8. Enfal · Ajeti 45 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:41–8:51

Pasi që pati mospajtime rreth ndarjes së presë së luftës, siç u mor vesh në fillim të kaptinës, zbriti kjo pjesë e Kur'anit si dsipozitë për ndarjen e plaçkës. Pjesa që përmendet për Allahun dhe për të dërguarin e Tij, është për nevojat e bashkësisë së myslimanëve. Myslimanët dhe idhujtarët u ndeshën në Bedër pa parapërgatitje, pse myslimanët kishin dalë me qëllim për karvanin e tregtisë, ndërsa idhujtarët për ta shpëtuar karvanin. Mirëpo, caktimi i Zotit ishte që lufta të zhvillohet, të prezentohet e vërteta, të lartësohet ana islame e të turpërohet ajo idhujtare.

Natën, para luftës, natën e xhumasë së shtatëmbëdhjetë të Ramazanit, Pejgamberi sheh në ëndërr se armiku është i paktë në numër dhe u tregon shokëve, e ata trimërohen. Po kështu edhe ditën e ndeshjes që të dy grupet e shohin njëri-tjetrin në numër shumë më të vogël se ç'ishin në të vërtetë dhe kështu fillon lufta për të ardhur në vend vendimi i Zotit.

Myslimanët këshillohen të jenë të durueshëm e të qëndrueshëm, pse ndihma e Zotit ishte me ta. Idhujtarët dolën prej Mekës për në Bedër. Duke u krenuar e lavdëruar, sepse shejtani ua kishte marrë mendtë duke i lavdëruar se ishin në rrugë të drejtë për ndryshim nga myslimanët, të cilët gjoja ishin në rrugë të shtrembër dhe duke iu premtuar se fitorja ishte në anën e tyre. Kur filloi lufta dhe doli në shesh heroizmi i myslimanëve, shejtani iku. Thuhet se e pa Xhibrilin që kishte zbritur me melaiket, duke i rreshtuar ata dhe u frikësua. Në një hadith thuhet: Shejtani asnjëherë nuk e ka parë veten më të vogël, më të poshtëruar, më të përbuzur se atë ditë në Bedër, përveç ditës së Arafatit.

Edhe ata që ishin hipokritë të fesë, i përqeshën myslimanët para se të fillonte lufta duke u thënë se ishin mashtruar, se nuk do të kenë fuqi të luftonin me këtë numër kaq të madh të idhujtarëve, e nuk e dinin se myslimanët i kishin të mbështetura shpresat e tyre në ndihmën e Zotit që gjithnjë është triumfues.

Melaiket që marrin shpirtërat u shkaktuan mundime mohuesve të së vërtetës, duke i rrahur para e prapa, dhe i njoftuan për dënimin e zjarrit që do ta përjetonin në xhehenem. Kështu veprohet me të gjithë kundërshtarët. Edhe pse nuk e shohim atë dënim në prag të vdekjes, kjo është e vërtetë Kur'anore.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:45–8:46

- O ju që keni besuar! Kur të ndesheni me ndonjë forcë, qëndroni fort dhe përmendeni shumë (dhe shpesh) Allahun, që ta arrini fitoren e dëshiruar! - Ky është një mësim i mirë, që Allahu u jep besimtarëve për t’i edukuar me guxim e trimëri në përballjen me armikun. Në dy Sahih-ët vjen hadithi ng a Ibn Ebu el Eufas, që tregon” 1297. “Në një nga ditët kur do të përballej me armikun, Profeti i Allahut priti derisa dielli anoi në perëndim, dhe pastaj u ngrit dhe foli: “O njerëz! Mos e kërkoni (dëshironi) përballjen me armikun, por kërkojini Allahu t që t’ju ruajë e mbrojë! Megjithatë, nëse përballeni me të, atëherë bëni durim dhe dijeni se Xheneti është nën hijen e shpatave.” Pastaj ai u ngrit dhe tha: “Allahumme Munzilel Kitâb, Muxhrijes - seĥâb, Hâzimel aĥzâb! Ihzimhum uensurnâ alejhim!” O Allah! Ti e shpalle Librin, Ti i mposht të gjitha ushtritë, Ti i bën retë të lëvizin! Mposhti ata dhe na dhuro fitoren kundër tyre!” Abdurezaku sjell hadithin nga Abdullah Ibn Amri, se Profeti ﷺ ka thënë: 1298. “Mos e kërkoni (dëshironi) përballjen me armikun, por kërkojini Allahu t që t’ju ruajë e mbrojë! Megjithatë, nëse përballeni me të, atëherë qëndroni (si burrat) dhe përmendeni Allahun. Nëse ata bërtasin e çiren, ju vazhdoni me qetësi e heshtje!” Një hadith tjetër merfu thotë: 1299. “Adhuruesi Im i vërtetë - thotë Allahu, - është ai që më përmend Mua edhe kur përballet në dyluftim me armikun!” Domethënë, ai që edhe në këtë gjendje nuk shkujdeset dhe nuk harron të përmendë Allahun, t’i lutet dhe t’i kërkojë ndihmë Atij. - Bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij, e mos u grindni ndërmjet jush, sepse kështu do të dobësoheshit e do t’ju linte fuqia. - Kështu, Allahu i Lartësuar urdhëroi për qëndrueshmëri në përballjen dhe luftën me armiqtë, për durim gjatë përleshjes dhe luftimit me ta. Besimtari nuk duhet të largohet nga fushëbeteja dhe as të tërhiqet e të shfaqë frikë, por qëndron me guxim dhe e përmend shumë Allahun e Lartësuar. Ai i shpreh vazhdimisht Atij mbështetjen e plotë, i kërkon ndihmë dhe i lutet për fitoren kundër armiqve të vet. Allahu urdhëron, gjithashtu, që besimtarët t’i binden Atij dhe Profetit të Tij në të gjitha çështjet dhe të mos grinden ndërmjet tyre. Ai thotë: “sepse kështu do të dobësoheshit e do t’ju linte fuqia.” Domethënë, kjo do të bëhej shkak që ata të përçahen dhe të dobësohen. Ata do të humbnin vullnetin dhe dëshirën për t’u ndeshur me armikun. - Bëhuni të durueshëm, sepse Allahu është me durueshmit. - Pa dyshim, sahabët treguan gradën më të lartë të guximit, trimërisë dhe përkushtimit në përmbushjen e urdhëresave të Allahut dhe Profetit të Tij. Nuk ka parë bota si shembulli i tyre, as nga popujt e shkuar dhe as nga të mëvonshmit. Kështu, përmes bindjes ndaj urdhëresave dhe ndalesave të Profetit të tyre dhe me bekimin që e shoqëronte këtë Profet, ata çliruan dhe përhapën Islamin në të gjithë botën dhe feja e tyre triumfoi mbi të gjitha

fetë, me gjithë numrin e tyre të pakët. Mbretërimi dhe pushteti i tyre u shtri nga lindja në perëndim, në më pak se 30 vite. Allahu qoftë i kënaqur prej tyre dhe i kënaqtë të gjithë ata! E lusim të Madhëruarin të na ringjallë së bashku me grupin e tyre! Ai është Bujar dhe Dhurues i madh.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:45–8:49

- “O ju që keni besuar! Kur të ndesheni me ndonjë forcë, qëndroni fort dhe përmendeni shumë (dhe shpesh) Allahun, që ta arrini fitoren e dëshiruar!” - Allahu i Madhëruar i porosit besimtarët e Tij të dashur që, kur të ndeshen me ushtrinë e jobesimtarëve, të bëhen të qëndrueshëm dhe të pathyeshëm në luftë. Ata duhet të tregojnë durim në përmbushjen e kësaj detyre dhe adhurimi të madh, siç është xhihadi në rrugën e Zotit. Për të qenë të durueshëm, i Madhëruari i porosit besimtarët që të ndihmojnë dhe forcojnë veten përmes një arme dhe faktori tejet të rëndësishëm: duke e përmendur shpesh Atë. Vetëm me durim, qëndrueshmëri dhe përkujtim të shpeshtë të Allahut mund fitojnë kundër armikut. Këta janë ndër faktorët më vendimtarë për arritjen e fitores. Veç tyre dhe para së gjithash, i Madhëruari porosit: - “Bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij,...” - Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të tij në gjithçka që ata urdhërojnë! Kështu vazhdoni të jeni: të bindur dhe të nënshtruar ndaj porosive të tyre! - “...e mos u grindni ndërmjet jush, sepse kështu do të dobësoheshit e do t’ju linte fuqia!” - Mos u grindni dhe mos u përçani, duke mbushur zemrat me urrejtje dhe armiqësi ndaj njëri -tjetrit! Nëse nuk e zbatoni këtë porosi, atëherë ju pret një përfundim i hidhur dhe i dëshpëruar: ju do të humbni guximin dhe trimërinë në luftë, do të dobësoheni dhe do t’ju zbehet vullneti. Fuqia që keni do të shpërndahet dhe nuk do t’ia arrini qëllimit. Gjithashtu, nëse nuk tregoheni të bindur dhe të bashkuar, fitoren që ju premton Zoti do ta shihni larg. Kujtojeni vazhdimisht se fitorja ndaj armikut ka vetëm një rrugë: - “Bëhuni durimtarë sepse Allahu është me durimtarët!” - Bëhuni të durueshëm në bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij! Nëse e bëni këtë, ta dini se Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju japë fitoren. Detyra juaj e vetme është të nënshtroheni ndaj Zotit tuaj, me frikërespekt e madhërim vetëm për Të. - “Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari e për t’i parë bota dhe për të penguar të tjerët nga rruga e Allahut!” - Ky ishte qëllimi i mushrikëve, kur u nisën për luftë: të

mburreshin e të lëvdoheshin në sytë e njerëzve. Megjithatë, qëllimi i tyre më i madh ishte pengimi nga rruga e Allahut i çdokujt që kërkonte udhëzimin e drejtë dhe nënshtrimin sipas asaj rruge. - “Allahu mbikëqyr gjithçka që bëjnë ata.” - Allahu i mbikëqyr ata, prandaj ju njoftoi për qëllimet e tyre të liga dhe ju porositi që të mos u përngjasoni atyre. Ky qe paralajmërim se ata do të merrnin ndëshkimin më të rëndë. Ndërsa ju dilni në luftë thjesht dhe vetëm për kënaqësinë e Allahut të Madhëruar dhe për lartësimin e fesë së Tij. Luftoni për të shkatërruar çdo rrugë të devijuar, që shkakton zemërimin e Allahut të Madhëruar dhe ndëshkimin e Tij. Luftoni për të ftuar dhe afruar njerëzit në udhën e drejtë të Zotit, e vetmja që të shpie në Xhenetin e mirësisë dhe bujarisë së Tij. - “Shejtani ua zbukuroi atyre veprat e këqija dhe u tha: “Askush nuk mund t’ju mposhtë ju sot, sepse do të jem unë mbrojtësi juaj.”.” - Allahu i Madhëruar na bën të ditur se Shejtani i mallkuar ua zbukuroi idhujtarëve veprat e tyre të këqija, duke i mashtruar e duke u thënë: “Askush nuk mund t’ju mposhtë sot. Ju jeni të shumtë në numër dhe të armatosur gjer në dhëmbë. Me këtë fuqi që keni, ju jeni të pamposhtur. Muhammedi dhe shokët e tij nuk kanë asnjë shans që të përballen me ju.” Përveç kësaj, Shejtani i mallkuar u tha: "Unë do të jem mbrojtësi juaj dhe nuk do të lejoj që t’ju sulmojnë ata që ju keni frikë.” Kurejshët ishin në armiqësi me fisin e Beni Mudlixh, për shkak të një hasmërie të vjetër mes tyre, prandaj i druheshin përballjes me ta. Por Iblisi i mallkuar iu shfaq me pamjen e Surakatu Ibn Malik Ibn Xhu'shum el Med'halij dhe i siguroi prej asaj hasmërie. Kështu, ata u qetësuan në lidhje më këtë çështje dhe vazhduan marshimin, duke i ushqyer vetes iluzionin se ishin të pathyeshëm. - “Por kur u ndeshën dy ushtritë, ai iku me të katra e tha: “Unë nuk kam të bëj me ju. Unë shoh atë që ju nuk e shihni.” - Kur dy ushtritë, ajo e besimtarëve dhe e pabesimtarëve, u rreshtuan përballë njëra - tjetrës, Shejtani i mallkuar u tmerrua vetëm nga pamja. Ai pa melekun Xhibril, që po shpërndante melekët në formacion luftimi. Menjëherë, Shejtani ia mbathi, duke u thënë atyre që më parë i kishte mashtruar me fjalë të bukura e premtime boshe: “Unë nuk kam të bëj me ju. Unë shoh atë që ju nuk e shihni." Në të vërtetë, ai pa melekët, me të cilët askush nuk mund të përballet. 27 - “Unë i frikësohem Allahut. Allahu ka, vërtet ndëshkim të ashpër” . - Unë i frikësohem Allahut se mos ma përshpejton ndëshkimin që në këtë dynja. Allahu ndëshkon vërtet ashpër”. Ka mundësi që Shejtani i mallkuar thjesht t'u ketë shtënë vesvese në zemër idhujtarëve dhe t'ua ketë zbukuruar përballjen me besimtarët, duke u inspiruar se ai do të ishte mbështetësi dhe aleati i tyre. 28 Por pasi i çoi në fushëbetejë, Shejtani u tërhoq, duke i lënë në ata në baltë, ashtu sikurse vepron gjithmonë i Mallkuari me njeriun. Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: "Ata i përngjajnë Shejtanit, që i thotë njeriut: “Moho Zotin!”, e kur ky mohon, ai tërhiqet duke thënë: “Unë distancohem prej teje, se unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë! Dhe kështu, përfundimi i të dy palëve është në Zjarr, ku do të jenë përgjithmonë. Ky është ndëshkimi i zullumqarëve.” [Hashr 16, 17]. - “Hipokritët dhe ata, që kishin zemër të sëmurë, thanë: “Këta njerëz i ka mashtruar feja e tyre.”” - Këtu flitet për sëmundjen e dyshimit dhe të pasigurisë në besim. Munafikët, të mbushur me dyshime për besimin e tyre, kur panë muslimanët që, edhe pse të pakët në numër, u lëshuan në luftë kundër idhujtarëve, thanë: “Feja e tyre i ka mashtruar. Feja që ata pasojnë i solli në këtë lloj beteje të pabarabartë, përballë atyre që askush nuk guxon t’i sfidojë.” Kjo ishte një formë talljeje me besimtarët dhe logjikën e tyre, por mendjelehtët e vërtetë ishin pikërisht munafikët e mjerë. Nuk ka dyshim se besimi i vërtetë e bën njeriun që t’i hyjë përballjeve më të fuqishme, të cilave u shmangen edhe ushtritë më të

mëdha. Besimtari i vërtetë i mbështetet tërësisht Allahut të Madhëruar, sepse është i bindur se nuk ka ndryshim të gjendjes, nuk ka forcë dhe as fuqi e mundësi ndryshe, por veçse me ndihmën dhe forcën e Allahut. Ai është i bindur se, edhe nëse bashkohen të gjitha krijesat për të ndihmuar dikë, qoftë edhe sa një thërrmijë, nuk kanë për t'ia arritur pa lejen dhe ndihmën e Zotit. Po ashtu, edhe nëse bashkohen të gjithë së bashku për ta dëmtuar, kanë për ta dëmtuar veçse aq sa Zoti e ka shkruar për të. Veç kësaj bindjeje, nëse robi është i sigurt se mbron të vërtetën dhe nuk ka asnjë fije dyshimi se Allahu është i Gjithëditur, i Urtë dhe i Mëshirëplotë në gjithçka që ka shkruar dhe përcakton, atëherë ai ndërmerr çdo iniciativë të dobishme dhe nuk shqetësohet aspak nëse armiku i tij është i pakët apo i shumtë në numër. Në çdo ndërmarrje të bazuar në dituri të saktë dhe udhëzim të drejtë, ai është thjesht i qetë e besimplotë në Zotin e tij. Në zemrën e tij nuk ekziston frika e ankthi, por ajo është e mbushur me guxim, trimëri, qëndrueshmëri dhe e pushtuar nga qetësia dhe malli për takimin me të madhërishmin. Prandaj i Madhëruari tha: - “Ata që i mbështeten Allahut le ta dinë se Allahu është Ngadhënjimtar e i Urtë.” - Allahu është Azizun - Krenar e Ngadhnjimtar. Fuqinë dhe pushtetin e Tij nuk mund ta mposhtë askush. Allahu është gjithashtu Hakim - i Urtë në gjithçka që ka përcaktuar në Ligjet e Tij dhe i ka bërë të ekzistojnë.

← Enfal 8:45