8. Enfal · Ajeti 51 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:41–8:51
Pasi që pati mospajtime rreth ndarjes së presë së luftës, siç u mor vesh në fillim të kaptinës, zbriti kjo pjesë e Kur'anit si dsipozitë për ndarjen e plaçkës. Pjesa që përmendet për Allahun dhe për të dërguarin e Tij, është për nevojat e bashkësisë së myslimanëve. Myslimanët dhe idhujtarët u ndeshën në Bedër pa parapërgatitje, pse myslimanët kishin dalë me qëllim për karvanin e tregtisë, ndërsa idhujtarët për ta shpëtuar karvanin. Mirëpo, caktimi i Zotit ishte që lufta të zhvillohet, të prezentohet e vërteta, të lartësohet ana islame e të turpërohet ajo idhujtare.
Natën, para luftës, natën e xhumasë së shtatëmbëdhjetë të Ramazanit, Pejgamberi sheh në ëndërr se armiku është i paktë në numër dhe u tregon shokëve, e ata trimërohen. Po kështu edhe ditën e ndeshjes që të dy grupet e shohin njëri-tjetrin në numër shumë më të vogël se ç'ishin në të vërtetë dhe kështu fillon lufta për të ardhur në vend vendimi i Zotit.
Myslimanët këshillohen të jenë të durueshëm e të qëndrueshëm, pse ndihma e Zotit ishte me ta. Idhujtarët dolën prej Mekës për në Bedër. Duke u krenuar e lavdëruar, sepse shejtani ua kishte marrë mendtë duke i lavdëruar se ishin në rrugë të drejtë për ndryshim nga myslimanët, të cilët gjoja ishin në rrugë të shtrembër dhe duke iu premtuar se fitorja ishte në anën e tyre. Kur filloi lufta dhe doli në shesh heroizmi i myslimanëve, shejtani iku. Thuhet se e pa Xhibrilin që kishte zbritur me melaiket, duke i rreshtuar ata dhe u frikësua. Në një hadith thuhet: Shejtani asnjëherë nuk e ka parë veten më të vogël, më të poshtëruar, më të përbuzur se atë ditë në Bedër, përveç ditës së Arafatit.
Edhe ata që ishin hipokritë të fesë, i përqeshën myslimanët para se të fillonte lufta duke u thënë se ishin mashtruar, se nuk do të kenë fuqi të luftonin me këtë numër kaq të madh të idhujtarëve, e nuk e dinin se myslimanët i kishin të mbështetura shpresat e tyre në ndihmën e Zotit që gjithnjë është triumfues.
Melaiket që marrin shpirtërat u shkaktuan mundime mohuesve të së vërtetës, duke i rrahur para e prapa, dhe i njoftuan për dënimin e zjarrit që do ta përjetonin në xhehenem. Kështu veprohet me të gjithë kundërshtarët. Edhe pse nuk e shohim atë dënim në prag të vdekjes, kjo është e vërtetë Kur'anore.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:50–8:51
- Eh, sikur të shihje kur melekët ua marrin shpirtin mohuesve, si i godasin në fytyrë dhe në shpinë (duke u thënë) : “Shijoni dënimin e Zjarrit përvëlues!” - Nëse do të shihje, o Muhamed, kur melekët ua marrin shpirtin mohuesve, do të shihje një pamje të tmerrshme, të rëndë dhe të papërballueshme. Ata “...i godasin në fytyrë dhe në shpinë (duke u thënë) : “Shijoni dënimin e Zjarrit përvëlues!” Kështu ndodhi në luftën e Bedrit. Ky ajet, edhe pse është zbritur dhe flet për luftën e Bedrit, ai është gjithëpërfshirës dhe jep një përshkrim për gjendjen e vështirë gjatë vdekjes së çdo mohuesi të besimit të vërtetë. Allahu i Lavdëruar thotë në një ajet tjetër: “... Eh, sikur t’i shihje keqbërësit kur janë në agoni të vdekjes, ndërsa melekët kanë shtrirë duart e veta e u thonë: “Jepeni shpirtin! Tani do të vuani dënimin poshtërues ...” [Enam 93]. Melekët i godasin me urdhrin e Zotit të tyre, kur shpirti i mohuesit refuzon të dalë, dhe
kështu ia shkulin dhe ia nxjerrin me forcë. Ndodh kështu, sepse kur melekët i kërcënojnë dhe u thonë që të dalin për të vuajtur dënimin poshtërues, shpirtrat mohues fshihen e refuzojnë të dalin. Në hadithin e Bera Ibn Azibit tregohet se Meleku i Vdekjes i paraqitet mohuesit të besimit në formën më të tmerrshme dhe i thotë: “Dil, o shpirt i keq e i poshtër , në afshin përvëlues të zjarrit dhe në ujë të valë, nën një hije tymi !” Por shpirti struket dhe shpërndahet nëpër trup (për të mos dalë.) Atëherë, ai ia shkul nga trupi, ashtu si krehëri shkul fijet e leshit të lagur, kur i kreh ato. Domethënë, ia nxjerr shpirtin së bashku me nervat e damarët. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar na ka treguar se melekët u thonë atyre: “Shijoni dënimin e Zjarrit përvëlues!”. - Kjo vjen për shkak të veprave që keni bërë me duart tuaja. - Ky ndëshkim u jepet për shkak të veprave të këqija që kryet në dynja. - Allahu nuk është asnjëherë i padrejtë me robërit e Vet. - Ai nuk i bën padrejtësi askujt prej krijesave të Tij, madje Ai është i Drejti, që kurrë nuk devijon nga drejtësia në çdo gjykim të Tij. I lavdëruar, i përlëvduar, i lartësuar dhe i dëlirë qoftë Ai! Ai është i Pasuri dhe i Lavdëruari. Në një hadith të saktë, që e sjell Imam Muslimi përmes Ebu Dherit, thuhet se Profeti i Allahut ka thënë: 1301. “Allahu i Lartësuar thotë: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar vetes padrejtësinë dhe e kam bërë mes jush të ndaluar, prandaj mos bëni padrejtësi! O robërit e Mi! Jam Unë Ai që i ruan dhe i llogarit veprat tuaja! Çdokush që gjen mirësi, le të lavdërojë Allahun dhe çdokush që gjen diçka tjetër, të qortojë veçse vetveten.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:50–8:52
- “E, sikur të shihje kur melekët ua marrin shpirtin mohuesve,” - Flitet për melekët të cilët janë ngarkuar për t’u shkulur me forcë shpirtin mohuesve të Zotit, në çastin e vdekjes. Ata janë shumë të frikshëm. Në këtë moment, jobesimtarët janë totalisht të tmerruar, aq sa gjendja e tyre nuk mund të shpjegohet me fjalë. - “Ata i godasin në fytyrë dhe në shpinë (duke u thënë) : “Shijoni dënimin me djegie!” - Melekët e godasin jobesimtarin me ashpërsi, duke i bërtitur: "Nxirre jashtë shpirtin!" Por shpirti nuk do të dalë, sepse ka frikë, pasi e di mirë për ndëshkimin e dhimbshëm që e pret më pas. Melekët i thonë: “Shijoje dënimin me djegie!”. Ky është një ndëshkim i rëndë dhe tepër i dhimbshëm. - “Kjo vjen për shkak të veprave që keni bërë me duart tuaja. Allahu nuk është asnjëherë i padrejtë me robërit e Vet.” - Këtë ndëshkim ju e meritoni plotësisht. Zoti juaj nuk ju bën asnjë padrejtësi. Ndëshkimi është pasojë e poshtërsive dhe mosbindjes suaj ndaj Allahut të Madhëruar. Ky është ligji i pandryshueshëm i të Urtit dhe i tillë është përfundimi i të pabindurve: ata do të shkatërrohen prej gjynaheve dhe mosbesimit të tyre. - “Kështu u ndodhi edhe ithtarëve të Faraonit dhe të tjerëve që kanë qenë para tyre. Ata i mohuan shpalljet e Allahut dhe Ai i ndëshkoi për shkak të gjynaheve që bënë. Pa dyshim, Allahu është i Fuqishëm dhe Ndëshkues i ashpër.” - Të shumtë kanë qenë popujt që mohuan e kundërshtuan profetët dhe shpalljet e Zotit, por përfundimi i të gjithëve ka qenë shkatërrimi dhe ndëshkimi i merituar, nga gjynahet dhe padrejtësitë e tyre. Askush nuk mund t’i shpëtojë Allahut, nëse Ai dëshiron dhe gjykon që ta ndëshkojë. Çdo krijesë është në dorën e Zotit dhe nuk mund t’i shmanget pushtetit të Tij.