8. Enfal · Ajeti 31 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:30–8:40

Thuhet se kurejshitët ishin mbledhur në shtëpinë "Nedvetu" dhe po planifikonin kundër Muhammedit. Njëri propozoi ta mbyllnin e ta pengonin të ketë kontakt me njerëz, tjetri propozoi ta dëbonin diku larg, ndërsa Ebu Xhehli propozoi të përgatisin të rinj të armatosur prej çdo fisi që ta mysin, ashtu që gjaku i tij të shpërndahej ndër të gjitha fiset. Ky propozim u pranua, e pëlqeu edhe plaku i Nexhdit, shejtani dhe u shpërndanë.

Me urdhërin e Zotit, Muhammedit i vjen Xhibrili, i thotë të mos flinte në shtratin e tij dhe i jepet leja për shpërngulje. Këtë nimet ia përkujton Zoti Muhammedit pasi që ai ishte në Medinë.

Idhujtarët, në shenjë euforie e lutën Zotin t'i gurëzojë, por ishte ligj i Zotit që të mos shkatërrohet një popull duke qenë në mesin e tyre Pejgamberi. Besa, Zoti nuk shkatërron as popullin që kërkon falje, andaj duhet pasur kujdes dhe gjithnjë duhet kërkuar falje prej Zotit, ngase istigfari është një garanci për shpëtim. Ata e merituan dënimin edhe pse mendonin se ishin kujdestarë të Qabes. Lutjet e tyre rreth Qabes ishin të çuditshme: britmë, lojë, lakuriqësi, e jo përulësi e devotshmëri. Ata u përpoqën ta pengojnë shpalljen e Zotit, bile edhe me pasuri, por kjo ju shkoi huq ngase forcat myslimane i mposhtën dhe dalëngadalë i shkatërruan.

Zoti është mëshirues i madh, andaj sa herë i thirri të heqin dorë prej rrugës së gabuar, u premtoi se do t'ua falë gabimet e bëra e derisa ata nuk pranuan, i lejoi myslimanët që t'i luftojnë deri në fund duke u premtuar se ndihma e Tij do të jetë gjithnjë me ta.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:31–8:33

- Kur u lexohen atyre ajetet Tona, ata thonë: “Ne kemi dëgjuar si këto. Po të donim, edhe ne mund të thoshim fjalë të tilla. Këto nuk janë gjë tjetër, përveçse përralla të vjetra.” - Allahu i Lavdëruar na njofton rreth mohimit të kurejshëve, arrogancës dhe inatit që ata shprehin në refuzimin e Shpalljes. Kur dëgjojnë ajetet e Allahut ata hedhin fjalë e pretendime boshe dhe thonë: “Ne kemi dëgjuar si këto. Po të donim, edhe ne mund të thoshim fjalë të tilla.” Këto janë thjesht fja lë e pretendime, që ata kurrë nuk i kthyen në vepër, edhe pse u ftuan, madje u sfiduan disa herë që të sjellin qoftë edhe një sure të vetme si ato të Kur'anit. Ata nuk mund ta arrijnë kurrë këtë. Kjo është thjesht shprehje e vetëmashtrimit dhe humbjes, ku janë futur vetë dhe ku kanë zhytur e mashtrojnë edhe ata që i ndjekin në kotësinë e tyre. Thuhet se ai që e tha këtë fjalë ishte Nadr Ibn Harithi (Allahu e mallkoftë!), siç përcjell Seid Ibn Xhubejri, El Suddiju, Ibn Xhurejxhi etj. Ky njeri, pasi u kthye nga Persia, ku edhe ishte mbushur me legjendat e trillimet rreth mbretërve të tyre, gjeti Profetin e Allahut që tashmë u lexonte njerëzve Kur 'an. Kështu, ai filloi t’u tregonte njerëzve rrëfenjat e legjendat persiane, dhe pastaj u thoshte: “Kush ka histori më të mira e të bukura, unë apo Muhamedi?” Kur ai ra rob në duart e muslimanëve në Betejën e Bedrit, Profeti urdhëroi të vritej në prani të tij, dhe ashtu u bë. Vetëm Alahut i takon lavdërimi! Ai që e kapi rob ishte Mikdad Ibn Esuedi. Pikërisht për këtë rast zbriti ky ajet: “Ne kemi dëgjuar si këto. Po të donim, edhe ne mund të thoshim fjalë të tilla. Këto nuk janë gjë tjetër, përveçse përralla të vjetra.” El esâtir është shumësi i fjalës el ustûra , pra, legjenda, të cilat i ka marrë nga librat e vjetër; ai i ka mësuar dhe ua lexon njerëzve. Kjo ishte një gënjeshtër e shëmtuar dhe e pa bazë. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Kujto si thanë ata: “O Allah! Nëse ky (Kur'an) është vërtet prej Teje, lësho mbi ne rrebesh gurësh nga qielli, ose na jep ndonjë Dënim të rëndë!”. - Kjo tregon për injorancën e thellë dhe urrejtjen e madhe ndaj së vërtetës. Do të ishte më me vend nga ana e tyre që të thoshin: “O Allah! Nëse ky (Kur'an) është vërtet prej Teje, na udhëzo në rrugën e drejtë dhe na jep forcë e na mundësi që ta pranojmë e pasojmë atë!” Por ata të mjerë kërkuan ndëshkimin e shpejtë për veten e tyre, duke i dhënë përparësi humbjes kundrejt udhëzimit. - Por Allahu kurrë nuk do t'i dënonte ata, përderisa ti (o Muhamed) je në mesin e tyre dhe Allahu kurrë nuk do t'i dënonte ata nëse kërkojnë falje (për gjynahet e tyre) .” - Ibn Ebu Hatimi përcjell prej Ibn Abasit këtë thënie: “Allahu i Lartësuar i ka dhënë këtij umeti dy gjëra që, nëse vazhdojnë të jenë në këtë umet, mbi ta nuk ka për të rënë ndëshkimi i Tij: të parën,

Allahu e mori pranë Vetes, ndërsa e dyta do të mbetet gjithmonë me ta.” 85 I njëjti mendim vjen nga Ebu Musa el Eshariu, Katade, Ebu Ala, gjuhëtari e kënduesi i Kur'anit. Ndërsa Tirmidhiu sjell rrëfimin nga Ibn Ebu Burdete Ibn Ebu Musa, e ky nga i ati, që Profeti i Allahut ka thënë: 1281. “Allahu i Lartësuar më dha dy siguri për umetin tim: “Por Allahu kurrë nuk do t'i dënonte ata, përderisa ti (o Muhamed) je në mesin e tyre dhe Allahu kurrë nuk do t'i dënonte ata nëse kërkojnë falje (për gjynahet e tyre) .” Kur unë të largohem , me ta do të mbetet kërkimi i faljes deri në Ditën e Kijametit.” Për këtë tregon edhe hadithi që sjell Imam Ahmedi në Musned dhe Hakimi në Mustedrak nga Ibn Mesudi, se Profeti i Allahut ka thënë: 1282. “Iblisi tha: “O Zot, betohem në krenarinë Tënde, se do të vazhdoj t’i devijoj dhe t’i largoj bijtë e Ademit nga rruga Jote, për sa kohë ata kanë shpirtin në trup!” Atëherë, Allahu i Lartësuar tha: “Betohem në krenarinë dhe madhështinë Time, se Unë do të vazhdoj t’ua fal dhe mbuloj gjynahet, për sa kohë më kërkojnë falje!” Hakimi ka thënë që ky është një isnad i saktë, edhe pse nuk e kanë nxjerrë Buhariu dhe Muslimi.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:31–8:34

Duke treguar kokëfortësinë dhe arrogancën e mohuesve të Profetit, Allahu i Madhëruar thotë: - “Kur u lexohen atyre ajetet Tona, ata thonë: “Ne kemi dëgjuar si këto. Po të donim, edhe ne mund të thoshim fjalë të tilla. Këto nuk janë gjë tjetër, përveçse përralla të vjetra.”” - Kjo është shprehje e qartë e inatit, arrogancës dhe padrejtësisë së jobesimtarëve. Në fakt, ishte vetë Allahu i Lartësuar që i sfidoi ata, duke u kërkuar të sillnin një sure të ngjashme me suret e Kur'anit, për sa i përket bukurisë e madhështisë së tyre. Madje, i ftoi që të thërrisnin për ndihmë kë të mundnin dhe kë të dëshironin, prej idhujve apo aleatëve të

tyre, por ata nuk mundën që t’i kundërpërgjigjeshin kësaj sfide. Kështu, fjalët e tyre ishin thjesht pretendime të pabazuara dhe shprehje e arrogancës. Të gjithë e dinë dhe e pranojnë se Muhamedi ﷺ ishte një njeri që nuk dinte shkrim dhe lexim, dhe as që udhëtoi ndonjëherë që të studionte historinë e të parëve, por megjithatë, ai erdhi me një libër madhështor, që është i paprekur nga e pavërteta dhe e kota. E si mund ti afrohet atij e kota, kur ai është Shpallje e Hakimun – të Urtit dhe Hamid – të Lavdishmit, të Lavdëruarit, me cilësitë, emrat dhe atributet më të larta?! Megjithatë, mohuesit e Shpalljes së Zotit dhe të profecisë së Muhamedit ﷺ u përgjigjën duke thënë: - “O Allah! Nëse ky (Kur'an) është vërtet prej Teje, lësho mbi ne rrebesh gurësh nga qielli, ose na jep ndonjë Dënim të rëndë!” - Kuptimi: Nëse kjo Shpallje, ky Sheriat apo ky ligj, sipas të cilit na fton Muhamedi që të jetojmë dhe të adhurojmë Zotin, është e vërteta, atëherë, o Zot, na zbrit një dënim nga qielli! Me këto fjalë, ata donin të tregonin se ishin të sigurt në rrugën që kishin zgjedhur për veten e tyre, duke mohuar Shpalljen e Muhamedit dhe duke vazhduar sipas mendjes së tyre. Nga ana tjetër, kjo tregon se mohuesit ishin tërësisht të paditur, të pavëmendshëm, mospërfillës dhe përçmues ndaj Shpalljes madhështore, ku i ftonte Muhamedi ﷺ . Sidoqoftë, edhe sikur të ishin në rrugë të humbur, për shkak të dyshimeve që kanë, nëse ata do të thoshin: “O Zot, nëse kjo që përcjell Muhamedi është e vërteta nga ana Jote, atëherë na udhëzo në rrugën e drejtë!”, kjo do të ishte më e drejtë, më e logjikshme dhe më e pranueshme, pasi, në fund të fundit, do ta mbulonte deri diku padrejtësinë e tyre. Por meqë ata nuk kërkuan udhëzimin, porse kërkuan ndëshkimin, kjo tregon se ishin fare mendjelehtë, të palogjikshëm, injorantë dhe të padrejtë në sjelljen dhe komunikimin me Zotin e Lartësuar. Nuk e dinin, të mjerët, se nëse Allahu i Lartësuar do t’ua përshpejtonte ndëshkimin, askush prej tyre nuk do të mbetej i gjallë? Por Allahu i Lartësuar tregon se u la afat, pasi profeti Muhamed ﷺ ishte mes tyre: - “Por Allahu kurrë nuk do t'i dënonte ata, përderisa ti (o Muhammed) je në mesin e tyre...” - Prania e Muhamedit ﷺ mes tyre ishte një garanci për ta se nuk do të përfshiheshin nga një ndëshkim i menjëhershëm, që, në fund të fundit, ata po e meritonin, me atë padrejtësi, injorancë dhe arrogancë që po tregonin. Megjithatë, edhe pse ata shprehnin të tilla fjalë haptazi, për të treguar se ishin të justifikuar në ndjekjen e rrugës së humbur, që e kishin zgjedhur me vetëdije, ata përsëri në vetvete kërkonin falje dhe i luteshin Allahut për të mos i ndëshkuar, sepse Allahu i Lartësuar thotë më pas: - “...dhe Allahu kurrë nuk do t'i dënonte ata nëse kërkojnë falje (për gjynahet e tyre).” - Ata përsëri kishin frikë se mos i përfshinte ndëshkimi i Allahut të Lartësuar, prandaj kërkonin falje për të tilla fjalë, që i thoshin haptazi, por që në vetvete e ndjenin padrejtësinë dhe injorancën që po tregonin. Ajeti tregon se kërkimi i faljes në mënyrë të vazhdueshme është një pengesë e ndëshkimit, edhe pse faktorët e zbritjes së ndëshkimit mund të jenë plotësuar. - “E çfarë mund ti mbrojë ata nga dënimi i Allahut, kur ata pengojnë vizitën në Xhaminë e Shenjtë?” - E kush mund ta pengojë ndëshkimin e Allahut mbi ta, ndërkohë që ata kanë kryer gjithçka që e bën të detyrueshëm dhe të merituar këtë ndëshkim?! Por cilat ishin ato veprime, të cilat e bënin të detyrueshëm ndëshkimin nga Allahu i Lartësuar? Së pari, ishte pengimi i njerëzve nga Xhamia e Shenjtë dhe, në mënyrë të veçantë, pengimi i Profetit ﷺ dhe shokëve të tij, të cilët ishin besimtarët e parë që e meritonin frekuentimin e kësaj xhamie. Profeti ﷺ dhe shokët e tij ishin ata që e meritonin të adhuronin Zotin në Shtëpinë e Tij të shenjtë, dhe jo paganët, të cilët bënin idhujtari në atë xhami, duke bërë krimin më

të rëndë. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë më pas: - “Ata nuk janë rojtarët të saj. - Idhujtarët nuk mund të jenë ‘ eulijaeh’, domethënë, nuk e meritojnë të quhen miq të atij tempulli. Në fakt, ajeti mund të kuptohet me dy mënyra: 1.“Ata nuk janë miq të saj”, domethënë, idhujtarët nuk janë aspak miq të Shtëpisë së Shenjtë, që është bërë për të adhuruar Zotin si Një e të vetëm, pa idhujtari. 2.“Ata nuk janë miqtë e Allahut.” Domethënë, idhujtarët nuk janë miqtë, të dashurit dhe të afërtit e Allahut të Lartësuar, prandaj nuk mund të pretendojnë se e meritojnë frekuentimin e Shtëpisë së Tij, vendin ku Ai adhurohet si Një i vetëm. Miqtë e vërtetë të Allahut të Lartësuar dhe të Shtëpisë së Tij janë vetëm të devotshmit, siç thuhet më pas: - “Askush, përveç të devotshmit, nuk mund të jetë rojtari i saj...” - Këta janë ata që besojnë Allahun e Lartësuar dhe Profetin e Tij. Ata e njësojnë Zotin në adhurim, me sinqeritet dhe sipas mënyrës që Ai ka përcaktuar, me qëllimin që të fitojnë kënaqësinë e Tij. - “...por shumica e tyre nuk e dinë.” - Shumica e tyre nuk e dinë, prandaj pretendojnë për veten e tyre diçka që nuk e meritojnë aspak, sepse janë të tjerët që e meritojnë.

← Enfal 8:31