9. Tevbe · Ajeti 12 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:11–9:22

Allahu ua ka lënë dyert e hapura atyre që duan të besojnë, e nëse nuk duan të besojnë dhe tradhtojnë marrëveshjet, ofendojnë fenë islame, ata meritojnë të luftohen, ngase ata ishin të parët që i luftonin myslimanët, ata u përpoqën ta likuidojnë Pejgamberin, kur nuk ia dolën kësaj pune, e detyruan ta lëshojë vendlindjen. Të gjitha këto ishin krime të tyre të cilat tërhoqën luftën kundër vetes. Myslimanët u urdhëruan ta luftojnë parinë idhujtare, ngase ata ishin ata që pengonin të tjerët të pranonin besimin e drejtë, Disa nga paria e tyre si Ebu Sufjani, Ikrime, Suhejl ibni Amri, e pranuan islamizmin ditën kur u çlirua Meka dhe Allahu ua pranoi pendimin.

Lufta që u propozohej myslimanëve, kishte për qëllim që të dihej dhe të dalë në shesh besimtari i sinqertë dhe ai i luhatshmi, dhe ashtu të pastrohen mirë radhët e myslimanëve, andaj edhe përmenden ata që luftuan me pasuri, me jetë, kurse sekretet e myslimanëve nuk ua shpallën asnjë të huaji, siç bënin disa nga munafikët. Allahu i ka ditur dhe i di të sinqertit dhe jo të sinqertit, e ajo dije e Allahut duhej të manifestohej konkretisht. E tërë kjo kishte për qëllim filtrimin e njerezve.

Mushrikët mendonin se edhe ata kanë një privilegj meqë u jepnin ujë haxhinjve, kujdeseshin për Qaben etj. Kjo pjesë e Kur'anit u dha të kuptojnë se veprat e tyre janë të kota, derisa të mos besojnë, andaj edhe ua mohonte të drejtën përderisa nuk besuan.

Allahu i përgëzon ata që migruan me një shkallë të lartë të shpërblimit për shkak se ata besuan, migruan dhe luftuan, e si shpagim të vuajtjeve të tyre, kanë mëshirën, kënaqësinë e Zotit dhe përjetime të pakëputura.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:12

Nëse këta idhujtarë, me të cilët ke lidhur marrëveshje deri në një afat të caktuar, e shkelin zotimin e tyre dhe sulmojnë fenë tuaj, duke shpifur e nënçmuar atë, atëherë ata meritojnë luftën dhe vrasjen. Dijetarët bazohen në këtë ajet për të thënë se ai që fyen e shan Profetin, ose shan fenë islame apo e përmend me nënçmim atë, atij i jepet dënim kapital. I Lartësuari thotë: “...atëherë luftoni kundër krerëve të mohimit - sepse ata vërtet nuk kanë besë - me qëllim që të frenohen.” Domethënë, që të heqin dorë nga kufri, humbja, inati e armiqësia. Edhe pse ajeti është zbritur në mënyrë të veçantë për krerët e kufrit në radhët e Kurejshëve, ai i përfshin të gjithë ata që kanë të njëjtat cilësi.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:12–9:15

Në ajetet e mësipërme Allahu i Madhëruar na udhëzon që, nëse idhujtarët u qëndrojnë korrekt marrëveshjeve dhe pakteve, edhe ne duhet t'u përmbahemi atyre. Në vijim, i Madhëruari thotë: - “Por nëse pas lidhjes së marrëveshjes, ata e shkelin zotimin e tyre dhe sulmojnë fenë tuaj, atëherë luftoni kundër krerëve të mohimit - sepse ata vërtet nuk kanë besë - me qëllim që të frenohen.” - Nëse ata ju luftojnë ose ndihmojnë të tjerët në luftën kundër jush, duke cenuar pikat e marrëveshjes dhe, ajo që është më e keqja, duke u tallur dhe duke ju fyer në fenë tuaj, atëherë e gjitha kjo konsiderohet si shkelje e paktit. Këtu përfshihen të gjitha llojet e fyerjeve dhe talljeve me fenë e Zotit dhe me Kur'anin. Atëherë, përfundimi është: luftoni kundër krerëve të mohimit, - sepse ata vërtet nuk kanë besë, - që të frenohen nga veprat e tyre! Luftojini udhëheqësit e mohimit, të cilët, nga njëra anë fyejnë dhe shpifin për fenë e Zotit dhe, nga ana tjetër, reklamojnë dhe mbështesin rrugën e Shejtanit! Allahu i Lartësuar e theksoi këtë kategori, duke i përmendur krerët e kufrit në mënyrë të veçantë, për shkak të krimit të madh dhe të shëmtuar që ata kryejnë dhe për faktin se të tjerët janë pasues të tyre dhe ndikohen nga ata. Ajeti tregon se të gjithë ata që fyejnë dhe shpifin rreth fesë së Zotit dhe dalin si kundërshtarë të hapur të saj konsiderohen si krerë të mosbesimit. Për të tillë njerëz, i Lartësuari thotë: “ata vërtet nuk kanë besë”. Ata janë njerëz që nuk u qëndrojnë premtimeve dhe pakteve të nënshkruara. Ata nuk dinë gjë tjetër veç tradhtisë dhe pabesisë. Ata gjithmonë i shkelin marrëveshjet, prandaj nuk mund t’u zihet besë. Urdhri për t'i luftuar të tillë njerëz është dhënë, me qëllim që, ashtu sikurse thotë i Lartësuari: ata të frenohen. Duke i luftuar, mbase ata do të reshtin së fyeri e shpifur kundër fesë. Ndoshta ata ulen dhe mendojnë me qetësi, dhe kjo mund të bëhet shkak që të kthehen në Islam. Në vijim, Allahu i Madhëruar i nxit besimtarët për të luftuar këta tradhëtarë të pabesë, duke përmendur disa nga veprat e tyre, që e bëjnë të detyrueshme këtë luftë: - “A do të ngurroni ju të luftoni një popull që i shkel zotimet e veta dhe që synon të dëbojë të Dërguarin, dhe kur, në fakt, ishin ata që ju sulmuan të parët?” - Ata shkelin marrëveshjet me ju dhe duan të dëbojnë Profetin, ndërkohë që janë të

detyrueshme respekti, ndihma dhe mbështetja për të Dërguarin e Zotit. Përveç këtyre, “ishin ata që ju sulmuan të parët”. Ata e prishën marrëveshjen dhe u bashkuan me armiqtë tuaj. Këtu bëhet fjalë për tradhtinë e kurejshve, të cilët kishin pakt me Profetin, por e cenuan atë. Kurejshët u bashkuan me fisin e Beni Bekër, kundër aleatëve të Profetit (a.s), siç ishte fisi Huza'ah, sikurse thuhet në librat e historisë. - “Mos vallë keni frikë prej tyre? Është Allahu Ai që e meriton më shumë që ju t’i frikësoheni, nëse jeni besimtarë.” - Mos vallë, i keni frikë, që nuk i luftoni?! Nëse jeni besimtarë të vërtetë, duhet t'i frikësoheni më shumë Allahut të Madhërishëm. Frika ndaj Tij tregohet me zbatimin e urdhrave të Tij. Ai ju urdhëron që të luftoni kundër tyre, madje e përforcon shumë këtë urdhër. Nëse jeni besimtarë, atëherë duhet të zbatoni këtë urdhër. Ju, si besimtarë që jeni, nuk lejohet t'i frikësoheni askujt dhe ta lini pa zbatuar këtë urdhër të Allahut. Në vijim, i Madhëruari urdhëron për luftë kundër tyre dhe përmend mirësitë e shumta që vijnë me zbatimin e këtij urdhri. Të gjitha këto shërbejnë si inkurajim, që të gjallërojnë vullnetin e besimtarëve për luftë kundër armikut të tyre. I Lartësuari thotë: - “Luftojini ata, që Allahu t’i ndëshkojë ashpër me duart tuaja, t’i poshtërojë, t’ju dhurojë fitoren mbi ta,...” - Allahu do t’i ndëshkojë ata me duart tuaja, duke i vrarë e shfarosur. Ata do të vuajnë ndëshkimin dhe poshtërimin kur të shohin triumfin tuaj, të dhuruar nga Allahu. Ata e meritojnë plotësisht të poshtërohen dhe që të përdoret çdo mënyrë për të arritur këtë qëllim. Dhe, vërtet, Allahu i Madhëruar e bëri realitet premtimin e dhënë Profetit. Ai u dha fitoren besimtarëve. Përmes kësaj fitoreje, Allahu shëroi dhe qetësoi zemrat e besimtarëve: - “...të shërojë shpirtrat e besimtarëve dhe ta largojë hidhërimin nga zemrat e tyre!” - Zemrat e besimtarëve janë të mbushura me urrejtje e zemërim kundër mohuesve të Zotit, të cilët kalojnë çdo kufi me shkeljen e të gjitha të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, prandaj lufta dhe vrasja e mohuesve i lehtëson dhe shëron zemrat e tyre prej zemërimit e urrejtjes. Luftimi dhe eliminimi i atyre që luftojnë Allahun dhe Profetin e Tij, të cilët përpiqen të shuajnë dritën e Allahut, i gëzon dhe i qetëson besimtarët e vërtetë. Kjo tregon se Allahu i Madhëruar i do besimtarët e Tij dhe kujdeset për ndjenjat dhe qetësimin e shpirtrave të tyre nga zemërimi, urrejtja dhe trishtimi që i rëndon ata, madje ky është një nga qëllimet kryesore të Sheriatit. - “Allahu ia pranon pendimin atij që do.” - Me urtësinë dhe mëshirën e Tij të gjerë, Allahu i Madhëruar bën të mundur që një pjesë e mohuesve që kanë luftuar të vërtetën, të pendohen dhe Ai t'ua zgjerojë kraharorin për të pranuar Islamin. Është i Madhëruari që ua zbukuron Islamin dhe besimin e pastër në zemrat e tyre dhe ua bën të urryer dhe të shëmtuar mosbesimin, shfrenimin në kalimin e kufijve dhe mosbindjen ndaj Tij. Allahu është i Gjithëditur dhe i Urtë në çështjen se kujt i jep sukses që të hyjë në fenë Islame e kujt jo: - “Allahu është i Gjithëditur dhe i Urtë.” - Allahu vendos çdo gjë në vendin e vet. Ai e di shumë mirë se kush e meriton dhe kush është i gatshëm për t'iu dhuruar imani, prandaj i udhëzon ata, me pushtetin dhe mëshirën e Tij. Ai e di mirë, gjithashtu, edhe se kush nuk e meriton të udhëzohet, por meriton që të mbetet në humbje dhe në shfrenim.

← Tevbe 9:12