9. Tevbe · Ajeti 113 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:107–9:115
Xhami e sherrit ose "Mesxhidu dirar", si është quajtur në Kur'an, ishte një faltore të cilën e kishin ndërtuar hipokritët me iniciativën e njëfarë Ebu Amirit të cilin edhe e ftuan në atë solemnitet. Pas disfatës së idhujtarëve Hevazin në luftën e Hunejnit, Ebu Amiri si prift i krishter ikën dhe shkon në Sham. Ai ishte betuar se do të luftonte kundër Muhammedit, dhe prej atje i porosit hipokritët të përgatisin armë e fuqi dhe të ndërtojnë një faltore si vend tubimi, ndërsa ai do të shkonte te sunduesi bizantin, prej nga do ta sjellë një ushtri për ta ndjekur Muhammedin dhe shokët e tij nga Medina. Hipokritët ndërtuan xhaminë dhe shkuan e i thanë Pejgamberit: e ndërtuam për të dobëtit, për të sëmurët, për ndonjë natë të vështirë me shi, e kemi dëshirë të vijshë ti, të falesh në të dhe të na e bekosh. Pejgamberi u vesh, u përgatit të shkojë, kur ja, arriti Xhibrili me këtë ajet. Kur e kuptoi Pejgamberi qëllimin e tyre, urdhëroi disa sahabë, të cilët vajtën dhe e dogjën, e rrënuan, shpartalluan të tubuarit dhe atë vend e caktuan vend hedhurinash.
Shembulli i xhamisë-ngrehinës në themele të shëndosha dhe i asaj në themele buzë shembjes, figuron (përfaqëson, shembllen) besimtarin e sinqertë në besimin e tij si dhe hipokritin.
Njeriu e blen një send kur ka nevojë për të, Zoti s'ka nevojë për asgjë, sepse gjithçka është e Tij, pra nuk ka prej kujt të blejë. Fjala është se Zoti u premtoi xhennetin atyre që e japin jetën e pasurinë për hir të lartësimit të fjalës së Zotit, e besimtarët bënë bujari me jetën dhe pasurinë e tyre, kjo duket si një lloj këmbimi, andaj edhe u quajt blerje e tregti.
Ka ndodhur që disa besimtarë të jenë lutur për të afërmit e vet që t'i falë Zoti, kështu, edhe Pejgamberi është lutur për axhën e vet Ebu Talibin, është lutur edhe Ibrahimi për babain e vet: mirëpo, me këtë ajet kuptohet se janë lutur pa e ditur të vërtetën, sepse kur e kanë kuptuar, nuk janë lutur më as Ibrahimi, e as Muhammedi, por as myslimanët për të afërmit e tyre që vdiqën si idhujtarë ose si hipokritë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:113–9:114
Imam Ahmedi pëcjell nga Ibn Museji bi, e ky ng a i ati (El -Musejibi) rrëfimin 1432. “Kur Ebu Talibit i erdhi vdekja, Profeti i Allahut hyri tek ai. Pranë tij ishte Ebu Xhehli dhe Abdullah Ibn Umeje. Profeti i Allahut iu drejtua xhaxhait të vet: “O xhaxha, thuaj Lâ ilâhe il -l’Allah, fjalë kjo me të cilën mund të të mbroj tek Allahu.” Ebu Xhehli dhe Abdullah b. Ebu Umejje thanë: “O Ebu Talib, a mos, vallë, do të heqësh dorë nga besimi i Abdul -Muttalibit (gjyshit)?!) Kështu, ai tha: “Qëndroj në besimin e Abdul -Muttalibit.” Profeti i Allahut tha: “Do të kërkoj falje për ty, përveç nëse më ndalohet!” Atëherë Allahu i Lartësuar shpalli: “Nuk është e drejtë për Profetin e as për besimtarët, që të kërkojnë falje për idhujtarët, edhe nëse janë nga të afërmit të tyre, pasi t’u jetë bërë e qartë se me të vërtetë ata janë banorë të Xhahimit.” Po për këtë flet edhe ajeti: “Ti nuk do të mund ta udhëzosh çdokënd që do ti, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë dhe Ai i di më së miri atë që e marrin (dhe e meritojnë) udhëzimin.” [Kasas 56.] [Buhariu e Muslimi]. Imam Ahme di sjell rrëfimin nga Burejde: 1433. “Ne ishim së bashku me Profetin e Allahut në një udhëtim. Ishim rreth 1000 kalorës. Profeti zbriti dhe, pasi fali dy rekatë namaz, u kthye drejt nesh. Sytë e tij po ridhnin lot. Umer Ibn Hatabi shkoi tek ai dhe i tha: “U flijofshin nëna e babai im në vend tënd! O i Dërguari i Allahut, çfarë të shqetëson?” - “Unë i kërkova Zotit tim, që të kërkoj falje për nënën time, dhe nuk më lejoi, prandaj më lotuan sytë nga mëshira dhe dhembshuria për të nga zjarri. Unë ju kam ndaluar nga tri gjëra: ju kam ndaluar nga vizita e varreve, por tani mund t’i vizitoni ato, sepse vizita e tyre ju përkujton për mirë. Ju kam ndaluar në fillim që të ruani mishin e kurbaneve më shumë se tri ditë, por tani mund të hani prej tyre dhe t’i ruani sa kohë të doni. Ju kam ndaluar të konsumoni pijet që ruhen në disa lloje enësh, por tashmë mund të pini nga çdo lloj ene, por mos pini pije dehëse!” Suhejli sjell në “ El Reud -in” e tij një rrëfim, transmetuesit e të cilit janë të panjohur, ku përmendet se Allahu ia ngjalli Profetit babain dhe nënën e tij dhe ata e besuan. 121 Hafidh Ibn Dihje ka thënë: “Ky hadith është meudû' (i trilluar, i gënjeshtërt) të cilin e përgënjeshtron Kur 'ani dhe unanimiteti i dijetarëve. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nuk është i pranueshëm pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë vepra të këqija dhe vetëm atëherë kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, thotë “Unë tani me të vërtetë u pendova!”, as pendimi i atyre që vdesin si jobesimtarë. Për ta kemi përgatitur dënimin më të ashpër.” [Nisa 18].122 - Nuk është e drejtë për Profetin e as për besimtarët, që të kërkojnë falje për idhujtarët, edhe nëse janë nga të afërmit e tyre, pasi t’u jetë bërë e qartë se me të vërtetë ata janë banorë të Xhehenemit. - Për tefsirin e këtij ajeti, Katadja ka thënë: 1434. “Na është rrëfyer se një grup shokësh të Profetit pyetën njëherë: “O i Dërguari i Allahut! Prej prindërve e të parëve tanë ka pasur të tillë, që ruanin fqinjësi të mirë, mbanin lidhjet farefsinore, çlironin robër e përmbushnin premtimet. A të kërkojmë falje për ta?” - “Po, - tha Profeti, - edhe unë kërkoj falje për babain tim, ashtu si Ibrahimi kërkoi falje për të atin.” Atëherë, Allahu shpalli: “Nuk është e drejtë për Profetin e as për besimtarët, që të kërkojnë
falje për idhujtarët, edhe nëse janë nga të afërmit të tyre, pasi t’u jetë bërë e qartë se me të vërtetë ata janë banorë të Xhehenemit.” Pastaj Allahu i Lartësuar, duke e justifikuar Ibrahimin, tregoi shkakun përse ai kërkonte falje për të atin: - Edhe lutja e Ibrahimit për babain e vet u bë veçse për shkak të një premtimi, që ai kishte bërë më parë. - Katadja shpjegon: “Na është treguar se Profeti i Allahut ka thënë: 1435. “Mua më janë shpallur disa fjalë, që hynë në veshin tim dhe zunë vend në zemrën time: U urdhërova të mos kërkoj falje për atë që ka vdekur si idhujtar. Për atë që jep pjesën e tepërt nga pasuria e tij, është më mirë, ndërsa ai që e mban atë, është më keq për të. Allahu nuk qorton asnjë për atë që përmbush mjaftueshmërinë e vet.” - Por kur iu bë e qartë se ai ishte armik i Allahut, ai u largua prej tij. “ - Ibn Abasi ka thënë: “Ibrahimi vazhdoi të kërkonte falje për të atin, derisa ai vdiq. Por kur atij iu bë e qartë se ai ishte armik i fesë së Allahut, ai u distancua prej tij.” Po kështu ka thënë edhe Muxhahidi, Dahhaku, Katade e të tjerë, - Allahu i mëshiroftë të gjithë! - Me të vërtetë, Ibrahimi ishte shumë i ndjeshëm dhe i butë. - Sufjan Theuriu e të tjerë kanë sjellë hadithin prej Abdullah Ibn Mesudit se ka thënë: “ El eu -uâh është eddea’âu, pra, ai që lutet shumë dhe gjatë. Në lidhje me kuptimin e fjalës El euuâh, janë dhënë shpjegime e përkufizime të përafërta, por kuptimi më parësor për t’u marrë është pikërisht ed-dea’âu, pra, ai që lutet shumë, gjatë, me përunjësi e pandërprerë. Ky kuptim është i përshtatshëm edhe me kontekstin në fjalë. Në këtë kontekst, Allahu i Lavdëruar na tregon se Ibrahimi lutej për falje për të atin, për shkak të një premtimi që i kishte bërë. Ibrahimi ishte nga ata njerëz që bënin shumë dua dhe ishte i dhembshur e tolerant edhe me ata që i jepnin mundime e i bënin padrejtësi. Për këtë arsye e për këto cilësi që gëzonte, ai lutej për falje edhe për të atin, edhe pse ai i kishte shkaktuar shumë mundime dhe e kishte dëbuar, siç tregon i Lartësuari në një ajet tjetër: “Ai (babai) tha: “Ti po urren zotat e mi, o Ibrahim? Nëse nuk ndalesh do të të vras me gurë. Tani largohu prej meje për një kohë të gjatë!” Ai (Ibrahimi) tha: “Paqja qoftë mbi ty! Unë do t'i lutem Zotit tim të të falë ty. Ai (Allahu) kujdeset gjithmonë për mua. Unë po largohem prej jush dhe prej asaj që ju adhuroni përveç Allahut dhe shpresoj se me lutjet drejtuar Zotit tim nuk do të jem i humbur.” [Merjem 46]. Kështu, Ibrahimi tregoi dhembshuri e falje për të atin, edhe pse ai e luftonte. Allahu i Madhëruar ka thënë për Ibrahimin: “Me të vërtetë, Ibrahimi ishte shumë i ndjeshëm dhe i butë.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:113–9:114
- “Nuk është e drejtë për Profetin e as për besimtarët që të kërkojnë falje për idhujtarët, edhe nëse janë nga të afërmit të tyre, pasi t’u jetë bërë e qartë se me të vërtetë ata janë banorë të Xhehenemit.” - Nuk u shkon për shtat dhe është jo e mirë që Profeti dhe besimtarët të kërkojnë falje për idhujtarët, - të cilët e mohojnë Allahun ose adhurojnë të tjerë së bashku me Allahun, - edhe sikur ata të jenë nga më të afërmit e tyre, pasi t’u jetë bërë e qartë se idhujtarët janë banorë të Zjarrit. Kërkimi i faljes për njerëz të kësaj kategorie, është i gabuar dhe i padobishëm. Është e pahijshme dhe nuk i shkon për shtat Profetit dhe besimtarëve të bëjnë një vepër të tillë. Nëse dikush vdes si idhujtar ose ka prova të mjaftueshme se ka vdekur si idhujtar, atëherë për të është bërë i pashmangshëm zjarri i Xhehenemit. Kësaj kategorie nuk i bën dobi asnjë lloj ndërmjetësimi dhe asnjë lloj lutjeje për ta. Profeti dhe besimtarët e kanë detyrë që të zbatojnë atë çfarë Zoti i tyre urdhëron. Ata duhet të kënaqen me çdo gjë që kënaq Zotin dhe duhet të zemërohen me çdo gjë që zemëron Zotin. Ata duhet ta duan dhe miqësojnë këdo që Zoti e do dhe duhet ta urrejnë e armiqësojnë këdo që Zoti e urren dhe e quan armik. Pa dyshim, kërkimi i faljes për jobesimtarët dhe idhujtarët bie ndesh me këtë parim bazë të besimit të saktë, domethënë me dashurinë dhe urrejtjen për hir të Zotit. - “Edhe lutja e Ibrahimit për babain e vet u bë veçse për shkak të një premtimi, që ai kishte bërë më parë.” - Për sa i përket lutjes së Ibrahimit, të dashurit të Rahmanit, për babain e Tij idhujtar, kjo ndodhi veçse për një shkak: se Ibrahimi i kishte premtuar të atit, kur i tha: "Paqja qoftë me ty! Unë do t’i kërkoj falje Zotit tim për ty". [Merjem 47]. Por kjo ngjarje ndodhi përpara se Ibrahimi të mësonte përfundimin e të atit. Më pas, kur Ibrahimit iu bë e qartë se babai i tij ishte armik i Allahut dhe se ai nuk do të besonte më, por do të vdiste në mosbesim e idhujtari, atëherë u distancua prej të atit. I Lartësuari thotë: - “Por kur iu bë e qartë se ai ishte armik i Allahut, ai u largua prej tij. Me të vërtetë, Ibrahimi ishte shumë i ndjeshëm dhe i butë.” - Ibrahimi iu nënshtrua Zotit të tij, plot edukatë, bindje dhe përunjësi. Ibrahimi ishte ai që kthehej gjithmonë tek Allahu për çdo çështje të tij. Ai ishte një kujtues dhe lutës i palodhur i Allahut. Ai lutej, kërkonte falje dhe pendohej vazhdimisht te Zoti i tij. Ibrahimi ishte, gjithashtu, i mëshirshëm dhe tejet i butë me krijesat. Ai ishte falës dhe shumë tolerant kundrejt padrejtësive që të tjerët i bënin. Ai nuk irritohej nga injoranca apo gabimet e njerëzve. Padrejtësisë nuk i përgjigjej me zemërim e padrejtësi, por me butësi, ngrohtësi e falje. Mendo pak: i ati i tha: "Do të të vras me gurë!", - ndërsa Ibrahimi ia ktheu: "Paqja qoftë me ty! Unë do t’i kërkoj falje Zotit tim për ty”. Profeti Ibrahim duhet marrë si model për gjithçka, siç thotë Zoti: "Një shembull i mirë për ju janë Ibrahimi dhe ata që ishin me të, kur i thanë popullit të vet: “Ne distancohemi prej jush dhe prej çfarë adhuroni ju veç Allahut. Ne ju mohojmë dhe armiqësia ndërmjet nesh
është e hapur, derisa ju ta besoni Allahun si Një e të Vetëm!”. Por mos e merni si shembull fjalën e Ibrahimit drejtuar babait të vet (mosbesimtar) “Unë do të kërkoj falje për ty, por nuk kam asnjë mundësi për ty para Allahut!”. (Thoni) “Zoti ynë, vetëm Ty të mbështetemi, vetëm para Teje pendohemi dhe vetëm tek Ti është kthimi ynë. Zoti ynë, mos na bëj sprovë të atyre që nuk besojnë dhe falna, o Zoti ynë! Ti je Ngadhënjimtari, i Urti.” [El mumtehine 4, 5.] Ne duhet të sillemi ashtu si na ka mësuar Zoti për të gjitha çështjet.