8. Enfal · Ajeti 43 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:41–8:51

Pasi që pati mospajtime rreth ndarjes së presë së luftës, siç u mor vesh në fillim të kaptinës, zbriti kjo pjesë e Kur'anit si dsipozitë për ndarjen e plaçkës. Pjesa që përmendet për Allahun dhe për të dërguarin e Tij, është për nevojat e bashkësisë së myslimanëve. Myslimanët dhe idhujtarët u ndeshën në Bedër pa parapërgatitje, pse myslimanët kishin dalë me qëllim për karvanin e tregtisë, ndërsa idhujtarët për ta shpëtuar karvanin. Mirëpo, caktimi i Zotit ishte që lufta të zhvillohet, të prezentohet e vërteta, të lartësohet ana islame e të turpërohet ajo idhujtare.

Natën, para luftës, natën e xhumasë së shtatëmbëdhjetë të Ramazanit, Pejgamberi sheh në ëndërr se armiku është i paktë në numër dhe u tregon shokëve, e ata trimërohen. Po kështu edhe ditën e ndeshjes që të dy grupet e shohin njëri-tjetrin në numër shumë më të vogël se ç'ishin në të vërtetë dhe kështu fillon lufta për të ardhur në vend vendimi i Zotit.

Myslimanët këshillohen të jenë të durueshëm e të qëndrueshëm, pse ndihma e Zotit ishte me ta. Idhujtarët dolën prej Mekës për në Bedër. Duke u krenuar e lavdëruar, sepse shejtani ua kishte marrë mendtë duke i lavdëruar se ishin në rrugë të drejtë për ndryshim nga myslimanët, të cilët gjoja ishin në rrugë të shtrembër dhe duke iu premtuar se fitorja ishte në anën e tyre. Kur filloi lufta dhe doli në shesh heroizmi i myslimanëve, shejtani iku. Thuhet se e pa Xhibrilin që kishte zbritur me melaiket, duke i rreshtuar ata dhe u frikësua. Në një hadith thuhet: Shejtani asnjëherë nuk e ka parë veten më të vogël, më të poshtëruar, më të përbuzur se atë ditë në Bedër, përveç ditës së Arafatit.

Edhe ata që ishin hipokritë të fesë, i përqeshën myslimanët para se të fillonte lufta duke u thënë se ishin mashtruar, se nuk do të kenë fuqi të luftonin me këtë numër kaq të madh të idhujtarëve, e nuk e dinin se myslimanët i kishin të mbështetura shpresat e tyre në ndihmën e Zotit që gjithnjë është triumfues.

Melaiket që marrin shpirtërat u shkaktuan mundime mohuesve të së vërtetës, duke i rrahur para e prapa, dhe i njoftuan për dënimin e zjarrit që do ta përjetonin në xhehenem. Kështu veprohet me të gjithë kundërshtarët. Edhe pse nuk e shohim atë dënim në prag të vdekjes, kjo është e vërtetë Kur'anore.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:43–8:44

- Allahu të tregoi në ëndërr se ata ishin pak. - Muxhahidi tregon: “Allahu i Lartësuar ia tregoi Profetit në ëndërr se ata ishin pak dhe Profeti i Allahut ua tregoi këtë shokëve të vet. Kjo shërbeu si një përforcim për ta. - Sikur të të kishte treguar se ishin shumë, ju do ta kishit humbur guximin e do të ishit grindur për vendimin tuaj. - Ata do të frikësoheshin dhe dobësoheshin dhe kjo do të sillte kundërshti e përçarje mes tyre. - Por Allahu ju shpëtoi. - Allahu ju shpëtoi e ruajti nga e gjithë kjo, duke jua treguar pak. - Ai i di mirë çfarë fshehin zemrat. - Allahu e di mirë çfarë ka njeriu në zemër dhe në mendje. I Lartësuari thotë: “Allahu e di shikimin e hedhur fshehtas dhe për gjithçka që fshehin zemrat (e njerëzve) .” [Gafir 19]. - Kur u përballët me armikun, Ai jua shfaqi në sytë tuaj sikur ishin pak ...” - Edhe kjo është pjesë e butësisë dhe e përkujdesit të Allahut të Lartësuar me besimtarët e Tij. Edhe në përballjen në terren, Ai ua paraqiti mohuesit si të pakët në numër. Kjo nxiti tek ata guximin dhe forcën në përballjen me armikun. Ebu Is'hak el Subeji sjell rrëfimin nga Abdullah Ibn Mesudi: “Ata dukeshin shumë të pakët në numër ditën e Bedrit, aq sa i thashë një shoku ngjitur meje: “A mendon se janë më shumë se shtatëdhjetë vetë?” Ai tha: “Besoj se janë njëqind vetë.” Pastaj kapëm një burrë prej tyre dhe e pyetëm sa ishin, dhe ai na tha: “Jemi një mijë.” Këtë rrëfim e sjell Ibn Ebu Hatimi dhe Ibn Xheriri. - por edhe ju ju bëri të dukeshit pak në sytë e tyre... - Ibn Ebu Hatimi sjell shpjegimin nga Ikrime: “Domethënë, i nxiti që të luftojnë kundër njëri -tjetrit. Isnadi i tij është i saktë. - në mënyrë që Allahu ta përmbushte atë që ishte caktuar. Tek Allahu kthehen (për gjykim) të gjitha çështjet. - Kështu, Allahu bëri që secili grup të shihej si i vogël nga tjetri dhe, në këtë mënyrë, në fillim të përballjes, ata po luftonin secili duke shpresuar fitoren. Por më pas, kur lufta filloi dhe u ndez, Allahu zbriti një mijë melekë, që vinin njëri pas tjetrit në ndihmë të besimtarëve, dhe qafirët tashmë po i shihnin besimtarët sikur të ishin dyfish më shumë në numër se ata, sikurse thotë i Lartësuari: “Për ju ishte një shenjë e madhe kur dy palët u përballën me njëra -tjetrën. Njëra palë luftonte në rrugën e Allahut, kurse pala tjetër ishin jobesimtarë. Ata (qafirët) panë me sytë e tyre se të tjerët (besimtarët) ishin dy herë më shumë se ata. Por Allahu përforcon atë që dëshiron me ndihmën e Vet. Vërtet, në atë ngjarje pati një mësim të madh për ata që janë të mençur.” [Al Imran 13]. Kështu harmonizohen dy ajetet, që flasin për momente të ndryshme gjatë luftës. I gjithë lavdërimi i takon veçse Allahut të Madhëruar!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:43–8:44

- “Allahu të tregoi në ëndërr se ata ishin pak.” - Allahu i Madhëruar ia paraqiti idhujtarët në ëndërr Profetit të Tij sikur qenë të pakët në numër. Profeti ﷺ i përgëzoi për këtë sahabët, zemrat e të cilëve u qetësuan. Nëse do të ndodhte ndryshe: - “Sikur të të kishte treguar se ishin shumë, ju do ta kishit humbur guximin e do të ishit grindur për vendimin tuaj. Por Allahu ju shpëtoi.” - Ju do të përçaheshit, sepse disa do ta dëshironin luftën e disa të tjerë jo, e kështu do të dështonit. Por ishte Allahu i Madhërishëm që, me butësinë, mëshirën dhe përkujdesin e Tij, ju shpëtoi nga përçarja dhe dështimi. - “Ai i Di mirë çfarë fshehin zemrat.” - Në zemër fshihen trimëria e guximi, por edhe frika dhe hezitimi, fshihet sinqeriteti, por edhe hipokrizia. Allahu i Madhërishëm është Ai që vështron dhe di gjithçka që fsheh zemra. Allahu i Madhëruar vështroi në zemrat e besimtarëve diçka, që u bë shkak që Ai t’i mëshironte dhe t’i trajtonte me butësinë dhe bamirësinë e Tij të gjerë e të paanë. Ai e bëri realitet ëndrrën e të Dërguarit të Tij të sinqertë, duke bërë që në sytë e besimtarëve, armiqtë të dukeshin pak: - “Kur u përballët me armikun, Ai jua shfaqi në sytë tuaj sikur ishin pak; por edhe ju ju bëri të dukeshit pak në sytë e tyre, në mënyrë që Allahu ta përmbushte atë që ishte caktuar.” - Kështu, të dy grupet e shihnin të vogël njëri -tjetrin, prandaj luftonin me ashpërsi dhe vrull. Allahu i Madhëruar e bëri diçka të tillë për të realizuar atë që ishte e padiskutueshme: fitoren e besimtarëve dhe poshtërimin e mohuesve, duke i shfarosur e duke i bërë të harruar krerët e kufrit. Me vdekjen e këtyre udhëheqësve, populli i thjeshtë do ta kishte më të lehtë pranimin e Islamit si fenë e jetës së tyre. Gjithashtu, edhe muslimanët që jetonin mes jomuslimanëve do ta kishin tashmë më të lehtë jetesën. Kjo tregon butësinë dhe përkujdesin e Allahut të Madhëruar për besimtarët, që shfaqet në çdo aspekt. - “Tek Allahu kthehen (për gjykim) të gjitha çështjet.” - Të gjitha çështjet e krijesave kthehen tek Allahu i Madhërishëm. Është Ai që bën ndarjen mes të mirës dhe të kotës, është Ai që gjykon me drejtësi, pa i cenuar hakun askujt.

← Enfal 8:43