8. Enfal · Ajeti 15 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:15–8:29
Besimtarët urdhërohen që armikut mos t'i kthehet shpina kurrsesi. Ai që ikën prej betejës, është i dënuar në të dy jetërat, sepse besimtari duhet ditur që ndihma e Zotit është me të, po nëse vdes, ai është shehid. Kur u ndeshën besimtarët me atë grumbull të madh të armikut, Pejgamberi e kap një grusht dhë, e me të i gjuan në ftyrë armiqtë, për t'ua trubulluar sytë, ndërsa me ndihmën e Zotit çdo njërit prej armiqve iu mbushën sytë dhe hundët me dhë, kështu që ata filluan të ikin. Mos të ishte dëshira e Zotit, besimtarët që ishin pak në numër, nuk do të mund t'i mbytnin sikundër që ndodhi, e as pluhuri natyrisht nuk do t'ua mbushte sytë.
Armiqtë përqeshën në mënyrë ironike për disfatën që pësuan dhe këshillohen të ndërprejnë armiqësinë, përndryshe Zoti do t'i ndihmojë sërish besimtarët.
Besimtarët urdhërohen të jenë të sinqertë në besim e vepra, ngase Allahu u ka dhuruar logjikë të shëndoshë për ta kuptuar të vërtetën.
Allahu nuk i dhuron të mirën e besimit atij që ka ndërgjegje të sëmurë. Atë që e ka ndihmuar ta dallojë të mirën nga e keqja, ia ka ndriçuar zemrën me besimin e drejtë, e zemrat janë në dorë të Allahut, i rrotullon ato ashtu si do Ai.
Ndëshkimet si masë përmirësuese kundër mizorëve e dhunuesve, nuk i përfshijnë vetëm fajtorët, por ndodh që edhe ndonjë i mirë të pësojë bashkë me ta, andaj është detyrë e të mirëve që të këshillojnë për mirë dhe të ndalojnë nga të këqiat, përndryshe do të jenë përgjegjës.
Tradhtia e përmendur ka të bëjë me një person që sekretet e myslimanëve ua dha idhujtarëve apo jehudive.
Pasuria dhe fëmijët janë preokupim i kësaj jete, prandaj nuk duhet mashtruar pas tyre, e lëre atë që është te Allahu si shpërblim i madh e i përhershëm.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:15–8:16
- O ju që keni besuar! Kur të jeni përballë ushtrisë së jobesimtarëve, kurrë mos ua ktheni shpinën! - Allahu i Lartësuar kërcënon me zjarr ata të cilët largohen nga fronti i luftës dhe paralajmëron çdonjë që guxon të bëjë një gabim të tillë. I Lartësuari thotë: “Kur të jeni përballë ushtrisë së jobesimtarëve, kurrë mos ua ktheni shpinën!” Domethënë, kur të jeni përballë armikut, kurrë mos dezertoni dhe të braktisni vëllezërit dhe shokët tuaj! - Askush të mos ua kthejë atyre shpinën në atë moment, veç atij që kthehet për të luftuar ose për t’iu bashkëngjitur një grupi tjetër. - Nëse largohet si strategji për ta tërhequr armikun në kurth, dhe pastaj t’i lëshohet dhe ta vrasë, nuk konsiderohet gabim. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “...ose për t’iu bashkëngjitur një grupi tjetër.” Domethënë, nëse largohet nga një grup, për t’ju bashkëngjitur një grupi tjetër të muslimanëve, me qëllimin për t’i ndihmuar ata ose që ata ta ndihmojnë atë, edhe në këtë rast është e lejueshme. Madje, edhe nëse është në një çetë dhe tërhiqet për t’iu bashkëngjitur udhëheqësit të tij, ose udhëheqësit të madh të muslimanëve, edhe kjo është e lejuar. Imam Ahmedi sjell rrëfimin nga Abdullah Ibn Umeri: 1267. “Kam qenë në një ekspeditë luftarake të dërguar nga Profeti i Allahut. Gjatë luftimit, një grup u larguan për t’i shpëtuar luftës, dhe unë isha prej atyre që u larguan. Duke folur me njëri -tjetrin, thamë: ‘Si do të veprojmë tani, që u larguam nga fusha e betejës, duke merituar zemërimin?’ Pastaj thamë: ‘Përse të mos hymë në Medinë, kalojmë natën atje, pastaj shkojmë tek Profeti i Allahut dhe i dorëzohemi. Pastaj e pyesim nëse ka falje për ne.’ Atëherë, ne shkuam tek ai përpara namazit të drekës. Kur Profeti ﷺ doli nga shtëpia, na tha: ‘Kush jeni ju?’ Ne i thamë: ‘Jemi ata që u larguam nga lufta...’ - ‘Jo, - tha Profeti, - ju jeni ata që iu bashkëngjitët udhëheqësit tuaj. Unë jam grupi, të cilit mund t’i bashkëngjitet çdokush prej muslimanëve!’ Atëherë, ne shkuam tek ai dhe i puthëm dorën.” Kështu e ka sjellë Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe, përmes rrugës së Jezid Ibn Ebu Zijadit. Ndërsa Tirmidhiu ka thënë: “Ky është një transmetim hasen, të cilin e njohim veçse përmes hadithit të Ibn Ebu Zijadit”. Ibn Ebu Hatimi shton në fund të këtij hadithi edhe një detaj, ku thotë: “...Profeti i Allahut lexoi ajetin: “Ose për t’iu bashkëngjitur një grupi tjetër” Abdul Melik Ibn Umejri përcjell thënien e Umerit: “O ju njerëz! Mos e keqkuptoni këtë ajet, sepse ai flet për atë që ndodhi në luftën e Bedrit. Dijeni se unë jam grupimi ku mund të kthehet çdo musliman!” Ibn Ebu Hatimi sjell, gjithashtu, thënien e Ibn Umerit: “... Ky ajet zbriti pikërisht në luftën e Bedrit, jo para dhe as pas saj.” - Kush tërhiqet, ai ka tërhequr kundër vetes zemërimin e Allahut dhe vendi i tij është Xhehenemi, një strehim shumë i keq. - Dezertimi nga lufta pa asnjë shkak konsiderohet nga gjynahet e mëdha. Sipas
asaj që transmeton Buhariu dhe Muslimi në dy Sahih-ët nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 1268. “Largojuni 7 gjynaheve shkatërruese!” - “O i Dërguari i Allahut, - i thanë, - cilat janë ato?” Ai tha: “Shirku ndaj Allahut (idhujtaria), magjia, vrasja (marrja e jetës) e atij që Allahu e ka ndaluar të vritet, veç nëse bëhet me të drejtë dhe sipas ligjit; ngrënia e fajdesë, ngrënia e pasurisë së jetimit, largimi nga fushëbeteja (dezertimi), shpifja për gratë e ndershme besimtare.” Allahu i Lartësuar thotë: “... ai ka tërhequr kundër vetes zemërimin e Allahut dhe vendi i tij është Xhehenemi, një strehim shumë i keq.” Ai ka dezertuar për të merituar zemërimin e Allahut dhe në Ditën e Kijametit përfundimi i tij është në Zjarr. Disa kanë shprehur mendimin se largimi nga fushëbeteja ishte haram vetëm për sahabët, sepse xhihadi ishte farz ajn për ta. Madje, disa kanë thënë se ky gjykim ishte i veçantë veçse për ensarët, sepse ata i dhanë besën Profetit për ta dëgjuar dhe për t’ju bindur, si në kohë të mira, ashtu dhe në kohë të vështira. Thuhet, gjithashtu, se ajeti kishte si objektiv veçse pjesëmarrësit e Bedrit, dhe ky është transmetuar si mendim i Umerit, Ibn Umerit, Ibn Abasit, Ebu Hurejrës, Ebu Seidit, Ebu Nedrate, Nafia meula Ibn Umer, një grup prej tabiinësh e të tjerë. Argumenti i tyre është se pjesëmarrësit në Bedër ishin i vetmi grup luftarak që ekzistonte në atë kohë së bashku me Profetin ﷺ . Atëherë nuk kishte grup tjetër ku ata mund të ktheheshin, sikurse tha Profeti ﷺ : 1269. “O Zot, nëse vriten ky grup, nuk ke për t’u adhuruar më në Tokë!” Sidoqoftë, kjo nuk hedh poshtë gjykimin se largimi nga fushëbeteja është haram edhe për luftëtarët e tjerë, që nuk kanë marrë pjesë në Bedër, edhe pse shkaku i zbritjes së ajetit ishte pikërisht lufta e Bedrit. Kështu, gjykimi është gjithëpërfshirës, siç tregon për këtë edhe hadithi i Ebu Hurejras, që u përmend më sipër. Përfundimisht, dezertimi nga fushëbeteja është një nga gjynahet e mëdha, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve. Megjithatë, Allahu është më i ditur.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:15–8:16
Allahu i Madhëruar i urdhëron besimtarët për guxim e trimëri, ashtu sikurse ua dikton edhe imani i tyre. Ai i urdhëron të bëhen të fortë dhe të qëndrueshëm. 22 Për të realizuar këtë, ata duhet të marrin çdo masë paraprake. Allahu i ndalon besimtarët nga dezertimi në momentet e takimit me armikun: - O ju që keni besuar! Kur të jeni përballë ushtrisë së jobesimtarëve, kurrë mos ua ktheni shpinën! Askush të mos ua kthejë atyre shpinën në atë moment, veç atij që kthehet për të luftuar ose për t’iu bashkëngjitur një grupi tjetër." - Kur të ndesheni me qafirët ballë për ballë, mos u largoni duke u kthyer shpinën, por qëndroni në fushëbetejë si burrat, duke duruar ashpërsinë e luftës. Rezistenca juaj është ndihma që i jepni fesë së Allahut. Kështu forcohen zemrat e besimtarëve dhe tmerrohen qafirët. - “Kush tërhiqet, ai ka tërhequr kundër vetes zemërimin e Allahut dhe vendi i tij është Xhehenemi, një strehim shumë i keq.” - Kjo tregon se dezertimi nga lufta pa arsye të pranueshme nga Sheriati konsiderohet si një nga gjynahet më të mëdha. Këtë e përforcojnë edhe hadithet e shumta të sakta nga Profeti ﷺ . Edhe këtu është sjellë një kërcënim i ashpër për ata që bien në këtë gjynah të rëndë. Megjithatë, duhet kuptuar se ajeti nuk qorton ata që bëjnë lëvizje ose tërheqje strategjike në fushëbetejë, për një luftë sa më efikase dhe për të dëmtuar sa më shumë armiqtë e Zotit. Kjo nuk bëhet për t’ia mbathur dhe për t’iu shmangur luftës, por ndoshta për të gjetur një pozicion më të volitshëm, për ta futur në kurth armikun ose për ndonjë qëllim tjetër strategjik. Edhe lëvizja për t’iu
bashkëngjitur një grupi tjetër luftëtarësh muslimanë është e lejueshme, përderisa ndihmon në arritjen e qëllimit të luftës. Nëse këto lëvizje bëhen brenda kampit të muslimanëve, është e qartë se janë të lejueshme. Gjithashtu, ato janë të lejueshme edhe kur një grup muslimanësh gjendet jashtë kampit ose fushëbetejës, dhe ndodh që beteja ka përfunduar me humbjen e muslimanëve.