8. Enfal · Ajeti 29 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:15–8:29
Besimtarët urdhërohen që armikut mos t'i kthehet shpina kurrsesi. Ai që ikën prej betejës, është i dënuar në të dy jetërat, sepse besimtari duhet ditur që ndihma e Zotit është me të, po nëse vdes, ai është shehid. Kur u ndeshën besimtarët me atë grumbull të madh të armikut, Pejgamberi e kap një grusht dhë, e me të i gjuan në ftyrë armiqtë, për t'ua trubulluar sytë, ndërsa me ndihmën e Zotit çdo njërit prej armiqve iu mbushën sytë dhe hundët me dhë, kështu që ata filluan të ikin. Mos të ishte dëshira e Zotit, besimtarët që ishin pak në numër, nuk do të mund t'i mbytnin sikundër që ndodhi, e as pluhuri natyrisht nuk do t'ua mbushte sytë.
Armiqtë përqeshën në mënyrë ironike për disfatën që pësuan dhe këshillohen të ndërprejnë armiqësinë, përndryshe Zoti do t'i ndihmojë sërish besimtarët.
Besimtarët urdhërohen të jenë të sinqertë në besim e vepra, ngase Allahu u ka dhuruar logjikë të shëndoshë për ta kuptuar të vërtetën.
Allahu nuk i dhuron të mirën e besimit atij që ka ndërgjegje të sëmurë. Atë që e ka ndihmuar ta dallojë të mirën nga e keqja, ia ka ndriçuar zemrën me besimin e drejtë, e zemrat janë në dorë të Allahut, i rrotullon ato ashtu si do Ai.
Ndëshkimet si masë përmirësuese kundër mizorëve e dhunuesve, nuk i përfshijnë vetëm fajtorët, por ndodh që edhe ndonjë i mirë të pësojë bashkë me ta, andaj është detyrë e të mirëve që të këshillojnë për mirë dhe të ndalojnë nga të këqiat, përndryshe do të jenë përgjegjës.
Tradhtia e përmendur ka të bëjë me një person që sekretet e myslimanëve ua dha idhujtarëve apo jehudive.
Pasuria dhe fëmijët janë preokupim i kësaj jete, prandaj nuk duhet mashtruar pas tyre, e lëre atë që është te Allahu si shpërblim i madh e i përhershëm.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:29
- O ju që keni besuar! Nëse tregoni devotshmëri ndaj Allahut, Ai do t’ju mundësojë të dalloni të vërtetën... - Ibn Is'haku ka thënë se: “Furkân” quhet aftësia për të dalluar të vërtetën nga e kota. Ky shpjegim është i përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës. - do t’jua mbulojë të këqijat dhe do t’jua falë gjynahet. Allahu është Zoti i mirësive të pafund - Këto porosi tregojnë rrugën e shpëtimit, triumfit dhe arritjes së të gjitha mirësive. Nuk ka dyshim se ai që tregon devotshmëri ndaj Allahut duke zbatuar urdhëresat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, Allahu ka për t’ia lehtësuar dhe dhënë sukses, që ta njohë të vërtetën dhe ta dallojë atë nga e kota. Gjithashtu, devotshmëria ka për të qenë shkaku i triumfit të tij dhe shpëtimit nga çdo gjë e keqe, nga njëra anë, dhe arritjes së shpërblimit të madh, nga ana tjetër. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun dhe besoni të Dërguarin e Tij! Allahu ju jep dyfish nga mëshira e Tij, ju dhuron dritë, që të ecni me të, dhe ju fal gjynahet. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” [Hadid 28].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:29
Devotshmëria ndaj Zotit është rruga e lumturisë dhe e fitimit të çdo mirësie. Ajo është mundësia e vetme e shpëtimit nga çdo e keqe. Me devotshmërinë ndaj Allahut janë lidhur ngushtë dhe ndërtohen shumë mirësi. I Madhëruari na tregon se për atë që tregohet i devotshëm ka katër premtime, çdonjëri prej të cilëve është më i mirë se e gjithë bota dhe ç’ka në të. Së pari, atij do t’i jepet ‘ el furkan ’, domethënë dituria dhe udhëzimi, nëpërmjet të cilëve robi arrin të dallojë qartë rrugën e drejtë nga rruga e humbjes, të vërtetën nga gënjeshtra dhe hallallin nga harami. Së dyti dhe së treti përfiton faljen e të këqijave dhe mbulimin e gjynaheve. Nëse në një kontekst përmendet vetëm njëra fjalë, ‘të këqija’ ose ‘gjynahe’, atëherë ajo përfshin dhe nënkupton edhe tjetrën. Por nëse përmenden të dyja në një kontekst, atëherë me termin “të këqija” nënkuptohen gjynahet e vogla, ndërsa fjala “gjynahe” nënkupton gjynahet e mëdha. Kështu, atyre që përpiqen dhe arrijnë devotshmërinë u premtohen falje dhe mbulim i gjynaheve të vogla dhe të mëdha. Së katërti, u premtohet shpërblim i madh dhe mirësi të shumta. Kështu do të shpërblehen ata që i japin përparësi kënaqësisë dhe porosive të Allahut, kundrejt kënaqësive vetjake e dëshirave pa fre.