8. Enfal · Ajeti 67 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:64–8:71

Ndihma e Allahut i mjafton Pejgamberit, u mjafton edhe besimtarëve. Ka mendime të interpretuesve se: ndihma e Allahut dhe besimtarët janë mjaftë për Pejgamberin. Ibni Tejmijje është shumë kundër interpretimit të dytë, bile e konsideron të ngjashëm me kufrin.

Gjithashtu ka mendime se ky ajet ka të bëjë me pranimin e fesë islame të Ymerit të Hatabit. Para tij kishin pranuar fenë islame tridhjetë e tre burra e gjashtë gra, Ymeri ishte i katërdhjeti, pra deri diku ishte siguruar situata e myslimanëve.

Rreth çështjes se një myslim duhet t'i mundë dhjetë armiq siç thuhet në ajetin e parë, dhe një myslim mjafton t'i mundë dy armiq, siç thuhet në ajetin vijues, interpetuesit e Kur'anit kanë dhënë interpretime të ndryshme. Edhe njëri edhe tjetri ajet kanë vlerën e vet. Me ajetin e parë fjala është për myslimanët e fortë, të qëndrueshëm e trima dhe të mbështetur kryekëput në ndihmën e Zotit. Të tillë ishin myslimanët e parë, kur ishin pak në numër dhe dinin se pos përpjekjeve të tyre për luftë në maksimum, nuk ka kush t'u ndihmojë pos Allahut. Andaj, shfrytëzuan të gjitha fuqitë e veta dhe sinqerisht e kërkuan ndihmën e Zotit, prandaj një i mundi dhjetë.

Në ajetin vijues flitet për myslimanët e mëvonshëm, kur numri i tyre shtohet, ndërsa përgjegjësia për luftë kundër armikut mendohet se bie në një rreth më të gjerë, pra atë përgjegjësi nuk e ndien secili individ. Edhe mbështetja në ndihmën e Zotit ishte prezente, por jo si ndër të parët, ngase ajo mbështetje është bartur mjaft në shpresë të turmës, se gjërë myslimane pra morali luftarak nuk ishte si te grupi i parë, andaj një ka mund t'i mundë vetëm dy.

Pejgamberit dhe myslimanëve u tërhiqet vërejtja pse i liruan robërit e zënë në luftën e Bedrit me kompensim. Shkak i zbritjes së këtij ajeti, sipas një varianti më të sigurt ishte: Në Bedër mbytën shtatëdhjetë idhujtarë dhe po aq zihen robër. Pejgamberi konsultohet me Ebu Bekrin, e ai i thotë: o i dërguar i Zotit, ata janë kushërinj E e të fisit tonë, nëse u marrim kompensim, ne forcohemi, e ndoshta edhe ata e pranojnë fenë islame dhe ashtu e forcojmë krahun tonë, pra, liroji me kompensim. Pejgamberi thotë: si ta merr mendja ty o bir i Hatabit (Ymeri)7 Ai, Ymeri tha: nuk pëlqej me Ebu Bekrin. Ndërsa unë them: Unë ia shkurtoj kokën të afërmit tim, Aliu le t'ia shkurtojë Ukajlit (djalit të axhës), Hamza vëllait (Abasit), e le të kuptohet se ne nuk na dhimbsen mushrikët, e këta ishin pari e tyre! Pejgamberi anoi kah propozimi i Ebu Bekrit dhe i liroi me kompensim. Sipas Kur'anit, myslimanët do të duhej ta nënshtrojnë me luftë armikun, ta kuptojë armiku se fuqia islame është e fortë, e më vonë do t'u lejohej lirimi i robërve me kompensim.

Abasit, axhës së Pejgamberit iu caktua një shumë e madhe për kompensim, prandaj ai i tha Pejgamberit: a po më bën që t'ua shtrijë dorën kurejshitëve sa të jemë gjallë" Pejgamberi e pyeti: ku është ari që ia dhe nënës së Fadilit kur u nise për këndej Abasi u përgjegj: e, ku e di ti" Pejgamberi tha: Zoti im më lajmëroi! Abasi: pra, vërtetoj se je Pejgamber dhe e tha shehadetin.

Me ndihmën e Allahut përfundoi përkthimi dhe komentimi për kaptinën "El Enfalu" - Falënderoj Zotin!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:67–8:69

- Asnjë Profeti nuk i takon të mbajë robër, derisa të ketë triumfuar plotësisht në vend. Ju synoni të mirat e kësaj bote (të përkohshme) , ndërsa Allahu dëshiron për ju Ahiretin. Allahu është i Ngadhënjimtar dhe i Urtë. - Eameshi sjell rrëfimin nga Abdullah Ibn Mesudi: 1311. “Në Betejën e Bedrit, Profeti tha: “Çfarë mendoni në lidhje me këta robër lufte?” Ebu Bekri tha: “O i Dërguari i Allahut! Ata janë populli yt dhe familja jote. Lëri të jetojnë dhe kërkoju që të pendohen, ndoshta Allahu e pranon pendimin e tyre.” Umeri tha: “O i Dëguari i Allahut! Ata të quajtën gënjeshtar dhe të dëbuan nga vatani yt. Merri një e nga një dhe prijua qafën!” Ndërsa Abdullah Ibn Rauaha tha: “O i Dërguari i Allahut! Kjo luginë ka shumë dru e ferra të thata. Ndiz një zjarr dhe hidhi të digjen në të!” Profeti i Allahut heshti dhe nuk u ktheu asnjë përgjigje. Pastaj hyri brenda (në çadër), ndërsa njerëzit filluan të flisnin. “Do të marrë mendimin e Ebu Bekrit” - thanë disa. Të tjerë thanë: “Do të marrë mendimin e Umerit.” Të tjerë thanë: “Do të marrë mendimin e Abdullah Ibn Rauahës.” Pastaj Profeti doli dhe tha: “Me të vërtetë, Allahu i zbut zemrat e disa burrave, aq sa ato bëhen më të buta se qumështi, dhe i ashpërson zemrat e disa të tjerëve, dhe i bën më të forta se gurët. Ti, o Ebu Bekër, je si shembulli i Ibrahimit (paqja e Allahut qoftë mbi të!), i cili tha: “Atëherë, kush më pason mua, ai është i imi e kush nuk më bindet mua (ai meriton ndëshkimin), - por Ti je me të vërtetë Falës i madh e Mëshirëplotë!” [Ibrahim 36]. Shembulli yt, o Ebu Bekër, është gjithashtu Isai (paqja e Allahut qoftë mbi të!), i cili tha: “Nëse Ti i ndëshkon ata, ata janë robërit e Tu. E nëse i fal ata, Ti je i Plotfuqishmi e i Urti!” [Maide 118]. Ndërsa shembulli yt, o Umer, është Musai (paqja e Allahut qoftë mbi të!), i cili tha: “...Zoti ynë! Zhduke pasurinë e tyre dhe vulosi zemrat e tyre, që të mos besojnë, derisa të ndiejnë dënimin e dhembshëm!” [Junus 88]. Shembulli yt, o Umer, është edhe Nuhu (paqja e Allahut qoftë mbi të!), i cili tha: “...O Zoti im! Mos lër mbi Tokë asnjë nga jobesimtarët!” [Nuh 26]. Ju jeni këshillues të mirë . Askush nga ata nuk ka për t’u trajtuar ndryshe: ose do të paguajë kompesimin për lirim, ose do t’i hiqet koka!” Unë (Ibn Mesudi) thashë: “Përveç Suhejl Ibn Bejdaes, o i Dërguari i Allahut. Ai përmendi (se pranoi) Islamin...” Profeti heshti për pak. Nuk kam qenë ndonjë ditë më i frikësuar se do të më godisnin gurë nga qielli, sesa atë ditë, derisa Profeti i Allahut tha: “...përveç Suhejl Ibn Bejdaes.” Atëherë Allahu i Lartësuar zbriti: “Asnjë profeti nuk i takon të mbajë robër, derisa të ketë triumfuar plotësisht në vend...” Hadithin e kanë sjellë Imam Ahmedi, Tirmidhiu, Hakimi në Mustedrak-un e tij, i cili ka thënë që ky është një isnad i saktë, megjithëse nuk e kanë sjellë Buhariu dhe Muslimi. - Po të mos kishte qenë urdhri i mëparshëm i Allahut, atëherë do t’ju kishte goditur një dënim i madh për atë (shpërblesën) që morët. - Ali Ibn Ebu Talha sjell shpjegimin nga Ibn Abasi: “Urdhri i Allahut në Librin e Parë ( Leuhi Mahfudh) është që plaçka e luftës dhe robërit janë të lejuara për ju.” Sikur të mos ishte ky përcaktim në librin e parë, “atëherë do t’ju kishte goditur një dënim i madh për atë (shpërblesën) që morët.” Domethënë, për shpagimin për robërit e luftës. Allahu i Lartësuar thotë: “Kënaquni me atë që fitoni me luftë si të lejuar dhe të mirë...” Saktësinë e këtij mendimi e mbështet edhe hadithi në dy Sahih-ët, nga Xhabir Ibn Abdulahi, ku ndër të tjera, Profeti ka thënë: 1312. “...Më është lejuar plaçka e luftës, gjë që nuk i është lejuar askujt tjetër para meje...” Kështu, ata pranuan kompesimin për lirimin e robërve. Imam Ahmedi dhe Ebu Daudi në Sunen-in e sjellin hadithin nga Ibn Abasi se: 1313. “Profeti i Allahut e përcaktoi kompesimin për robërit e idhujtarëve në

luftën e Bedrit.” Edhe më pas, gjykimi për robërit e luftës u la në dorë të udhëheqësit. Kështu, nëse ai dëshironte, i vriste, siç ndodhi me robërit e fisit të jehudëve Benu Kurejdha; ose pranonte kompesimin e lirimit të tyre, siç veproi Profeti me robërit e Bedrit, ose me ata robër që ishin muslimanë (në ushtrinë e qafirëve), siç veproi Profeti me një grua e të bijën e saj, të cilat ishin pjesë e robërve të plaçkës së luftës që i takoi Seleme Ibn Ekuas, të cilat Profeti ua ktheu fisit të tyre dhe, në vend të tyre, liroi disa muslimanë që ishin tek idhujtarët. Por ai edhe mund t’i linte si skllevër pune, në dorë të atyre që i kishin fituar si plaçkë lufte.93

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:67–8:69

Ky ishte një qortim nga Allahu i Lartësuar drejtuar të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve pas luftës së Bedrit. Ata kapën shumë robër nga idhujtarët, prandaj kur erdhi çështja se si do të veprohej me ta, a të pranohej kompensim për ta apo të ekzekutoheshin, Profeti ﷺdhe një grup besimtarësh përzgjodhën variantin e kompensimit. Ndërsa Umer Ibn Hatabi, për t’u treguar idhujtarëve forcën dhe ashpërsinë e muslimanëve, të paktën në këtë përballje të parë, deshi variantin e ekzekutimit të tyre. Për këtë çështje, Allahu i Lartësuar shpalli ajetet: - “Asnjë profeti nuk i takon të mbajë robër, derisa të ketë triumfuar plotësisht në vend.” - Nuk i takon një profeti dhe nuk është një zgjedhje e përshtatshme tolerimi i mohuesve në këtë përballje vendimtare me ta. Ata luftuan kundër Profetit të Zotit dhe u përpoqën të shuanin dritën e Allahut dhe fenë e Tij. Ata donin të zhduknin nga faqja e dheut të gjithë adhuruesit e Allahut. Kjo ishte një përballje vendimtare me mohuesit, prandaj nuk është e udhës që t’i lësh gjallë robërit e luftës për të marrë kompensim prej tyre.30 Dobia e kompensimit është tejet e papërfillshme me mesazhin e qartë që

përcjell eliminimi i tyre. Për sa kohë që ata janë të fuqishëm dhe synojnë shkatërrimin e muslimanëve, më mirë të mos merret kompensim për ta. E nëse ata janë të dobët dhe nuk përbëjnë ndonjë rrezik të madh, atëherë nuk ka problem nëse i kthen robërit kundrejt kompensimit. Allahu i Lartësuar thotë: - “Ju synoni të mirat e kësaj bote (të përkohshme), ndërsa Allahu dëshiron për ju Ahiretin.” - Ju doni të merrni kompensim, për të përfituar ndonjë mirësi të kësaj bote, ndërkohë që kjo zgjedhje nuk është në dobi të fesë dhe nuk ndihmon në triumfin e saj. Allahu i Madhëruar dëshiron ta ngrejë lart Islamin dhe t’i ndihmojë të dashurit e Tij, duke u dhënë fitore mbi armiqtë. Ai dëshiron që fjala dhe feja e Tij të lartësohet mbi çdo gjë tjetër, prandaj urdhëron çdo gjë që e mundëson diçka të tillë. - “Allahu është Ngadhënjimtar dhe i Urtë.” - Allahu i Lartësuar është i Plotfuqishëm. Po të dëshironte, Ai mund t’i poshtëronte mohuesit pa qenë nevoja e luftës së besimtarëve. Por Allahu është gjithashtu Hakim - i Urtë, dhe me urtësinë e Tij dëshiron t’i sprovojë njerëzit me njëri tjetrin. - “Po të mos kishte qenë urdhri i mëparshëm i Allahut, atëherë do t’ju kishte goditur një dënim i madh për atë (shpërblesën) që morët.” - Allahu i Lartësuar ia bëri të lejuar Profetit dhe të gjithë umetit përfitimin prej plaçkës së luftës. Por në rastin në fjalë, marrja e kompensimit të robërve do të ishte veprim i gabuar dhe i dënueshëm, prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “Po të mos ishte dispozita e hershme e caktuar prej Allahut (për lejimin e plaçkës së luftës) , do t’ju godiste një dënim i madh për atë që morët.’ Prandaj vjen edhe një hadith, që thotë: “Nëse në Betejën e Bedrit do të zbriste ndonjë ndëshkim, askush nuk do të shpëtonte, përveç Umerit.” - “Kënaquni me atë që fitoni me luftë si të lejuar dhe të mirë,...” - Kjo ishte butësi dhe mëshirë e Allahut të Lartësuar për këtë umet. Me bujarinë dhe mëshirën e Tij, Ai ia bëri të lejuar vetëm këtij umeti që të përfitojë nga plaçka e luftës. Allahu i Lartësuar nuk ia ka lejuar atë asnjë umeti të mëparshëm. Ky është një privilegj, për të cilin muslimanët duhet të tregohen mirënjohës ndaj Dhuruesit të tij, Allahut të Lartësuar. Për këtë arsye, duke na treguar se si të tregohemi mirënjohës ndaj Tij, Allahu i Madhëruar thotë: - “...dhe jini të devotshëm ndaj Allahut! Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Frikësojuni Zotit dhe jini të devotshëm ndaj Tij, në çdo aspekt! Përmbajuni besnikërisht urdhëresave dhe jini të kujdesshëm ndaj ndalesave! Kështu i shprehni Allahut mirënjohjen për mirësitë e shumta që ju ka dhuruar. Allahu i Lartësuar është Gafurun - Falës i madh, që ia fal të gjitha gjynahet atij që pendohet dhe kthehet tek Ai i nënshtruar dhe i bindur. Atyre që ruhen nga shirku, Allahu i Madhëruar ua fal të gjitha gjynahet e tjera. Allahu i Lartësuar është gjithashtu Rrahim – Mëshirëplotë.

Pjesë e mëshirës së Tij është pikërisht fakti që Ai e bëri të lejuar plaçkën e luftës, e cila është hallall dhe e pastër për ju.

← Enfal 8:67