76. Insan · Ajeti 4 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 76:1–76:22

Faqja e këtij dheu, pale sa kohë ka qenë e zbrazët pa njeri, ai as që është përmendur si ndonjë send a qenie. Allahu e shpiku njeriun, e krijoi prej një pike uji të pavlerë, e përgatiti me çka mund të kuptojë dhe të dallojë, i dërgoi pejgamberë dhe shpallje dhe ia mësoi rrugën e drejtë dhe i tregoi për të shtrembrën, për hajrin dhe për sherrin, e njeriu mbeti i lirë të zgjedhë cilën rrugë të dojë, por ia bëri me dije se ata që ndjekin rrugën e Zotit, do të shpërblehen me aso të mira që as nuk mund t'i marrin me mend. Ndërsa ata që zgjedhin rrugën e humbur, janë të dënuar me zinxhirë, me pranga e me zjarr.

Të shpërblyerit janë ata që ishin besnikë, që iu frikësuan vuajtjeve, që për hir të Zotit ushqyen nevojtarët, jo për ndonjë interes apo lavdërim, e Zoti i shpëton prej asaj dite të tmerrshme.

Në xhennet nuk do t'i kapë as vapa as të ftohtit, kalaveshët e pemëve u qëndrojnë mbi krye, u jepet të pijnë pije me aromë të këndshme, u shërbejnë djelmosha të rinj që kur nuk ndryshojnë, e të gjitha ato të mira që nuk mund të përshkruhen, u jepen në shenjë shpërblimi për përpjekjet e tyre në dynja që të bëjnë vepra, të cilat i pëlqen Zoti xh. sh.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 76:4–76:12

- “Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zinxhirë, pranga dhe zjarr.” - Allahu i Lartësuar na tregon se çfarë ka përgatitur për mohuesit e besimit të vërtetë: ndëshkim, pranga, zjarr të ndezur fort në Xhehenem. Më pas thotë: - “S’ka dyshim se të devotshmit do të pinë në kupa, që kanë pije të përzier me kafur ...” - Dihet se kafuri është diçka aromatike dhe freskuese, që i jep një shije të mrekullueshme pijes edhe në këtë botë, jo më pastaj në Xhenet. Haseni thotë: “Ato pije kanë freskinë e kafurit, si edhe shijen e aromën e këndshme të zenxhebilit (xhinxherit.)” - “Ai është një burim, prej të cilit do pinë adhuruesit e Allahut ... ” - Kjo lëndë, që përzihet me këtë pije, merret nga një burim, prej të cilit pinë më të afruarit tek Allahu. I Lartësuari thotë në vijim: - “... dhe të cilin do ta gjejnë atje ku do të dëshirojnë e me mbushulli. ” - Ata e përcaktojnë se ku do të jenë këto burime: mes kështjellave apo shtëpive të tyre, ku të dëshirojnë. Et-tefxhiru quhet burimi, rrjedha e ujit, sikurse ka ardhur edhe në fjalën e Allahut: “Ata thanë: “Ne nuk do të të besojmë ty, derisa (tufexh-xhira) të na nxjerrësh burime prej tokës;” [Isra 90]. Ose: “Midis tyre, Ne bëmë të rrjedhë një lumë.” [Kehf 33]. - “Janë ata që zbatojnë premtimet e tyre dhe i frikësohen një dite, tmerri i së cilës është gjithëpërfshirës. ” - Së pari, ata e adhurojnë Allahun me vepra, që janë në formë bindjeje ndaj Tij, pra, me zbatimin e urdhëresave të Tij. Së dyti, me adhurime, që ata ia bëjnë vetes të detyrueshme, me synimin për të kënaqur Zotin apo - siç quhen në gjuhën e Sheriatit, - nedhr. Profeti :ënëht ak ﷺ2802. “Ai që jep fjalën dhe betohet që të bëjë një punë të mirë, në bindje ndaj Allahut, le t’i bindet Atij, duke e përmbushur betimin. Ndërsa, ai që betohet

që të bëjë gjynah, le ta thyejë këtë betim.” Kështu e sjell Buhariu prej Malikut. Vëreni me kujdes se si thotë i Lartësuari: “... dhe i frikësohen një dite, tmerri i së cilës është gjithëpërfshirës.” Kështu, përveç kryerjes së urdhëresave dhe përmbushjes së detyrimeve që ata i vendosin vetes, në bindje ndaj Allahut të Lartësuar, u largohen edhe gjë - rave të ndaluara, nga frika e llogarisë së vështirë në Ditën e Premtimit. Tmerri i asaj dite do të gllabërojë të gjithë njerëzit, përveç atyre që i mëshiron Allahu, prandaj ata përpiqen në këtë jetë që të jenë prej të mëshiruarve e të shpëtuarve. I Lartësuari thotë në vijim: - “Janë ata që, me gjithë dashurinë e tyre për të, u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe robërve. ” - Fjala “ alâ ĥub - bihi” - që fjalë për fjalë do të thotë: “nga dashuria për të”, - vjen me dy shpjegime. Sipas shpjegimit të parë, “për të” i referohet Allahut të Lartësuar. Pra, ata u japin ushqim të varfërve “për hir të dashurisë për Të”. Ndërsa sipas shpjegimit të dytë, - dhe ky është kuptimi më i dukshëm, - përemri i referohet ushqimit dhe pasurisë. Pra, ata u japin ushqim të varfërve prej pasurisë së tyre, “me gjithë dashurinë e tyre për të”. Kështu, kuptimi i ajetit është: “Janë ata që, u japin ushqim - me gjithë dashurinë e madhe për të - të varfërve, jetimëve dhe robërve.” Ata japin ushqim edhe atëherë kur më së shumti e dëshirojnë atë për vete, sikurse thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Mirësi e vërtetë është të besosh në Allahun, Ditën e Fundit, melekët, Librat (e Zotit) dhe profetët; të shpenzosh prej pasurisë që e do e t'u japësh të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve të mbetur në rrugë, lypsave dhe për lirimin e robërve.” [Bekare 177]. Ose: “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë në besim, në qoftë se nuk jepni prej pasurisë më të shtrenjtë (që e doni shumë). Çfarëdo që të jepni, Allahu, pa dyshim e di.” [Al Imran 92]. Bejhakiu sjell hadithin nga Ea'meshi, e ky nga Nafiu, që rrëfen: “Njëherë, Ibn Omeri u sëmur dhe kërkoi t’i sillnin rrush - herën e parë që erdhi rrushi. Kështu, gruaja e tij dërgoi dikë për të blerë një verigë rrushi me një dirhem. Një lypës e ndoqi pas. Kur i dërguari hyri tek Ibn Umeri, lypësi thirri tek dera: “Jepini lypësit!” Kur e dëgjoi, Ibn Omeri tha: “Jepjani atij!” Kështu, ata ia dhanë lypësit rrushin që blenë. Pastaj ajo dërgoi dikë tjetër në pazar, për të blerë një verigë tjetër. Por lypësi e ndoqi pas përsëri. Kur i dërguari hyri tek Ibn Umeri, lypësi thirri tek dera: “Jepini lypësit.” Ibn Omeri tha sërish: “Jepjani atij!: Kështu, ata ia dhanë lypësit rrushin që blenë. Atëherë, Safija i dërgoi një mesazh lypësit, ku i thoshte: “Pasha Zotin, nëse kthehesh përsëri, nuk do të marrësh më asgjë!” Pastaj ajo dërgoi dikë tjetër për të blerë verigën e rrushit. Në dy Sahih-ët është hadithi i Ebu Hurejras, që ai ia atribuon Profetit ﷺ , që thotë: 2803. “Sadakaja më e mirë është ajo që ti e jep gjatë kohës kur je i shëndetshëm dhe lakmitar, atëherë kur dë - shiron të pasurohesh dhe ke frikë se varfë - rohesh.” Pra, në kohën kur ti më së shumti e do pasurinë dhe ngulmon që ta mbledhësh atë dhe ke nevojë shumë të madhe për këtë pasuri. Për sa i përket ‘ miskinit’ dhe jetimit, kuptimi i tyre është shpjeguar më herët. 195 Kështu fjala “ miskin” shpjegohet në hadithin te dy Sahih-ët, nga Ebu Hurejra, që tregon se Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk është miskin ai lyp andej -këtej e që mund të kthehet me një ose dy hurma, me një ose dy kafshata. Miskin është ai që nuk ka pasuri të mjaftueshme dhe që nuk mund ta njohësh se ka nevojë, në mënyrë që t’i japësh sadaka.”. Ndërsa “jetim” quhet një minoren, të cilit i ka vdekur babai dhe vetë nuk ka forcë që të punojë e sigurojë jetesën. Abdurrezaku përcjell me senedin e tij nga Aliu se Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk konsiderohet jetim ai që ka arritur moshën e pubertetit.” Ndërsa për sa i përket ‘ El-Esir’, ky emërtim përdoret qoftë për robin ose të burgosurin musliman, qoftë për atë që është idhujtar. Kështu e ka thënë Said Ibn Xhubejri, Ata’, Haseni dhe Katadeja. Profeti i Allahut ka këshilluar për bamirësi ndaj robërve dhe skllevërve, në shumë hadithe. Madje, ndër porositë e

fundit që dha para se të ndahej nga kjo jetë, ishte: 2804. “Namazin, namazin (kujdes) dhe ata që keni nën pronësinë tuaj.” - “Ne po ju ushqejmë veçse për hir të (shikimit të) Fytyrës së Allahut ...” - Pra, duke shpresuar shpërblimin dhe kënaqësinë e Allahut me ne. - “... dhe nuk kërkojmë prej jush ndonjë shpërblim e as falënderim.” - Nuk kërkojmë prej jush ndonjë shpërblim për bamirësinë tonë, madje nuk kërkojmë as mirënjohje nga njerëzit për sadakanë dhe punët tona. - “Ne i frikësohemi Zotit tonë për atë ditë, që fytyrat i bën të zymta dhe është e llahtarshme”. - Ne e bëjmë këtë veçse me shpresën që Allahu i Madhëruar të na mëshirojë, të na trajtojë me butësinë, faljen dhe mëshirën e Tij, atë ditë, e cila i shëmton fytyrat, nga tmerret dhe lemeritë e saj dhe është e gjatë dhe gjithëpërfshirëse. Ibn Abasi thotë: ‘ Abûs’ do të thotë dajjikan. Pra, ajo është një ditë e vështirë e rëndë, e cila i ngushton shpirtrat. Ndërsa ‘ Kamtarir’ do të thotë ‘ Tauil’ pra, një ditë e gjatë. Ibn Xheriri shpjegon dhe thotë: Kjo është dita më e vështirë dhe më e gjata për sa u përket belave, vështirësive dhe tmerreve që ajo përmban. - “Allahu i ka ruajtur ata prej sherrit të asaj dite ... ” - I Madhëruari premton se do të jenë të sigurt dhe të ruajtur atë ditë. - “... dhe u ka dhuruar shkëlqim e lumturi.” - Dritë e hijeshi në fytyrë dhe lumturi në zemër, siç thotë Allahu i Madhëruar në ajetin tjetër: “Atë ditë do të ketë fytyra të shndritura, të buzëqeshura e të gëzuara.” [Abese 38, 39]. Kur zemra gëzohet e lumtu - rohet, fytyra ndriçohet dhe zbukurohet. - “Për shkak se ata bëjnë durim, Ai i shpërblen me Xhenet dhe me veshje mëndafshi.” - Për shkak të durimit të tyre, Ai përgatiti dhe stolisi për ta Xhenetin dhe ka për t’i stolisur me veshje të mëndafshta. Ata i pret një vendqëndrimi i mrekullue - shëm, mirëseardhje, jetë e këndshme, e lumtur dhe veshje të bukura të mëndafshta. Njëherë, kur ky ajet u lexua përpara Ebu Sulejman Ed -Dâranit, ai tha: “Ata bëjnë durim, duke hequr dorë nga epshet dhe shfrenimet në jetën e dynjasë.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 76:4–76:22

- “Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zinxhirë, pranga dhe zjarr.” - Për ata që kanë mohuar Allahun dhe profetët dhe që paturpësisht kanë guxuar të kryejnë gjynahe ndaj Allahut të Madhëruar, Ai ka përgatitur për ta në zjarrin e Xhehenemit zinxhirë dhe pranga, me të cilat do t’u lidhen duart dhe do t’u shtrëngohen fort pas qafe, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Kapeni atë dhe vendosjani prangat! Pastaj hidheni në Xhehenem dhe lidheni me një zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kutë, sepse ai nuk besonte Allahun e Madhëruar.” [Hakka 30 – 33]. Allahu i Madhëruar ka përgatitur edhe zjarr të ndezur fort, i cili i përfshin trupat me furi dhe i shkrumbon, sikurse ka thënë i Madhëruari: “Nuk ka dyshim se ata që kanë mohuar Argumentet Tona, do t’i flakim në Zjarr. Sa herë që do t’u digjet një lëkurë, Ne do t’ua zëvendësojmë me lëkurë tjetër, që ta shijojnë mirë dënimin. Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë.” [Nisa 56]. Ky ndëshkim do të jetë i vazhdueshëm për ta, në përjetësi. Ndërsa bamirësit janë ata të cilët i kanë rregulluar zemrat e tyre me dashurinë për Allahun, me njohjen e Tij dhe me moral të mirë. Kështu janë përmirësuar edhe gjymtyrët e tyre, të cilat binden për të bërë veprat e mira, që kënaqin Zotin. Për këta, Zoti na tregon dhe thotë se:

- “S’ka dyshim se të devotshmit do të pinë në kupa, që kanë pije të përzier me kafur 43,...” – Do të shijojnë pije të këndshme, të përzier me kafur, i cili shërben për ta freskuar ose zbutur shijen e saj. Kafuri i Xhenetit është shumë i shijshëm, i këndshëm dhe i pastër nga çdo element turbullues, që zakonisht gjendet në kafurin e dynjasë. Megjithatë, asgjë nga mangësitë e sendeve të dynjasë nuk ekziston në sendet që Zoti ka treguar se do të jenë në Xhenet, edhe pse mund të kenë të njëjtin emër. Kështu, për shembull, kur përshkruan vendpushimet e banorët e Xhenetit, i Madhëruari thotë: “Ata qëndrojnë mes lotusve pa gjemba, bananeve me fruta palë -palë, nën hije të gjera, pranë një uji që rrjedh, mes frutave të shumëllojshme, që as nuk mbarohen, as nuk janë të ndaluara.” [Uakia 28 - 33]. Ndërsa kur përshkruan mirësitë dhe gratë e tyre në Xhenet, i Madhëruari thotë: “Përgëzoji ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, se do të kenë Xhenete, në të cilat rrjedhin lumenj. Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Të tilla mirësi na janë dhuruar edhe më parë”. Atyre u dhurohen mirësi të ngjashme dhe atje do të kenë bashkëshorte të pastra. Ata do të jenë atje (në Xhenet) përjetësisht.”. [Bekare 25]. Ose: “Për ta është përgatitur Vendi i Paqes pranë Zotit të tyre. Ai është Miku i tyre, për ato vepra që ata bënë.”. [En’am 127]. Vetëm Allahu i Lartësuar e di realitetin e kënaqësive dhe të lumturisë së shpirtrave në Xhenet. Ai thotë: “ (Allahu do tu thotë) : “O adhuruesit e Mi, sot nuk ka pse të frikësoheni e as pse të brengoseni! Atyre që besuan shpalljet Tona dhe ishin muslimanë (të nënshtruar ndaj Zotit) do t'u thuhet: "Hyni në Xhenet, ju dhe bashkëshortet tuaja, për tu gëzuar!" Aty do t’u shërbejnë me enë e kupa të arta. Aty ka çdo gjë që shpirti e dëshiron dhe syri e pëlqen. Aty do të jeni të përjetshëm. Ky është Xheneti që ju dhurua për veprat që keni bërë. Aty keni plot fruta, nga të cilat do të hani! ” [Zuhruf 68 – 73]. - “Ai (kafuri) është një burim, prej të cilit do pinë adhuruesit e Allahut dhe të cilin do ta gjejnë atje ku do të dëshirojnë e me mbushulli.” - Ata nuk do kenë frikë se mos u mbarohen gotat e mrekullueshme me atë pije të shijshme. Gotat nuk u mbarojnë, sepse ato mbushen nga një burim i pashtershëm, që gjithmonë rrjedh e gurgullon. Adhuruesit e Allahut do ta bëjnë këtë burim të rrjedhë ku të dëshirojnë ata, kur të dëshirojnë dhe si të dëshirojnë. Kështu, nëse dëshirojnë, ata mund ta drejtojnë atë te kopshtet e pasura me lloj - lloj bimësie, te pallatet e tyre fantastike ose në çdo drejtim që ata duan. Më pas, i Madhëruari tregon disa nga veprat e këtyre fatlumëve, që i bënë të meritonin këto mirësi: - “(Të devotshmit) Janë ata që zbatojnë premtimet e tyre...” - Ata çojnë në vend çdo detyrë me të cilën e kanë ngarkuar veten për hir të Allahut dhe çdo premtim ose besë të dhënë. Duke qenë se ata plotësojnë edhe këto detyra, që Zoti nuk ua ka detyruar, por që ata vetë ia kanë detyruar

vetvetes, atëherë kjo do të thotë që, plotësimi i detyrave të vendosura nga Zoti është më i sigurt se do të kryhet nga ata. - “...dhe i frikësohen një Dite, tmerri i së cilës është gjithëpërfshirës.” - Ata frikësohen se mos i godet tmerri i asaj dite, prandaj ruhen nga çdo gjë që e shkakton këtë. - “Janë ata që, për hir të Tij, u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe robërve.” – Edhe pse mund ta dëshirojnë për vete pasurinë dhe ushqimin, ata i japin përparësi dashurisë së Allahut dhe urdhrave të Tij kundrejt dëshirave të vetes. Ata kujdesen që të ushqejnë njerëzit më të nevojshëm dhe më parësorë për këtë ndihmë, të cilët – siç i përmend Allahu i Madhëruar, – janë të varfërit, jetimët dhe robërit. Me shpenzimet dhe ushqimin e dhënë nevojtarëve, ata synojnë vetëm kënaqësinë e Allahut të Madhëruar, siç thonë më pas: - “Ne (thonë të devotshmit) po ju ushqejmë veçse për hir të Allahut dhe nuk kërkojmë prej jush ndonjë shpërblim e as falënderim. - Nuk synojmë ndonjë shpërblim material e as ndonjë lëvdatë nga ju. - “Ne i frikësohemi Zotit tonë për atë Ditë, që fytyrat i bën të zymta dhe është e llahtarshme”.” - Allahu i Madhëruar e ka quajtur atë ditë shumë të frikshme, të ashpër, të ankthshme dhe torturuese. - “Allahu i ka ruajtur ata prej sherrit të asaj dite dhe u ka dhuruar shkëlqim e lumturi në fytyra.” - Ata nuk do t’i trazojë ai tmerr i madh e gjithëpërfshirës, ndërsa melekët do t’u thonë: “Kjo është dita që ju premtohej”. Allahu i Madhëruar do t’i nderojë ata, duke u dhuruar dritë gëzimi në fytyrë dhe lumturi në zemër, mirësi të dukshme dhe të brendshme. - “Për shkak se ata bëjnë durim, Ai i shpërblen me Xhenet dhe me veshje mëndafshi.” - Ata tregohen të duruar në bindjen ndaj Zotit, duke kryer urdhrat e Tij aq sa kanë mundësi; tregohen të duruar kundrejt gjynaheve, duke i lënë ato dhe duke u larguar prej tyre, si edhe të duruar me kaderin e Zotit, duke mos u zemëruar dhe mos shprehur mospajtim me caktimin e Tij, por duke e pranuar atë me nënshtrim dhe dorëzim të plotë. Për këtë durim, Allahu i Madhëruar i shpërblen ata me Xhenet të mbushur plot mirësi dhe të ruajtur nga çdo gjë e keqe dhe dëmtuese. Ai i shpërblen ata edhe me veshje mëndafshi, sikurse thotë në një ajet tjetër: “Allahu i vendos në Xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ata që besuan dhe bënë vepra të mira. Aty do të stolisen me byzylykë të artë e me margaritarë dhe veshjet e tyre do të jenë të mëndafshta. ” [Haxh 23]. Allahu i Madhëruar e përmend në mënyrë të veçantë mëndafshin, sepse ai është diçka e dukshme, që tregon për gjendjen e mirë të njeriut që e ka veshur. - “Ata do jenë atje, të mbështetur në kolltukë dhe nuk të do ndiejnë as të nxehtë e as të ftohtë.” – Ata do jenë të mbështetur mirë, ashtu sikurse ulesh kur dëshiron të rehatohesh dhe kënaqesh. Ata do të qëndrojnë në “ el erâik ”, domethënë, në disa shtretër me mbulesa të zbukuruara. Atje nuk kanë për të ndier kurrë më vapë apo ftohtë, sepse klima në Xhenet nuk do të jetë as e nxehtë dhe as e ftohtë, por e butë dhe mesatare. Trupi kënaqet dhe rehatohet në këtë lloj klime të mrekullueshme. - “Hijet do t’u bien sipër dhe degët e pemëve (plot fruta) do t’u afrohen pranë.” - Frutat i afrohen atij që i dëshiron, në çdo gjendje qoftë: i shtrirë, ulur e në këmbë, që ai t’i marrë kur të dëshirojë. - “Atyre do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe me gota të kristalta, Me gota të tejdukshme prej argjendi, që ata vetë do t’i përcaktojnë si të duan.” - Mes banorëve të Xhenetit vërtiten djemtë e rinj, të cilët do t’u shërbejnë kupa të mbushura me pije të këndshme. Kupat janë prej argjendi, por janë të tejdukshme si diamanti. Është shumë e çuditshme: argjendi aq i dendur, të jetë i tejdukshëm si diamant! Allahu i Madhëruar përmend edhe një hollësi tjetër rreth atyre gotave: “...që ata do

t’i përcaktojnë si të duan”. Pra, ato do të jenë aq sa të kënaqen dhe të ngopen besimtarët: as më shumë e as më pak. Nëse do ishin më të mëdha, ata do të veleshin, e nëse do ishin më të vogla, nuk të kënaqeshin ose ngopeshin plotësisht. Ka mundësi që kuptimi të jetë se: do të jenë vetë banorët e Xhenetit ata që do t’i përzgjedhin e i përcaktojnë ato, sipas dëshirës dhe shijes së tyre. Dhe ato do t’u shërbehen ashtu sikurse ata i dëshirojnë në mendjen e tyre. - “Do t’u jepen gota me pije të përziera me xhenxhefil. Ai vjen prej një burimi aty, që quhet Selsebil” - Në Xhenet, ata do të shijojnë gota të mbushura me pije dhe nektar, të përzier me xhenxhefil, me shije dhe aromë të mrekullueshme. Në Xhenet ndodhet në burim, që quhet Selsebil. Ai quhet kështu për shkak të bukurisë, pastërtisë dhe rrjedhshmërisë së tij çlodhëse dhe të këndshme. - “Mes tyre lëvizin duke shërbyer djelmosha, që do jenë përherë të tillë...” - Mes banorëve të Xhenetit, gjatë ushqimit e gostive të tyre, do të vërtiten si shërbëtorë djelmosha të vegjël shumë të bukur, që nuk rriten dhe as ndryshojnë. Kur i sheh të shpërndahen në shërbim, ata ngjajnë si margaritarë. Kjo është një kënaqësi tjetër e banorëve të Xhenetit. Shërbëtorët e tyre do të jenë djelmosha të bukur, që të gëzojnë kur i sheh, sepse ata të shërbejnë plot gaz. Kur hyjnë nëpër banesat e xhenetlinjve, nuk ka pasiguri dhe ndrojtje prej tyre. Ata përmbushin kërkesat e xhenetlinjve në çdo moment. - “...e që, kur i kundron, duken si margaritarë të shpërndarë. Kur hedh shikimin atje (në xhenet) , sheh begati e pasuri të mëdha,...” - Nëse i kundron, do të shihje pasuri dhe mirësi të mëdha. Nëse do të shihje pasuritë e ndonjërit prej tyre, do të mahniteshe nga kështjellat, banesat, dhomat e gdhendura e të zbukuruara, të cilat nuk mundesh t’i përshkruash. Ata zotërojnë kopshte të lulëzuara dhe plot fruta, që janë të lehta për t’u arritur dhe të shijshme. Mes këtyre kopshteve të çuditshme, rrjedhin lumenj dhe këndojnë zogj të ndryshëm këngëtarë. Të gjitha këto kënaqin zemrën dhe lumturojnë shpirtin. Atje, gjithashtu, presin gra jashtëzakonisht të bukura dhe të hijshme; të bukura nga jashtë e nga brenda, nga trupi dhe nga shpirti. Ato ua mbushin zemrat dhe shpirtin me gëzim burrave të tyre. Rreth tyre vërtiten e shërbejnë djelmosha të përjetshëm, që e shtojnë dhe plotësojnë rehatinë dhe kënaqësinë. Pastaj, mbi të gjitha këto kënaqësi dhe bukuri, qëndron lumturia më e madhe: vështrimi te Zoti i gjithësisë, tek i Gjithëmëshirshmi e Mëshirëploti, dëgjimi i fjalës së Tij, prania e afërt e Tij, kënaqësia e Zotit me ta dhe, në fund, përjetësia në këto mirësi, të cilat vetëm shtohen dhe bëhen më të larmishme. I Lartësuar dhe Lavdëruar qoftë Allahu, Mbreti, Sunduesi i gjithçkaje, i Vërteti, depot e mirësive të të Cilit nuk shterin dhe nuk pakësohen kurrë. Ashtu si cilësitë e Tij, që janë të pafundme, ashtu janë edhe mirësitë e dhuruara nga bujaria e Tij. - “Ata (besimtarët) janë të veshur me mëndafsh të hollë e të gjelbër dhe me mëndafsh të trashë,” - Ata janë të veshur me petka të bukura prej mëndafshi jeshil të hollë ( sundus) dhe me mëndafsh të trashë (istebrek), që janë nga llojet më të mira të mëndafshit. - “... të stolisur me bylyzykë të argjendtë.” - Duart e tyre, të meshkujve dhe të femrave, janë të stolisura me byzylykë e bizhuteri argjendi. Ky është një premtim i dhënë nga Zoti, dhe premtimi i Tij patjetër që do të mbahet, sepse Ai është më Fjalëdrejti dhe i Vërteti. - “Dhe Zoti i tyre u jep të pinë pije të kulluar.” – Do t’u jepet një lloj pijeje, që është e pastër nga çdo turbullirë dhe ndyrësi, nga njëra anë, dhe pastruese e barkut të tyre nga çdo gjë e keqe dhe e dëmshme, nga ana tjetër. - “Ky është shpërblimi për ju, sepse e keni merituar me përpjekjet tuaja.” - Ky shpërblim i madh ju jepet si shpërblim për veprat që keni kryer. Madje, edhe për veprat

më të vogla, Allahu Bujar dhe i Gjithëmëshirshëm ka përgatitur për ju mirësi të përjetshme të papërshkrueshme. Pasi foli për mirësitë e Xhenetit, Allahu i Madhëruar thotë:

← Insan 76:4