87. Ala · Ajeti 19 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 87:1–87:19
Zotin e madhëruar duhet adhuruar pastër dhe nuk duhet Atij shoqëruar asgjë.
Ai e krijoi njeriun me një mjeshtëri të përsosur dhe Ai çdo krijese ia përcaktoi veçoritë e saj dhe e orientoi të dijë t'i shfrytëzojë ato. Pejgamberit i tha se Ne do ta mësojmë Kur'anin e ti nuk do ta harrosh, përpos ndonjë pjese që Allahu dëshiron ta harrosh, sikur që një herë i ndodhi e harroi në namaz, e shokët ia përkujtuan. Do të drejtojmë në sheriat që do të jetë i lehtë, e sheriati islam është më i lehti i të gjitha sheriateve që ekzistuan. Ti këshillo me Kur'an, se ai që frikësohet prej dënimit do të përfitojë, e ai i prishuri nuk përfiton, por hyn në xhehenem ku as nuk mund të vdesë, as nuk mund të jetojë.
Kush e pastron veten prej punëve të këqija, e përkujton Zotin dhe i lutet, ai është i shpëtuar. Këto këshilla qenë edhe në suhufet e Ibrahimit e të Musait: në të vërtetë, kjo përmbajtje e jo edhe ky tekst, sepse Kur'ani është vetëm në arabishte, e ato kanë qenë në gjuhë tjetër, pra, jo Kur'an.
Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 87:14–87:19
- “Ka shpëtuar ai që është pastruar ...” - Domethënë, e ka pastruar veten nga morali i keq e poshtërsitë dhe ndjek besnikërisht fenë, që Zoti i shpalli Profetit të Tij. - “... që e kujton madhërinë e Zotit të vet dhe fal namazin.” - E përkryen namazin, duke e falur në kohën e vet, duke synuar kënaqësinë e Allahut, edhe në emër të bi - ndjes ndaj urdhrit të Tij, edhe si zbatim të ligjit të Zotit. Hafiz Ebu Bekër el Bezzari sjell me sened një hadith nga Xhabir Ibn Abdilahi, se duke shpjeguar fjalën e Allahut: “Ka shpëtuar ai që është pastruar ...”, Profeti ﷺ tha: 2853. “Ai që dëshmon me sinqeritet”: Lâ ilâhe il -l’Allah, që largohet nga idhujtaria dhe që dëshmon se unë jam i Dërguari i Allahut.” Ndërsa për fjalën e Allahut: “... që e kujton madhërinë e Zotit të vet dhe fal namazin.” tha: “Këtu flitet për pesë namazet, për faljen e tyre me kujdes e përkushtim.” Po kështu e ka shpjeguar edhe Ibn Abasi: “Ato janë pesë namazet dhe kujdesi për ato.” Ky është edhe mendimi i përzgjedhur nga Ibn Xheriri. Ndërsa nga Katade përcillet shpjegimi: “Domethënë, e pastron pasurinë e vet (duke dhënë zekatin e duke shpenzuar për hir të Zotit) dhe e kënaq Zotin e vet (me vepra të mira).” - “Por ju po i jepni përparësi jetës së kë - saj bote ...” - Preferojnë këtë botë më shu - më se ahiretin. Ata priren drejt dynjasë më tepër, duke privuar veten nga ajo që është shumë herë më e dobishme dhe më e mirë për ta, si për jetën e kësaj bote, ashtu edhe për ahiretin dhe përjetësinë. - “Kur dihet se jeta e botës tjetër është më e mirë dhe e përjetshme.” - Shpërblimi i Allahut në ahiret është shumë më i mirë se dynjaja. Mirësia e tij do të mbetet gjith - monë me njeriun. Dynjaja është e ulët dhe ka për t’u zhdukur. Atëherë, si është e mu - ndur që një i logjikshëm të zgjedhë diçka që ka për t’u zhdukur, përkundër asaj mrekullie e bukurie, që është e përjetshme dhe mbetet gjithmonë me të?! Si është e mundur që t’i përkushtohesh tërësisht një bote, prej së cilës do të largohesh shumë shpejt dhe të braktisësh e shpërfillësh atë botë, ku do të shkosh shumë shpejt e do të qëndrosh përjetësisht?! Ibn Xheriri sjell këtë rrëfim nga Arfexhete Thekafiu, i cili tregon: “I kërkova njëherë Ibn Mesudit që të këndonte: “ Sebbihisme rabbikel eala ”. Kur ai mbërriti në këtë ajet (që po trajtojmë), e ndërpreu lexi - min, u drejtua nga shokët e vet dhe tha: “Ne deshëm më shumë dynjanë se ahiretin.”. Njerëzit heshtën. Ai tha sërish: “Parapël - qyem dynjanë, sepse ne pamë dhe shijuam stolitë e bukuritë e saj, hijeshinë e grave, ushqimit, pijeve të saj, ndërsa ahireti është fshehur prej nesh, prandaj e ndoqëm këtë të shpejtën, kundrejt të mëvonshmes.” 219 Pa dyshim, që këto fjalë buronin nga modestia e Ibn Mesudit. Ka mundësi, gjithashtu, që ai të ketë folur për natyrën e njeriut, në përgji - thësi. Allahu është më i ditur. Imam Ahmedi sjell një hadith nga Ebu Musa el Eshariu, se Profeti i Allahut ka thënë: 2854. “Ai që do dynjanë ka për ta cenuar ahiretin e vet. Ndërsa ai që do ahiretin ka për të cenuar dynjanë e vet. Prandaj jepini përparësi asaj që mbetet përgjithmonë, kundrejt asaj që do të zhduket.” 220 Ky hadith vjen vetëm nga Imam Ahmedi.
- “Vërtet, kjo gjendej edhe në shkrimet e hershme, në shkrimet e Ibrahimit dhe të Musait.” - Të gjitha mesazhet e kësaj sureje gjenden edhe në shpalljet e mëhershme, në shkrimet e Ibrahimit dhe Musait. Hafiz Ebu Bekër el Bezzari sjell këtë rrëfim nga Ibn Abasi, i cili thotë: “Kur zbriti ajeti “Vërtet, kjo gjendej edhe në shkrimet e hershme, në shkrimet e Ibrahimit dhe të Musait.”, Profeti ﷺ tha: 2855. “E gjitha kjo është në shkrimet e Ibrahimit dhe Musait.” 221 Ndërsa Ibn Xheriri ka zgjedhur shpjegimin se këtu flitet për ajetet “Ka shpëtuar ai që është pastruar, që e kujton madhërinë e Zotit të vet dhe fal namazin. Por ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote, kur dihet se jeta e botës tjetër është më e mirë dhe e përjetshme.” Pra, ky mesazh ishte edhe në shkrimet e Ibrahimit dhe Musait. Kjo përzgjedhje e Ibn Xheririt është e fortë dhe e mirë. Një shpjegim i ngjashëm është transmetuar edhe nga Kata - de dhe Ibn Zejdi. Megjithatë, Allahu është më i ditur. Këtu përfundon shkurtesa e tefsirit të sures “Ea’la” dhe vetëm Allahut i takon mirënjohja e lavdërimet. Paqja, bekimet e Allahut qofshin për më të mirin e krijesave, Muhamedin dhe familjen e pasuesit e tij!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 87:1–87:19
- “Madhëroje Zotin tënd, më të Lartësuarin, I Cili krijoi dhe përsosi,...” - Allahu i Lartësuar urdhëron që të bëjmë tesbih për Të. Tesbih-u ndaj Tij nënkupton përmendjen shpesh të Tij, adhurimin dhe nënshtrimin ndaj lartësisë dhe madhështisë së Tij. Kjo duhet të bëhet ashtu si i shkon madhështisë së Allahut, duke përmendur emrat e Tij të bukur, duke e adhuruar Allahun ashtu siç dikton kuptimi i drejtë dhe i saktë i këtyre emrave, duke kujtuar dhe përmendur veprat e Tij madhështore dhe të urta, mes të cilave edhe fakti që Ai i ka bërë krijesat në formën më të plotë dhe të përkryer. - “...i Cili përcaktoi e orientoi...” - Allahu i Lartësuar ka bërë të gjitha përcaktimet dhe i ka udhëzuar krijesat sipas këtyre përcaktimeve. Këtu bëhet fjalë për udhëzimin e përgjithshëm, i cili u shërben krijesave për të arritur dobitë vetjake, nëpërmjet të cilave rregullohet vazhdimësia e tyre në këtë jetë. Është Ai që përkujdeset për të gjitha krijesat e Tij. Çdo mirësi e kësaj dynjaje është mirësi e Tij. Prandaj, në vijim, Allahu i Lartësuar përmend disa nga këto mirësi: - “...I Cili mundëson mbirjen e kullotës, e pastaj atë e bën pleh të zi!” - Është Allahu që zbret shiun nga qielli dhe, nëpërmjet tij, nxjerr lloje të shumta të bimësisë, me të cilën ushqehen njerëzit, kafshët e tyre dhe çdo lloj kafshe tjetër. Më pas, Ai i bën ato të vyshken dhe të shndërrohen në pleh të nxirë. Pastaj i Lartësuari përmend mirësinë më të madhe që u ka dhuruar krijesave, Kur'anin madhështor: - “Ne do ta shpallim ty (Kur'anin) që të mos harrosh, Përveç asaj që Allahu dëshiron. Ai e di të dukshmen e të fshehtën.” – Kuptimi: Ne do të bëjmë që Kur'ani të zërë vend në zemrën tënde, që ti ta kuptosh plotësisht atë, dhe pastaj të mos harrosh gjë prej tij. Ky është një përgëzim madhështor nga Allahu i Lartësuar drejtuar adhuruesit dhe Profetit të tij, Muhamedit (a.s.). Allahu i Madhëruar do t’i mësonte atij një dituri, që nuk kishte për ta harruar. Kjo do të thotë që Profeti (a.s.) nuk harroi asgjë prej Shpalljes së Zotit, përveç asaj që Zoti, me urtësinë e Tij, e gjykoi se ishte e dobishme që të lihej në harresë. Allahu e di shumë mirë se çfarë është e dobishme dhe çfarë e dëmshme për robtë e Tij, prandaj vendos për ta ashtu si dëshiron Ai, me urtësinë e Tij madhështore. - “Ne do të mundësojmë për ty më të lehtën.” - Edhe ky është një tjetër përgëzim i mrekullueshëm dhe i madh për këtë Profet të zgjedhur. Allahu i Lartësuar do t’ia lehtësonte atij të gjitha çështjet, madje edhe feja e sjellë prej tij do të ishte vetëm lehtësim dhe mirësi për njerëzit. - “Këshillo aty ku këshilla bën dobi!” - Ftoji njerëzit të zbatojnë dhe jetojnë sipas ligjit të Zotit dhe porosive të Tij. Por kjo këshillë është përkufizuar me një porosi tjetër: “Këshillo aty ku këshilla bën dobi!”, domethënë, nëse ajo dëgjohet dhe pranohet, sido që të jetë, këshillë e plotë apo e pjesshme. Ajeti tregon se, nëse këshilla nuk sjell dobi, por veçse e shton të keqen dhe e pakëson të mirën, ajo nuk është e detyrueshme, madje është e ndaluar që të bëhet. Në lidhje me këshillimin, njerëzit ndahen në dy grupe: përfitues dhe jo përfitues prej tij. Duke sqaruar të dy llojet, i Lartësuari thotë: - “Do ta pranojë këshillën ai që ka devotshmëri...” - Ata që përfitojnë nga këshilla janë të pajisurit me ħashjeh, pra, me frikërespekt për Zotin. Ata i druhen qëndrimit para Zotit të tyre dhe dhënies së llogarisë. Kjo ndjenjë e bën robin që të ndalet nga gjynahet dhe të nxitojë për të kryer vepra të mira, në bindje ndaj Zotit të tij. Ndërsa mospërfituesit nga këshilla janë ata të cilët Allahu i Lartësuar i ka përshkruar me fjalët: - “…e do ta refuzojë atë ai që është shumë i keq, i cili do të hyjë në Zjarrin e madh, aty ku as nuk do të vdesë, as nuk do të jetojë.” - Këta do të flaken në Zjarrin
e ndezur fort, nxehtësia e të cilit arrin deri në zemër. Atje do të vuajë një ndëshkim të dhembshëm të pandërprerë, pa gjetur kurrë qetësi dhe shpëtim. Ata do të dëshirojnë vdekjen dhe shkatërrimin, por kjo nuk do t’u mundësohet, sikurse thotë i Lartësuari: “Ata që mohuan (Alahun) i pret zjarri i xhehenemit. Atyre as nuk u jepet fund e të vdesin (të rehatohen), e as nuk u lehtësohet ndëshkimi. Kështu e ndëshkojmë Ne çdo mohues." [Fatir 36]. - “Ka shpëtuar ai që është pastruar, që e kujton madhërinë e Zotit të vet dhe fal namazin.” - Ka shpëtuar nga çdo e keqe dhe ka fituar çdo të mirë ai që ka këto cilësi: 1. Është i pastruar, domethënë është i pastër nga shirk-u, padrejtësitë e çdo lloji dhe veset e këqija. 2. Përmend madhërinë e Zotit të vet dhe falet. Zemra e tij është e mbushur me këtë përmendje, dhe kjo e shtyn atë që të bëjë vepra të mira për të kënaqur Zotin. Nga këto vepra të mira është veçuar namazi, i cili është tregues i qartë i imanit dhe pastrues i gjynaheve. Disa janë të mendimit se përcaktimi “ që është pastruar ” nënkupton dhënien e zekatit të fitrit, i cili është pastrim për agjëruesin, ndërsa kur thuhet: “ dhe fal namazin ” është për qëllim namazi i Bajramit. Por megjithëse ajeti i përfshin këto raste, nuk mund të themi se ka për qëllim vetëm ato, sepse ai është më i gjerë dhe gjithëpërfshirës. - “Por ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote...” – Kuptimi: Ju e parapëlqeni dhe e vlerësoni më shumë këtë botë se ahiretin. Ju u jepni përparësi kënaqësive të saj të shkurtra dhe të përziera me lodhje dhe vuajtje, duke harruar se: - “...Kur dihet se jeta e botës tjetër është më e mirë dhe e përjetshme.” - Ahireti është më i mirë se dynjaja, në çdo këndvështrim. Ahireti është i përjetshëm e i mrekullueshëm, ndërsa dynjaja është vend i përkohshëm. Besimtari, i cili është i ditur dhe i zgjuar, nuk e zgjedh kurrë të keqen dhe të braktisë të mirën, nuk e zgjedh kënaqësinë e përkohshme, kundrejt kënaqësisë së përjetshme. Parapëlqimi i dynjasë kundrejt ahiretit është koka e çdo të keqeje dhe gjynahu. - “Vërtet, kjo gjendej edhe në shkrimet e hershme, Në shkrimet e Ibrahimit dhe të Musait.” - Këto që po ju thuhen në këtë sure të bekuar janë të njëjta me ato që gjenden edhe në librat e parë, që Zoti u shpalli Ibrahimit dhe Musait, të cilët janë të zgjedhurit dhe ndër më të nderuarit profetë të Zotit, pas Muhamedit (a.s.). Këto porosi janë sjellë në çdo ligj të shpallur nga Zoti ndër shekuj, sepse ato janë garantuese të mirësive të dynjasë dhe ahiretit. Këtu përfundon tefsiri i sures El ea’la. Allahut i takon falënderimi dhe lavdia e plotë!