8. Enfal · Ajeti 2 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:1–8:8

Thuhet se një karvan i madh dhe i pasur i tregtisë së kurejshitëve kthehej prej Shamit - Sirisë. Me urdhërin e Zotit vjen Xhibrili dhe i thotë Muhammedit se Allahu ju premtoj: devet me tregti ose fitore kundër kurejshitëve, Pejgamberi konsultohet me shokët e ata e dëshiruan grupin e deveve. Mirëpo, Ebu Sufjani, udhëheqës i tregtisë e shmang rrugën dhe i lajmëron mekasit për rrezikun që u kanoset prej myslimanëve dhe i thërret në ndihmë. Ebu Xhehli në krye gati të njëmijë idhujtarëve, me të shpejtë arrin në Bedër. Pejgamberi i njofton shokët se karvani i tregtisë ka ikur bregut të detit, ndërsa Ebu Xhehli ka ardhur në Bedër. Disa shokë i thonë - O i dërguar i Zotit, ne kemi dalë për devet, jo të përgatitur sa duhet për luftë, e hiqu luftës dhe armikut. Pejgamberit i vjen rëndë. Ngritet Sad ibni Ubade e thotë: vazhdo o i dërguar si ta marrë mendja, ne jemi me ty. Pas tij ngritet Sad ibni Muadhie e thotë: Pasha Atë, që të dërgoi ty me të vërtetën! Nëse ti hidhesh në det, edhe ne do të hidhemi së bashku me ty, prandaj vazhdo në saje të Zotit! Ky qëndrim i këtyre dy sahabëve autoritativë medinas e gëzoi pa masë Pejgamberin.

Edhe rreth ndarjes së plaçkës së fituar pati kundërthënie, andaj Zoti xh. sh. i thotë Muhammedit që t'i udhëzojë myslimanët se çfarë virtytesh duhet të posedojnë për të qenë besimtarë të sinqertë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:2–8:4

- Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që, kur përmendet Allahu, u frikësohet zemra ...” - Ali Ibn Ebu Talha sjell shpjegimin e Ibn Abasit rreth këtij ajeti: “Munafikët janë njerëz që nuk u hyn asgjë në zemër prej përmendjes së Allahut. Madje, edhe gjatë kryerjes së adhurimeve të detyrueshme, ata nuk e përmendin Allahun. Ata nuk besojnë asgjë prej ajeteve të Allahut, nuk i mbështeten Atij dhe, nëse nuk i sheh kush, as nuk falen fare. Ata nuk e japin zekatin e pasurisë së tyre. “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që, kur përmendet Allahu, u frikësohet zemra...”. Domethënë, përmenden nga pakujdesia dhe frikësohen, prandaj përkushtohen për të përmbushur detyrimet, nënshtrohen për të kryer urdhëresat dhe për t’iu larguar ndalesave. Sikurse thotë i lartësuari: “Edhe ata që kur bëjnë ndonjë gjë të shëmtuar, ose kur i bëjnë padrejtësi vetvetes, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për gjynahet e tyre. E kush i fal tjetër gjynahet, përveç Allahut? Ata nuk vazhdojnë më me atë gjë që kanë bërë më parë, sepse e dinë.” [A Imran 135], ose: “E për atë që i është druajtur daljes para Zotit të vet dhe e ka ndaluar veten prej lakmisë, xheneti do të jetë vendi i tij.” [Naziat 40, 41]. Ky është përshkrimi i besimtarit të vërtetë. - dhe, kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi. - U shtohet bindja në zemër për çështjet e besimit . Buhariu dhe të tjerë kanë sjell si provë këtë ajet e të tjerë të

ngjashëm për faktin se imani shtohet dhe pakësohet dhe se zemrat e njerëzve nuk janë njëlloj në aspektin e imanit që gjendet brenda tyre. Për këtë tregon edhe fjala e Allahut: “Sa herë që shpallet ndonjë sure, disa prej tyre thonë: “Kujt ia shtoi besimin kjo sure?” Po. Besimtarëve ua shton besimin dhe ata gëzohen. E, sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemër, ajo ua shton edhe më shumë dyshimin që kanë, dhe ata do të vdesin si mohues.” [Teube 124, 125]. Ky është mendimi i shumicës së umetit, madje është përcjellë mendimi se rreth kësaj çështjeje ka unanimitet. - Ata kërkojnë mbështetje vetëm te Zoti i tyre. - Vetëm tek Ai shpresojnë dhe Ai është i vetmi qëllim i tyre. Vetëm Allahut i mbështeten për të arritur çdo të mirë dhe vetëm Atij i luten për çdo nevojë. Vetëm tek Ai i kanë shpresat, sepse e dinë mirë se ajo që Allahu dëshiron të jetë, do të jetë dhe ajo që Ai nuk dëshiron të jetë, ajo kurrë nuk mund të jetë. Ai është i Vetmi që administron dhe vepron në pronën dhe sundimin e Tij, pa patur shok në këtë. Askush nuk mund të refuzojë e pengojë gjykimin e vendimin e Tij. Ai është llogaritës i shpejtë. Për këtë arsye, Seid Ibn Xhubejri ka thënë: “Mbështetja tek Allahu është përmbledhësi i gjithë imanit.” - Ata e përkryejnë namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. - Përkryerja e namazit është falja e tij në kohën e përcaktuar nga Zoti, abdesi i plotë përpara tij, përmbushja e shtyllave të tij, plotësimi i rukusë, sexhdes, këndimit të Kur 'anit, qetësia gjatë gjithë fjalëve e veprimeve të tij, teshehudi, salavatet për Profetin ﷺ etj. Ndërsa shpenzimi për hir të Allahut përfshin dhënien e zekatit dhe çdo shpenzim tjetër të detyrueshëm ose të pëlqyeshëm. Duhet të dihet mirë se të gjitha këto mirësi e pasuri është Allahu që i ka lënë në dorën tuaj përkohësisht, sepse do të vijë koha që robi do të largohet prej tyre. - Këta janë besimtarë të vërtetë. - Amr Ibn Murrahi ka thënë: “Kur 'ani u zbrit në gjuhën arabe. Arabët thonë: “Filani është një fisnik i vërtetë”, edhe pse ai nuk është i vetëm me këtë cilësi. Po kështu thonë: “Filani është një tregtar i vërtetë”, edhe pse ka edhe të tjerë si ai. - Ata kanë grada të larta te Zoti i tyre dhe falje e bujari prej Tij. - Ata do të jenë në vendet më të bukura të Xhenetit. Allahu ua ka falur e mbuluar gjynahet dhe do t’i shpërblejë me bujari për mirësitë që kanë bërë. Në dy Sahih-ët është hadithi se Profeti i Allahut ka thënë: 1258. “Banorët e Illijinit do të shihen nga banorët që janë në gradat poshtë tyre, ashtu siç shihet një yll i largët në skajet e qiellit.” - “O i Dërguari i Allahut! - e pyetën - A janë këto gradat e profetëve të Allahut, ku nuk shkon askush tjetër veç tyre?” - “Jo, për Atë në dorë të të Cilit është shpirti im! Ata janë burra që kanë besuar në Allahun dhe vërtetësinë e profetëve të Tij.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:1–8:4

Enfal quhet plaçka e luftës, të cilën Allahu i Madhëruar e ka bërë të lejuar për muslimanët. Konteksti i këtyre ajeteve është Beteja e Bedrit, ku për herë të parë, muslimanët morën plaçkë lufte të madhe prej idhujtarëve. Me këtë rast, pati disa mosmarrëveshje mes muslimanëve, prandaj ata u drejtuan tek i Dërguari i Allahut për të marrë gjykimin e tij. Atëherë, i Madhëruari shpalli ajetet: - “Të pyesin për plaçkën e luftës. Thuaju: “Plaçka e luftës është çështje e Allahut dhe e të Dërguarit,…” - Atyre që të pyesin ty për plaçkën e fituar në luftë, se si duhet të ndahet ajo, thuaju se kjo është çështje e Allahut dhe të Dërguarit, të cilët do të gjykojnë me drejtësi. Juve nuk ju takon që të kundërshtoni gjykimin e Zotit dhe Profetit të Tij. Nëse Allahu dhe Profeti i Tij gjykojnë për diçka, ju duhet ta pranoni me kënaqësi dhe pa asnjë diskutim gjykimin e tyre. - “…prandaj kijeni frikë Allahun!...” - Frikësojuni Allahut, duke kryer urdhëresat dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, në shenjë dashurie, nënshtrimi e madhërimi për Të. - “...rregulloni marrëdhëniet me njëri - tjetrin!...” - Rregulloni e përmirësoni marrëdhëniet mes jush, duke mjekuar urrejtjen, largimin, pakënaqësitë, smirën etj., dhe duke kultivuar dashurinë, afrimitetin, dashamirësinë e bujarinë mes jush. Në këtë mënyrë, do të bashkoni rradhët dhe fjalën tuaj. Urrejtja dhe grindjet janë shkaktues të prishjes së unitetit mes muslimanëve. Për të rregulluar marrëdhëniet shoqërore nevojitet moral i mirë, falje dhe tolerancë ndaj gabimeve, dashuri e dhembshuri për njëri tjetrin. Kështu bashkohen muslimanët dhe shmangen konfliktet mes tyre. Sidoqoftë, ky urdhër i mrekullueshëm që vijon i përfshin të gjitha masat për një shoqëri të shëndetshme: - “...dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë!” - Besimtari i bindet Allahut dhe Profetit të Tij, përndryshe nuk është besimtar i vërtetë. Bindja ndaj Allahut dhe Profetit varen nga besimi në zemër: pak bindje do të thotë pak besim. Besimi mund të jetë i plotë ose jo.

Prej besimit të plotë vjen suksesi dhe mirësia në çdo fushë. Allahu i Lartësuar përshkruan më poshtë besimtarët me iman të plotë: - “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që, kur përmendet Allahu, u frikësohet zemra dhe, kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi. Ata kërkojnë mbështetje vetëm te Zoti i tyre. Ata e përkryejnë namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne.” - Në arabisht, nyja ‘ el’ përpara emrit (tek ‘ el mu’minûne ’ – ‘besimtarë’), tregon se i emërtuari e gëzon plotësisht kuptimin e këtij emri, deri në detaje. Kësisoj, në ajet flitet për besimtarë të vërtetë, që e kanë të plotë besimin e tyre, me të gjitha detajet. Po çfarë cilësish kanë ata? Së pari, kur përmendet Allahu, atyre u frikësohet zemra, u mbushet me përunjësi e frikërespekt, e përzier me dashuri për Allahun e Madhëruar. Kjo ndjenjë shfaqet si gjurmë në veprat e tyre, sidomos duke u larguar nga haramet dhe duke ruajtur kufijtë e Zotit. Gjithashtu, kur u lexohen ajetet e Zotit, atyre u shtohet imani. Duke patur iman, ata dëgjojnë me vëmendje ajetet e Zotit dhe meditojnë rreth kuptimit të tyre. Në këtë mënyrë, imani shtohet, fuqizohet dhe pastrohet më tepër. Meditimi në Shpalljen dhe kumtet e Zotit është punë e zemrës, prandaj nuk ka dyshim se gjatë meditimit, kuptohen ose qartësohen mesazhe që më parë nuk diheshin, ose, së paku, kujtohet diçka e harruar dhe e lënë nga pakujdesia. Përveç kësaj, meditimi e nxit zemrën drejt mirësisë dhe prodhon dëshirë të zjarrtë për të arritur mirësitë që ofron bujaria e Zotit. Në të njëjtën kohë, ai sjell drojën për ndëshkimin nga Zoti, si paralajmërim për t’u larguar nga gjynahet dhe mosbindja. Të gjitha këto janë procese të brendshme të zemrës, që e shtojnë besimin, nëse vërtet ndodhin dhe kultivohen. Cilësi tjetër e tyre është se: ata i mbështeten vetëm Zotit të tyre, pa i bërë shok Atij. Ata ia lënë në dorëzim çështjet e tyre veç Allahut, qoftë kur bëhet fjalë për të arritur ndonjë të mirë, qoftë për t’u ruajtur nga ndonjë e keqe, që ka të bëjë me fenë ose me dynjanë e tyre. Ata i mbështeten veç Allahut, duke qenë të sigurt se Ai do t’ua plotësojë atë që shpresojnë. Mbështetja ( el teuekkul) tek Allahu është shtysa e të gjitha veprave të besimit. Asnjë vepër e tillë nuk mund të jetë e plotë pa teuekkul. Tipar tjetër dallues është se ata falin namaz të rregullt, me të gjitha ndjenjat, fjalët dhe veprat e detyrueshme dhe të pëlqyeshme të namazit, të dukshme e të shfaqura, por edhe ato të fshehura e të brendshme, siç është përqendrimi me zemër gjatë kryerjes së tij. Madje, përqendrimi dhe punët e zemrës janë shpirti dhe thelbi i namazit. Në fund, ata e shpenzojnë pasurinë në rrugë të Allahut, qoftë duke shlyer detyrimet fetare, siç është zekati, kompensimet e ndryshme, mirëmbajtja dhe ushqimi i familjes, shërbëtorëve, vartësve etj., qoftë duke bërë vepra bamirësie të pëlqyeshme. - “Këta janë besimtarë të vërtetë. Ata kanë grada të larta te Zoti i tyre dhe falje e bujari prej Tij.” - Ata që kanë të tilla cilësi janë besimtarë të vërtetë, sepse plotësojnë si formën e jashtme e të dukshme, që përbëjnë islamin, ashtu edhe anën e brendshme, që përfaqëson imanin. Kështu, ata plotësojnë të gjitha punët e dukshme dhe ato të padukshme. Ata kanë dituri të saktë dhe të dobishme dhe punojnë sipas saj. Ata plotësojnë detyrimet si ndaj Allahut të Lartësuar, ashtu edhe ndaj krijesave të Tij. Allahu i Madhëruar përmend fillimisht punët e zemrës dhe rëndësinë e tyre, sepse ato janë baza e punëve të jashtme dhe më të rëndësishme e më dobiprurëse se ato. Ky ajet mbështet faktin se imani shtohet dhe pakësohet, forcohet dhe dobësohet. Ai shtohet duke vepruar punë të mira, në shenjë bindjeje ndaj Zotit, dhe pakësohet e dobësohet me gjynahe e me kundërshtim ndaj Zotit. Njeriu duhet që, kohë pas kohe, të përkujdeset për imanin e vet, duke e rifreskuar e përforcuar atë. Pa dyshim, ndër veprat më të rëndësishme që sjellin rinovimin e forcimin e imanit është

meditimi mbi Librin e Zotit të Lartësuar, në kuptimet e kumtet e tij. Pastaj Allahu i Madhëruar flet për shpërblimin që i pret besimtarët me iman të plotë e të vërtetë: - “...kanë grada të larta te Zoti i tyre, si edhe falje e bujari prej Tij.” - Në varësi të veprave, do të jenë edhe gradat e tyre në Xhenet, ku do të nderohen përjetësisht. Gjithashtu, për ta ka falje gjynahesh dhe furnizime bujare. Ky është shpërblimi i madh që Zoti ka përgatitur për ta në vendin e mirësisë së përjetshme. Aty Ai ka fshehur atë që sytë nuk e kanë parë, veshët nuk e kanë dëgjuar dhe zemra nuk e ka imagjinuar. Ajeti tregon, gjithashtu, se besimtarët që nuk e kanë arritur gradën e imanit të këtyre të zgjedhurve nuk kanë për të arritur as shpërblimet e larta të tyre, edhe pse do të hyjnë në Xhenet, e do të gëzojnë atë nivel mirësish që Allahu ka rezervuar për ta.

← Enfal 8:2