76. Insan · Ajeti 22 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 76:1–76:22

Faqja e këtij dheu, pale sa kohë ka qenë e zbrazët pa njeri, ai as që është përmendur si ndonjë send a qenie. Allahu e shpiku njeriun, e krijoi prej një pike uji të pavlerë, e përgatiti me çka mund të kuptojë dhe të dallojë, i dërgoi pejgamberë dhe shpallje dhe ia mësoi rrugën e drejtë dhe i tregoi për të shtrembrën, për hajrin dhe për sherrin, e njeriu mbeti i lirë të zgjedhë cilën rrugë të dojë, por ia bëri me dije se ata që ndjekin rrugën e Zotit, do të shpërblehen me aso të mira që as nuk mund t'i marrin me mend. Ndërsa ata që zgjedhin rrugën e humbur, janë të dënuar me zinxhirë, me pranga e me zjarr.

Të shpërblyerit janë ata që ishin besnikë, që iu frikësuan vuajtjeve, që për hir të Zotit ushqyen nevojtarët, jo për ndonjë interes apo lavdërim, e Zoti i shpëton prej asaj dite të tmerrshme.

Në xhennet nuk do t'i kapë as vapa as të ftohtit, kalaveshët e pemëve u qëndrojnë mbi krye, u jepet të pijnë pije me aromë të këndshme, u shërbejnë djelmosha të rinj që kur nuk ndryshojnë, e të gjitha ato të mira që nuk mund të përshkruhen, u jepen në shenjë shpërblimi për përpjekjet e tyre në dynja që të bëjnë vepra, të cilat i pëlqen Zoti xh. sh.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 76:13–76:22

Allahu i Lartësuar na tregon rreth banorëve të Xhenetit dhe mirësive të pafundme, që Ai u dhuron atyre: - “Ata do jenë atje, të mbështetur në kolltukë ...” - El It tikau quhet mbështetja dhe rehatimi në diçka. El Erâik janë shtretër të zbukuruar me mbulesa, vello dhe stoli. Më pas, i Lartësuari thotë: - “... dhe nuk të do ndiejnë as të nxehtë e as të ftohtë.” - Pra, atje nuk ka nxehtësi bezdisëse dhe as të ftohtë shqetësuese dhe të dhimbshme. Atje do të gjejnë përherë dhe pafundësisht një klimë të kënaqshme, e tillë që kurrë nuk do të kërkojnë që të ndry - shohet apo të largohen prej saj, sikurse thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Nuk ka dyshim se për ata që besojnë dhe bëjnë punë të

mira, vendpritës janë kopshtet e Firdeusit. Aty do të jenë përgjithmonë dhe kurrë nuk do të kërkojnë të largohen nga ai.” [Kehf 107, 108]. - “Hijet do t’u bien sipër ...” - Degët e tyre do të ulen shumë pranë e do t’u bëjnë hije. - “... dhe frutat e pemëve do t’u afrohen pranë.” - Në çastin kur dëshirojnë një frutë, ajo afrohet vetë pranë tyre, që ata ta marrin lehtësisht. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “... ku pemët e veta do t’i ketë shumë pranë.” [Hakka 23]. - “Atyre do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe me gota të kristalta ...” - Mes tyre vërtiten shërbëtorët me enë, që mbajnë ushqime të shijshme. Ato janë enë prej argjendi, ndërsa kupat e pijeve janë ‘Kauarira min fidah ’ - prej argjendi të tejdukshëm. Pra, janë të bardha si argjendi dhe të tejdukshme si kristali. Argjendi i tejdukshëm nuk gjendet në këtë dynja dhe nuk ka të ngjashëm. Ibn Abasi ka thënë: “Në Xhenet ka mirësi të shumta, për të cilat njerëzit kanë parë shembuj të ngjashëm të tyre edhe në dynja, përveç ‘ kauarira min fiddah’, domethënë, gotat prej argjendi të tejdukshëm.” Kështu e transmeton Ibn Ebu Hatimi. - “Me gota të tejdukshme prej argjendi, që ata vetë do t’i përcaktojnë si të duan.” - Gotat vijnë me masën e dëshirueshme prej gjithësecilit, as më të mëdha dhe as më të vogla. Më pas, i Lartësuari thotë: - “Do t’u jepen gota me pije të përziera me xhenxhefil ...” - Herë pije e përzier me kafur të freskët dhe herë të tjera me xhenxhefil, i cili është i ngrohtë, duke gjetur ekuilibër dhe kënaqësi të larmishme. Kështu do të kënaqen ebrar-ët, bamirësit. Ndërsa mukarabun-ët, të afruarit e Zotit, do të pinë drejtpërdrejt nga burimet e këtyre pijeve të përzgjedhura. I Lartësuari thotë: - “Ai vjen prej një burimi aty, që quhet Selsebil.” - Është quajtur Selsebil, për shkak të lehtësisë dhe rrjedhshmërisë së tij, si edhe prej lehtësisë me të cilën ai kalon në fyt, kur pihet. - “Mes tyre lëvizin duke shërbyer djelmosha, që do jenë përherë të tillë e që, kur i kundron, duken si margaritarë të shpër - ndarë.” - Mes tyre vërtiten të rinjtë e Xhe - netit, që janë vendosur për të shërbyer në të. Allahu i Madhëruar thotë që ata do të mbe - ten gjithmonë në atë gjendje dhe moshë dhe kurrë nuk kanë për të ndryshuar. Më pas, i Lartësuari thotë: “... kur i kundron, duken si margaritarë të shpërndarë.” Kur i sheh të shpërndarë, duke përmbushur nevojat e besimtarëve, të cilëve u shërbejnë, për shkak të bukurisë së fytyrave, freskisë dhe vezullimit tyre, ata ngjajnë si perla të shpërndara në një vend të bukur dhe plot hijeshi. - “Kur hedh shikimin atje, sheh begati e pasuri të mëdha ...” - Po të hedhësh shiki - min në Xhenet, o Muhamed, në mirësitë dhe begatitë e tij, në madhështinë dhe lartësinë e tij dhe në gjithçka që ndodhet në të e që sjell lumturi në shpirtrat e besimtarëve, sheh begati e pasuri të mëdha, të jashtëzakon - shme e të pashembullta. Mbretëria e Zotit atje është madhështore. Atje do të shohësh pushtetin e mrekullueshëm dhe mahnitës të Tij. Në një hadith të saktë thuhet se: 2805. “Allahu i Lartësuar do t’i thotë njeriut të fundit, që do të dalë prej zjarrit dhe do të hyjë në Xhenet: “Ti do të zotërosh sa pasuria e gjithë dynjasë dhe dhjetëfish më tepër.” Nga Ibn Umeri përcillet se Profeti i Allahut ﷺka thënë: 2806. “Në Xhenet, më i ulti në gradë është ai i cili vështron në mbretërinë e tij, aq sa të udhëtojë për dy mijë vjet. Ai do të jetë në gjendje të vështrojë edhe pikën më të largët të mbretërisë së tij, ashtu sikurse e shikon atë që ka më afër.” Nëse njeriu me gradën më të ulët në Xhenet ka të tillë mirësi e begati, atëherë si mendon se do të jenë mirësitë e begatitë në gradat e larta?! - “Ata janë të veshur me mëndafsh të hollë e të gjelbër dhe me mëndafsh të trashë, të stolisur me bylyzykë të argjendtë.” - Veshja e banorëve të Xhenetit është prej një mëndafshi, që quhet ‘ sundus’ i cili është lloji më cilësor i mëndafshit, me

të cilin bëhen këmishat dhe të brendshmet. Ndërsa veshja tjetër është ‘ istebrak’, veshje të sipërme, të cilat janë vezulluese dhe të zbukuruara. Përveç veshjeve, ata janë të stolisur edhe me bylyzykë të argjendtë. Ky është përshkrimi i ‘ebrarëve’. Ndërsa në lidhje me mukarabunët (të afruarit e Zotit), Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu i vendos në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ata që besuan dhe bënë vepra të mira. Aty do të stolisen me byzylykë të artë e me margaritarë, kurse veshjet e tyre do të jenë të mëndafshta. Ata u udhëzuan për (të folur) fjalët më të mira dhe u udhëzuan në rrugën e Atij që i meriton lavdërimet.” [Haxh 23, 24]. Më pas, Allahu i Lartësuar tregon diçka edhe për pijet e këtyre të lumturve fatbardhë: - “Zoti i tyre u jep të pinë pije të ku - lluar.” - Zemrat e tyre ishin të pastra prej smirës, urrejtjes, armiqësisë, padrejtësisë ndaj krijesave dhe veseve, prandaj Allahu i Lartësuar i shpërbleu me pije të kulluar. - “Ky është shpërblimi për ju ...” - Këto fjalë të ëmbla e lumturisjellëse do t’u thu - hen në formë nderimi, bamirësie dhe bujarie për ta, sikurse tregon Allahu i Lartësuar në ajete të tjera: “Ai që do t’i jepet libri i vet nga e djathta e tij, do të thotë: “Ej, ju të gjithë! Ja, lexojeni librin tim! Unë kam qenë i bindur se do të jap llogarinë time.” Ai do të jetë në një jetë të kënaqshme, në një Xhenet të lartë, ku pemët e veta do t’i ketë shumë pranë. Hani e pini shijshëm, sepse ju e keni përgatitur këtë në ditët e kaluara!” [Hakka 24]. Ose: “Ne do t’ua heqim urrej - tjen (dhe armiqësinë) nga zemrat, ndërsa poshtë tyre do të rrjedhin lumenj. Ata do të thonë: “I lavdëruar qoftë Allahu, i Cili na udhëzoi për këtë (lumturi). Ne kurrë nuk do të dinim ta gjenim udhëzimin, sikur të mos na drejtonte Allahu. Vërtet, të dërguarit e Zotit na e sollën të vërtetën!” Dhe ata do të dëgjojnë thirrjen: “Ky është Xheneti, të cilin e trashëgoni si shpërblim të veprave tuaja (të devotshme)”.” [Earaf 43]. - “... sepse e keni merituar me përpjekjet tuaja.” - Allahu i Lartësuar i shpërblen edhe për punë të pakta, me shpërblime të mëdha bujare e të pamata.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 76:4–76:22

- “Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zinxhirë, pranga dhe zjarr.” - Për ata që kanë mohuar Allahun dhe profetët dhe që paturpësisht kanë guxuar të kryejnë gjynahe ndaj Allahut të Madhëruar, Ai ka përgatitur për ta në zjarrin e Xhehenemit zinxhirë dhe pranga, me të cilat do t’u lidhen duart dhe do t’u shtrëngohen fort pas qafe, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Kapeni atë dhe vendosjani prangat! Pastaj hidheni në Xhehenem dhe lidheni me një zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kutë, sepse ai nuk besonte Allahun e Madhëruar.” [Hakka 30 – 33]. Allahu i Madhëruar ka përgatitur edhe zjarr të ndezur fort, i cili i përfshin trupat me furi dhe i shkrumbon, sikurse ka thënë i Madhëruari: “Nuk ka dyshim se ata që kanë mohuar Argumentet Tona, do t’i flakim në Zjarr. Sa herë që do t’u digjet një lëkurë, Ne do t’ua zëvendësojmë me lëkurë tjetër, që ta shijojnë mirë dënimin. Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë.” [Nisa 56]. Ky ndëshkim do të jetë i vazhdueshëm për ta, në përjetësi. Ndërsa bamirësit janë ata të cilët i kanë rregulluar zemrat e tyre me dashurinë për Allahun, me njohjen e Tij dhe me moral të mirë. Kështu janë përmirësuar edhe gjymtyrët e tyre, të cilat binden për të bërë veprat e mira, që kënaqin Zotin. Për këta, Zoti na tregon dhe thotë se:

- “S’ka dyshim se të devotshmit do të pinë në kupa, që kanë pije të përzier me kafur 43,...” – Do të shijojnë pije të këndshme, të përzier me kafur, i cili shërben për ta freskuar ose zbutur shijen e saj. Kafuri i Xhenetit është shumë i shijshëm, i këndshëm dhe i pastër nga çdo element turbullues, që zakonisht gjendet në kafurin e dynjasë. Megjithatë, asgjë nga mangësitë e sendeve të dynjasë nuk ekziston në sendet që Zoti ka treguar se do të jenë në Xhenet, edhe pse mund të kenë të njëjtin emër. Kështu, për shembull, kur përshkruan vendpushimet e banorët e Xhenetit, i Madhëruari thotë: “Ata qëndrojnë mes lotusve pa gjemba, bananeve me fruta palë -palë, nën hije të gjera, pranë një uji që rrjedh, mes frutave të shumëllojshme, që as nuk mbarohen, as nuk janë të ndaluara.” [Uakia 28 - 33]. Ndërsa kur përshkruan mirësitë dhe gratë e tyre në Xhenet, i Madhëruari thotë: “Përgëzoji ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, se do të kenë Xhenete, në të cilat rrjedhin lumenj. Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Të tilla mirësi na janë dhuruar edhe më parë”. Atyre u dhurohen mirësi të ngjashme dhe atje do të kenë bashkëshorte të pastra. Ata do të jenë atje (në Xhenet) përjetësisht.”. [Bekare 25]. Ose: “Për ta është përgatitur Vendi i Paqes pranë Zotit të tyre. Ai është Miku i tyre, për ato vepra që ata bënë.”. [En’am 127]. Vetëm Allahu i Lartësuar e di realitetin e kënaqësive dhe të lumturisë së shpirtrave në Xhenet. Ai thotë: “ (Allahu do tu thotë) : “O adhuruesit e Mi, sot nuk ka pse të frikësoheni e as pse të brengoseni! Atyre që besuan shpalljet Tona dhe ishin muslimanë (të nënshtruar ndaj Zotit) do t'u thuhet: "Hyni në Xhenet, ju dhe bashkëshortet tuaja, për tu gëzuar!" Aty do t’u shërbejnë me enë e kupa të arta. Aty ka çdo gjë që shpirti e dëshiron dhe syri e pëlqen. Aty do të jeni të përjetshëm. Ky është Xheneti që ju dhurua për veprat që keni bërë. Aty keni plot fruta, nga të cilat do të hani! ” [Zuhruf 68 – 73]. - “Ai (kafuri) është një burim, prej të cilit do pinë adhuruesit e Allahut dhe të cilin do ta gjejnë atje ku do të dëshirojnë e me mbushulli.” - Ata nuk do kenë frikë se mos u mbarohen gotat e mrekullueshme me atë pije të shijshme. Gotat nuk u mbarojnë, sepse ato mbushen nga një burim i pashtershëm, që gjithmonë rrjedh e gurgullon. Adhuruesit e Allahut do ta bëjnë këtë burim të rrjedhë ku të dëshirojnë ata, kur të dëshirojnë dhe si të dëshirojnë. Kështu, nëse dëshirojnë, ata mund ta drejtojnë atë te kopshtet e pasura me lloj - lloj bimësie, te pallatet e tyre fantastike ose në çdo drejtim që ata duan. Më pas, i Madhëruari tregon disa nga veprat e këtyre fatlumëve, që i bënë të meritonin këto mirësi: - “(Të devotshmit) Janë ata që zbatojnë premtimet e tyre...” - Ata çojnë në vend çdo detyrë me të cilën e kanë ngarkuar veten për hir të Allahut dhe çdo premtim ose besë të dhënë. Duke qenë se ata plotësojnë edhe këto detyra, që Zoti nuk ua ka detyruar, por që ata vetë ia kanë detyruar

vetvetes, atëherë kjo do të thotë që, plotësimi i detyrave të vendosura nga Zoti është më i sigurt se do të kryhet nga ata. - “...dhe i frikësohen një Dite, tmerri i së cilës është gjithëpërfshirës.” - Ata frikësohen se mos i godet tmerri i asaj dite, prandaj ruhen nga çdo gjë që e shkakton këtë. - “Janë ata që, për hir të Tij, u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe robërve.” – Edhe pse mund ta dëshirojnë për vete pasurinë dhe ushqimin, ata i japin përparësi dashurisë së Allahut dhe urdhrave të Tij kundrejt dëshirave të vetes. Ata kujdesen që të ushqejnë njerëzit më të nevojshëm dhe më parësorë për këtë ndihmë, të cilët – siç i përmend Allahu i Madhëruar, – janë të varfërit, jetimët dhe robërit. Me shpenzimet dhe ushqimin e dhënë nevojtarëve, ata synojnë vetëm kënaqësinë e Allahut të Madhëruar, siç thonë më pas: - “Ne (thonë të devotshmit) po ju ushqejmë veçse për hir të Allahut dhe nuk kërkojmë prej jush ndonjë shpërblim e as falënderim. - Nuk synojmë ndonjë shpërblim material e as ndonjë lëvdatë nga ju. - “Ne i frikësohemi Zotit tonë për atë Ditë, që fytyrat i bën të zymta dhe është e llahtarshme”.” - Allahu i Madhëruar e ka quajtur atë ditë shumë të frikshme, të ashpër, të ankthshme dhe torturuese. - “Allahu i ka ruajtur ata prej sherrit të asaj dite dhe u ka dhuruar shkëlqim e lumturi në fytyra.” - Ata nuk do t’i trazojë ai tmerr i madh e gjithëpërfshirës, ndërsa melekët do t’u thonë: “Kjo është dita që ju premtohej”. Allahu i Madhëruar do t’i nderojë ata, duke u dhuruar dritë gëzimi në fytyrë dhe lumturi në zemër, mirësi të dukshme dhe të brendshme. - “Për shkak se ata bëjnë durim, Ai i shpërblen me Xhenet dhe me veshje mëndafshi.” - Ata tregohen të duruar në bindjen ndaj Zotit, duke kryer urdhrat e Tij aq sa kanë mundësi; tregohen të duruar kundrejt gjynaheve, duke i lënë ato dhe duke u larguar prej tyre, si edhe të duruar me kaderin e Zotit, duke mos u zemëruar dhe mos shprehur mospajtim me caktimin e Tij, por duke e pranuar atë me nënshtrim dhe dorëzim të plotë. Për këtë durim, Allahu i Madhëruar i shpërblen ata me Xhenet të mbushur plot mirësi dhe të ruajtur nga çdo gjë e keqe dhe dëmtuese. Ai i shpërblen ata edhe me veshje mëndafshi, sikurse thotë në një ajet tjetër: “Allahu i vendos në Xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ata që besuan dhe bënë vepra të mira. Aty do të stolisen me byzylykë të artë e me margaritarë dhe veshjet e tyre do të jenë të mëndafshta. ” [Haxh 23]. Allahu i Madhëruar e përmend në mënyrë të veçantë mëndafshin, sepse ai është diçka e dukshme, që tregon për gjendjen e mirë të njeriut që e ka veshur. - “Ata do jenë atje, të mbështetur në kolltukë dhe nuk të do ndiejnë as të nxehtë e as të ftohtë.” – Ata do jenë të mbështetur mirë, ashtu sikurse ulesh kur dëshiron të rehatohesh dhe kënaqesh. Ata do të qëndrojnë në “ el erâik ”, domethënë, në disa shtretër me mbulesa të zbukuruara. Atje nuk kanë për të ndier kurrë më vapë apo ftohtë, sepse klima në Xhenet nuk do të jetë as e nxehtë dhe as e ftohtë, por e butë dhe mesatare. Trupi kënaqet dhe rehatohet në këtë lloj klime të mrekullueshme. - “Hijet do t’u bien sipër dhe degët e pemëve (plot fruta) do t’u afrohen pranë.” - Frutat i afrohen atij që i dëshiron, në çdo gjendje qoftë: i shtrirë, ulur e në këmbë, që ai t’i marrë kur të dëshirojë. - “Atyre do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe me gota të kristalta, Me gota të tejdukshme prej argjendi, që ata vetë do t’i përcaktojnë si të duan.” - Mes banorëve të Xhenetit vërtiten djemtë e rinj, të cilët do t’u shërbejnë kupa të mbushura me pije të këndshme. Kupat janë prej argjendi, por janë të tejdukshme si diamanti. Është shumë e çuditshme: argjendi aq i dendur, të jetë i tejdukshëm si diamant! Allahu i Madhëruar përmend edhe një hollësi tjetër rreth atyre gotave: “...që ata do

t’i përcaktojnë si të duan”. Pra, ato do të jenë aq sa të kënaqen dhe të ngopen besimtarët: as më shumë e as më pak. Nëse do ishin më të mëdha, ata do të veleshin, e nëse do ishin më të vogla, nuk të kënaqeshin ose ngopeshin plotësisht. Ka mundësi që kuptimi të jetë se: do të jenë vetë banorët e Xhenetit ata që do t’i përzgjedhin e i përcaktojnë ato, sipas dëshirës dhe shijes së tyre. Dhe ato do t’u shërbehen ashtu sikurse ata i dëshirojnë në mendjen e tyre. - “Do t’u jepen gota me pije të përziera me xhenxhefil. Ai vjen prej një burimi aty, që quhet Selsebil” - Në Xhenet, ata do të shijojnë gota të mbushura me pije dhe nektar, të përzier me xhenxhefil, me shije dhe aromë të mrekullueshme. Në Xhenet ndodhet në burim, që quhet Selsebil. Ai quhet kështu për shkak të bukurisë, pastërtisë dhe rrjedhshmërisë së tij çlodhëse dhe të këndshme. - “Mes tyre lëvizin duke shërbyer djelmosha, që do jenë përherë të tillë...” - Mes banorëve të Xhenetit, gjatë ushqimit e gostive të tyre, do të vërtiten si shërbëtorë djelmosha të vegjël shumë të bukur, që nuk rriten dhe as ndryshojnë. Kur i sheh të shpërndahen në shërbim, ata ngjajnë si margaritarë. Kjo është një kënaqësi tjetër e banorëve të Xhenetit. Shërbëtorët e tyre do të jenë djelmosha të bukur, që të gëzojnë kur i sheh, sepse ata të shërbejnë plot gaz. Kur hyjnë nëpër banesat e xhenetlinjve, nuk ka pasiguri dhe ndrojtje prej tyre. Ata përmbushin kërkesat e xhenetlinjve në çdo moment. - “...e që, kur i kundron, duken si margaritarë të shpërndarë. Kur hedh shikimin atje (në xhenet) , sheh begati e pasuri të mëdha,...” - Nëse i kundron, do të shihje pasuri dhe mirësi të mëdha. Nëse do të shihje pasuritë e ndonjërit prej tyre, do të mahniteshe nga kështjellat, banesat, dhomat e gdhendura e të zbukuruara, të cilat nuk mundesh t’i përshkruash. Ata zotërojnë kopshte të lulëzuara dhe plot fruta, që janë të lehta për t’u arritur dhe të shijshme. Mes këtyre kopshteve të çuditshme, rrjedhin lumenj dhe këndojnë zogj të ndryshëm këngëtarë. Të gjitha këto kënaqin zemrën dhe lumturojnë shpirtin. Atje, gjithashtu, presin gra jashtëzakonisht të bukura dhe të hijshme; të bukura nga jashtë e nga brenda, nga trupi dhe nga shpirti. Ato ua mbushin zemrat dhe shpirtin me gëzim burrave të tyre. Rreth tyre vërtiten e shërbejnë djelmosha të përjetshëm, që e shtojnë dhe plotësojnë rehatinë dhe kënaqësinë. Pastaj, mbi të gjitha këto kënaqësi dhe bukuri, qëndron lumturia më e madhe: vështrimi te Zoti i gjithësisë, tek i Gjithëmëshirshmi e Mëshirëploti, dëgjimi i fjalës së Tij, prania e afërt e Tij, kënaqësia e Zotit me ta dhe, në fund, përjetësia në këto mirësi, të cilat vetëm shtohen dhe bëhen më të larmishme. I Lartësuar dhe Lavdëruar qoftë Allahu, Mbreti, Sunduesi i gjithçkaje, i Vërteti, depot e mirësive të të Cilit nuk shterin dhe nuk pakësohen kurrë. Ashtu si cilësitë e Tij, që janë të pafundme, ashtu janë edhe mirësitë e dhuruara nga bujaria e Tij. - “Ata (besimtarët) janë të veshur me mëndafsh të hollë e të gjelbër dhe me mëndafsh të trashë,” - Ata janë të veshur me petka të bukura prej mëndafshi jeshil të hollë ( sundus) dhe me mëndafsh të trashë (istebrek), që janë nga llojet më të mira të mëndafshit. - “... të stolisur me bylyzykë të argjendtë.” - Duart e tyre, të meshkujve dhe të femrave, janë të stolisura me byzylykë e bizhuteri argjendi. Ky është një premtim i dhënë nga Zoti, dhe premtimi i Tij patjetër që do të mbahet, sepse Ai është më Fjalëdrejti dhe i Vërteti. - “Dhe Zoti i tyre u jep të pinë pije të kulluar.” – Do t’u jepet një lloj pijeje, që është e pastër nga çdo turbullirë dhe ndyrësi, nga njëra anë, dhe pastruese e barkut të tyre nga çdo gjë e keqe dhe e dëmshme, nga ana tjetër. - “Ky është shpërblimi për ju, sepse e keni merituar me përpjekjet tuaja.” - Ky shpërblim i madh ju jepet si shpërblim për veprat që keni kryer. Madje, edhe për veprat

më të vogla, Allahu Bujar dhe i Gjithëmëshirshëm ka përgatitur për ju mirësi të përjetshme të papërshkrueshme. Pasi foli për mirësitë e Xhenetit, Allahu i Madhëruar thotë:

← Insan 76:22