9. Tevbe · Ajeti 115 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:107–9:115
Xhami e sherrit ose "Mesxhidu dirar", si është quajtur në Kur'an, ishte një faltore të cilën e kishin ndërtuar hipokritët me iniciativën e njëfarë Ebu Amirit të cilin edhe e ftuan në atë solemnitet. Pas disfatës së idhujtarëve Hevazin në luftën e Hunejnit, Ebu Amiri si prift i krishter ikën dhe shkon në Sham. Ai ishte betuar se do të luftonte kundër Muhammedit, dhe prej atje i porosit hipokritët të përgatisin armë e fuqi dhe të ndërtojnë një faltore si vend tubimi, ndërsa ai do të shkonte te sunduesi bizantin, prej nga do ta sjellë një ushtri për ta ndjekur Muhammedin dhe shokët e tij nga Medina. Hipokritët ndërtuan xhaminë dhe shkuan e i thanë Pejgamberit: e ndërtuam për të dobëtit, për të sëmurët, për ndonjë natë të vështirë me shi, e kemi dëshirë të vijshë ti, të falesh në të dhe të na e bekosh. Pejgamberi u vesh, u përgatit të shkojë, kur ja, arriti Xhibrili me këtë ajet. Kur e kuptoi Pejgamberi qëllimin e tyre, urdhëroi disa sahabë, të cilët vajtën dhe e dogjën, e rrënuan, shpartalluan të tubuarit dhe atë vend e caktuan vend hedhurinash.
Shembulli i xhamisë-ngrehinës në themele të shëndosha dhe i asaj në themele buzë shembjes, figuron (përfaqëson, shembllen) besimtarin e sinqertë në besimin e tij si dhe hipokritin.
Njeriu e blen një send kur ka nevojë për të, Zoti s'ka nevojë për asgjë, sepse gjithçka është e Tij, pra nuk ka prej kujt të blejë. Fjala është se Zoti u premtoi xhennetin atyre që e japin jetën e pasurinë për hir të lartësimit të fjalës së Zotit, e besimtarët bënë bujari me jetën dhe pasurinë e tyre, kjo duket si një lloj këmbimi, andaj edhe u quajt blerje e tregti.
Ka ndodhur që disa besimtarë të jenë lutur për të afërmit e vet që t'i falë Zoti, kështu, edhe Pejgamberi është lutur për axhën e vet Ebu Talibin, është lutur edhe Ibrahimi për babain e vet: mirëpo, me këtë ajet kuptohet se janë lutur pa e ditur të vërtetën, sepse kur e kanë kuptuar, nuk janë lutur më as Ibrahimi, e as Muhammedi, por as myslimanët për të afërmit e tyre që vdiqën si idhujtarë ose si hipokritë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:115–9:116
- Allahu nuk e humb një popull pasi ta ketë udhëzuar atë dhe para se t’i sqarojë atij se nga çfarë duhet të ruhet. Të jeni të sigurt se Allahu di gjithçka. - Allahu i Lavdëruar na tregon për drejtësinë e Tij absolute. Ai nuk do ta linte kurrë të humbte një popull, pa i dërguar paraprakisht profetë e shpallje të qartë, në mënyrë që askush të mos ketë justifikim para Tij. I Lavdëruari thotë: “Sa u përket (popullit të) Themudit, Ne ia treguam udhën e drejtë, por ata parapëlqyen verbërinë (e zemrës) kundrejt udhëzimit. Prandaj i kapi tmerri i dënimit poshtërues, për shkak të asaj që kishin vepruar.” [Fusilet 17]. Kështu, edhe në këtë çështje, Allahu bëri të ditur se Ai kurrë nuk do të gjykonte e dënonte njeri, për shkak të kërkimit të faljes për të afërmit që vdiqën si idhujtarë, derisa të sqaronte që kjo ishte e palejueshme dhe të urdhëronte për largimin nga kjo vepër. Nëse njeriu bën një gabim përpara se të sqarohet se është i tillë, Allahu nuk e gjykon si gabimtar dhe të humbur. Me
fjalë të tjera, bindja dhe mosbindja mund të konceptohen veçse pas sqarimit të urdhëresave dhe ndalesave. - Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i Tokës. Ai jep jetë dhe vdekje. Ju nuk keni mbrojtës, as ndihmës tjetër, veç Allahut. - Ibn Xheriri ka thënë: “Kjo është një nxitje e fortë nga Allahu i Madhëruar për luftë kundër idhujtarëve dhe mbretërve të mosbesimit. Ai u premton besimtarëve mirësi dhe i urdhëron që të kenë besim të plotë e të palëkundur në ndihmën e Tij, i Cili është Pronari dhe Sunduesi i qiejve dhe i Tokës. Kjo duhet t’i bëjë ata që të mos u frikësohen kurrsesi mohuesve dhe armiqve të Zotit. Allahu është i vetmi mbrojtës e ndihmës. Vetëm në dorën e Tij është ndihma e fitorja.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:115–9:116
- “Allahu nuk e humb një popull pasi ta ketë udhëzuar atë dhe para se t’i sqarojë atij se nga çfarë duhet të ruhet.” - Kur Allahu i Madhëruar begaton një popull duke i udhëzuar në rrugën e drejtë, pa dyshim që, së bashku me udhëzimin, Ai e plotëson mirësinë e Vet mbi ta duke u sqaruar gjithçka për të cilën ata kanë nevojë dhe duhet të dinë. Ai kurrë nuk do t’i linte të humbur dhe pa u sqaruar çështjet e fesë dhe të besimit. Në të kundërt, udhëzimi nuk do të ishte i mundur. Kjo tregon për mëshirën e plotë të Allahut dhe se Sheriati i Tij përmban gjithçka që njerëzit kanë nevojë të dinë prej fesë. Sipas një shpjegimi të dytë, kuptimi i ajetit është që, pasi Allahu u tregon njerëzve udhën e drejtë dhe ata nuk nënshtrohen, atëherë Ai i ndëshkon duke i lënë në humbje. Megjithatë, kuptimi i parë është më përfshirës dhe më i goditur. - “Të jeni të sigurt se Allahu di gjithçka.” - Allahu i Lartësuar është i plotë dhe gjithëpërfshirës në dijen e Tij, prandaj ju ka mësuar edhe juve atë që nuk e dinit. Ai ju ka sqaruar çdo gjë të dobishme për ju. - “Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i Tokës. Ai jep jetë dhe vdekje.” - Allahu është Pronari, Sunduesi dhe Mbretëruesi i tyre. Ai përkujdeset dhe rregullon të gjitha çështjet e krijesave të Tij. Ai jep dhe merr jetë. Allahu ka caktuar ligjet e krijimit dhe është i lavdëruar dhe absolut për këto ligje. Nuk ka defekte në ligjet e Tij të krijimit. Të tilla janë edhe ligjet e jetës dhe të adhurimit që Ai ua ka bërë detyrë krijesave. Nëse në ligjet e krijimit të gjithësisë nuk mund të gjesh asnjë mangësi, atëherë si mund të gjesh boshllëqe në ligjet e besimit dhe të adhurimit të Tij?! Kurrsesi nuk mund të pranohet që Allahu t’i lërë njerëzit të çoroditur dhe të shpërfillur, të paudhëzuar dhe injorantë, ndërkohë që kjo është çështja më e rëndësishme e përkujdesjes për krijesat. - “Ju nuk keni mbrojtës, as ndihmëtar tjetër, veç Allahut.” - Ju nuk mund të gjeni ndonjë përkrahës tjetër, veç Allahut, për t’ju ndihmuar që t’ju vijë ndonjë e mirë dhe as mbrojtës, që t’ju ruajë nga të këqijat.