وَلَوۡ أَلۡقَىٰ مَعَاذِيرَهُۥ
Edhe nëse i paraqet arsyetimet e veta.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Zoti xh. sh. betohet në Ditën e Kijametit, që është me rëndësi të madhe, betohet edhe në ndërgjegjen e njeriut, e cila gjithnjë e qorton të zotin, pse nuk bën më shumë punë të mira dhe pse bën punë të këqija; pra, shpirti, ndërgjegjja, një karakter i tillë është i rëndësishëm, prandaj është për t’u betuar në të. Ky betim bëhet në shenjë vërtetimi të Ditës së Kijametit. Një farë Adij ibni Rebia shkon te Pejgamberi a.s. e i thotë: “Më trego, si është puna e Kijametit, kur do të bëhet...”- Pejgamberi a.s. i tregon, e ai thotë: “Nuk të besoj, pse si do t’i tubojë Zoti eshtrat e kalbura?!...” Atëherë zbret ajeti rreth dyshimit të tij e thotë: “Do t’i tubojmë, e edhe mollëzat e gishtërinjve do t’ua rikrijojmë ashtu si i kanë pasur...” Këtu manifestohet njëra nga mrekullitë e Kuranit, pse përmend një çështje delikate, që njerëzit shumë vonë arritën ta kuptojnë. Përmend veçorinë e çdo individi me çka mund të dallohet nga tjetri, e ajo veçori qëndron në vijat te majat e gishtërinjve, gjë që tashti arriti ta kuptojë edhe dituria, prandaj e bëri obligim vënien e gishtit në dokumentet më të rëndësishme personale. Zoti i Madhëruar përmendi fuqinë e vet të përsosur për ringjallje, i përmend majat e gishtave, e njerëzit pas njëmijë e sa vjetësh e kuptuan pse i përmendi. Njeriu e kupton fuqinë e Zotit, por dëshiron të jetë i shfrenuar, prandaj përpiqet ta bëjë të dyshimtë mundësinë e ringjalljes dhe të përgjegjësisë, dhe pyet kur është Kijameti. Atë ditë nuk i bëjnë dritë sytë, hëna errësohet dhe përplaset për diellin, atëherë nuk ka vend për strehim, vetëm duhet të paraqitemi para Zotit dhe duhet të japim llogari.