89. Fexhr · Ajeti 15 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 89:1–89:30

Allahu betohet në agimin si kohë me rëndësi, sepse atëherë njeriu ngritet prej gjumit, e përkujton Zotin që i dha jetën dhe ia fillon jetës. Dhjetë ditët e lavdishme janë ato të dhilhixhës, sipas shumicës së mufesirinëve, e ka mendime edhe për dhjetë të fundit të ramazanit. Betimi në çift e tek do të thotë betim në gjithçka, në të gjitha krijesat që janë çift, e edhe në Krijuesin që është një. Ka mendime se me fjalën "shef'i", nënkuptohet dita e bajramit të vogël, e me "vetri", dita e Arafatit.

Këto janë për t'u betuar në to, për atë që ka mend, pse mendja është mjet që e frenon njeriun prej epsheve dhe prej punëve të këqija, e nëse nuk frenohet dhe nuk ndalet, atëherë te njeriu i tillë mbizotëron fuqia shtazarake, e ndoshta edhe më e shëmtuar, pse epshi i shtazëve është i kufizuar dhe funksionon vetëm kur është nevoja.

Për "Irem",, ka mendime se fjala është për kabilën, e Adit të parë, e ka mendime se fjala është për vendbanimin e tyre diku mes Umanit dhe Hadre Mevtit.

QË Çdo gjendje e njeriut në këtë botë e ka qëllimin e vet të caktuar, andaj nuk duhet gëzuar pse ka pasuri e fëmijë, as nuk duhet dëshpëruar pse ka varfëri e diçka tjetër. Të gjitha këto janë një lloj sprovimi si në gjendjen e parë ashtu edhe në të dytën. Duhet gëzuar nëse arrin që atë pasuri ta fitojë me të drejtë dhe ta shpenzojë për çështjet humane, përndryshe gëzimi është i kotë. Ashtu është puna edhe me fëmijët... Gjendja e vështirë e ka domethënien e vet, andaj nuk duhet dëshpëruar. lumtur është ai që i thuhet: "O shpirt i pastër, i bindur, i qetë, hyn në grupin e të mirëve, hyn në xhennet". Ndoshta kjo thënie i thuhet besimtarit në momentin e vdekjes.

Mbaroi përkthimi i kësaj sureje, pra falënderoj Allahun e madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 89:15–89:20

- “Kur Zoti e sprovon njeriun duke i dhënë nder dhe begati, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar! Por kur e sprovon duke ia pakësuar riskun, ai thotë: “Zoti im më ka nënçmuar.” - Allahu i Lartësuar e qorton njeriun për konceptimin e gabuar që ai ka, në lidhje me begatitë e pasurinë, që Zoti i dhuron, duke menduar në mënyrë të gabuar se ky është tregues i nderimit dhe vlerësim për robin. Por çështja nuk qëndron aspak kështu. Përkundrazi, kjo është një sprovë prej Zotit, sikur thotë në ajetin tjetër: “Por lëri ata edhe për pak kohë në vetëma - shtrimin e tyre! Mos vallë, ata po mendojnë se meqë u kemi dhënë me mbushulli pasuri dhe fëmijë, Ne do t’u ofronim të gjitha të mirat? Jo, kurrsesi! Por, ata nuk kuptojnë.” [Muminun 55, 56]. I njëjti gjykim është edhe në anën tjetër. Edhe ngushtimi i rizkut apo pakësimi i pasurisë nuk është shenjë që Zoti të ka poshtëruar e nënçmuar. Edhe kjo është sprovë, që Zoti u vë para robërve të Vet. - “Jo, nuk është ashtu!” – Çështjet nuk qëndrojnë ashtu siç mendojnë të paditurit, as në rastin e parë, as në të dytin. Le të mësojë njeriu, se Allahu ia jep pasurinë Atij që Ai e do por edhe atij që nuk e do. Po kështu, Ai e privon atë që e do, por edhe atë që nuk e do. Ajo që synohet në të dyja rastet është vënia në provë e robit, në lidhje me bindjen që do të tregojë ndaj Allahut. Nëse i është dhuruar pasuri e bollëk, duhet të tregojë mirënjohje ndaj Allahut e nëse i është ngushtuar rizku e është sprovuar me varfëri, atëherë duhet të tregojë durim të hijshëm për Zotin. - “Por ju nuk nderoni jetimin ...” - Këtu kemi një porosi të Zotit, për të nderuar jetimin. Në hadithin që përcjell Ebu Hu - rejra, Profeti i Allahut ka thënë: “Shtëpia më e mirë mes muslimanëve është ajo shtëpi, në të cilën ka një jetim, për të cilin ata kujdesen. Shtëpia më e keqe mes muslimanëve është ajo shtëpi në të cilën ka një jetim, të cilin ata e keqtrajtojnë.” Pastaj, duke treguar dy gishtat e tij gishtin tregues dhe atë që vjen pas tij, tha: “Unë dhe ai që kujdeset për jetimin jemi në Xhenet kështu.” Ebu Daudi sjell hadithin e Sehl Ibn Seidit, se Profeti ka thënë: “Unë dhe ai që kujdeset për jetimin jemi në Xhenet kështu ...” - dhe tregoi gishtin e tij tregues dhe atë që vjen pas tij.” - “As nuk nxisni njëri -tjetrin për të ushqyer të varfrin ...” - Ju nuk urdhëroni për bamirësi e kujdes për të varfrit e nevojtarët, prandaj shtyni njëri-tjetrin. - “Ju e hani trashëgiminë pa ngopje ...” - A hanë pasurinë e trashëgimisë me pango - pësi, e pa u kujdesur a është hallall apo haram ajo. - “... dhe e doni pasurinë me një dashuri të tepruar.” – Me dashuri tepër të madhe e të papërmbajtshme. (Dashuria e tyre për pasurinë është shumë e fortë, sikurse thotë i Madhëruari në ajete të tjera, si: “Por ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote, kur dihet se jeta e botës tjetër është më e mirë dhe e përjetshme.”. [El ea’la 16, 17]. Ose: “ Por ju doni këtë të ngutshmen dhe e lini pas dore atë të ardhmen.”. [Kijame 20, 21].)

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 89:15–89:20

- “Kur Zoti e sprovon njeriun duke i dhënë nder dhe begati, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar!” Por, kur e sprovon duke ia pakësuar riskun, ai thotë: “Zoti im më ka nënçmuar.” Jo, nuk është ashtu!” - Allahu i Madhëruar na tregon rreth natyrës së njeriut, duke thënë që njeriu është i prirur drejt injorancës dhe padrejtësisë. Njeriu është i paditur rreth përfundimit të çështjeve. Ai mendon se gjendja në të cilën ndodhet nuk ka për të ndryshuar, por do të vazhdojë ashtu. Njeriu mendon se mirësitë që Zoti i jep atij në jetën e kësaj bote tregojnë se ai është i nderuar dhe i privilegjuar te Zoti i gjithësisë. Por kur Allahu i Madhëruar dhe i Urtë ia pakëson furnizimin, duke i dhënë veçse aq sa ka të nevojshme, dhe jo më shumë, njeriu e mendon si një poshtërim nga Allahu për të. Por Allahu i Madhëruar ia hedh poshtë këtë lloj gjykimi të pavërtetë dhe thotë: “Jo, nuk është ashtu!” Pra, jo çdokush të cilit Allahu i ka dhuruar begatitë e kësaj dynjaje është i dashur dhe i zgjedhuri i Tij, dhe jo çdokush të cilit Ai ia ka pakësuar këto begati është i poshtëruar dhe i pavlefshëm tek Allahu. Mësojeni, pra, se pasuria dhe varfëria, rehatia dhe trazimet, të gjitha janë sprovë prej Allahut të Madhëruar, nëpërmjet të cilave Ai bën të dallohen qartë cilësitë dhe veprat e robve. Kështu dallohen ata që janë mirënjohës ndaj të Madhëruarit Bujar dhe të durueshëm ndaj porosive të Tij. Atyre që tregojnë mirënjohje dhe durim sikurse Zoti ka porositur, Ai u premton shpërblim të pamatë. Ndërsa për ata që shpërfillin këto porosi dhe kalojnë kufijtë, Ai ka përgatitur ndëshkim të dhembshëm dhe poshtërues. Angazhimi i njeriut veçse me dëshirat dhe synimet e veta është tregues i vullnetit të tij të dobët, prandaj i Madhëruari i qorton ata që nuk interesohen për gjendjen dhe nevojat e të tjerëve, duke thënë: - “Por ju nuk nderoni jetimin,...” – Jetim është fëmija që nuk e ka babain apo një kujdestar të ligjshëm, prandaj edhe ka nevojë për ngushëllim ngrohtësi dhe bamirësi. Por njerëzit nuk kujdesen për ta, madje i poshtërojnë dhe nuk u japin hakun. Kjo tregon se zemrat e tyre nuk njohin mëshirë dhe nuk synojnë shpërblim nga Zoti. - “As nuk nxisni njëri -tjetrin për të ushqyer të varfrin,...” – Nuk nxisni njëri - tjetrin për shkak të koprracisë dhe dashurisë së pamatë që keni për këtë dynja, e cila ka pushtuar çdo skutë të zemrave tuaja. Për shkak të kësaj makutërie: - “Ju e hani trashëgiminë pa ngopje dhe e doni pasurinë me një dashuri të tepruar.” – Dashuria e tyre për pasurinë është shumë e fortë, sikurse thotë i Madhëruari në ajete të tjera, si: “Por ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote, kur dihet se jeta e botës tjetër është më e mirë dhe e përjetshme.”. [El ea’la 16, 17]. Ose: “ Por ju doni këtë të ngutshmen dhe e lini pas dore atë të ardhmen.”. [Kijame 20, 21].

← Fexhr 89:15