87. Ala · Ajeti 1 · Tefsir
Hyrja e sures El-Ala Sherif Ahmeti
E zbritur në Meke, pas sures Et Tekvir, ajete: 19
Në pika të shkurtëra kjo sure shtron:
- cilësitë e larta të Zotit të madhëruar, - shpalljen e Kur'anit, vulës së pejgamberëve dhe lehtësimin e nxënies së tij, - këshillën e mirë prej të cilës përfitojnë zemrat e gjalla.
Quhet:
"Suretul A'ëla", ngase fjala është për madhërinë e Zotit që është më i larti.
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 87:1–87:19
Zotin e madhëruar duhet adhuruar pastër dhe nuk duhet Atij shoqëruar asgjë.
Ai e krijoi njeriun me një mjeshtëri të përsosur dhe Ai çdo krijese ia përcaktoi veçoritë e saj dhe e orientoi të dijë t'i shfrytëzojë ato. Pejgamberit i tha se Ne do ta mësojmë Kur'anin e ti nuk do ta harrosh, përpos ndonjë pjese që Allahu dëshiron ta harrosh, sikur që një herë i ndodhi e harroi në namaz, e shokët ia përkujtuan. Do të drejtojmë në sheriat që do të jetë i lehtë, e sheriati islam është më i lehti i të gjitha sheriateve që ekzistuan. Ti këshillo me Kur'an, se ai që frikësohet prej dënimit do të përfitojë, e ai i prishuri nuk përfiton, por hyn në xhehenem ku as nuk mund të vdesë, as nuk mund të jetojë.
Kush e pastron veten prej punëve të këqija, e përkujton Zotin dhe i lutet, ai është i shpëtuar. Këto këshilla qenë edhe në suhufet e Ibrahimit e të Musait: në të vërtetë, kjo përmbajtje e jo edhe ky tekst, sepse Kur'ani është vetëm në arabishte, e ato kanë qenë në gjuhë tjetër, pra, jo Kur'an.
Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 87:1–87:13
- “Madhëroje Zotin tënd, më të Lartë - suarin ...” - Imam Ahmedi transmeton nga Ukbe ibnu Amir el xhuhenij, i cili thotë: 2849. “Pasi zbriti ajeti (74 në suren Uakia): “feseb-bih bismi rab -bikel adhim / atëherë lartësoje (bëji tesbih) emrin e Zotit Tëd të madhëruar!”, Profeti na tha: “Përdoreni këtë në rukunë tuaj.”. Ndërsa kur zbriti ajeti : “Sebbihisme rabbikel eala / Madhëroje Zotin tënd, më të Lartësuarin ...”, Profeti na tha: “Përdoreni këtë në sexhden tuaj.”. kë - shtu e ka sjellë Ebu Daudi dhe Ibn Maxhe. Nga Ibn Abasi përsillet të ketë thënë se: 2850. “Kur lexonte “Sebbihisme rabbikel eala” Profeti i Allahut thoshte: “ Subĥâne rabbijel ealâ (I Lartësuar është Zoti im, më i Larti!)”. Ndërsa nga Abd Hajri është përcjellë të ketë thënë: 2851. “E kam dë - gjuar Aliun të lexonte: “Sebbihisme rab - bikel eala,” dhe pastaj të thoshte: “ Subĥâne rabbijel ealâ! ”. Ibn Xheriri sjell me sened nga Ebu Is’hak el Hamedani, që rrëfen: “Kur Ibn Abasi lexonte “Sebbihisme rab - bikel eala” , thoshte: “ Subĥâne rabbijel ealâ”. Ndërsa kur lexonte fundin e sures Kijame: “A nuk është Ai i Plotpushtetshëm për t'i ngjallur të vdekurit?!”, thoshte: “Subĥâneke fe belâ / (I madhëruar e larg çdo të mete je, o Zot! Pa dyshim që Ti je i Plotpushtetshëm.” - “I Cili krijoi dhe përsosi ...” - Është Ai që i krijoi krijesat dhe e përsosi krijimin e tyre, në më të mirën formë. - “I Cili përcaktoi e orientoi ...” - Allahu i Madhëruar e udhëzoi njeriun dhe e bëri të aftë të zgjedhë ose rrugën drejt dëshpërimit, ose rrugën drejt lumturisë. Gjithashtu, Ai i udhëzoi dhe mësoi kafshët që të gjejnë kullotën dhe ushqimin e tyre. Kjo na kujton fjalët që Musai i drejtoi Faraonit, kur ai e pyeti se cili është Zoti i botëve. Ai i tha: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë formën e vet (të krijimit) dhe pastaj e ka udhëzuar.”” [Ta ha 50.]. Është Allahu Ai që ka përcaktuar gjithçka dhe i ka udhëzuar krijesat në përmbushjen e tij, siç citohet edhe hadithi në Sahihun e Muslimit, ku Abdullah Ibn Amri thotë: “Me të vërtetë, Allahu përcaktoi gjithçka për krijesat 50 mijë vjet përpara se të krijonte qiejt dhe Tokën, ndërsa Froni i Tij ishte mbi ujë.” - “I Cili mundëson mbirjen e kullotës...” – Fjala “kullotë” përfshin të gjitha bimët dhe farërat. - “E pastaj atë e bën pleh të zi!” - Në përfundim ato kthehen në pleh, - thotë Ibn Abasi – pra, humbasin ngjyrën e tyre të gjelbër. Edhe nga Muxhahidi, Katadja e të tjerë vjen i njëjti shpjegim. - “Ne do ta shpallim e ti nuk do ta ha - rrosh ...” - Ky është një njoftim i dhënë nga Zoti, i sigurt që do të përmbushet, një premtim i pathyeshëm, se Zoti do ta bënte të mundur që Muhamedi ta lexonte Shpalljen dhe kurrë nuk do ta harronte, përveç asaj që dëshironte Allahu. Ky është shpjegimi i përzgjedhur nga Ibn Xheriri. Disa iu kanë dhënë fjalëve “ lâ tensa” një kuptim tjetër nga ai i sipërpërmenduri. Sipas tyre, pjesëza mohuese ‘lâ’ nuk vjen me kuptimin ‘nuk’, por ‘mos’. Në këtë rast, kuptimi është: “prandaj mos harro (atë që të shpallet)” . Kë - shtu, sipas këtij kuptimi, Allahu i Lartësuar e porosit Profetin e tij të dashur që të mos harrojë asgjë prej Shpalljes, përveç asaj që Allahu dëshiron ta anulojë. - “Përveç asaj që Allahu dëshiron.” - Katade thotë: “Profeti i Allahut nuk harro -
nte asgjë, përveç asaj që dëshironte Zoti. (Pra, bëhet fjalë për ajetet e abroguara.218) - “Ai e di të dukshmen e të fshehtën.” - Allahu e di në imtësi atë që robërit e shfaqin haptazi dhe atë që ata e fshehin. Atij nuk mund t’i fshihet asgjë. - “Ne do të mundësojmë për ty më të lehtën.” - Ne do të t’i lehtësojmë veprat dhe fjalët të mira dhe do të vendosim për ty një ligj të mrekullueshëm, të lehtë, të ndërtuar mbi drejtësinë e plotë, që nuk lejon t’i bë - hen shtrembërime, por nuk lejon as vështi - rësi për robërit në zbatimin e tij. - “Këshillo aty ku këshilla bën dobi!” - Këshilloni aty ku këshilla është e dobishme e sjell mirësi. Nga këtu marrim një mësim të mirë në lidhje me etikën dhe edukatën e përhapjes së diturisë. Dituria nuk u jepet atyre që nuk e meritojnë atë, siç ka thënë Udhëheqësi i Besimtarëve, Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Ai që i flet një populli diçka që mendjet e tyre nuk mund ta kuptojnë, veçse është bërë sprovë për disa prej tyre.” Pastaj tha: “Foluni njerëzve gjëra që arrijnë t’i kuptojnë! Mos vallë, ju pëlqen që të mohohet Zoti dhe i Dërguari i Tij?!” - “Do ta pranojë këshillën më i devotshmi ...” - Ai që do të marrë mësim e përfitojë nga Shpallja, që ti kumton, ka zemër që i druhet Allahut dhe është i bindur se do të kthehet tek Zoti e do të merret në pyetje për veprat e tij. - “E do ta refuzojë atë më fatziu, i cili do të hyjë në Zjarrin e madh, aty ku as nuk do të vdesë, as nuk do të jetojë.” - Ai as nuk do të vdesë e të rehatohet dhe as do të jetojë, që të shijojë e përjetojë mirësi, por do të jetojë tmerr e vuajtje pa fund, për shkak të zemërimit të Zotit. Imam Ahmedi sjell rrëfimin nga Ebu Seid el Hudriu, se Profeti i Allahut ka thënë: 2852. “Banorët e Zjarrit, të cilët do të jenë përjetësisht në të, as vdesin në të dhe as jetojnë. Por disa njerëz (besimtarë), që i kap zjarri për gjynahet e tyre, Allahu do t’i vdesë ata dhe, kur të jenë bërë qymyr, do të japë leje për të ndërmjetësuar për ta. Ata do të sillen grupe - grupe dhe do të shpërndahen nëpër lumenjtë e Xhenetit. Atëherë do të thuhet: “O banorë të Xhenetit, hidhni ujë mbi ta!” Dhe ata do të mbijnë si ajo fara që mbillet buzë ujit.” Dikush tha: “Profeti i Allahut e përshkroi (aq mirë), si të kishte jetuar vetë në bâdije.” Kështu e ka sjellë imam Muslimi. Allahu i Lartësuar thotë për banorët e Zjarrit: “Kriminelët do të jenë në ndëshkimin e Xhehenemit përjetësisht. Për ta nuk do të ketë asnjë lehtësim. Të pashpresë do të mbeten në të (Xhehenem) përgjithmonë! Ne nuk u bëmë asnjë padrejtësi atyre, por ishin ata që bënin padrejtësi (kundër vetes) . Ata do të thërrasin: “O Malik! Le të na e marrë shpirtin Zoti yt!”. Ai u thotë: “Aty do të jeni përgjithmonë. Ne jua sollëm të vërtetën, por shumica juaj treguan urrejtje ndaj saj.”” [Zuhruf 74 - 78]. Gjithashtu: “Ata që mo - huan (Allahun) i pret zjarri i Xhehenemit. Atyre as nuk u jepet fund e të vdesin (të rehatohen), e as nuk u lehtësohet ndëshki - mi. Kështu e ndëshkojmë Ne çdo mohues. Dhe atje (në Zjarr) ata do të klithin (për ndihmë): “O Zoti ynë! Na nxirr (prej këtu). Ne do të bëjmë vepra të mira, jo si ato që
bënim më parë.” Por, a nuk ju dhamë Ne jetë aq sa të mund të merrte mësim cilido që dëshironte të merrte mësim dhe ju pati ardhur edhe paralajmëruesi i qartë? Shijojini frytet e veprave tuaja! Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmës.” [Fatir 36]. Ajetet që flasin për këtë temë janë të shumta.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 87:1–87:19
- “Madhëroje Zotin tënd, më të Lartësuarin, I Cili krijoi dhe përsosi,...” - Allahu i Lartësuar urdhëron që të bëjmë tesbih për Të. Tesbih-u ndaj Tij nënkupton përmendjen shpesh të Tij, adhurimin dhe nënshtrimin ndaj lartësisë dhe madhështisë së Tij. Kjo duhet të bëhet ashtu si i shkon madhështisë së Allahut, duke përmendur emrat e Tij të bukur, duke e adhuruar Allahun ashtu siç dikton kuptimi i drejtë dhe i saktë i këtyre emrave, duke kujtuar dhe përmendur veprat e Tij madhështore dhe të urta, mes të cilave edhe fakti që Ai i ka bërë krijesat në formën më të plotë dhe të përkryer. - “...i Cili përcaktoi e orientoi...” - Allahu i Lartësuar ka bërë të gjitha përcaktimet dhe i ka udhëzuar krijesat sipas këtyre përcaktimeve. Këtu bëhet fjalë për udhëzimin e përgjithshëm, i cili u shërben krijesave për të arritur dobitë vetjake, nëpërmjet të cilave rregullohet vazhdimësia e tyre në këtë jetë. Është Ai që përkujdeset për të gjitha krijesat e Tij. Çdo mirësi e kësaj dynjaje është mirësi e Tij. Prandaj, në vijim, Allahu i Lartësuar përmend disa nga këto mirësi: - “...I Cili mundëson mbirjen e kullotës, e pastaj atë e bën pleh të zi!” - Është Allahu që zbret shiun nga qielli dhe, nëpërmjet tij, nxjerr lloje të shumta të bimësisë, me të cilën ushqehen njerëzit, kafshët e tyre dhe çdo lloj kafshe tjetër. Më pas, Ai i bën ato të vyshken dhe të shndërrohen në pleh të nxirë. Pastaj i Lartësuari përmend mirësinë më të madhe që u ka dhuruar krijesave, Kur'anin madhështor: - “Ne do ta shpallim ty (Kur'anin) që të mos harrosh, Përveç asaj që Allahu dëshiron. Ai e di të dukshmen e të fshehtën.” – Kuptimi: Ne do të bëjmë që Kur'ani të zërë vend në zemrën tënde, që ti ta kuptosh plotësisht atë, dhe pastaj të mos harrosh gjë prej tij. Ky është një përgëzim madhështor nga Allahu i Lartësuar drejtuar adhuruesit dhe Profetit të tij, Muhamedit (a.s.). Allahu i Madhëruar do t’i mësonte atij një dituri, që nuk kishte për ta harruar. Kjo do të thotë që Profeti (a.s.) nuk harroi asgjë prej Shpalljes së Zotit, përveç asaj që Zoti, me urtësinë e Tij, e gjykoi se ishte e dobishme që të lihej në harresë. Allahu e di shumë mirë se çfarë është e dobishme dhe çfarë e dëmshme për robtë e Tij, prandaj vendos për ta ashtu si dëshiron Ai, me urtësinë e Tij madhështore. - “Ne do të mundësojmë për ty më të lehtën.” - Edhe ky është një tjetër përgëzim i mrekullueshëm dhe i madh për këtë Profet të zgjedhur. Allahu i Lartësuar do t’ia lehtësonte atij të gjitha çështjet, madje edhe feja e sjellë prej tij do të ishte vetëm lehtësim dhe mirësi për njerëzit. - “Këshillo aty ku këshilla bën dobi!” - Ftoji njerëzit të zbatojnë dhe jetojnë sipas ligjit të Zotit dhe porosive të Tij. Por kjo këshillë është përkufizuar me një porosi tjetër: “Këshillo aty ku këshilla bën dobi!”, domethënë, nëse ajo dëgjohet dhe pranohet, sido që të jetë, këshillë e plotë apo e pjesshme. Ajeti tregon se, nëse këshilla nuk sjell dobi, por veçse e shton të keqen dhe e pakëson të mirën, ajo nuk është e detyrueshme, madje është e ndaluar që të bëhet. Në lidhje me këshillimin, njerëzit ndahen në dy grupe: përfitues dhe jo përfitues prej tij. Duke sqaruar të dy llojet, i Lartësuari thotë: - “Do ta pranojë këshillën ai që ka devotshmëri...” - Ata që përfitojnë nga këshilla janë të pajisurit me ħashjeh, pra, me frikërespekt për Zotin. Ata i druhen qëndrimit para Zotit të tyre dhe dhënies së llogarisë. Kjo ndjenjë e bën robin që të ndalet nga gjynahet dhe të nxitojë për të kryer vepra të mira, në bindje ndaj Zotit të tij. Ndërsa mospërfituesit nga këshilla janë ata të cilët Allahu i Lartësuar i ka përshkruar me fjalët: - “…e do ta refuzojë atë ai që është shumë i keq, i cili do të hyjë në Zjarrin e madh, aty ku as nuk do të vdesë, as nuk do të jetojë.” - Këta do të flaken në Zjarrin
e ndezur fort, nxehtësia e të cilit arrin deri në zemër. Atje do të vuajë një ndëshkim të dhembshëm të pandërprerë, pa gjetur kurrë qetësi dhe shpëtim. Ata do të dëshirojnë vdekjen dhe shkatërrimin, por kjo nuk do t’u mundësohet, sikurse thotë i Lartësuari: “Ata që mohuan (Alahun) i pret zjarri i xhehenemit. Atyre as nuk u jepet fund e të vdesin (të rehatohen), e as nuk u lehtësohet ndëshkimi. Kështu e ndëshkojmë Ne çdo mohues." [Fatir 36]. - “Ka shpëtuar ai që është pastruar, që e kujton madhërinë e Zotit të vet dhe fal namazin.” - Ka shpëtuar nga çdo e keqe dhe ka fituar çdo të mirë ai që ka këto cilësi: 1. Është i pastruar, domethënë është i pastër nga shirk-u, padrejtësitë e çdo lloji dhe veset e këqija. 2. Përmend madhërinë e Zotit të vet dhe falet. Zemra e tij është e mbushur me këtë përmendje, dhe kjo e shtyn atë që të bëjë vepra të mira për të kënaqur Zotin. Nga këto vepra të mira është veçuar namazi, i cili është tregues i qartë i imanit dhe pastrues i gjynaheve. Disa janë të mendimit se përcaktimi “ që është pastruar ” nënkupton dhënien e zekatit të fitrit, i cili është pastrim për agjëruesin, ndërsa kur thuhet: “ dhe fal namazin ” është për qëllim namazi i Bajramit. Por megjithëse ajeti i përfshin këto raste, nuk mund të themi se ka për qëllim vetëm ato, sepse ai është më i gjerë dhe gjithëpërfshirës. - “Por ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote...” – Kuptimi: Ju e parapëlqeni dhe e vlerësoni më shumë këtë botë se ahiretin. Ju u jepni përparësi kënaqësive të saj të shkurtra dhe të përziera me lodhje dhe vuajtje, duke harruar se: - “...Kur dihet se jeta e botës tjetër është më e mirë dhe e përjetshme.” - Ahireti është më i mirë se dynjaja, në çdo këndvështrim. Ahireti është i përjetshëm e i mrekullueshëm, ndërsa dynjaja është vend i përkohshëm. Besimtari, i cili është i ditur dhe i zgjuar, nuk e zgjedh kurrë të keqen dhe të braktisë të mirën, nuk e zgjedh kënaqësinë e përkohshme, kundrejt kënaqësisë së përjetshme. Parapëlqimi i dynjasë kundrejt ahiretit është koka e çdo të keqeje dhe gjynahu. - “Vërtet, kjo gjendej edhe në shkrimet e hershme, Në shkrimet e Ibrahimit dhe të Musait.” - Këto që po ju thuhen në këtë sure të bekuar janë të njëjta me ato që gjenden edhe në librat e parë, që Zoti u shpalli Ibrahimit dhe Musait, të cilët janë të zgjedhurit dhe ndër më të nderuarit profetë të Zotit, pas Muhamedit (a.s.). Këto porosi janë sjellë në çdo ligj të shpallur nga Zoti ndër shekuj, sepse ato janë garantuese të mirësive të dynjasë dhe ahiretit. Këtu përfundon tefsiri i sures El ea’la. Allahut i takon falënderimi dhe lavdia e plotë!