin e Lutit Zoti e shkatërroi me gurëzim nga qielli që binte si shi. U shkatërrua edhe bashkëshortja e tij, e cila nuk besoi dhe nuk i vlejti asgjë ajo që ishte grua e pejgamberit.

Edhe Shuajbit, sikurse edhe Salihut dhe Lutit, i erdhi keq pse populli i tij nuk pranoi mësimet e Zotit dhe nuk u ndal nga punët e këqija. Megjithatë, ata e kryen detyrën e vet në mënyrë shumë të njerëzishme e edukative.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:80–7:82

- Kujto kur Luti i tha popullit të vet: “Ç’është kjo punë e fëlliqur që po bëni, që asnjë popull në botë nuk e ka bërë para jush?” - Luti është biri i Haranit, birit të Azerit, babait të Ibrahimit. Kështu, Luti është djali i vëllait të Ibrahimit. Luti e besoi Ibrahimin si Profet të Allahut dhe që të dy emigruan në tokën e Shamit. 55 Allahu i Lartësuar e dërgoi Lutin si profet në popullin e Sodomës dhe rrethinave, për t’i ftuar në besimin e drejtë. Ai i urdhëroi për të bërë mirë dhe i paralajmëroi për të hequr dorë nga poshtërsitë që kryenin. Ata kryenin një paturpësi të paparë e dëgjuar më parë në botë, as nga njerëzit, as nga kush tjetër. Burrat josheshin e shkonin me burrat, e jo me gratë, prandaj Luti (a.s.) u tha: “Ç’është kjo vepër e fëlliqur që po bëni, që asnjë popull në botë nuk e ka bërë para jush?!” - Ju, të shtyrë nga epshi, josheni nga burrat e largoheni nga gratë. - Ju largoheni grave, që Allahu i krijoi për ju, dhe shkoni me burat! Pa dyshim, ky ishte një shfrenim i paparë e i padëgjuar. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Ata kishin kohë që bënin vepra të turpshme. Atëherë, ai tha: “O populli im! Ja ku janë bijat e mia (gratë tuaja) . Ato janë më të pastra për ju (për martesë) .” [Hud 78]. Kështu, ai i udhëzoi tek diçka mëse e natyrshme dhe e pastër, domethënë, tek gratë, që Allahu i krijoi të pastra, për këtë kënaqësi. Por ata u arsyetuan duke thënë se nuk ndienin gjë për

to: “Ata thanë: “Ti e di mirë se ne nuk kemi asnjë nevojë për bijat e tua (gratë tona). Ti, me siguri, e di shumë mirë se çfarë duam ne!” Domethënë, - thoshin ata, - ti e di mirë që ne nuk kemi asnjë ndjenjë për gratë dhe e di shumë mirë se dëshirojmë meshkujt. - Ju jeni vërtet njerëz që keni kaluar çdo kufi!” - Dijetarët e tefsirit kanë përmendur se gjendja kishte arritur në atë pikë, saqë meshkujt shkonin me meshkujt dhe femrat shkonin me femrat. - Por përgjigjja e popullit të tij qe vetëm kjo: “Dëbojini ata nga vendi! Ata janë njerëz që ruhen shumë.” - Kjo ishte përgjigjja e tyre për ftesën dhe paralajmërimet e Lutit. Ata vendosën që t’i dëbonin nga vendi Lutin e besimtarët e tjerë. Allahu i Lavdëruar e nxori Lutin nga mesi i atij populli të prishur e të shfrenuar, të cilit i dha një dënim të dhembshëm, plot me përçmim e poshtërim. Mendo pak me kujdes në fjalët e tyre kur, duke treguar shkakun përse donin t’i dëbonin Lutin dhe besimtarët, thanë: “Ata janë njerëz që ruhen shumë.”. Katadja shpjegon: “Ata quajtën mangësi e turp diçka që nuk ishte as mangësi e as turp.” Ndërsa Muxhahidi shpjegon se kuptimi është: “Ata janë njerëz që ruhen dhe nuk iu afrohen marrëdhënieve anale me meshkujt e me femrat.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:80–7:84

- Kujto kur Luti i tha popullit të vet: “Ç’është kjo punë e fëlliqur që po bëni, që asnjë popull në botë nuk e ka bërë para jush?”” - Kujto historinë e profetit Lut (a.s.), i cili u dërgua në popullin e tij, për t’i ftuar të adhuronin Allahun si një Zot të vetëm dhe të pashoq dhe t’i ndalonte nga ajo poshtërsi e pashembullt dhe e padëgjuar më parë. Ai iu drejtua popullit të tij duke u thënë: “Ç’është kjo vepër e shëmtuar që po bëni, që asnjë popull në botë nuk e ka bërë para jush?” Aq e fëlliqur ishte, saqë çdo poshtërsi tjetër dukej e vogël para saj. Askush më parë nuk e kishte kryer një vepër të tillë. Ishin ata të parët që u shfrenuan në të tilla përmasa dhe e lanë pas si gjynah ndër të mëvonshmit. Pastaj Profeti i Zotit shpjegoi më hollësisht poshtërsinë e tyre, duke thënë: - “Ju, të shtyrë nga epshi, josheni nga burrat e largoheni nga gratë. Ju jeni vërtet njerëz që keni kaluar çdo kufi!”” - Si u largoheni femrave, të cilat i Madhëruari i krijoi për ju, në mënyrë të tillë që të josheni nga njëri -tjetri?! Si braktisni gruan, këtë krijesë të bukur, që plotëson aq mirë dhe pastër dëshirat tuaja, dhe ju tërheq diçka e pështirë dhe e ulët, që është venddalja e jashtëqitjes së trupit?! Atë që keni qejf ju të vjen turp e ndot edhe ta përmendësh, e jo më të joshesh pas saj. Kjo ndodh sepse: - “Ju jeni vërtet njerëz të degjeneruar!” - Ju i shkelni kufijtë e vendosur nga i Madhërishmi dhe me paturpësi bëni të tilla poshtërsi, të papara e të padëgjuara më parë. Por cila qe përgjigja e popullit? - “Por përgjigjja e popullit të tij qe vetëm kjo: “Dëbojini ata nga vendi! Ata janë njerëz që ruhen shumë.”” - Dëbojini, sepse ata nuk pranojnë që të veprojnë kështu si ne. Në fakt, ata i urrenin për besimin e tyre, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “ Ata i keqtrajtonin (besimtarët) sepse ata e besuan Allahun, Ngadhënjimtarin, të Lavdëruarin, të Cilit i takon sundimi i qiejve e i Tokës. Dhe Allahu është dëshmitar mbi çdo gjë! " [Buruxh 8, 9]. - “Por Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, veç së shoqes. Ajo qe nga ata që mbeti prapa.” - Gruaja e Lutit mbeti me ata që do të ndëshkoheshin. Allahu i Madhëruar e urdhëroi profetin Lut që, së bashku me familjen e tij, të largohej gjatë natës, sepse në mëngjes do të vinte ndëshkimi. Dhe Luti ashtu bëri, u largua bashkë me familjen, përveç gruas së tij, e cila mbeti me të këqijtë. - “Ne lëshuam mbi ata një rrebesh gurrësh. - Allahu i Madhëruar lëshoi mbi ta një shi me gurë të ndezur. Pastaj i përmbysi tërësisht, duke e zhdukur sipërfaqen e vendbanimit të tyre.

- “Atëherë shih si qe fundi i keqbërsve!” - Fundi i tyre ishte ndëshkim i ashpër e poshtërim i përjetshëm.

← Araf 7:80