8. Enfal · Ajeti 27 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:15–8:29
Besimtarët urdhërohen që armikut mos t'i kthehet shpina kurrsesi. Ai që ikën prej betejës, është i dënuar në të dy jetërat, sepse besimtari duhet ditur që ndihma e Zotit është me të, po nëse vdes, ai është shehid. Kur u ndeshën besimtarët me atë grumbull të madh të armikut, Pejgamberi e kap një grusht dhë, e me të i gjuan në ftyrë armiqtë, për t'ua trubulluar sytë, ndërsa me ndihmën e Zotit çdo njërit prej armiqve iu mbushën sytë dhe hundët me dhë, kështu që ata filluan të ikin. Mos të ishte dëshira e Zotit, besimtarët që ishin pak në numër, nuk do të mund t'i mbytnin sikundër që ndodhi, e as pluhuri natyrisht nuk do t'ua mbushte sytë.
Armiqtë përqeshën në mënyrë ironike për disfatën që pësuan dhe këshillohen të ndërprejnë armiqësinë, përndryshe Zoti do t'i ndihmojë sërish besimtarët.
Besimtarët urdhërohen të jenë të sinqertë në besim e vepra, ngase Allahu u ka dhuruar logjikë të shëndoshë për ta kuptuar të vërtetën.
Allahu nuk i dhuron të mirën e besimit atij që ka ndërgjegje të sëmurë. Atë që e ka ndihmuar ta dallojë të mirën nga e keqja, ia ka ndriçuar zemrën me besimin e drejtë, e zemrat janë në dorë të Allahut, i rrotullon ato ashtu si do Ai.
Ndëshkimet si masë përmirësuese kundër mizorëve e dhunuesve, nuk i përfshijnë vetëm fajtorët, por ndodh që edhe ndonjë i mirë të pësojë bashkë me ta, andaj është detyrë e të mirëve që të këshillojnë për mirë dhe të ndalojnë nga të këqiat, përndryshe do të jenë përgjegjës.
Tradhtia e përmendur ka të bëjë me një person që sekretet e myslimanëve ua dha idhujtarëve apo jehudive.
Pasuria dhe fëmijët janë preokupim i kësaj jete, prandaj nuk duhet mashtruar pas tyre, e lëre atë që është te Allahu si shpërblim i madh e i përhershëm.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:27–8:28
- O ju që keni besuar! Mos e tradhtoni besimin e Allahut dhe të të Dërguarit, dhe mos i tradhtoni me vetëdije amanetet që ju lihen ju! - Mufesirët kanë dhënë opinione të ndryshme, në lidhje me shkakun e zbritjes së këtij ajeti. Disa prej tyre kanë thënë: 1279. “Ky ajet u zbrit e flet për Ebu Lubabe Ibn Mundhirin, të cilin Profeti i Allahut e dërgoi tek fisi i Benu Kurejdhave, që t'i dorëzoheshin gjykimit të Profetit për ta. Ata i kërkuan mendimin Ebu Lubabes, duke i thënë: “O Ebu Lubabe, si mendon ti, a duhet t’i dorëzohemi gjykimit të Muhamedit? A do të ishte kjo zgjidhja më mirë?” - “Po”, - tha Ebu Lubabe, dhe ndërkaq bëri shenjë me dorë te qafa, për të treguar që gjykimi për ata ishte vdekja. Por menjëherë pas kësaj vepre, Ebu Lubabe e kuptoi se kishte gabuar me këtë informacion që u dha çifutëve. Ai u betua se nuk do të hante më ushqim, derisa të vdiste ose derisa Allahu t'ia pranonte pendimin. Ai shkoi dhe e lidhi veten në një nga shtyllat e xhamisë së Profetit ﷺ .Atje qëndroi për nëntë ditë, aq sa i binte të fikët nga lodhja e uria, derisa Allahu i shpalli Profetit se e kishte pranuar pendimin e tij. Njerëzit shkuan ta uronin për pranimin e pendimit nga Allahu dhe tentuan ta zgjidhnin nga shtylla. Por ai ishte betuar se nuk do të largohej nga ai vend, derisa vetë Profeti ﷺ ta zgjdhte me duart e tij. Atëherë, Profeti ﷺ e zgjidhi me duart e veta. Në këtë moment, Ebu Lubabe tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë unë pata vendosur që do ta jepja të gjithë pasurinë time si sadaka.” Profeti i tha: “Mjafton të japësh një të tretën e saj.” Hadithin e ka sjellë Abdurezaku nga Katade dhe Zuhriu. Ibn Xheriri përcjell nga Mugira Ibn Shube, se: “ky ajet ka zbritur dhe flet për vrasjen e Uthmanit”(!) Ai ka thënë, gjithashtu, se ajeti flet për një munafik, i cili e njoftoi Ebu Sufjanin, duke i thënë: “Muhamedi synon t’ju sulmojë, prandaj merrni masat...”. Por ky hadith është i dyshimtë në senedin dhe tekstin që sjell. Thuhet, gjithashtu, se ka zbritur në lidhje me Hatib Ibn Ebu Beltean, i cili u shkroi Kurejshëve dhe njoftoi për synimin e Profetit për çlirimin e Mekës. Por Allahu ia tregoi Profetit të Tij këtë ndodhi dhe ai dërgoi menjëherë dikë për të kapur korrierin, i cili arriti ta ndalonte atë mesazh. Atëherë, Profeti ﷺ e thirri Hatimin dhe ai e pranoi atë që e kishte bërë, sikurse është e njohur kjo histori. Por, - thotë Ibn Kethiri, - mendimi më i saktë është se ky ajet, edhe pse është transmetuar për një ngjarje të veçantë, është gjithëpërfshirës dhe jep një gjykim të përgjithshëm. Dihet mirë parimi në Sheriatin islam, sipas të cilit: “Kuptimi gjithëpërfshirës i tekstit është më parësor për t'u marrë në konsideratë, sesa shkaku specifik për të cilin ka ardhur ai tekst.” Ky është një rregull i pranuar nga shumica e dijetarëve. El ħijâne (tradhtia) përfshin të gjitha gjynahet, si të voglat edhe të mëdhatë; si ato gjynahe që robi i bën në veten e vet, edhe padrejtësitë kundër të tjerëve. Allahu i Lartësuar thotë, gjithashtu: “...dhe mos i tradhtoni me vetëdije amanetet që ju lihen ju!” Ali Ibn Ebu Talha përcjell nga Ibn Abasi thënien: “Amanetet janë detyrimet dhe përgjegjësitë, të cilat i besohen një njeriu”. Allahu thotë: “Mos i tradhtoni amanetet.” Domethënë, mos i shkelni ato. Sipas një transmetimi, qëndron: “Mos e tradhtoni besimin e Allahut dhe të të Dërguarit”, duke braktisur rrugën e Tij, duke kryer gjynahe e poshtërsi dhe duke shpërfillur ndalesat e Tij. Suddiju ka thënë: “Ai që tradhton besimin e Allahut dhe të Dërguarit, ai ka për të tradhtuar me vetëdije edhe amanetet e njerëzve.” - Dijeni se pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju dhe se shpërblimi i madh gjendet vetëm tek Allahu. - Ato ju janë dhënë për t’ju vënë në provë dhe për të
nxjerrë në pah besimin tuaj. Allahu i Lartësuar jua ka dhuruar ato, që të duket nëse do të jeni mirënjohës për to, duke iu bindur dhe nënshtruar Atij, apo do të jepeni tërësisht pas tyre, duke braktisur adhurimin e bindjen ndaj Tij? Kjo ngjan me ajetin: “O ju që keni besuar, vërtet, disa nga bashkëshortet tuaja dhe fëmijët tuaj janë armiqtë tuaj. Prandaj kini kujdes prej tyre. Nëse i falni, toleroni dhe ua mbuloni gabimet e tyre, ta dini se edhe Allahu është Falës e Mëshirëplotë. Nuk ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë veçse sprovë, ndërsa tek Allahu është shpërblimi i madh. Bëhuni të devotshëm ndaj Allahut sa të mundeni, dëgjoni, binduni dhe shpenzoni për bamirësi! Kjo është në të mirën tuaj. Kush i ruhet koprracisë së vetes, është i shpëtuar. Nëse i jepni Allahut një ‘hua’ të mirë, Ai do t’jua shumëfishojë atë dhe do t’ju falë gjynahet. Allahu është Mirënjohës i madh dhe shumë i Mëshirshëm.” [Tegabun 15 - 17], ose: “O ju që keni besuar! As pasuria e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin prej kujtimit të Allahut! Ata që veprojnë kështu, janë të humbur.” [Munafikun 9]. Më pas, i Lartësuari thotë: “...shpërblimi i madh gjendet vetëm tek Allahu.” Kështu shpërblimet, dhuratat dhe Xheneti i Tij janë shumë më të mira sesa pasuria, fëmijët dhe çdo stoli e kësaj bote. Madje, mes këtyre stolive mund të ketë edhe të tillë që janë armiqtë tuaj dhe nuk mund të të sjellin asnjë lloj dobie. Ndërsa Allahu i Lartësuar është i vetmi që ka në dorë të gjitha çështjet e krijesave. Ai është Pronari dhe Sunduesi i dynjasë dhe ahiretit. Në dorën e Tij është shpërblimi i madh në Ditën e Kijametit. Kështu, dashuria për Allahun dhe Profetin e Tij do të jetë më parësore sesa dashuria dhe përkushtimi ndaj pasurisë dhe fëmijëve. Në një hadith të sakt ë, Profeti i Allahut ka thënë: 1280. “Janë tri ndjenja që, nëse dikush i gjen në zemrën e tij, ai vërtet e ka ndier ëmbëlsinë e imanit: që Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të shtrenjtë në zemrën e tij sesa çdo lloj dashurie tjetër, të dojë dikë veçse për hir të Allahut dhe të urrejë që të kthehet në mosbesim, pasi Allahu e shpëtoi prej tij, ashtu si e urren që të flaket në zjarr.” Në një hadith të saktë, Profeti i Allahut ka thënë: “Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, se askush nga ju nuk ka besuar (plotësisht), derisa unë të jem më i dashur për të sesa prindi i tij, fëmija i tij dhe të gjithë njerëzit bashkë.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:27–8:28
- “O ju që keni besuar! Mos e tradhtoni besimin e Allahut dhe të të Dërguarit, dhe mos i tradhtoni me vetëdije amanetet që ju lihen ju!” - Allahu i Madhëruar i urdhëron robërit e Tij besimtarë që ta çojnë në vend amanetin për zbatimin e urdhrave dhe fesë së Tij. Këtë amanet Allahu i
Madhëruar ua ngarkoi maleve dhe qiejve, por ata nuk e pranuan, duke shprehur keqardhjen, pamundësinë dhe frikën e tyre për të marrë përsipër këtë përgjegjësi. Por këtë peshë të rëndë e mori njeriu, i cili ishte i padrejtë dhe i paditur. Në këtë mënyrë, kush e mban amanetin dhe e çon atë në vend, meriton shpërblim të madh. Ndërsa ata që e tradhtojnë atë, meritojnë ndëshkimin më të rëndë dhe që të emërtohen si tradhtarë ndaj Allahut dhe Profetit të Tij. Të tillë njerëz përçmojnë veten me cilësinë e shëmtuar të tradhëtisë. Ata nuk janë të denjë për virtytin e lartë të besnikërisë dhe të ruajtjes së amanetit. Duke qenë se dashuria për bukuritë e kësaj bote, siç janë pasuria dhe fëmijët, mund ta pengojnë njeriun në përmbushjen e amanetit, Allahu i Madhëruar bën të qartë se ato janë veçse sprovë. Do të vijë dita që këto bukuri do t’i kthehen sërish Atij që na i dhuroi. - “Dijeni se pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju dhe se shpërblimi i madh gjendet vetëm tek Allahu.” - Nëse keni logjikë të shëndoshë, atëherë duhet t’i jepni përparësi mirësisë së madhe të Allahut, kundrejt kënaqësive të vogla e të shkurtra, që faniten e harrohen shumë shpejt. Njeriu i mençur di të dallojë dhe t’i japë përparësi asaj që duhet dhe që e meriton të vlerësohet.