7. Araf · Ajeti 85 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:73–7:93

Edhe Salihu, sikurse edhe pejgamberët para tij, ishte i dërguar ta udhëzojë popullin në besim të drejtë, në besim në një Zot. Mrekullia e Salihut ishte deveja, mirëpo, edhe në popullin e tij pati asi kryelartë, të cilët edhe i refuzuan udhëzimet e pejgamberit e edhe penguan të tjerët, andaj si masë ndëshkuese i kapi një tërmet me një krismë dhe i la të shtanguar.

Popullin e Lutit Zoti e shkatërroi me gurëzim nga qielli që binte si shi. U shkatërrua edhe bashkëshortja e tij, e cila nuk besoi dhe nuk i vlejti asgjë ajo që ishte grua e pejgamberit.

Edhe Shuajbit, sikurse edhe Salihut dhe Lutit, i erdhi keq pse populli i tij nuk pranoi mësimet e Zotit dhe nuk u ndal nga punët e këqija. Megjithatë, ata e kryen detyrën e vet në mënyrë shumë të njerëzishme e edukative.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:85

- Edhe në Medjen dërguam vëllanë e tyre, Shuajbin. - Medjen quhej populli dhe vendi ku ata jetonin. Ai është një vend afër Meanit, në drejtim të Hixhazit. Kur tregon historinë e Musait, i Lartësuari thotë: “ Kur u drejtua për nga Medjeni, tha: “Shpresoj që Zoti im do të më udhëzojë në rrugën e drejtë.”. Kur arriti në burimet e Medjenit, gjeti një grumbull njerëzish, që po u jepnin ujë bagëtive. “ [Kasas 23]. Ata janë të ashtuquajturit populli i Ejkes, siç do ta përmendim më pas, në dashtë Allahu! Vetëm Allahut i mbështetemi! - Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, (që meriton të adhurohet) . - Kjo është ftesa e të gjithë profetëve drejtuar popujve të tyre; teuhid i pastër nga çdo formë shirku. - Tani ju ka ardhur Shenjë e qartë nga Zoti juaj. - Shenjë e cila tregon për vërtetësinë e asaj që po ju sjell prej Tij dhe tregon vërtetësinë time si Profet i dërguar nga Zoti. Ai vijoi t’i këshillonte e paralajmëronte, që të hiqnin dorë nga padrejtësitë e shëmtuara që bënin: - Matni dhe peshoni me saktësi! Mos i nënçmoni pasuritë e njerëzve dhe mos shkaktoni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj! Këto janë më të dobishme për ju, nëse jeni besimtarë. - Kështu, ai i këshilloi që të masnin e peshonin me saktësi dhe të mos vidhnin në peshë, duke bërë hile. I Lavdëruari thotë: “Mjerë për ata që masin e peshojnë mangut, Ata që kur blejnë nga të tjerët e marrin masën e plotë, Por kur u shesin të tjerëve, e masin dhe e peshojnë mangut. A nuk mendojnë ata se kanë për t’u ringjallur në një ditë të madhe, ditën kur njerëzit do të ngrihen për të dalë para Zotit të botëve?!” [Mutaffifin 1 - 6]. Ky është një kërcënim i frikshëm dhe paralajmërim i pakthyeshëm. E lusim Allahun të na ruajë nga ndëshkimi dhe zemërimi i Tij! Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon rreth Shuajbit, i cili njihet edhe si ‘Hatibi i profetëve’, për oratorinë e tij të lartë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:85–7:93

- “Edhe në Medjen dërguam vëllanë e tyre, Shuajbin.” - Për popullin e njohur të Medjenit u dërgua profeti Shuajb, i cili ishte me ta vëlla nga gjaku. Shuajbi i ftoi ata të adhuronin Allahun e Lartësuar si Një të Vetëm dhe të Pashoq dhe, në mënyrë të veçantë, i këshillonte që të masnin dhe peshonin drejt e të mos cenonin të drejtat e njerëzve. Me butësi dhe urtësi u thoshte: - “Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet. Tani ju ka ardhur Shenjë e qartë nga Zoti juaj. Matni dhe peshoni me saktësi! Mos i nënçmoni pasuritë e njerëzve dhe mos shkaktoni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj!” - Ai i këshillonte që të mos bëheshin shkatërrues në tokë, duke bërë gjynahe dhe duke shkelur kufijtë e Allahut të Madhëruar. Zbatimi i porosive dhe ligjeve të Zotit është gjëja më e mirë për shoqërinë, sikur njerëzit të logjikonin drejt: - “Këto janë më të dobishme për ju, nëse jeni besimtarë.” - Lënia e gjynaheve dhe zbatimi i porosive të Zotit sjellin vetëm mbarësi. Kjo është më e mirë se kryerja e veprave që e zemërojnë të Madhërishmin dhe sjellin ndëshkimin e Zjarrit. - “Mos zini pusi në rrugë, mos kërcënoni...” - Mos u zini njerëzve pusi në rrugë dhe mos i kërcënoni ata për tu marë atë që u takon atyre. - “...dhe mos i pengoni nga udha e Allahut njerëzit që besojnë në Të, duke ua paraqitur si udhë të gabuar!” - Mos pengoni nga rruga e Allahut ata që duan të besojnë, duke u përpjekur ta paraqisni atë si

rrugë të keqe! Këtë e bëni thjesht të shtyrë nga pasioni për poshtërsira, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta. Ju duhet të ndiqni fenë e Allahut, të cilën Ai e vendosi për robërit e Tij, që të jetojnë sipas saj. Ajo është rruga e vetme që të çon në kënaqësinë e Allahut të Madhëruar dhe shpërblimin e përjetshëm në Xhenetin e Tij. Me fenë e Tij, Zoti dëshiron t’i mëshirojë njerëzit, prandaj ajo e meriton që të mbështetet e jo të pengohet në përhapjen e saj. Ky do të ishte mohim i mirësive të Allahut dhe shprehje e armiqësisë ndaj Tij, prandaj mos pengoni të tjerët nga rruga e Zotit! Madje duhet të përkushtoheni për të qenë mirënjohës ndaj Tij për gjithçka që ju ka dhuruar. - “Kujtoni sa pak keni qenë dhe se si Ai ju shumoi!” - Ai ju begatoi me gra dhe pasardhës të shumtë, duke ju shumuar e fuqizuar si popull i shëndetshëm. Nuk ju sprovoi me sëmundje a epidemi shfarosëse dhe as me ndonjë armik, që mund t’ju shuante apo t’ju shkulte nga vendi juaj. Përkundrazi, Zoti ju begatoi me mirësi, begati e paqe dhe ju shtoi në numër. - “Shihni si ka qenë fundi i atyre që përhapnin shkatërrimin!” - Nëse shikoni fundin e tyre, do të kuptoni se nuk u vleu aspak numri i madh dhe bashkimi mes njëri tjetrit. Ata nuk mbahen mend aspak për mirë. Në këtë jetë u mallkuan, ndërsa në jetën tjetër i pret ndëshkimi poshtërues dhe i dhembshëm. - “Disa prej jush besojnë në mesazhin që përcjell unë e disa të tjerë nuk besojnë,....” - Ata që nuk e besuan ishin shumica e popullit. - “...prandaj duroni derisa Allahu të na gjykojë! Ai është Gjykatësi më i mirë.” - Allahu ndihmon vetëm ata që janë me të vërtetën, ndërsa penguesit e saj dhe mbështetësit e kotësisë i godet me ndëshkim. - “Paria arrogante e popullit të tij tha:...” - Udhëheqësit dhe fisnikët e popullit ishin të dehur në pasionin e tyre. Kur iu paraqit e vërteta dhe u ftuan që ta pranojnë e të jetojnë sipas saj, ata e gjykuan si të papranueshme, sepse binte ndesh me dëshirat dhe shfrenimin e tyre. Kështu, me arrogancë, i drejtohen profetit Shuajb dhe i thonë: - “O Shuajb! Kthehuni në fenë tonë! Ndryshe, do t'ju dëbojmë nga qyteti - ty dhe ata që të besojnë ty.”.” - Kështu, ata demonstruan egërsi ndaj besimtarëve, duke mos pyetur për asnjë lloj norme, qoftë fetare, fisnore apo çfarëdo norme tjetër. Ata ndoqën mendjen e tyre të sëmurë. Ata e vunë Profetin dhe besimtarët para një zgjedhje të tillë: ose besoni atë që besojmë ne, ose do t’ju dëbojmë nga vendi ynë. Shuajbi (a.s.) përpiqej t’i ftonte atë në rrugën e Zotit, duke shpresuar që ata të logjikonin drejt, ndërsa ata i dhanë ultimatumin për t’u larguar nga atdheu i tyre, të cilin besimtarët e meritonin më tepër që ta gëzonin. I çuditur nga ky veprim, Shuajbi u drejtohet me ca fjalë, që t’i bënte të logjikonin si duhet. - “Ai tha: “Edhe pse e urrejmë atë?” - A t’ju pasojmë në fenë e kotë, kur ne e urrejmë atë, sepse jemi të bindur për

pavlefshmërinë e saj? Kjo është vërtet një ftesë e pakuptimtë. Në fakt, do të ishte e pranueshme që në atë fe të ftohej dikush që kishte njëfarë pëlqimi për të. Ndërsa dikush i cili e shfaq haptazi urrejtjen ndaj kësaj feje dhe besimi të pa bazë si dhe qortimin e fortë e me argument të qartë ndaj atyre që e pasojnë atë, është tejet e pa llogjikshme që të ftohet për ta pasuar atë. - “Nëse do të ktheheshim në fenë tuaj, pasi Allahu na shpëtoi prej saj, atëherë vërtet do të shpifnim gë njeshtra kundër Allahut.” - Nëse ne do të pajtoheshim me fenë tuaj, ndërkohë që Allahu i Lartësuar na shpëtoi prej saj, atëherë ne do të ishim mashtrues, që shpifin ndaj Allahut të Lartësuar. Ju jeni dëshmitarë se ne kurrë nuk kemi për ta bërë diçka të tillë. Ne jemi të bindur se nuk ka shpifje më të madhe për Allahun, sesa pretendimi se Ai ka partnerë të barabartë. Allahu është Një i vetëm dhe i pashoq, tek i Cili të gjitha krijesat kthehen dhe i luten për nevojat e tyre. Allahu është absolut në zotërimin e Tij. Ai nuk ka nevojë për fëmijë dhe bashkëshorte. Allahu është i Lartësuar, i Madhërishëm dhe nuk i ka lënë pjesë askujt në pushtetin dhe mbretërimin e Tij. - “Ne nuk mund të kthehemi kurrë në të, nëse nuk dëshiron Allahu, Zoti ynë.” - Është tërësisht e papranueshme për ata që janë si ne që të kthehen në fenë ku ju i ftoni. Kështu, Shuajbi u preu atyre çdo shpresë se mund të pasonte fenë e tyre, dhe këtë e bëri me disa mënyra. Një herë u tha se nuk e pëlqente atë besim të bazuar mbi shirk, duke e përshkruar atë si shpifje ndaj Allahut të Lartësuar. Madje, ai u deklaroi se, nëse pasonte fenë e tyre të kotë, ai do të bëhej mashtrues. Gjithashtu, profeti Shuajb deklaroi se ishte tejet mirënjohës ndaj Allahut të Lartësuar, që e shpëtoi dhe e ruajti nga besimi i tyre. Më pas, ai tha se kthimi në atë fe, pasi Allahu e kishte udhëzuar, ishte një çështje e pamundur. E si mund të kthehen në një besim të kotë ato zemra që janë të mbushura me madhërimin e Allahut të Lartësuar dhe me nënshtrim ndaj Tij?! Ato dëshmojnë se Allahu është i vetmi i Adhuruar i pashoq dhe se të gjitha adhurimet duhet t’i kushtohen vetëm Atij. Ndërsa idhujt apo perënditë e idhujtarëve janë kotësi dhe marrëzi, të cilat nuk mund të zënë vend kurrë në zemrat e besimtarëve. Ndërsa kur bëhet fjalë për pushtetin absolut të Allahut të Lartësuar, besimtarët tregohen me një edukatë dhe përunjësi të veçantë. Ata dëshmojnë se asgjë nuk del jashtë dëshirës dhe vullnetit të Allahut të Lartësuar, duke dëshmuar në këtë mënyrë besimin e tyre të pastër në pushtetin absolut të Tij. Me fjalë të tjera, edhe pse ata janë tërësisht të bindur për saktësinë e besimit të tyre të pastër, edhe pse i urrejnë besimet e kota, ata nuk thonë se do të kryejnë apo jo një veprim, pa e lidhur këtë me dëshirën dhe vullnetin suprem të Allahut të Lartësuar. Prandaj, plot edukatë dhe përunjësi, ata thanë në fund: “... nëse nuk dëshiron Allahu, Zoti ynë. ”. Askush nuk mund të dalë jashtë vullnetit të Allahut të Lartësuar, që bazohet në diturinë dhe urtësinë e Tij. - “Zoti ynë ka përfshirë me diturinë e Vet gjithçka. Ne i mbështetemi vetëm Allahut.” - Allahu i Lartësuar di gjithçka që rregullon gjendjen e njerëzve dhe për çdo gjë që i dëmton ata. Dhe pikërisht me këtë dituri, Ai përkujdeset dhe rregullon çështjet e tyre, prandaj dhe ne vetëm Allahut i mbështetemi, që Ai të na forcojë në rrugën e drejtë dhe të na ruajë nga çdo devijim në rrugët që të çojnë në zjarrin e Xhehenemit. Ne jemi të bindur se kushdo që i mbështetet Allahut, do të mjaftohet me Allahun, i Cili ka për t'ia lehtësuar si çështjet e fesë, ashtu edhe të dynjasë. - “O Zoti ynë! Na gjyko ne dhe popullin tonë me gjykimin Tënd të drejtë, sepse Ti je Gjykatësi më i mirë!”” - Ndihmo, o Zot, atë që i bëhet padrejtësi dhe që kërkon të drejtën e tij! Bëje të triumfojë mbi të padrejtët, të cilët e refuzojnë të vërtetën me arrogancë dhe inat. Të lutemi Ty, sepse Ti je më i miri, që ndan çdo çështje me

drejtësi. Ndarja dhe gjykimi i Allahut të Lartësuar është dy llojesh: - Ndarje nëpërmjet diturisë, duke e qartësuar të vërtetën nga e kota, udhëzimin e drejtë nga devijimi, si dhe duke qartësuar cilësitë e të udhëzuarve nga ata që janë të devijuar. - Ndarja me shpërblimin dhe ndëshkimin për secilën nga palët. Kështu, Allahu ndëshkon me drejtësinë e Tij zullumqarët, që refuzojnë të vërtetën dhe, nga ana tjetër, shpëton dhe nderon me shpërblime vepërmirët e të bindurit. Kështu, besimtarët u lutën që Allahu i Lartësuar të bënte ndarjen e tyre nga të tjerët, duke nxjerrë në pah të drejtën dhe të vërtetën, por edhe duke sjellë shumë shenja e mrekulli. - “Krerët mohues të popullit të tij thanë: “Nëse shkoni pas Shuajbit, atëherë do të humbni me siguri”.” - Duke u përpjekur të ndalonin njerëzit nga pasimi i profetit Shuajb, ata filluan të nxirrnin fjalë, që nuk ishin gjë tjetër, veçse shprehje e arrogancës dhe vetëmashtrimit të tyre. E si mund të shpjegohet ndryshe fakti që ata e konsideronin rrugën e Profetit si dështim?! Aq të zhytur dhe të vetëkënaqur ishin në këtë mosbesim, saqë nuk e hetonin fare se e dështuar ishte pikërisht rruga e tyre. Këtë të vërtetë ata e provuan tërësisht kur i goditi ashpër ndëshkimi i Allahut: - “Ata i përfshiu një tërmet i fortë dhe aguan në shtëpitë e tyre si kufoma të gjunjëzuara.” - Ata i kapi një tronditje e fuqishme, që i ktheu në kufoma të shtrira e të ftohta. - “Kundërshtarët e Shuajbit u bënë sikur të mos kishin qenë kurrë më parë.” - Dukej sikur ata nuk kishin ekzistuar fare më parë në vendbanimet e tyre, sikur nuk ishin argëtuar kurrë aty, sikur nuk ishin çlodhur kurrë në hijet e kopshteve, sikur nuk ishin ata që ishin kënaqur në ujërat e freskët dhe nuk kishin shijuar frutat e pemëve të tyre. Ata i kapi ndëshkimi befas, duke i hedhur në çast nga vendi i kënaqësisë e argëtimit, në vendin e ndëshkimit dhe mallkimit. - “Ata që e mohuan Shuajbin - ata ishin të humburit.” - Allahu i Lartësuar e përkufizon dështimin pikërisht tek ata fatzinj, sepse ishin ata që humbën si fenë, ashtu edhe vetveten dhe familjet e tyre. Pas këtij shkatërrimi, profeti Shuajb (a.s) u flet kufomave të tyre, duke u kthyer shpinën dhe me një ton qortues. - “Ai (Shuajbi) u ktheu shpinën e tha: “O populli im! Unë jua kumtova qartë Shpalljen e Zotit tim e ju këshillova...” - Unë jua qartësova plotësisht Shpalljen e Zotit, por ju nuk i pranuat fjalët dhe udhëzimet e mia. Përkundrazi, ju i shkelët ato dhe kaluat kufijtë e Allahut. - “...Prandaj pse të më vijë keq për një popull mohues?”” - Pse të merakosem për një popull që nuk kishte asnjë të mirë dhe të cilët nuk e pranuan dhuratën që iu dha. Ata ishin të lidhur ngushtë me ligësinë, prandaj nuk kishte pse të vinte keq për ta. Përkundrazi, duhet të gëzoheshe me dënimin që morën. O Zot i madh, Ty të lutemi dhe të kërkojmë mbrojtje, që të na ruash nga një ndëshkim i tillë! E ku ka ndëshkim më të madh për njerëzit, sesa të arrijnë në atë gjendje që, prej tyre të distancohej krijesa më e mirë dhe më e dashur, profeti i Zotit?!

← Araf 7:85