8. Enfal · Ajeti 38 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:30–8:40

Thuhet se kurejshitët ishin mbledhur në shtëpinë "Nedvetu" dhe po planifikonin kundër Muhammedit. Njëri propozoi ta mbyllnin e ta pengonin të ketë kontakt me njerëz, tjetri propozoi ta dëbonin diku larg, ndërsa Ebu Xhehli propozoi të përgatisin të rinj të armatosur prej çdo fisi që ta mysin, ashtu që gjaku i tij të shpërndahej ndër të gjitha fiset. Ky propozim u pranua, e pëlqeu edhe plaku i Nexhdit, shejtani dhe u shpërndanë.

Me urdhërin e Zotit, Muhammedit i vjen Xhibrili, i thotë të mos flinte në shtratin e tij dhe i jepet leja për shpërngulje. Këtë nimet ia përkujton Zoti Muhammedit pasi që ai ishte në Medinë.

Idhujtarët, në shenjë euforie e lutën Zotin t'i gurëzojë, por ishte ligj i Zotit që të mos shkatërrohet një popull duke qenë në mesin e tyre Pejgamberi. Besa, Zoti nuk shkatërron as popullin që kërkon falje, andaj duhet pasur kujdes dhe gjithnjë duhet kërkuar falje prej Zotit, ngase istigfari është një garanci për shpëtim. Ata e merituan dënimin edhe pse mendonin se ishin kujdestarë të Qabes. Lutjet e tyre rreth Qabes ishin të çuditshme: britmë, lojë, lakuriqësi, e jo përulësi e devotshmëri. Ata u përpoqën ta pengojnë shpalljen e Zotit, bile edhe me pasuri, por kjo ju shkoi huq ngase forcat myslimane i mposhtën dhe dalëngadalë i shkatërruan.

Zoti është mëshirues i madh, andaj sa herë i thirri të heqin dorë prej rrugës së gabuar, u premtoi se do t'ua falë gabimet e bëra e derisa ata nuk pranuan, i lejoi myslimanët që t'i luftojnë deri në fund duke u premtuar se ndihma e Tij do të jetë gjithnjë me ta.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:38–8:40

Allahu i Lartësuar i thotë Profetit të tij të dashur Muhamedit ﷺ: - Thuaju jobesimtarëve që, nëse heqin dorë nga mosbesimi, do t’u falet e kaluara ... - Nëse ata heqin dorë nga mosbesimi, inati e armiqësia kundër të vërtetës, dhe pranojnë Islamin, kthehen të penduar dhe të gatshëm për t’iu bindur Allahut të Madhëruar, atëherë “do t’u falet e kaluara”. Domethënë, do t’u falet mosbesimi dhe gjynahet e mëparshme, siç vjen në hadithin e saktë nga Ibn Mesudi, se Profeti i Allahut ka thënë: 1284. “Ai i cili përmirësohet dhe bën punë të mira në Islam, nuk ka për t’u marrë në përgjegjësi dhe të dënohet për atë që ka vepruar para Islamit. Por Ai që gabon dhe bën padrejtësi edhe pas pranimit të Islamit, ka për t’u marrë në përgjegjësi për të parat dhe të fundit.” Sipas një hadithi tjetër të saktë, Profeti ﷺ ka thënë: 1285. “Islami i fshin të gjitha gabimet që janë bërë para tij. Edhe pendimi i fshin të gjitha gabimet e mëparshme.” - por nëse ngulmojnë në të tyren, atëherë le të jetë dënimi i popujve të mëparshëm si paralajmërim për ta. - Nëse ata vazhdojnë në atë gjendje, le të mësojnë nga ndëshkimet e Zotit mbi popujt e shkuar. Kur popujt refuzonin profetët dhe shpalljet dhe vazhdonin me kokëfortësi në këtë rrugë, Allahu i Madhëruar ua përshpejtonte ndëshkimin. Kështu ndodhi me kurejshët në Bedër dhe me popujt e tjerë në të shkuarën. - Luftojini ata, derisa të mos ketë më (fitne) idhujtari dhe i tërë adhurimi të bëhet vetëm për Allahun. - Buhariu sjell rrëfimin nga Seid Ibn Xhubejri: 1286. “Ibn Umeri erdhi njëherë tek ne dhe na tha: “Ç’mendoni për ajetin: “Luftojini ata, derisa të mos ketë më fitne”? Pastaj tha: “A e dini ju se çfarë është fitneja? Profeti ﷺ luftoi kundër idhujtarëve, dhe kjo ishte pikërisht lufta kundër fitnes, e jo lufta juaj për pushtet!” Ndërsa Nafi përcjell se një burrë shkoi tek Ibn Umeri dhe i tha: 1287. “Allahu i Lartësuar ka thënë: “Luftojini ata, derisa të mos ketë më fitne...”?. Ibn Umeri i tha: “Ne e bëmë këtë në kohën e Profetit të Allahut, atëherë kur Islami dhe muslimanët ishin të pakët, atëherë kur njeriu sprovohej në fenë e tij dhe vritej ose robërohej. Kështu vazhdoi, derisa Islami u përhap gjerësisht dhe nuk kishte më fitne ndër njerëz.” Ebu Auane përcjell nga Eameshi, ky nga Ibrahim el Tejmiji, e ky nga i ati, se: “Dhul Battajni - domethënë Usame Ibn Zejdi - tha njëherë: “Kurrë nuk kam për të luftuar dikë që thotë: Lâ ilâhe il -l'Allâh!” Sad Ibn Muadhi tha: “Edhe unë betohem në Allah se kurrë nuk kam për të luftuar dikë që thotë: Lâ ilâhe il'Allah !” Atëherë, një burrë tha: “Po a nuk ka thënë Allahu: “Luftojini ata, derisa të mos ketë më fitne”? Ata të dy iu përgjigjën: “Ne luftuam derisa nuk kishte më fitne dhe kur e gjithë feja dhe adhurimi iu përkushtuan vetëm Allahut.” 86 Hadithin e ka sjellë Ibn Merdeuejhi. Ibn Abasi, për shpjegimin e ajetit: “Luftojini ata, derisa të mos ketë më fitne...”, ka thënë: “Domethënë, derisa të mos ketë më shirk”. Kështu e kanë shpjeguar dhe një grup tabiinësh. Në dy Sahih-ët vjen ky hadith nga Profeti ﷺ :1288. “Jam urdhëruar që t’i luftoj njerëzit, derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut. Nëse e thonë, e kanë të ruajtur jetën e pasurinë e

tyre, përveç sipas të drejtës islame, dhe llogaria e tyre është tek Allahu.” - Po nëse ata heqin dorë, Allahu sheh gjithçka që bëjnë ata. - Nëse pas luftës tuaj kundër tyre, ata heqin dorë prej kufrit, edhe ju ndaleni luftën kundër tyre, edhe pse ju nuk e dini se ç’ka brenda zemrave të tyre, por: “Allahu sheh gjithçka që bëjnë ata.” Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar, kur thotë: “... Në qoftë se pendohen, falin namazin rregullisht dhe japin zekatin, atëherë u hapni rrugë! Me të vërtetë, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” [Teube 5.]. ose: “Megjithatë, nëse ata pendohen, falin rregullisht namazin dhe japin zekatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në besim. Kështu i sqarojmë Ne argumentet për njerëzit e ditur.” [Teube 11], ose: “Luftojini ata, derisa të zhduket çrregullimi (mosbesimi që ata përhapin) dhe adhurimi t'i kushtohet vetëm Allahut. Nëse ata ndalen, atëherë ndaleni edhe ju luftën, por jo ndaj atyre që kanë bërë krime.” [Bekare 193]. Sipas një hadithi të saktë, gjatë luftës, Usama ndoqi një armik për ta vrarë. Kur e arriti dhe e vuri poshtë, ai tha: “ Lâ il -lâhe il -Allâh”. Megjithatë, Usama përsëri e vrau atë. 1289. “Kur shkuan te Profeti, i treguan se çfarë kishte bërë Usama. Profeti ﷺ u mërzit shumë nga kjo vepër, prandaj iu drejtua Usamas: “A e vrave atë pasi tha: Lâ il-lâhe il-Allah?!” Çfarë do të bësh Ditën e Gjykimit me fjalën Lâ il-lâhe il -Allah?!” Usama iu përgjigj: “O i Dërguari i Allahut! Ai e tha atë thjesht për t’i shpëtuar shpatës!” Profeti ﷺ i tha: “A mos ia hape zemrën?!” Pastaj tha sërish: “Çfarë do të bësh Ditën e Gjykimit me fjalën Lâ il-lâhe il -Allah?!” Usama tregon: “Profeti vazhdoi ta përsëriste atë fjalë, aq sa desha prej vetes që të mos e kisha pranuar Islamin para asaj dite.” - E nëse refuzojnë, dijeni se Allahu është mbrojtësi juaj. Ai është Mbrojtësi dhe Mbështetësi më i mirë. - Nëse ata vazhdojnë t’ ju kundërvihen dhe luftojnë, atëherë dijeni se Allahu është mbrojtësi dhe i dashuri juaj! Ai është Zoti juaj, që ju ndihmon dhe ju dhuron fitoren kundër çdo armiku. Ai është Mbrojtësi dhe Mbështetësi më i mirë!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:38

Ky ajet tregon butësinë dhe mëshirën e Allahut të Lartësuar me robërit e Tij. Atë nuk e pengon mosbesimi i robve me këmbëngulje dhe arrogancë, që t’i ftojë vazhdimisht ata në rrugën e drejtë dhe t’i këshillojë për t’u larguar nga çdo gjë që sjell shkatërimin e tyre. Me dashuri dhe mëshirë, Allahu i këshillon dhe i porosit ata që të largohen nga të gjitha rrugët e poshtërimit dhe të humbjes. - “Thuaju jobesimtarëve që, nëse heqin dorë nga mosbesimi, do t’u falet e kaluara...” - Nëse ata ndalen dhe pendohen për mosbesimin e tyre dhe këtë pendim e shprehin duke iu dorëzuar tërësisht Allahut të Lartësuar si Një i vetëm dhe i pashoq dhe duke e adhuruar Atë përmes Islamit, fesë të vetme të pranuar tek Ai, i Madhëruari u premton atyre falje të gjithçkaje që ka kaluar, sado të mëdha qofshin ato gabime dhe krime. Por nëse ata kthehen përsëri në mohim, i Lartësuari thotë: - “...por nëse ngulmojnë në të tyren, atëherë le të jetë dënimi i popujve të mëparshëm si paralajmërim për ta.” - Allahu i Lartësuar na e ka treguar qartë se cili ka qenë përfundimi i popujve mohues, të cilët i konsideronin gënjeshtra shpalljet e Tij. Përfundimi i të gjithëve ka qenë i njëjtë: shkatërrim dhe ndëshkim i ashpër. Le të kujtojnë atëherë, se çfarë ndodhi me ata inatçorë dhe arrogantë dhe le ta dinë se edhe ata i pret i njëjti ndëshkim. Por, fatkeqësisht, ata e marrin me tallje këtë çështje. Këto fjalë u drejtohen mohuesve në formë kërcënimi, por edhe si ftesë për të reflektuar drejt. Ndërsa kur u drejtohet besimtarëve, Allahu i Madhëruar i udhëzon ata se si duhet të sillen me mohuesit:

← Enfal 8:38